Stil jete

Fjetja pa jastëk, zakon i mirë apo i keq?

Fjetja pa jastëk, zakon i mirë apo i keq?

Ndërsa disa njerëz kënaqen duke fjetur në jastëkë të mëdhenj dhe me pupla, të tjerëve iu duket siklet, dhe i shkakton dhimbje të forta të qafës ose shpinës në mëngjes. Ka disa përfitime fjetja pa jastëk, por jo të gjithë mund të përfitojnë prej tyre.

Jastëkët janë krijuar për të mbajtur shtyllën kurrizore në një pozicion 'neutral'. Ata ndajnë qafën me pjesën tjetër të trupit, duke promovuar qëndrim të mirë. Si rezultat, shumë kërkime janë fokusuar vetëm në llojin më të mirë të jastëkut. Shkencëtarët nuk kanë studiuar gjerësisht se si gjumi pa jastëk ndikon në shtyllën kurrizore.

Megjithatë, ata që zakonisht flenë barkas mund të përfitojnë nga heqja e jastëkut. Sipas Qendrës Mjekësore të Universitetit të Rochester, gjumi barkas e vendos shtyllën kurrizore në një pozicion të panatyrshëm. Kjo për shkak se pjesa më e madhe e peshës së trupit është në mes. Ky pozicion lodh shpinën dhe qafën, duke e bërë të vështirë për shtyllën kurrizore të ruajë lakimin e saj natyral.

Fjetja pa jastëk mund ta mbajë kokën në të njëjtën lartësi me pjesën tjetër të trupit. Kjo mund të zvogëlojë stresin në qafën tuaj dhe të mundësojë shtrirje më të mirë. Megjithatë, duhet thënë se kjo nuk vlen për pozicionet e tjera.

Nëse flini në shpinë ose anash, gjumi pa jastëk mund të shkaktojë më shumë dëm sesa dobi. Për shembull, në varësi të llojit të dyshekut, nëse flini në shpinë, mund të zbuloni se koka juaj priret të anohet shumë prapa pa jastëk. Hulumtimi i vitit 2021 zbuloi gjithashtu se jastëkët mund të jenë shumë të dobishëm për ata që flenë anash, sepse zvogëlojnë presionin mbi shpatullat, ijet dhe pjesën tjetër të trupit.

Më mirë, në këtë rast, të zgjidhni një jastëk shumë të hollë, rreth 10 centimetra të trashë. Sidomos nëse keni tendencë të gërhitni natën, vuani nga refluksi gastroezofageal ose apnea e gjumit.

Gjumi pa jastëk gjithashtu mund të mbajë larg alergjitë, të cilat mund të ndikojnë shumë në cilësinë e gjumit tuaj.

Përparësitë estetike

Nga pikëpamja estetike, gjumi pa jastëk mund të sjellë përfitime. Sidomos për lëkurën dhe flokët. Disa studime kanë zbuluar se materiali i sipërfaqes ku flini në fakt mund të ndikojë në shëndetin e flokëve tuaj. Një këllëf jastëku prej pambuku - më i zakonshmi për jastëkët - tenton të thithë vajrat natyralë nga skalpi juaj, gjë që mund t'i bëjë flokët tuaj me onde. Në këtë rast, nëse dëshironi të flini me jastëk, preferohet një këllëf mëndafshi, pasi nuk thith vajrat e flokëve.

Për më tepër, gjumi me jastëk mund të tërheqë lëkurën tuaj, duke shkaktuar vija të holla dhe rrudha. Mund të jeni zgjuar në mëngjes me të ashtuquajturat “rrudhat e gjumit”, të shkaktuara nga fërkimi i lëkurës me palosjet e këllëfit të jastëkëve. Në teori, gjumi pa jastëk mund të ndihmojë në ruajtjen e rinisë së lëkurës.

Një tjetër disavantazh që lidhet me përdorimin e një jastëku gjatë gjumit mund të jetë shfaqja e akneve. Djersa dhe papastërtia mund të grumbullohen në këllëfin tuaj të jastëkëve dhe të transferohen në lëkurën tuaj, duke shkaktuar shfaqjen e puçrrave. Një problem që megjithatë do ta kishit edhe pa jastëk, nëse flini me bark ose në krah.

Siç mund ta shihni, ka shumë variabla për t'u marrë parasysh dhe nuk ka zgjidhje më të mirë absolute. Pra, merrni parasysh cilat janë zakonet tuaja të gjumit dhe bëni zgjedhjen në përputhje me nevojat tuaja.