Qëndrimi në breg të detit dhe më pas kthimi në jetën tuaj të zakonshme kanë të përbashkët diçka të mirë : thyejnë rutinën. Dhe mesa duket kjo na duhet shumë, për t’u mësuar. Shkëputja është e vetmja mënyrë për të qenë në gjendje të vlerësojmë vendet dhe marrëdhëniet që në një moment të caktuar na duken të mërzitshme, por edhe e vetmja metodë për të mos justifikuar situatat toksike që nuk i dallojmë, sepse jemi mësuar me to.
Duhet të shikojmë larg që të mund të shohim mirë. Neuroshkencëtarja me famë botërore Tali Sharot, nga University College London, dhe Cass R. Sunstein, ekonomist në Harvard, e përshkruajnë në një ese shumë interesante, Look Better. “Edhe gjërat që dikur i keni parë si emocionuese e humbasin shkëlqimin pas një kohe”. “Kërkimet shkencore thonë se njerëzit fillojnë të mësohen me magjinë e një pushimi në Tropik brenda 43 orëve nga mbërritja”.
Reagojmë ndaj të papriturave
Ne reagojmë gjithnjë e më pak ndaj stimujve që përsëriten: jemi të strukturuar kështu, i bindemi një parimi të thjeshtë. “Nëse ndodh diçka befasuese ose e papritur, truri do të përgjigjet me intensitet të madh,” vazhdojnë autorët. “Megjithatë, kur gjithçka është e parashikueshme, ai përgjigjet më pak, ndonjëherë nuk përgjigjet fare. Siç ndodh me faqen e parë të një gazete, trurit i intereson ajo që ka ndryshuar kohët e fundit, jo ajo që ka mbetur e njëjtë. Kjo sepse për të mbijetuar, truri duhet t’i japë përparësi asaj që është e re dhe e ndryshme: era e papritur të tymit, një luan grabitqar që vrapon drejt jush ose një partner potencial tërheqës që ecën pranë. Që të bien në sy e reja dhe e papritura, truri filtron dhe përjashton të vjetrën dhe të pritshmen”.
Mekanizmi në terma shkencorë quhet të “mësuarit” dhe është gjithashtu i pranishëm tek jovertebrorët, siç vërehet nga eksperimentet në një kërmilli deti, Aplysia californica, i dashur nga studiuesit për madhësinë e madhe të neuroneve të tij. Kur preket molusku, ai adopton sjellje mbrojtëse dhe përpëlitet. Por nëse i njëjti stimul ndodh në mënyrë të përsëritur dhe nuk është kërcënues, për shembull sepse përfshin spërkatje uji, refleksi mbrojtës nuk nxitet më. Ai mëson të mos ketë frikë nga deti. Zakoni na kursen shumë ne sapienëve, përndryshe do të jetonim në një gjendje ankthi të përhershëm. Sidoqoftë, duhet të gjejmë një rrugë të mesme midis rrënjëve, arritjeve dhe trukeve tona, në mënyrë që të mos mërzitemi. Pushimet e shkurtra, për shembull, mund të ndërpresin rutinën dhe të gjenerojnë kënaqësi.
Teoria e kënaqësisë së ndërprerë
Ekonomisti hungarez Tibor Scitovsky hodhi hipotezën se kënaqësia vjen nga plotësimi i ndërprerë i dëshirave. Do të thotë që aspektet e këndshme të jetës na sjellin kënaqësi nëse i përjetojmë herë pas here. Nëse ato përvoja bëhen të përditshme, do të prodhojnë rehati dhe jo kënaqësi të vërtetë. Scitovsky i referohet pasurisë, por sipas autorëve të librit “Shiko më afër”, teoria mund të shtrihet në aspekte të tjera të ekzistencës.
Ata citojnë një studim shkencor në lidhje me këtë, të botuar në vitin 2011 në American Journal of Clinical Nutrition: «Një ekip studiuesish rekrutuan disa njerëz dhe i ndanë rastësisht në dy grupe, njëri prej të cilëve merrte një pjatë makarona me djathë çdo ditë për një javë. Në fillim, atyre u pëlqeu vërtet pjata, por gradualisht, me çdo ditë që kalonte, u dukeshin gjithnjë e më pak tërheqëse makaronat dhe djathi. Ata thjesht u mësuan me atë pjatë. Pothuajse çdo stimul që përjetohet në mënyrë të përsëritur gjatë një periudhe të shkurtër kohore, qoftë një kopsht lulesh apo grumbuj mbeturinash në trotuar, do të ngjallë një reagim emocional gjithnjë e më pak të fortë, qoftë pozitiv apo negativ. Grupit tjetër të pjesëmarrësve iu shërbyen një pjatë me makarona dhe djathë një herë në javë për pesë javë. Ata e pëlqyen javën e parë. E pëlqyen javën e dytë. E pëlqyen javën e tretë. E me radhë. Nuk pati ulje të nivelit të kënaqësisë me makaronat dhe djathin, sepse kënaqësia vjen nga plotësimi i ndërprerë i dëshirave”.
Të mësuarit është një mënyrë për të ndryshuar
Një pushim, sado i shkurtër, ju lejon të perceptoni jetën tuaj me sy të rinj. Kur e ndërpresim realitetin, ne mund të përparojmë, duke u çliruar nga zakonet, duke modifikuar një detaj të vogël ose duke revolucionarizuar botën tonë. Si të ndryshohet? Për shembull, duke studiuar. “Ti mësohesh me gjërat – një makinë luksoze, një televizor me ekran të madh – por nuk mësohesh me gëzimin e të mësuarit, sepse të mësuarit është, sipas definicionit, ndryshim”, shkruajnë Tali Sharot dhe Cass R. Sunstein. “Nuk mund të mësohesh me ndryshimin”. Në veprën e Oscar Wilde “Rëndësia e të qenit i sinqertë”, Jack Worthing i thotë të dashurës së tij, Lady Gwendolen Fairfax, se ajo është e përsosur dhe ajo përgjigjet: «Oh! Unë shpresoj që jo. Nuk do të kishte asnjë mundësi të mëtejshme për përparim dhe unë synoj të bëj përparim në shumë drejtime”.
Përparoni, përmirësoni. Një jetë dinamike, madje edhe futja në faqet e një libri, duket çelësi për të kultivuar një ndjenjë më të madhe mirëqenieje.
Kriza e moshës së mesme
Sipas esesë së neuroshkencëtares dhe ekonomistit, stabiliteti i tepërt është një nga arsyet kryesore për krizën e moshës së mesme, që e gjen në shumë pjesë të botës, mesatarisht midis moshës 48 dhe 62 vjeç. Kur je i ri, komentojnë ata, gjithçka mund të ndodhë: «Mund të biesh në dashuri, sot ose nesër, dhe mund të mësosh diçka që do të të transformojë plotësisht ose do të të ndryshojë jetën. Megjithatë, rreth moshës së mesme, shumë njerëz ndihen sikur kanë ngecur. Ata mendojnë se gjërat janë të qëndrueshme dhe do të mbeten të tilla për një kohë të gjatë”.
Stabiliteti nuk është gjë e keqe, por ka më pak rrethana të panjohura ose të paparashikueshme. Si të largohesh nga zakoni? Studimet vërtetojnë se kënaqësia me të mirat materiale bie ndjeshëm, ndërsa kënaqësia me përvojat nuk bie. Gëzimi që ndjen për një fustan të sapo blerë dhe për një udhëtim mund të jetë i ngjashëm në fillim, por vëmendja ndaj veshjes bie, ndërsa habia nga madhështia e disa monumenteve ose magjepsja prej disa peizazheve të lë një shije që mbetet përgjithmonë. “Ndikimi i vazhdueshëm i përvojave në lumturi, krahasuar me ndikimin kalimtar të zotërimit të një objekti material, mund të jetë një nga arsyet pse ne kemi më shumë gjasa të pendohemi që nuk kemi prenotuar një palë pushime, sesa që nuk kemi blerë diçka”, komentojnë autorët.
Eksplorues
Të gjithë i përkushtohen pak pozicioneve që kanë fituar dhe pak eksplorimit të gjërave të reja. Kthehemi në restorantet dhe butikët tanë të preferuar, por ndonjëherë na pëlqen të zbulojmë vende dhe dyqane të tjera. Pika e ekuilibrit ndryshon shumë nga një person në tjetrin. Ndoshta ata që mësohen lehtësisht me status quo-në tërhiqen më shumë nga ndjesi të ndryshme. “Për të qenë të qartë, ne nuk duam t’ju këshillojmë të ndaheni ose të lini punën!” saktësojnë dy eseistët. Natyrisht: nuk duhet domosdoshmërisht të ndryshoni kurs.
Studimet tregojnë se mesatarisht njerëzit janë më të lumtur kur ndryshojnë një prirje nga e cila tashmë janë lodhur, por studimet tregojnë gjithashtu se njerëzit priren, për shkak të një lloj dembelizmi mendor, të mos ndryshojnë asgjë. “Ne njerëzit mund të përshtatemi shumë”, thuhet në libër. “Është e lehtë të përfundoni si somnambul në një gjendje stresi dhe shpërqendrimi kronik, pa menduar që gjërat mund të jenë ndryshe”. Duhet të kemi kujdes, sepse zakoni na bën të verbër.
*Ky artikull u publikua nga Bota.al dhe u ripostua nga Tiranapost.al