Stil jete

Më Shumë Dashuri për Veten! Ekspertët flasin për reduktimin e dëmeve në shëndet

Më Shumë Dashuri për Veten! Ekspertët flasin për

Në mbështetje të ndërtimit të një shoqërie të shëndetshme dhe të përgjegjshme ndaj vetes, organizata KREO që në fokus ka edhe ndërgjegjësimin social, ka organizuar një tryezë diskutimi me temën: “Më Shumë Dashuri për Veten - A është e mundur të krijohet një Mentalitet i ri i Mirëqenies në Shqipëri”.

Mjekë profesionistë, dentistë, nutricionistë, fizioterapistë, farmacistë dhe specialistë të tjerë të fushave të ndryshme shëndetësore nën moderimin e gazetarit Isli Islami u mblodhën për të diskutuar se si mund të ndikojnë ata në krijimin e një mentaliteti të ri të mirëqenies në Shqipëri.

Takimi pati si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për një stil jetese më të shëndetshëm dhe të reduktohet dëmi në shëndetin e qytetarëve dhe jetën e përditshme. Ekspertët e shëndetit, duke ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre, u fokusuan në gjetjen e rrugëve të mundshme për të përmirësuar dhe për të promovuar mirëqenien në komunitet.

Një aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte ndikimi i stilit të jetesës në shëndetin e përgjithshëm. Nutricionistët theksuan rëndësinë e një ushqimi të balancuar dhe të shëndetshëm, duke përmendur se ndryshimi i disa zakoneve të thjeshta ushqimore por edhe të konsumit siç është kafja, duhani tradicional, ushqimet e gatshme (të paketuara) etj dhe kudjesi ndaj tyre mund të ketë një impakt të madh në mirëqenien fizike dhe mendore të individëve.

Në aspektin e Fizioterapisë u prezantuan praktikat dhe ushtrime të përshtatshme për të ruajtur shëndetin e muskujve dhe të kockave, ndërsa në aspektin e stomatologjisë u diskutua rreth rëndësisë së higjienës orale dhe parandalimit të problemeve të ndryshme stomatologjike.

Në vijim, u shqyrtua edhe roli i farmacistëve në edukimin e pacientëve rreth përdorimit të barnave dhe mënyrave të sigurta për të menaxhuar kujdesin për shëndetin. Një rol po aq të rëndësishëm gjatë takimit pati edhe mbajtja e trupit në formë përmes ushtrimeve fizike në shtëpi, natyrë por edhe në palestër, crossfit, pilates etj.

Propozimet dhe idetë e paraqitura nga paneli i ekspertëve u përqëndruan në nevojën e edukimit të vazhdueshëm për publikun, rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e parandalimit dhe mbajtjen e një stili të jetesës të shëndetshëm.

Në vijim, Tirana Post do të sjellë në mënyrë ekskluzive një seri artikujsh mbështetës të nismës “Më Shumë Dashuri për Veten” duke sjellë për publikun këshilla të veçanta nga ekspertët për kujdesin ndaj shëndetit në të gjitha aspektet e tij.