Stil jete

Me Frank Snowden: Ja ç’na tregon historia e epidemive për koronavirusin

Me Frank Snowden: Ja ç’na tregon historia e epidemive për

Frank Snowden është historian që ka në fokus epidemitë, profesor emeritus i Historisë së Mjekësisë në Yale, i cili ka shkruar një libër me titull “Epidemics and Society: From the Black Death to the Present” ku trajtohen pandemitë dhe impakti i tyre në strukturat politike dhe kulturore.

Në parathënien e librit tuaj thoni se epidemitë nuk janë ngjarje të rastësishme, por se “çdo shoqëri prodhon dobësitë e veta specifike. T’i studiosh do të thotë të kuptosh strukturën e këtyre shoqërive, standardin e jetesës dhe prioritetet politike”. Çfarë dobësish po prodhon koronavirusi dhe çfarë tregojnë dobësitë e shoqërive tona?

Historia përsëritet dhe Covid-19 nuk bën përjashtim nga ky përgjithësim. Covid po tregon dobësi të ndryshme. Njëra prej tyre është madhësia e popullatës, 8 miliardë njerëz në botë. Pastaj urbanizimi i skajshëm, qytetet e tejmbushura dhe të ndërlidhura nga mjete të shpejta transporti. Është shumë e thjeshtë për një sëmundje që në darkë të shpërthejë në Kinë dhe mëngjesin tjetër të përhapet në Paris apo në Mexico City. Koronavirusi është në gjendje të hyjë në shoqëritë e ndërlidhura nga rrjete të mëdha tregtare dhe të prekë katëgori specifike njerëzish, si për shembull të moshuarit. Është një ironi tragjike që Italia me shërbimin e saj të mirë shëndetësor ka ndër jetëgjatësitë më të mëdha në botë dhe për pasojë një numër të madh të moshuarish, e për këtë shkak një prej grupeve më të mëdha vurnerabël ndaj virusit.

Gatishmëria dhe përgatitja janë dy nga fjalët më të përsëritura në këtë krizë. Rreziku për të mos qenë gati nxit pabarazitë dhe bën që të kapemi sërish në befasi në të ardhmen.

Rreziku epidemik ishte i dukshëm që në vitin 1997 me gripin e shpendëve dhe më pas me Sarsin dhe Ebolën, ndërsa OBSH kishte paralajmëruar për rrezikun e pandemive gripale. Por vende të ndryshme çmontuan aparatet e tyre përgatitorë dhe shkurtuan fondet e shëndetit publik. Në vitet 2018-2019 OBSH ka realizuar një studim mbi gjendjen e përgatitjes së botës për të përballuar sfidat e mëdha të pandemive, dhe e mbyllte me një fjali prekëse: “Jetojmë në një botë me rrezik të lartë, për të cilin nuk jemi të përgatitur”. Prandaj besoj se virusi nxjerr në pah cenueshmërinë e zonave me dendësi të lartë popullate që paraqesin pabarazi të brendshme dhe që me kokëfortësi nuk janë përgatitur të përballen me emergjenca të këtij lloji.

Rrugëtimi për të menaxhuar një pandemi është shëndetësor, por edhe kulturor.

Ka një vonesë në reagimet kulturore ndaj sëmundjeve epidemike dhe siç e shohim, edhe në reagimet politike. Koronavirusi po tendos marrëdhëniet politike të Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet e vendeve brenda saj, ndërsa ne po përjetojmë një vështirësi në koordinimin e strategjive të unifikuara drejt kësaj sëmundje. Ka grupe në të gjithë Evropën dhe sigurisht në Shtetet e Bashkuara që përdorin virusin për të përshpejtuar një ndjenjë anti-komunitare, duke pretenduar se pandemia është rezultat i globalizmit dhe emigracionit. Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti thotë se është një virus kinez, duke refuzuar të përdorë terminologjinë shkencore, duke nxitur valët e ksenofobisë dhe nacionalizmit.

Si gripi spanjoll, i cili vrau 50 milion njerëz por nuk kishte asnjë lidhje me Spanjën.

Pikërisht, gripi spanjoll ishte një përkufizim i papërshtatshëm. Emri iu vu i tillë nga fakti se duke qenë se Spanja nuk ishte e përfshirë në Luftën e Parë Botërore, shtypi nuk ishte subjekt censure dhe ekzistenca e këtij gripi u raportua vetëm nga organet mediatike të atij shteti. Më lejoni të them se është interesant fakti se pavarësisht normës së lartë të vdekshmërisë, impakti nuk ishte i njëjti me Murtajën e Zezë. Kjo na bën të kuptojmë se në historinë e epidemive numri i viktimave nuk është domosdoshmërisht i lidhur me pasojat sociale, politike dhe kulturore. Murtaja e Zezë në vitet 1300 pati impakt shkatërrues mbi shoqërinë, mbi artin dhe fenë, por edhe në proceset ekonomike duke nxitur shtetin modern, sepse shoqëritë kishin nevojë të organizoheshin për të parandaluar sëmundjet dhe kështu kishin nevojë për një autoritet qëndror.

Në një intervistë të kohëve të fundit në “New Yorker” keni thënë se ishit i “terrorizuar” nga reagimi kinez në shpërthim të koronavirusit, e keni përshkruar si një zgjidhje të ngathtët duke shtuar se kur njerëzit nuk bashkëpunojnë me autoritetet, autoritetet nuk kanë informacionet e duhura, ndërsa njerëzit levizin duke sjellë përhapjen e virusit. Si mendoni se kjo eksperiencë do ta ndryshojë marrëdhënien tonë me autoritetin dhe të drejtën e tij për kontroll?

Nuk ekziston një marrëdhënie e njëanshme mes sëmundjes epidemike dhe llojit të strukturave politike ose lëvizjeve që janë forcuar apo dëbësuar prej saj. Ato herë janë sinonime të represionit dhe herë promovojnë ndryshimet dhe revolucionet sociale. Mendoni për skllavërinë në Haiti dhe dështimin e ushtrisë së Napoleonit, ku Armata e Madhe u shkatërrua nga gripi për shkak se popullsia vendase ishte imune, ndërsa europianët që erdhën për të shtypur revoltën nuk kishin imunitet. Forcat e ushtrisë së Napoleonit ishin aq të shkatërruara sa komandanti shkroi se nuk mund të vijonte luftimin pasi 80% e trupave kishin vdekur dhe 20% po merrnin veten dhe ishin të paaftë për të luftuar. Francezët u dorëzuan dhe kjo shënoi fundin e skllavërisë. Ky është një shembull ku epidemia promovon ndryshimet sociale. Nga ana tjetër, mund të krijojë edhe presione për një politikë që anon nga e djathta. Kriza asnjëherë nuk është vetëm mjekësore. Është psikologjike, ekonomike, politike. Thellësia e kësaj krize vë në provë të vështirë marrëdhëniet sociale dhe politike, si edhe vetë shoqërinë. Në shumë vende diskutohet përballja me virusin në formën e kontrollit dhe të shtetit autoritar, sepse demokracitë shihen si të paafta për të marrë masat e nevojshme.

A mendoni se kjo pandemi mund të nivelojë pabarazitë sa i përket qasjes në trajtim mjekësor apo  rreziku është të rriten pabarazitë edhe në këtë nivel?

Shpresoj që kërkimi i shkakut të infektimit, të mos na largojë nga reflektimi, nga aktiviteti shkencor. Përballja me pseudo-problemet, bërja me faj e emigracionit, sajon mitologji që paralizojnë shëndetin publik në vend se ta promovojnë atë. Kështu që shpesoj se njerëzit do ta kuptojnë se shkenca duhet të ecë përpara dhe të braktisin fantazitë paranojake, të cilat janë të rrezikshme jo vetëm politikisht, por edhe nga pikëpamja mjekësore.

Disa besojnë se virusi mund të sheshojnë diferencat mes të varfërve dhe të pasurve. Ju thoni se jeni dakord me OBSH, e cila shkruan se “shëndeti i personave më vurnerabël është një faktor përcaktues për shëndetin e të gjithëve ne”, por nuk dukeni optimist se leksioni do të mësohet. Ju madje shpjegoni se pandemitë mund të rrisin paragjykimet ndaj të varfërve. Si në Paris, pas revolucionit të vitit 1848 ose sërish në Paris në vitin 1871 ku njerëzit u masakruan pasi klasa punëtore shihej si e rrezikshme nga ana politike dhe shëndetësore. Pse mendoni se tani virusi do të rrisë paragjykimet ndaj të varfërve?

Mendoj se virusi ka fuqinë për ta bërë dhe besoj se po e bën. Në SHBA ka nisur gjuetia për t’i vënë fajit ndokujt. Objektivi duket të jenë të huajt, fillimisht aziatikët dhe kjo prodhoi një valë dhune: njerëz me origjinë aziatike u sulmuan në rrugë apo në stacionet e metrove. Kjo u shoqërua edhe me një tension të përgjithshëm, për shembull të rinjtë në vështirësi ekonomike dhe që me shumë mundësi kanë votuar për Donald Trump e shohin përmirësimin e gjendjes së tyre të këcënuar nga të moshuarit. Në rrjetet sociale ka shprehje të tmerrshme si hashtagu #boomrremover. Boomer janë të moshuarit, të lindur gjatë asaj periudhe që u quajt Baby Boom pas Luftës së Dytë Botërore dhe ideja është që koronavirusi do të vrasë shumë prej tyre. Nuk po them se kjo do të shndërrohet në një karakteristikë dominuese, por është një ndër patologjitë që po lind dhe është shumë dëshpëruese.

*Frank Snowden është historian që ka në fokus epidemitë, profesor emeritus i Historisë së Mjekësisë në Yale. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.