Stil jete

Gratë tregojnë arsyet pse nuk bëjnë palestër

Gratë tregojnë arsyet pse nuk bëjnë palestër

Pothuajse gjysma e grave nuk kanë bërë asnjë ushtrim gjatë vitit të kaluar, sipas një sondazhi të ri nga Nuffield Health.

Megjithëse dy të tretat e grave të anketuara përmendën mungesën e motivimit si arsye, në mediat sociale, gratë kanë qenë të shpejta për të vënë në dukje se situata është më e ndërlikuar se kaq.

Sondazhi tregon edhe një hendek gjinor. Pak më pak se 1/3 e burrave deklaronin se nuk ishin ushtruar, shumë më pak se gratë në numër. Ato që nuk ishin ushtruar përbënin 45% të të anketuarave.

Arsyeja e parë është ekonomike. Çerdhja, qiraja apo kredia, të gjitha janë shpenzime bazike dhe ato të palestrës duken shpenzime luksi.

Njësoj siç duket luks edhe koha vetëm për veten.

Gratë tregojnë në Twitter se edhe kur nuk punojnë, e kanë të gjithë kohën të zënë me shtëpinë dhe fëmijët.

Kanë burra që punojnë më orë të gjata jashtë shtëpisë, ose burra që nuk ua dinë kurrë ‘terezinë’ fëmijëve.

Kështu që mungesa e aktivitetit fizik të grave nuk ka të bëjë absolutisht me mungesën e dëshirës së tyre për të qenë aktive.

Anna Cargan, 35 vjeç është një nënë e tre fëmijëve të moshës pesë, gjashtë dhe nëntë vjeç. Ajo thotë se është anëtarësuar dhe e ka lënë palestrën disa herë në vitet e fundit pa e shfrytëzuar madje anëtarësimin e saj.

Si për ironi të fatit, fëmijët e saj e kanë shumë qejf sportin dhe pasditet janë të zëna duke çuar ata në not dhe futboll.

Lorraine Marsh, 38-vjeç, nënë e një 10-vjeçareje thotë: “Dikur isha në gjendje të bëja rregullisht joga, por që kur u futa në fushën e biznesit, e kam kaq të vështirë t'i përkushtohem një rutine”.

Sue Bordley, 50 vjeçe zgjohet në orën 5:15 të mëngjesit, sepse është e vetmja mundësi që të notojë. Ajo tregon se në 06:00 është në derën e pishinës së qytetit. Para se të zgjohen fëmijët, 12 dhe 14 vjeç, është rikthyer në shtëpi.