Këshillat e vyera të një 108-vjeçareje: Punoni, por më shumë argëtohuni

Sekreti për një jetë të gjatë dhe të lumtur është puna, por gjithnjë nëse shoqërohet me një dremitje në drekë dhe shumë argëtim. Kjo është këshilla një stërgjysheje në Angli, e cila sapo ka mbushur 108 vjeç.
Mary Ann Clifton, e cila njihet edhe si Rosina jeton në Orpington, në juglindje të Londrës. Në ditëlindjen e saj suprizë ajo mori edhe një urim nga Mbreti Charles.
Ajo shprehet se puna sado e lodhshme dhe e vështirë nuk do ndikojë në jetëgjatësinë tuaj nëse i rezervoni vetes edhe momente të bukura.
“Punoni shumë, por festoni edhe më shumë. Një punë e vështirë nuk do t'ju dëmtojë aspak,” thotë ajo.
Mary Ann Clifton lindi më 16 mars 1915 në Lambeth, në jug të Londrës, dhe pas mbarimit të shkollës ajo ndoqi pasionin e saj për modën.
Ajo u takua me bashkëshortin e saj të ndjerë Ernie në shkollë kur të dy ishin vetëm 12 vjeç. Ata u martuan dhe lindën dy fëmijë, Pamela dhe Bernie, ndërsa sot Rosina ka katër nipër e mbesa, 10 stërnipër dhe shtatë stërmbesa.