Ciaran dhe jo Ciara/ Pse shqiptarët po e ngatërrojnë emrin e stuhisë?
Prej disa orësh Europa, por edhe Shqipëria është pushtuar nga një stuhi. Stuhia quhet Ciaran, kudo në botë po shkruhet korrekt gjatë raportimeve në media, veçse në Shqipëri. Në mediat shqiptare, siç duket edhe në këtë foto, të gjithë i referohen si stuhia Ciara (Kiara), duke i ndryshuar edhe gjininë stuhisë e duke e bërë vajzë. Në këtë rast, Ciaran ka marrë emrin e një zotërie (historinë do ta sqarojmë më poshtë). Ciara, është tjetër Kiarë ajo, një nga emrat më popullorë të muajve të fundit në Shqipëri. Një emër që po tërheq vëmendjen kudo e kurdo e që duket se influencoi edhe në ngatërrimin e emërtimit të stuhisë.
Pse stuhia quhet Ciaran?
Ciaran, mban emrin e një nëpunësi, që punon në emergjencat civile irlandeze. Ja është ky zotëria në foto.
Si i marrin emrat stuhitë?
Organizata Botërore Meteorologjike delegon zgjedhjen e emrave, të cilët duhet të alternojnë midis gjinisë mashkullore dhe femërore, në pesë organe rajonale.
Gjithçka varet nga cili shtet godet të parin stuhia. Që nga viti 2017, Evropa është ndarë në pesë zona, brenda të cilave shërbimet e motit bashkëpunojnë për të emërtuar së bashku fenomenin.
Në rastin e Ciaran, grupi që përmban Irlandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandën zgjodhi këtë emër - një haraç për Ciarán Fearon, një irlandez, nëpunës civil që punon në monitorimin e përmbytjeve.
Pse u jepen emra stuhive?
WMO shpjegon në faqen e saj të internetit se arsyeja kryesore për emërtimin e uraganëve është të ndihmojë në identifikimin e shpejtë të stuhive në mesazhet paralajmëruese, sepse emrat supozohet të jenë shumë më të lehtë për t'u mbajtur mend sesa numrat dhe termat teknikë.
Në mënyrë të ngjashme, WMO shpjegon se preferon të përdorë emra që janë të njohur për njerëzit në çdo rajon. Në Japoni, emrat Usagi, Koguma ose Tokage mund të përdoren. Për Australinë, Kate, Jack ose Fletcher kanë më shumë gjasa të mbahen mend.
Një emër mashkullor apo femëror?
Që nga fillimi i viteve 1950, ëMO ka përdorur vetëm emra femërorë për të emërtuar uraganet. Kjo ndryshoi në vitin 1979 dhe që atëherë emrat mashkullorë dhe femërorë janë alternuar, sipas rendit alfabetik (si për shembull Harvey, Irma, Jose dhe Katia këtë vit).
Një ndryshim ky që gjithsesi nuk i parandalon stereotipet gjinore. Një studim i kryer nga studiues amerikanë ka treguar se uraganet me emra femrash që kanë goditur SHBA-në kanë vrarë më shumë njerëz sesa ata me emra mashkullorë. Arsyeja nuk është vetë fenomeni, por se uraganet me emra femrash perceptohen si më pak të rrezikshëm se ato me emra meshkujsh. Alexandri, për shembull, perceptohet si më kërcënues se Alexandra.