Stil jete

Hueyda El Saied merr pas vdekjes titullin ‘Mjeshtre e Madhe’

Hueyda El Saied merr pas vdekjes titullin ‘Mjeshtre e Madhe’

I dashuri i saj Thiery, trashëgimtari i saj Gabrieli dhe nëna e saj të tre bashkë morën në duar sot në Tiranë titullin nderues për Hueyda El Saied, “Mjeshtre e Madhe”.

Hueyda El Saied merr pas vdekjes titullin ‘Mjeshtre e Madhe’

Titulli u dha me motivacionin; “Në vlerësim të kontributit të pasur si artiste shumëdimensionale në fusha të ndryshme si balet, pikturë, televizion e teatër. Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste e të drejtave të njeriut, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore.”

Hueyda do të mbahet mend për buzëqeshjen e përhershme, për intervistat e sinqerta, për historinë e trishtë të prindërve të ndarë prej regjimit, për dashurinë e madhe për nonën (gjyshen) që e humbi një vit më parë, për deklaratat romantike për Thiery-n, për krenarinë për Gabrielin, për gjithçka që ka bërë dhe thënë, dhe për faktin se atë më të trishtën që i mori jetën, sëmundjen, e mbajti vetëm për vete.

Hueyda El Saied merr pas vdekjes titullin ‘Mjeshtre e Madhe’

Ajo u nda nga jeta në 23 nëntorin e kaluar, nga një sëmundje e rëndë.

Hueyda e nisi karrierën që e vogël fare, kur kërcente dhe këndonte si një nxënëse e shkollës Jordan Misja. Ajo ishte balerina hit, më e veçanta e "12 vallëzime pa një të shtunë". Më pas studioi jashtë, u rikthye në Shqipëri për të ikur e për t`u rikthyer në Francë ndër vite. Veç karrierës në Shqipëri, Hueyda vallëzoi në shfaqjet televizive të ndryshme për këngëtarë dhe grupe: Lara Fabian, MOOS, Donna Summer, Nigel dhe Marvin, Larousso, Alizee, Sinclair, Etienne Daho, Florent Pagny, Paul Personne, Sniper, Jane Fostin, Sandy Valentino. Hueyda ka qenë gjithashtu balerinë e programit të njohur në Itali “In Bocca Al Lupo”. Të gjitha, në një kohë kur Shqipëria mund t`i shikonte veç nga televizori këto shfaqje.

Një titull pas vdekjes për Hueydën? Po ku priti ajo?!