Stil jete

Një gabim në status (nga ekipi) i ktheu jetën përmbys neuroshkencëtares

Një gabim në status (nga ekipi) i ktheu jetën përmbys

Një postim dhe pastaj me qindra kërcënime me vdekje.

Kjo është me një fjali historia e një neuroshkencëtareje.

Dalal Abu Amneh këmbëngul ende se nuk kishte ndërmend të mbante anë në mesazhin e saj në Facebook më 7 tetor: 'I vetmi fitimtar është Zoti'.

Qytetarja palestineze e (Izraelit verior) - një neuroshkencëtare dhe këngëtare popullore e njohur në botën arabe - po fillonte një tërheqje të heshtur në një manastir të krishterë, në Jerusalem kur filloi të përhapej fjala për masakrën e Hamasit.

Ajo menjëherë kërkoi të përcillte idenë se asgjë e mirë nuk do të vinte nga sulmet e Hamasit apo lufta në Gaza që do të pasonte.

'I vetmi fitimtar është Zoti' shkruajti ajo, duke pasqyruar bindjet e saj si pacifiste.

Ekipi i saj e postoi atë në arabisht: 'La gha-leb il-la lah'. Dhe i shtuan mesazhit edhe një flamur palestinez, siç bënin zakonisht me postimet për muzikën e saj.

Kur ajo pa postimin të nesërmen dhe pa flamurin, zemra e saj u trondit. Ky flamur që i kishin vendosur, pa i thënë, e bënte mesazhin të dukej i njëanshëm.

Kërcënimet me vdekje filluan menjëherë pas kësaj - në mediat sociale dhe në telefonata kërcënuese dhe, më në fund, në protesta të furishme në pragun e shtëpisë së saj. Bashkëqytetarët izraelitë e kërcënuan se do ta përdhunonin, do t'i digjnin shtëpinë dhe do t'i vrisnin dy fëmijët e saj.

Kur çifti shkoi në një stacion policie për të kërkuar mbrojtje, atë e arrestuan. E mbajtën tre ditë në burg.

Policia tha se postimi në Facebook, komenti i saj i vetëm publik mbi ngjarjet e tmerrshme, përbënte një provokim të paligjshëm. Abu Amneh e hoqi postimin pasi u bë viral, por nuk ka kërkuar falje. Ajo i qëndron mesazhit që si synim kishte vetëm paqen. Pothuajse katër muaj më vonë, jeta e saj është ende përmbys.