Stil jete

Festivali 63: Publikohen në YouTube, 30 këngët konkurruese

Festivali 63: Publikohen në YouTube, 30 këngët konkurruese

Festivali i Këngës në RTSH, një nga ngjarjet më prestigjioze muzikore në Shqipëri, ka hapur sot një tjetër kapitull. Të 30 këngët që do të garojnë në edicionin e 63-të të festivalit u publikuan sot me një koncept vizual shumë modern, tejet të kuruar nga regjisori i festivalit Redi Treni, në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube, duke i dhënë publikut një mundësi për t’i dëgjuar plotësisht para netëve të Festivalit.

Lajmi u konfirmua së pari gjatë ditës së sotme nga drejtuesja artistike e këtij edicioni, këngëtarja e njohur Elhaida Dani, duke theksuar se këngët do të publikoheshin në formatin e tyre të plotë, me qëllim krijimin e një lidhje më të fortë mes këngëtarëve, kompozitorëve dhe publikut.

Në këtë edicion marrin pjesë 30 artistë, të cilët përfaqësojnë një gamë të gjerë stilesh muzikore, nga baladat te ritmet moderne. Publikimi i këngëve në YouTube jo vetëm që i jep publikur mundësinë për t’i dëgjuar paraprakisht, por edhe për t’u familjarizuar me krijimtarinë muzikore që ata do të vlerësojnë gjatë netëve të festivalit.

Festivali i Këngës në RTSH, i cili këtë vit organizohet nga 19-22 dhjetor, është një pikënisje e rëndësishme për artistët shqiptarë, jo vetëm për të garuar për çmimin e madh, por edhe për të fituar mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025.

Me këngët në platformën online, pritet që fansat të fillojnë diskutimet për favoritët e tyre. RTSH ka krijuar këtë hapësirë për të ofruar transparencë dhe për të nxitur një lidhje të re mes artistëve dhe publikut.

Të gjithë adhuruesit e muzikës janë të ftuar të ndjekin kanalin e RTSH-së në YouTube për të dëgjuar këngët dhe për të filluar një udhëtim të ri muzikor drejt natës së madhe të finales së Festivalit të 63-të. Atmosfera është ndezur dhe emocionet vetëm sa kanë filluar!

Këngët e Festivalit të 63-të në RTSH