Stil jete

Ndjenjat e Raskolnikovit për lexuesit

Ndjenjat e Raskolnikovit për lexuesit

Nga Abraham Yehoshua/ Mendoj se pikërisht në ditët e sotme është e domosdoshme të marrim një pozicion të qartë, për sa është e mundur, drejt përkufizimit të artit, prej nga buron edhe përkufizimi mbi letërsinë. Imagjinoni një person që teksa shëtit nëpër një qytet, has një ndërtesë të bukur të sapondërtuar, rreth së cilës kanë mbetur të shpërndara ende mbetjet e materialeve të ndërtimit. Një nga nga këto, është një hark hekuri. Në atë moment, ai person mendon nëse bëhet fjalë për një skulpturë që është porositur për të zbukuruar ndërtesën e re apo nëse bëhet fjalë për diçka që është përdorur gjatë ndërtimit dhe që së shpejti do të flaket tutje.

Ose imagjononi dikë që duke hyrë në një dhomë ku ka një televizor të ndezur, sheh në ekran një familje të ulur në sallon që flet për një temë të caktuar. Bëhet fjalë për një dokumentar, apo film? Ata njerëz janë xhiruar në shtëpinë e tyre apo janë aktorë që recitojnë pjesën e caktuar nga regjisori?

Imagjinoni përsëri një njeri që hap laptopin dhe në monitor i shfaqen fraza dhe fjalë. Është tregim, apo janë lajme aktualiteti? Dikush tjetër, duke hyrë në një ashensor, mund të pyesë nëse muzika që dëgjon është një opera apo nota të thjeshta të futura në software të ashensorit.

Pikërisht sepse aktivitetet artistike kanë kapërcyer kufijtë e institucioneve të tyre kanunore dhe mund të gjenden në mënyrë thelbësore edhe jashtë muzeve, sallave të koncerteve, kinemave dhe bibliotekave, është e nevojshme të bëjmë një dallim më të saktë mes asaj që kemi ndërmend me përkufizimin e artit (në çdo fushë) dhe atyre gjërave që nuk e pranojnë aspak këtë përkufizim. Dhe kjo duhet për të mirën e të dy palëve. Një film do të duhet të vlerësohet sipas kategorisë së tij, ndërsa një dokumentar do të duhet të shihet dhe gjykohet sipas parametrave të tjerë. Nëse do të shprehnim një opinion mbi të dy, bazuar në kritere joadekuate, do të rrezikonim të ishim të pamatur dhe të pasaktë.

Megjithatë, përkundër konfuzimit dhe mbivendosjes gjithnjë e më të shpeshtë midis veprave artistike dhe veprave që nuk pretendojnë të jenë, përdoruesit e të dyve kanë një aftësi të lindur për të bërë dallimin midis tyre. Për shembull, nëse një person hyn në një dhomë ku një film transmetohet në televizor, pas shikimit për një kohë të caktuar, ai ndoshta do të jetë në gjendje të përcaktojë me siguri nëse personazhet në ekran janë aktorë ose protagonistë të një reportazhi. Diçka në mënyrën e të folurit dhe sjelljes së tyre, me të vërtetë mund t'u tregojë nëse ata janë duke aktruar apo jo.

Ose, për të dhënë një shembull tjetër, nëse do t’i kërkohej një grupi njerëzish të seleksiononin tekste letrare nga një pirg me libra të ndryshëm që kurrë më parë nuk i kanë hasur – mes të cilëve libra psikologjikë, filozofikë, gjeografikë, historikë – do të çuditeshim nga fakti se do të ishin në gjendje ta bënin vetëm me një hulumtim të shpejtë. Mirë, mund të kishin mosmarrëveshje mbi Ditarin e Anna Frank, që për disa është një ditar personal i gjetur rastësisht ndërsa për të tjerë një libër artistik i shkruar qëllimisht në formën e një ditari. Por përgjithësisht, dakordësia mes atyre njerëzve do të ishte e dukshme.

Prandaj, pikërisht në këtë periudhë në të cilën vepra arti dhe vepra që nuk kanë ndërmend të bëhen pjesë e sferës publike, dhe kur ato të parat, siç u tha, nuk kufizohen më vetëm brenda muzeve, galerive, sallave të koncerteve, dhe sigurisht jo në biblioteka, por, në format e tyre të ndryshme sepse janë gjithashtu të pranishme në celularët tanë, në dyqane dhe qendra tregtare, nevojitet një përkufizim më i qartë i asaj që nënkuptohet me art. Dhe jo nga përçmimi ose mungesa e respektit për ato vepra që nuk duan ta përkufizojnë veten si artistike (për shembull dokumentarët, të cilët kohët e fundit kanë arritur nivele të përsosmërisë dhe kanë marrë rezonancën e filmave të krijuar në seri), por për t'i mbrojtur ato nga pretendimet për t’u quajtur të tillë. Ashtu si arti duhet të mbrohet nga ajo që art nuk është.

Nuk mbaj mend ku, por shumë kohë më parë gjeta përkufizimin e mëposhtëm të letërsisë, të cilin e përsërisja në fillim të secilit nga mësimet e mia universitare dhe që, pavarësisht viteve që kanë kaluar, mua ende më duket e vlefshme dhe e ndjeshme.

Letërsia është një art i cili, përmes gjuhës, e bën lexuesin të ndajë një përvojë të rëndësishme të brendshme me qëllimin e ngjalljes së një përmbushjeje estetike.

Po kështu, muzika është një art që, përmes tingujve, e bën dëgjuesin të ndajë një përvojë të rëndësishme të brendshme për të ngjallur një kënaqësi estetike.

Dhe e njëjta gjë mund të thuhet për të gjitha format e tjera të shprehjes artistike: pikturë, skulpturë, valle, kinematografi etj.

Elementët ndërtimorë të përcaktimit të mësipërm janë si më poshtë:
Qëllimi: ta bëjë lexuesin (ose dëgjuesin, vëzhguesin, spektatorin) pjesë të një përvoje të rëndësishme të brendshme.
Mjetet për ta arritur atë: gjuha (ose tinguj, forma, ngjyra, gur, dru, etj.).
Rezultati: kënaqësia estetike (e cila varet nga reagimi dhe gjykimi i përdoruesit).

Nuk është e nevojshme që përvoja e brendshme e së cilës një artist dëshiron të na bëjë pjesë domosdoshmërish është jetuar prej tij personalisht, megjithëse ndonjëherë edhe ndodh. Një përvojë e brendshme do të thotë që një ngjarje, një material i caktuar, veprimi i një individi, një ngjarje historike, apo edhe një peizazh dhe madje edhe një mollë a dardhë në tasin e një tryeze kuzhine, kanë kaluar nëpër prizmin e brendshëm dhe subjektiv të një artisti që merr këndvështrimin e tij.

Po çfarë do të thotë “e rëndësishme”? “E rëndësishme” për kë? Së pari për artistin që ka zgjedhur si vepër të tijën një subjekt të caktuar dhe që duhet ta bindë përdoruesin e asaj vepre, ose më konkretisht lexuesin, shikuesin, dëgjuesin apo spektatorin, që ajo zgjedhje është e rëndësishme edhe për të, duke ngjallur kështu një ndjenjë pjesëmarrjeje. Në këtë drejtim, nuk ka asnjë dallim midis përshkrimit të një beteje të rëndësishme historike ose asaj të pritjes së një autobusi në një ndalesë të shkretë. Rëndësia e të dyve nuk përcaktohet nga tema, por nga mënyra se si zhvillohet tema në vetë veprën artistike.

Në këtë pikë arrijmë në fjalen kyçe të përkufizimit: bashkëndarjen. Vepra e artit dëshiron ta bëjë përdoruesin e saj pjesë të përvojës së brendshme që shpreh. Ajo nuk kërkon mirëkuptim, miratim, njohuri, por bashkëndarje. Kushdo që lexon fragmentin e vrasjes të kryer nga Raskolnikovi, duhet ta perceptojë tmerrin, turbullimin dhe zemërimin e këtij të fundit dhe për këtë arsye do të ndjehet në ankth gjersa të zbulojë se, për shkak të pështjellimit, Raskolnikovi ka lënë derën e shtëpisë hapur dhe, pas ardhjes së motrës së të moshuarës, nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse ta vriste atë.

Ka nga ata që dridhen nga emocioni në dëgjimin e muzikës që shkakton një stuhi emocionale mbi të, të tjerët qajnë për vdekjen e një personazhi në një vepër letrare ose në një film. Bashkëndarja, identifikimi, janë fjalë kyçe për ta vendosur veten para një vepre arti. Si zhvillohet ky proces i bashkëndarjes ose identifikimit? Ka teori dhe analiza të përpikta në këtë drejtim, dhe ky nuk është vendi për të hyrë në to. Cilado vepër artistike, dhe natyrisht letrare, megjithatë, aspiron të ngjallë një ndjenjë të tillë.

Çfarë e nxit atë? Para së gjithash materia. Po, materia. Në kuptimin e parë të fjalës. Kushdo që hyn në studion e një piktori, ose skulptori, do të shohë rrobat dhe duart e tij të njollosura me ngjyra, ose copa mermeri të shpërndara përreth. Kushdo që hyn në studion e një kompozitori, do t'i shohë gishtat e tyre duke u ngatërruar vazhdimisht në çelësat e një pianoje dhe do të kuptojnë se deri ku lufton arti, në radhë të pare, kundër vetë materies. Pikërisht prej faktit se ka supozimin e komunikimit të një përvoje të brendshme që gjithashtu përfshin saktësinë objektive dhe jo vetëm idetë, arti duhet të komunikojë thelbin e asaj përvoje edhe përmes materies, jo vetëm shpirtit. Ne e dimë mirë në letërsi punën e shkrimtarit dhe në veçanti të poetit, në aspektet praktike, konkrete të gjuhës dhe jo vetëm në përfaqësimin e saj: ritmin, tingullin, rimën, zgjedhjen e e disa fjalëve të caktuara në vend të disa të tjerave etj.

Një vepër arti nuk është rezultat vetëm i një pune thelbësisht intelektuale ose shpirtërore, por është një ndërhyrje në materie. Është arena e vërtetë ku ajo matet. Arti i referohet asaj që krijon artisti, por admiruesi i tij përcakton estetikën. Nga kjo është e qartë se çdo vepër do të perceptohet ndryshe nga njerëz të ndryshëm, të cilët do t'i japin interpretime të ndryshme dhe do të jenë të vetmit që do të përcaktojnë vlerën e saj ose të thonë nëse identifikimi me atë vepër arti është i plotë dhe i vlefshëm

Dhe në këtë pikë, vjen kënaqësia. Ne lexuesit morëm pjesë në vrasjen e gruas së moshuar së bashku me Raskolnikovin. Në këtë mënyrë ishim pjesë e një përvoje shqetësuese teksa qëndruam të qetë në një kolltuk, pa përfunduar në komisariat. Ne shndërrohemi në buburrecin e tregimit “Metamorfoza” të Kafkës dhe kështu pësojmë një ndryshim të pakonceptueshëm në identitetin tonë njerëzor, pa marrë parasysh se trupat tanë të thara janë thyer nga shërbyesja. Ky është thelbi i përmbushjes estetike: një bashkëndarje eksperience e suksesshme pa ndonjë çmim për ne.

Prandaj, për të përfunduar, vlerësimi i një vepre arti pashmangshmërisht do të jetë personal dhe i përkohshëm. Ndoshta, në dyqind vjet, askush nuk do të dëshirojë të dëgjojë më Mozartin ose të lexojë një tragjedi të Shekspirit. Vlera e jashtëzakonshme aktuale e veprave është e përkohshme, siç është numri i admiruesve të tyre. Prandaj ekziston një avantazh i qartë i mësuesit të letërsisë mbi atë të matematikës. Nëse një nxënës këmbëngul që dy plus tre bëjnë gjashtë, dhe jo pesë, mësuesi i matematikës nuk do të jetë në gjendje të shkojë i qetë në shtëpi derisa ta ketë bindur studentin që rezultati që ai propozon është i gabuar. Por nëse një nxënës, duke dëgjuar një mësim për Danten, mendon se është një shkrimtar i mërzitshëm dhe monoton, mësuesi i letërsisë do të jetë në gjendje të shkojë në shtëpi dhe me siguri të shohë një program televiziv argëtues dhe më pas të shtrihet në shtrat me humor të mirë.

*Abraham B. Yehoshua është shkrimtar, eseist dhe dramaturg izraelit. Krijimet e tij janë vlerësuar me çmime si “Çmimi kombëtar për librin hebre”, “Çmimi i Izraelit për Letërsinë” apo “Los Angeles Times Book Prize”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.