Stil jete

Histori e ëmbël/ Si u krijua çokollata e parë në botë?

Histori e ëmbël/ Si u krijua çokollata e parë në

Sot nuk mund ta imagjinosh një botë pa çokollata, por ja që nuk ka ekzistuar gjithmonë. Njëherë e një kohë njerëzit nuk e merrnin dot veten me të mira duke e qerasur me çokollatë. Deri para shekullit të 16-të, shumica e botës nuk ia kishte idenë e çokollatës. Qytetërimet Maja dhe Aztek ishin ata që dinin diçka më tepër nga pjesa tjetër.

Amerika e Jugut është vendi ku kakao u zbulua për herë të parë nga njerëzit rreth 5,300 vjet më parë. Kështu nis historia.

Historianët besojnë se Majat dhe Aztekët e përdornin çokollatën shumë edhe në ritualet e tyre fetare dhe ceremonitë e ndryshme të rëndësishme si ato martesore, mortore apo lindjet.

Si e pinin kakaon Aztekët e Lashtë? Nuk kishte asnjë lidhje me pijen e ëmbël që kemi sot. Ata bluanin kokrrat e kakaos dhe i përzienin me piper djegës për të krijuar një pije energjike, shumë larg asaj relaksueses që pijmë ne sot e që na ngroh në ditët e ftohta. Ata besonin se kakaoja ishte hyjnore dhe u ishte dhënë njerëzve nga perënditë. Të dy fiset Maja dhe Aztek besuan se ishte një dhuratë nga Quetzalcoatl (ose Kukulkan) nga ka marrë edhe emrin.

Aztekët e lashtë, si dhe njerëzit e Amerikës Latine para-moderne, e vlerësonin aq shumë kakaon dhe kokrrat e saj, sa e përdorën si monedhë për disa shekuj. Sipas disa dokumenteve të Aztekëve, në shekullin e 16-të mund të blije një gjel deti të madh për më shumë se 100 kokrra kakao, një lepur për 30 kokrra, një avokado ose një vezë për 3 kokrra. Kokrrat e kakaos mund të përdoreshin edhe për të paguar taksat.

Kaq përsa i takon Amerikës.

Kurse Evropa u njoh me çokollatën falë Hernan Cortes. Thashethemet thonë se kur Hernando Cortez mbërriti në Tenochtitlan në 1519, mbreti Montezuma e priti atë me kavanoza të shumtë me pije të nxehtë kakaoje në gota ari. Kolonistët më vonë sollën kokrrën e kakaos në Spanjë, ku shpejt u bë e njohur. Në këtë kohë nisën t`i shtonin pak mjaltë dhe vanilje për një shije më të ëmbël.

Në shekullin e 17-të kakaoja ishte tashmë mjaft e popullore, saqë të gjithë aristokratët dhe njerëzit e pasur e konsumonin atë çdo ditë. Përveç që është e shijshme dhe shumë ushqyese, gjithashtu ka reputacionin e një afrodiziaku të fortë - madje u përfol se Casanova ishte shumë i dhënë pas kakaos.

Kakao Holandeze

1828 është viti më i rëndësishëm në historinë e prodhimit të çokollatave pasi ishte viti kur Coenraad Johannes van Houten gjeti një mënyrë për ta ngurtësuar këtë kakao. Kështu, pluhuri i kakaos u krijua me emrin 'Kakao Holandeze'. Ajo u përdor për të krijuar një pije të shijshme kakaoje ose një shirit çokollate pak a shumë si ato që kemi sot. Daniel Peter, një zviceran, ishte i pari që i shtoi qumësht pluhur në përzierje dhe krijoi këtë super çokollatën me qumësht që hamë sot. Nestle filloi prodhimin dhe tregtimin e gjerë më pas të çokollatës me qumësht.