Stil jete

I huaj pas pragut të shtëpisë, Michel Agier: Kufijtë e rinj të pandemisë

I huaj pas pragut të shtëpisë, Michel Agier: Kufijtë e rinj

Për Michel Agier, teoricienin e hapjes së kufijve për ndërtimin e një bote më paqësore, pandemia përfaqëson makthin më të keq. Me izolimin, shtetet në fakt kanë mbyllur kufijtë duke i shumëfishuar ato mes rajoneve, qyteteve, lagjeve e deri te portat e shtëpive.

Profesor Agier, me emergjencën shëndetësore koncepti i kufirit u bë më imponues. Si ndryshojnë marrëdhëniet mes individëve?

Një kamzhik i rëndë duket se ka rënë mbi planet, që as edhe shkrimtari me imagjinatën më të shfrenuar të romaneve post-apokaliptikë nuk do ta kishte çuar nëpër mend. Karakteristikat e virusit, shpejtësia e përhapjes apo synimet e shumëllojshme gjenerojnë një frikë konstante. Më vjen në mendje ideja që Zygmunt Bauman e kishte marrë nga filozofi rus Michail Bachtin: “frika kozmike”, absolute, kur qenia njerëzore kupton dobësinë e vet.

A shihet dritë në fund të tunelit me fazën e dytë?

Transformimi është radikal. Bota e së nesërmes nuk vjen, nuk e shohim ose kur të vijë nuk do ta dallojmë. Ndryshojnë marrëdhëniet, mënyra e jetesës dhe, ashtu si gjithmonë kur përhapet frika, rikthehet fiksimi i kufijve. Nën optikën epidemologjike dhe biologjike trupi njerëzor përfaqëson kufirin: për të qarkulluar individët krijojnë një fortesë rreth trupit, mbyllen në shtëpi, në lagje apo në qytet. Është kufiri bazik që ndan trupat e që shtyp të tjerat: punë, konsum, marrëdhënie shoqërore.

Me Covid-19 duket sikur edhe fjala “i huaj” është përhapur shumë. Mund të themi se të gjithë janë të huaj?

Po, mund të konfirmojmë që të gjithë janë të huaj sepse sapo lëvizim njohim frikat e të tjerëve, frikën reciproke. Por rreziku i vërtetë është një tjetër: Në Francë, dhe jo vetëm, po zhvillohet një debat mbi disa masa të paraqitura si masa shëndetësore, por që kanë një ndikim të qartë politik dhe social: për shembull, çështja e zgjatjes së masave të izolimit, në veçanti karshi fëmijëve dhe të moshuarve. Kush janë të moshuarit, mbi ç’baza mund të përkufizohen si të tillë? Por edhe aspekte të tjera, si gjurmimi dixhital i kontakteve përmes aplikacioneve. Janë vendime që prodhojnë kufij të tjerë. Sa herë që zhvendosemi, trupi ynë krijon kufij që zhvendosen së bashku me ne. Është një kuptim i padëgjuar i termit “i huaj” dhe kjo gjë më shqetëson. Ideja për t’i atribuuar karakteristika biologjike individëve në bazë të pamjes, gjuhës, kombësisë, ngjyrës së lëkurës është e rrëzikshme. “Biologjizimi” i jetës sociale me gjithë polemikat i hap rrugën dhunës racore. Në ditët e para të përhapjes së virusit, komuniteti i gjerë aziatik i Parisit ishte subjekt i akteve të dhunshme raciste. Sërish në Paris, kur afrohet mbrëmja rrugët mbushen me njerëz të padukshëm: të pastrehë dhe emigrantë, që etiketohen si njerëz që të infektojnë. Autoritetet kanë një përgjegjësi të madhe: të ndalin që kufijtë shëndetësore të transformohen në barriera sociale, të luftojnë ksenofobinë dhe racizmin.

A nuk është një shqetësim i tepruar? Menaxhimi shëndetësor i situatës shërben për ndaljen e virusit.

Sipas teorisë së Michel Foucault, biopolitika është një instrument për të qeverisur vendet, por jo detyrimisht ka një kuptim negativ. Herë pas herë është e nevojshme, por janë qytetarët ata që duhet të ushtrojnë kontroll mbi gjendjen shëndetësore të jetëve të tyre. Rreziku i biopolitikës është se pushteti kombëtar, ndërkombëtar, ai mjekësor, industrial apo qeverisës, mund të marrë kontrollin e jetës sociale në emër të shëndetit publik. Sigurisht që filozofi Giorgio Agamben bëri gabim që e quajti “shpikje” dhe “gjoja epidemi”, por vërejtjet e tij mbi gjendjen e jashtëzakonshme dhe rrezikun biopolitik janë të vlefshme, pasi masat e marra deri tani vënë në diskutim të drejtat qytetare dhe lëvizjen e njerëzve. Për të ndaluar përhapjen e virusit na kërkohet të mbajmë distancë fizike, jo sociale. Janë dy koncepte shumë të ndryshme. Gjatë izolimit, njerëzit kanë përforcuar marrëdhëniet sociale përmes platformave dixhitale. Mes kafeve në Skype, përshëndetjeve familjare dhe mbledhjeve të punës, prezenca fizike nuk është më e vetmja mënyrë e jetës sociale. Proceset e dixhitalizimit na lejojnë t’i kundërvihemi “biologjizimit”.

Së fundi keni shkruar një ese, “Anthropologie de la ville”. Si do të ndryshojnë qytetet tona?

Kontrolli i jetës sonë shëndetësore përmes screening dhe gjurmimit dixhital më sjell ndër mend qytetin e Douala në Kameron. Atje administrata kolonizuese gjermane krijoi një “frei zone”, një hapësirë të veçuar ku shmangen kontaktet mes afrikanëve, të quajtur si infektues, dhe të bardhëve të imunizuar. Është një skenar distopik, por jo edhe aq i pamundur për të ndodhur në qytetet tona.

A ka ndryshim mes metropoleve dhe qyteteve të vogla?

Do të forcohet një trend që po e shohim prej disa kohësh: refuzimin e metropoleve gjigante dhe rritja e pëlqyeshmërisë për zonat mikro-urbane. Disa studime kanë treguar se sapo nisi izolimi, rreth një milionë e gjysmë njerëz ikën nga rajoni Île-de-France në Paris për t’u zhvendosur në shtëpitë e dyta, si një përgjigje ndaj distopisë së makro-politikave urbane që ndajnë zonat e infektuara dhe zonat e painfektuara.

Mosbesimi dhe frika nga infektimi ndryshojnë mënyrën e udhëtimeve.

Sot, në të gjithë botën, vetëm një në 100 udhëtime ndodh nga emigrantët në kuptimin e plotë të fjalës. Pjesa tjetër e udhëtarëve janë turistë, sipërmarrës, punonjës të përhershëm apo sezonalë në vende të ndryshme. Sidoqoftë, transporti masiv është një sektor i tejngopur, ashtu si aeroportet që janë kthyer në qendra tregtare për konsumin e masës. Në periudhën afat-mesme do të ketë një rënie të udhëtimeve drejt qyteteve të mëdha dhe aeroporteve të mëdha. Bota e udhëtimeve do të ndryshojë, por le të shohim nëse do të jetë për mirë apo për keq.

*Michel Agier është antropolog, fiolozof dhe historian, aktualisht Drejtor i studimeve në École des Hautes Études en Sciences Sociales. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.