Stil jete

Letërsia është gjithmonë morale

Letërsia është gjithmonë morale

Nga Alberto Manguel/ Thuhet se Servantesi ka vrarë një burrë dhe ka prostituuar motrat e tij. Nga ana tjetër, Seneka punoi për Neronin. Shekspiri ishte një tagrambledhës dhe evazor. Borgesi i shtrëngoi dorën Videlës dhe Pinoçetit. Dyshohet se Nabokov dhe Carroll ishin pedofilë. Prusti argëtohej duke torturuar minjtë. Virxhinia Uolf ishte antisemite dhe kur prindërit e bashkëshortit shkonin për darkë, i thoshte: “Jepu të hanë hebrenjve”. Për një periudhë të shkurtër Remboja ishte tregtar skllevërish. Verleni goditi me shkelma bashkëshorten shtatzanë. Selinë, Ezra Paund, Çesterton dhe T.S. Eliot ishin antisemitë të deklaruar. Châteaubriand ishte racist. Për të mos folur pastaj për Markezin dë Sad.

Pavarësisht dëshmive të tilla, lexuesit duan të besojnë se në çdo rast, krijuesit e veprave iluminuese ishin edhe vetë të iluminuar. Gjithsesi, rrallë herë ndodh kështu. Në kompleksitetin e tyre, shkrimtarët dhe artistët janë egocentrikë, të babëzitur, ziliqarë, të vrazhdë, pikërisht si pjesa më e madhe e qenieve njerëzore. Vetëm diçka e vogël i dallon nga raca e sivëllezërve të tyre: kur preken nga mrekullia, janë në gjendje të krijojnë art madhështor.

Pandemoni i fundit që shpërtheu për regjisorët Roman Polanski dhe Woody Allen për shkak të raporteve seksuale me minorene, vendimi i National Gallery në Londër për të hequr nga salla e retrospektivës së Gauguin kuadrot e tij të grave tahitiane pas dyshimeve për qëndrimet shtypëse raciste të piktorit karshi banorëve të ishujve të jugut, janë vetëm dy shembuj të një kryqëzimi moral që tenton të ngatërrojë detyrën qytetare të këtyre njerëzve dhe veprat që krijuan si artistë.

Në cilësinë e qytetarëve, jemi të gjithë të detyruar t’u bindemi ligjeve të shoqërisë në të cilën jetojmë dhe nëse këta burra dhe këto gra janë njollosur nga ndonjë krim (i cilësuar si i tillë pas një procedimi ligjor që respektohet) duhet të ndëshkohen siç duhet. Por pse duhet që me këtë gjest dënimi, të penalizohet edhe arti (e kështu dhe publiku që gëzon)? Pse të detyrosh një artist të deklarojë “integritetin e tij moral” (ekuivalent me Spanjën e shekullit XVI dhe me Rajhun e Tretë ku deklarohej “pastërtia e gjakut”), përpara se të merret autorizimi për të publikuar një vepër? Shelley dhe Valéry hodhën idenë se letërsia është një vazhdimësi që  duhej lexuar në formë anonime për të mos e bërë pis me cilësi që nuk lidhen me tekstin. Kjo, në shekullin XXI, konsiderohet një ide skandaloze.

Ethel Groffier ka shqyrtuar një aspekt të kësaj çështjeje. Libri sapo është botuar dhe titullohet “Dire l'autre: Appropriation culturelle, voix autochtones et liberté d'expression”. Ka argumente brilante, si pjesë e kontroversive për shumë raste, mes të cilave ai i Robert Lapage dhe projekti teatral Kanata i Ariane Mnouchkine, në të cilën populli indigjen është interpretuar nga aktorë të bardhë dhe spektakli viziv i artistes joindigjene Amanda PL është frymëzuar nga artisti indigjen Norval Morrisseau. Groffier citon një letër të Lepage që hedh poshtë akuzat e përvetësimit kulturor. “Që nga origjinat, teatri bazohet në një parim fare të thjeshtë: të aktrosh për të interpretuar dikë tjetër. Të bësh gjoja sikur je dikush tjetër. Të vihesh në lëkurën e tjetrit për ta kuptuar tjetrin në vetvete dhe, duke u sjellë kështu, ndoshta arrin të kuptosh vetveten”.

Edhe në këtë rast, shqetësimi zyrtar është identiteti i interpretuesit, duke pasur parasysh hipotezën se identiteti i dokumentuar zëvendëson (ose lejon) atë të imagjinuar. Kjo tezë pretencioze çon në një absurditet të dukshëm: që askush nuk mund ta interpretojë Hamletin përveç një danezi të shekullit të XVI; që një shkrimtar nuk lejohet të shkruajë asgjë tjetër përveç një autobiografie dhe madje të kufizohet në kohën dhe vendin ku ai shkruan.

Groffier arrin në këtë përfundim: “Përvetësimi kulturor, kështu siç kuptohet sot, ka të bëjë me pretendimet mbi një identitet, duke e konsideruar kulturën në varësi të saj. Më keq akoma, e përkufizon identitetin në bazë të racës: indigjenë, të bardhë, me ngjyrë. E var debatin tërësisht te kultura, megjithëse kërkesat janë politike. Fsheh problemin e vërtetë dhe e zhvendos debatin në diskursin letrar ose artistik, në vend të atij politik, të cilit duhet t’i përkasë. Promovon censurën në ngritjen e zërit në opinionin publik dhe, rrjedhimisht, vetë-censurimin, gjë që çon në varfërimin e krijimit artistik dhe nuk është çudi të ndodhë që, një ditë, të kthehet kundër akuzuesve të saj”

Ndoshta ka edhe një tjetër element për çështjen e përgjegjshmërisë së artistit që unë, si lexues, mund ta shtoj në këtë diskutim. Ndoshta, kërkesat për një lloj sjelljeje korrekte shoqërore nga ana e artistit si pjesë e shoqërisë nuk marrin parasysh një të vërtetë tjetër të madhe: arti është kujdestari më i mirë i vetvetes. Thënë kjo, nënkuptoj se një vepër arti e jashtëzakonshme, me mjete të papërkufizueshme, ka diçka specifike në strukturën e saj që nuk do t’i lejojë mbrojtjen e kauzave imorale dhe antihumane. Nuk dua të them që është etikë siç do ta kuptonte Ezopi, apo që të jetë humanitare në kuptimin e institucionit filantropik. Ajo që dua të them është se nuk më vjen në mendje asnjë vepër arti e jashtëzakonshme që nuk është e mbushur me një natyrë të bollshme enigmatike, por mbrojtje kundër një interpretimi të qartë dogmatik.

Artistë të mëdhenj u kanë dhënë jetë veprave dogmatike të artit, që nuk ishin as të shkëlqyera dhe as të jashtëzakonshme. Disa tiranë kanë shkruar libra, por mesa di unë, asnjë prej tyre nuk është kryevepër e njohur: kompozimet poetike të Stalinit, romanet rozë të Saddam Hussein, “Dashnorja e kardinalit” e Mussolinit kanë rënë në harresë, siç ishte e drejtë të ndodhte. Mund të përkufizojmë si kryevepra artistike pamfletët antisemitë të Céline, poezitë e Pablo Nerudës që glorifikojnë Stalinin, këngët rap të Kanye West që lajkatojnë Donald Trump.

Është pak a shumë sikur (dhe unë e kuptoj përsosmërisht se bëhet fjalë për një dëshirë) arti dhe veprat që i përkufizojmë klasike, ose librat, të jenë thelbësisht moralë në kuptimin më të thellë të mundshëm dhe sikur të na tregojnë personazhe racistë në Huckleberry Fin, ose antisemitë në Oliver Twist, ose mizogjenë në “Zbutja e kryeneçes” apo edhe dhunë sadiste në “Këngët e Maldororit” që nuk janë në vetvete raciste, antisemitë, mizogjenë apo të pabesa. Kjo është ajo që, si lexues, shpresoj.

*Alberto Manguel është shkrimtar, përkthyes dhe botues kanadezo-argjentinas, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Argjentinës. Në vitin 2018 i është akorduar Çmimi Gutenberg nga Shoqëria Ndërkombëtare Gutenberg me motivacionin se “e ka kthyer librin e printuar, lexuesit dhe leximin në përgjithësi thelb të punës së tij”. Është autor i dhjetëra librave dhe kritikave, ndërsa ka fituar mbi 20 çmime ndërkombëtare në fushën e letërsisë dhe kulturës. Ky artikull u shqipërua nga Erjon Uka.