Stil jete

Historia e gazetares ukrainase/ Unë jam emigrante tashmë dhe ja çfarë askush nuk po ju thotë për luftën

Historia e gazetares ukrainase/ Unë jam emigrante tashmë dhe ja

Nga Maria Zavialova/ Njerëzit më pyesin si po ja kaloj në mërgim. Qyteti im po bombardohet. E ardhmja e vendit tim është nën kërcënim nga një superfuqi. Babai i fëmijëve të mi është në luftë dhe unë jam një mijë milje larg shtëpisë në një vend ku nuk e flas gjuhën e vendasve. Nuk kam punë dhe mund të shikoj vetëm se kursimet e mia sa vjen dhe pakësohen derisa të shkojnë në zero ndërsa përpiqem të siguroj dy djemtë e mi, nënën time dhe qenin tone, që të jenë mirë.

Pastaj është në mes edhe faji për braktisjen e betejës, kur një pjesë e madhe e imja do të donte të ishte në Donbas duke vrarë çdo ushtar rus që mund të më dilte përpara.

Deri në fund të shkurtit, isha një grua e pavarur, gazetare dhe mbajtësja kryesore e familjes sime. Kur bombat filluan të binin pranë banesës sonë në Kiev, unë kisha një vendim të tmerrshëm për të marrë: të qëndroja dhe të luftoja, ose të largoja familjen time nga bombat. Duke mos pasur askënd tjetër për të siguruar fammiljarët e mi, zgjodha këtë të fundit.

Fillimisht shkuam në Lviv – duke kaluar orë të gjata në një furgon të mbushur për të arritur atje. Kur bombat filluan të binin edhe atje, ne kaluam orë të tëra në bodrum dhe më pas iu bashkuam rrjedhës së refugjatëve në drejtim të perëndimit, që nënkuptonte edhe disa ditë të tjera udhëtim.

Në punën si gazetare, kam mbuluar kampet e refugjatëve. Tani, gjatë rrugës, e gjeta veten duke jetuar në një jetë të tillë. Në jetën time të mëparshme, kam bërë bamirësi (e bëj akoma, sa herë që mundem).

Historia e gazetares ukrainase/ Unë jam emigrante tashmë dhe ja

Rrugës po pranoja bamirësinë e të huajve: ushqim, transport, një natë në hotel kur ishim në prag të kolapsit.

Destinacioni ynë ishte një qytet i vogël në Italinë qendrore. Unë nuk jam nga ato që largohem nga një sfidë. Sapo mbërritëm më në fund, i futa fëmijët në shkollë, e vendosa nënën time në shtëpinë tonë të marrë me qira dhe gjeta disa punë me kohë të pjesshme: punë në kuzhinë në një piceri, më pas në një steakhouse, më vonë në shërbim, në një hotel të mbushur me refugjatë ukrainas.

Për më tepër, zbulova se miliona gra refugjate ukrainase si unë janë objektivi i talljeve në internet nga disa nga bashkëqytetarët tanë që mendojnë se e lamë vendin sepse jemi 'dembele' dhe 'frikacake' dhe se po jetojmë me paratë e ndihmës.

Një person u përpoq të më fajësonte në mediat sociale duke shkruar: 'Unë njoh dikë që i solli katër fëmijët e saj te një mik në Ukrainën Perëndimore dhe u kthye në Kiev për të luftuar për fitoren'.

Ju lutem më tregoni, ku mund të gjej miq të tillë? Dhe nëse do ta bëja, a mund të duroja t'i lija djemtë e mi me ta për një kohë të gjatë? Mërgimi është veçanërisht i vështirë për fëmijët - zemërimi, lotët. Ata kanë nevojë për të paktën një prind me vete.

Nuk ka asgjë që do të preferoja më shumë sesa të shkoja në shtëpi. I përshëndes ata që janë në gjendje të qëndrojnë dhe do punoj për t'i ndihmuar në çdo mënyrë që mundem. Por arsyet e mia për t'u larguar, si ato të çdo refugjati, janë të mjaftueshme. Ne nuk duhet t'i justifikojmë vendimet tona askujt, veçanërisht njerëzve që vendosën kufje dhe dëgjuan repin rus gjatë tetë viteve të fundit, ndërsa disa prej nesh punuan për të ngritur alarmin për konfliktin që ziente.

Ne e dimë se kush kujdeset vërtet për ne.

Prapëseprapë, shumë nga refugjatët që takoj janë të zhytur në dëshpërim, trishtim dhe depresion, të cilat duket se janë të vetmet emocione të pranueshme shoqërore për ta, për të ndjerë ose shprehur. Zoti na ruajtë që dikush të postojë një foto të tijën në plazh apo në një ndeshje futbolli. Një person i tillë do të duhej të ishte një tradhtar i pashpirt! A thua se e kundërta (mospostimi) do ta ndihmonte të fitonim luftën.

Unë nuk i lejoj emocionet e mia të më ndalojnë të bëj gjithçka që mundem për të kontribuar në përpjekjet e luftës dhe inkurajoj të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Është e vështirë të jesh produktiv ose krijues kur je në depresion, kështu që unë po luftoj me këtë. Unë shpërndaj, bëj statuse dhe retëeet vazhdimisht. Unë u flas miqve të mi të huaj për Ukrainën, për guximin tonë dhe gjithë të mirat e kombit tonë. Unë përdor mediat sociale për të përhapur të vërtetën për Ukrainën, sepse Rusia nuk ndalet kurrë së përhapuri gënjeshtrat e saj. Kur mundem, i përdor kontaktet e mia për të lehtësuar dërgimin e municioneve, xhaketave dhe ilaçeve për luftëtarët tanë trima.

Dhe përpiqem të mos ndihem fajtore për ato momente kur mund të shijoj jetën - kur mund të qesh me fëmijët e mi, të shijoj ushqimet italiane dhe po, madje të shkoj në plazh.

Historia e gazetares ukrainase/ Unë jam emigrante tashmë dhe ja

Kur isha gazetare që udhëtoja në Donbas dhe Krime nga viti 2014 deri në vitin 2021, unë dhe kolegët e mi kishim një moto: 'Gëzoje jetën sa herë të mundesh'. Ne dilnim për darka dhe vodka dhe qeshnim ndërkohë që binin bombat, sepse e dinim që tjetra mund të na binte neve.

Këtu në mërgim jemi të sigurt nga bombat. Por pesha e luftës është mbi ne, së bashku me shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe frikën për miqtë dhe familjen tonë të mbetur pas. Dhe faji është gjithashtu këtu, megjithë përpjekjet e mia për ta larguar atë. E gjithë kjo do të vrasë ngadalë shpirtin tim, po aq me siguri sa një bombë vret trupin.

Pra, si po kaloj në emigrim?

Mësova të bëj pica!

*Përshtatur nga Huffington Post. Ndalohet ribotimi pa lejen e editorit