Stil jete

Miti i njerkës djallëzore

Miti i njerkës djallëzore

Bota imagjinare është e mbushur me njerka të pakëndshme – apo madje edhe më shumë se kaq, edhe përbindësha e vrasëse. Mendoni njerkën e Borëbardhës; shtrigën tek Hansel dhe Gretel atë të Hirushes, të gjitha i përkasin një klase të grave të liga me oreks të pangopur për ushqim njerëzor, ndonjëherë edhe për mish e gjak ose për mëlçinë dhe zemrën e fëmijës së burrit.

Këta personazhe të këqij janë pikturuar si të ftohtë dhe të padashur. Filmi i vitit 1998 “The Parent Trap” paraqet dy binjake, të ndara kur prindërit e tyre u divorcuan. Ato bashkojnë forcat për të prishur fejesën e babait të tyre me një vajzë “të tmerrshme” dhe për të ribashkuar familjen.

Nuk është rastësi që njerkat sot mendohen në një këndvështrim më pak të favorshëm se çdo figurë tjetër familjare. Falë më shumë se 900 tregimeve ndërkombëtare të shkruara për njerkat e liga gjatë shekujve - dhe rrjedhës së pafund të përshtatjeve në ekran nga kineastët - ato shpesh perceptohen si më pak të dashura, të pasjellshme, të palumtura dhe të papëlqyeshme. Mizore, të padrejta dhe madje të urryera. Edhe vetë fjala “njerkë” në mënyrë të folur, duket sikur nënkupton inferioritetin e saj.

Megjithëse familjet që kanë njerkë mund të përballen me sfida dhe konflikte që mund të përforcojnë disa elementë të këtyre stereotipeve, nuk ka asnjë provë të vërtetë që të mbështesë karikaturën e njerkës së ligë. Në fakt, hulumtimet tregojnë se njerkat mund të jenë unike dhe të dobishme për familjet, duke shërbyer si ngjitës që i mban anëtarët së bashku pas një ndarjeje dhe duke ofruar mbështetje shtesë për fëmijët e pikëlluar.

Pse, atëherë, vazhdojnë këto perceptime të ashpra? Dhe ndërsa familjet me njerkë bëhen gjithnjë e më të zakonshme në të gjithë botën, a mund të zbehen këto stereotipe?

Shfaqja e njerkës së keqe

Stereotipi i njerkës së ligë ka ekzistuar në përrallat dhe folklorin në mbarë botën për mijëvjeçarë - me disa histori që datojnë që nga koha romake. Referencat mund të gjenden gjithashtu në Bibël: Sara, matriarkja që lindi djalin e Abrahamit, i dëboi fëmijët e tij të tjerë dhe i la të vdisnin, në mënyrë që të mos hollohej pellgu i trashëgimisë.

Vëllezërit Grimm me përrallat e tyre kanë ndikuar në këtë perceptim.

Edhe pse imagjinar, fokusi tek njerkat pasqyron disa të vërteta rreth shoqërisë së shekullit të 19-të. 'Kur u krijuan këto përralla, jetëgjatësia ishte jashtëzakonisht e ulët,' thotë Laërence Ganong, një profesor i zhvillimit njerëzor në Universitetin e Misurit, në SHBA, i cili ka studiuar familjet me njerkë për dekada. Gratë shpesh vdisnin gjatë lindjes, duke i lënë fëmijët vetëm nën kujdesin e baballarëve. Njerkat e liga që u shfaqën në faqet e përrallave ofruan këshilla familjare paralajmëruese: baballarët duhet t'i mbrojnë dhe mbështesin fëmijët e tyre, dhe njerkat duhet të bëjnë gjënë e duhur - ose gjëra të këqija do të ndodhin.

Në vitet 1800, baballarët rimartoheshin me gra më të reja, të cilat mund të ishin afër në moshë me fëmijët e burrave. Në këto rrethana, mund të lindnin të gjitha llojet e ndjenjave të çuditshme, dhe intensive - ??si rivaliteti mbi vëmendjen e babait, gara e bukurisë ndër breza siç shohim te Borëbardha.

Në shekujt që kur vëllezërit Grimm publikuan përrallat e tyre, njerka e ligë u shndërrua nga tregimet, në jetën reale.

Psikologë të ndryshëm janë munduar të japin disa shpjegime gjatë viteve. Disa besonin se njerëzit janë të programuar biologjikisht për të mbrojtur fëmijët gjenetikë përpara fëmijëve jobiologjikë.

Studime të tjera - ndoshta pa dashje - gjithashtu kanë ndihmuar në përjetësimin e miteve. Hulumtimet nga vitet 1980 treguan se njerkat raportojnë se ndjehen më afër fëmijëve të tyre biologjikë sesa me fëmijët e burrit, edhe kur fëmijët kanë të njëjtin baba biologjik. Dhe ato që kanë lindur fëmijët e tyre gjithashtu raportojnë se ndihen më pak të kënaqura me rolin e tyre si njerkë. Megjithatë, asnjë nga këto nuk do të thotë se njerkat janë mizore.

Si duket realiteti?

Pavarësisht fuqisë së këtyre stereotipeve, megjithatë, ka pak prova që vërtetojnë se njerkat sillen si karikaturat e pashpirt dhe shumë raste tregojnë se ato nuk e bëjnë këtë.

'Shumica e njerkave shkojnë mirë me fëmijët e burrit,' thotë Ganong, i cili ka lexuar rreth 3,000 raporte kërkimore mbi këtë temë dhe ka biseduar me shumë anëtarë që kanë jetuar në familje me njerkë.

Në një anketë të vitit 2021 me 295 fëmijë, Jensen zbuloi se shumica kishin marrëdhënie pozitive me njerkat e tyre. Pjesëmarrësit u pyetën se sa afër ndiheshin me njerkën e tyre, sa mendonin se njerka kujdesej për ta, nëse ishte e ngrohtë dhe e dashur dhe sa të kënaqur ishin me komunikimin dhe marrëdhëniet.

Kjo është veçanërisht e vërtetë pas një divorci, thotë Cara Zaharychuk, një këshilltare kanadeze e cila ka studiuar rolin që luajnë njerkat në një ndarje. Duke kaluar kohë cilësore me fëmijët pas një divorci, Zaharychuk zbuloi se njerkat mund t'i ndihmojnë ata të ndihen sërish pjesë e një familjeje. Ato mund të jenë gjithashtu një mbështetje e jashtëzakonshme për fëmijët e vegjël që kanë vuajtur një humbje.

Në epokën e Grimms, shumica e familjeve me njerkë u krijuan pas vdekjes së një nëne biologjike. Këto ditë, ka më shumë gjasa që një njerka të hyjë në familje pas një divorci. Me një nënë ende gjallë, një fëmijë mund ta gjejë veten më mirë në këtë marrëdhënie.

Nuk janë vetëm fëmijët që mund të kenë vështirësi të përshtaten me situatën e tyre të re familjare. Jeta mund të jetë gjithashtu e vështirë për njerkat, të cilat vazhdimisht jetojnë me frikën se mos i cilësojnë si të liga.

Në fund të fundit, hulumtimet tregojnë se njerkat nuk janë të këqija, siç mund të na bëjnë të besojmë librat dhe filmat. Megjithëse roli i tyre i perceptuar në një familje varet nga shumë faktorë – të tillë si kultura në të cilën po hyjnë, qëndrimet e një nëne ekzistuese biologjike dhe çfarë mund të dëshirojnë ose të kenë nevojë fëmijët e burrit, në aspektin e kujdesit dhe mbikëqyrjes, të dhënat ekzistuese sugjerojnë se atp kryesisht kanë një ndikim pozitiv në familje.

Sot, duket se njerkat ende përballen me perceptime disi të dyshimta të rrënjosura në stereotipe të vjetra.