Stil jete

Gjuha që nuk e njeh fjalën ‘Jo’

Gjuha që nuk e njeh fjalën ‘Jo’

Bëhet fjalë për gjuhën Kusunda të Nepalit. Nuk është e njohur dhe ka një sërë karakteristikash, mes tyre faktin që nuk ka as “Po” as “Jo” në fjalor.

Kusunda është një grup i vogël indigjen tashmë i shpërndarë në Nepalin perëndimor. Gjuha e tyre, e quajtur gjithashtu Kusunda, është unike. Nga gjuhëtarët, besohet se nuk ka lidhje me asnjë gjuhë tjetër në botë. Studiuesit ende nuk janë të sigurt se nga e ka origjinën.

Sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të Nepalit në vitin 2011, kanë mbetur 273 qytetarë që flasin gjuhën Kusunda. Vetëm një grua, 48-vjeçarja Kamala Khatri e flet rrjedhshëm atë.

Gjuha që nuk e njeh fjalën ‘Jo’
Kamala Khatri

Kusundat janë shumë të margjinalizuar dhe të varfër brenda shoqërisë nepaleze. Sot, shumica jetojnë në distriktin Dang të Nepalit perëndimor, një rajon i përgjumur me fusha dhe kodra të pyllëzuara e nën mjegull.

Për popullin Kusunda, humbja e gjuhës do të thotë të humbasësh lidhjen me të kaluarën e tyre dhe me identitetin e tyre.

Madhav Pokharel, profesor i gjuhësisë në Universitetin Tribhuvan në Katmandu, ka mbikëqyrur dokumentacionin e gjuhës Kusunda gjatë 15 viteve të fundit. Ai shpjegon se disa studime janë përpjekur ta lidhin atë me gjuhë të tjera të izoluara, si Burushaski nga Pakistani verior dhe Nihali nga India. Por askush nuk ka arritur të gjejë ndonjë lidhje të fortë.

Aktualisht, studiuesit gjuhësorë besojnë se Kusunda vjen nga një gjuhë e lashtë aborigjene e folur në të gjithë rajonet e Himalajës.

E veçanta e gjuhës është fakti se nuk ka asnjë mënyrë për të mohuar një fjali. Në fakt gjuha ka pak fjalë që nënkuptojnë ndonjë gjë negative.

Nëse dikush do të thotë se nuk dëshiron çaj, duhet të gjejë mënyrën dhe sinonime që të tregojnë se është i ngopur për shembull.

Kusunda gjithashtu nuk ka fjalë për drejtime absolute, si majtas ose djathtas dhe përdor fraza relative si 'në këtë anë' dhe 'në atë anë'.