Stil jete

Lotët e Silva Binos: Në pandemi e humba nënën dhe e kam peng që nuk pata kohë t’i qëndroja pranë. Ajo u trishtua…

Lotët e Silva Binos: Në pandemi e humba nënën dhe e kam peng

Doktoreshë Silva Bino, u shfaq në intervistën për Tiranapost, ashtu siç nuk e kishim parë ndonjëherë, e përlotur. Arsyeja ishte nëna. Ajo e humbi gjatë periudhës së pandemisë, atëherë kur puna nuk e lejonte të ishte sa do donte, pranë saj.

“Ajo është me mua. Ka qenë një grua e fortë. Unë ju thashë të gjithëve. Këtë vit unë jam mësuar të jetoj pa Erifilin. Nëna ime nuk ka qenë shumë përkëdhelëse. Ka qenë një grua që kërkonte prej meje shumë. Në kuptimin që duhej t`i kryeja detyrat në kohë. Duhej të isha e zonja, t`i përballesha jetës dhe ajo që është më e rëndësishme, është që ajo thoshte t`i duhet të jesh e durueshme për çdo gjë. Dhe ky ka qenë një princip i saj dhe natyrisht është kujdesi që ajo kishte. Se nënat duan pa kufij, pa kushte. Ishte kujdesi që ajo kishte. Fjalët e saj në kuptimin e dhënies së durimit. Pavarësisht se gjatë vitit të pandemisë, ajo ishte e lodhur në atë kohë, sepse ishte dhe e sëmurë dhe unë nuk kisha kohë që të rrija aq sa doja me të. Me thënë të vërtetën. Edhe më duket sikur e kam lënë pak pas dore”, tregon Silva Bino kështu pengun që ka.

Ajo tregon sesi shtrimi i saj në spital, kur u infektua me Covid, ishte diçka që e trishtoi shumë nënën. Silva tregon se për herë të parë e gjeti të shtrirë në shtrat, kur shkoi ta takonte, sapo la Spitalin Infektiv.

“Ajo kaloi Covidin. Ajo na e ngjiti neve. Unë nuk e mora Covidin në punë, e mora në shtëpi. Pavarësisht se nga s`kam qenë e nga s`jam futur në shtëpitë e personave me Covid, qysh në fillim. Unë e mora prej saj dhe ajo e mori prej një personi tjetër që ajo e donte shumë, që i vinte në shtëpi etj etj. Ajo e kaloi shumë lehtë Covidin, por shtrimi im në spital atë e rëndoi shumë. E trishtoi më tepër. Dhe unë kur dola nga spitali, e gjeta në krevat. Që nëna ime nuk rrinte ndonjëhetë në krevat sado e sëmurë që të ishte”, rrëfen Silva Bino për Tiranapost.