Stil jete

Njerëzit e verbër tregojnë si i shikojnë ëndrrat

Njerëzit e verbër tregojnë si i shikojnë ëndrrat

Çfarë shihni kur ëndërroni? Ëndrrat janë zakonisht të gjalla dhe shpesh mund të kujtojmë vizualisht peizazhet, njerëzit dhe aspekte të tjera. Por a është e njëjta gjë për njerëzit që nuk shohin? Si i përjetojnë ëndrrat njerëzit e verbër?

Specialistët e kirurgjisë së syrit NVISION kanë publikuar një seri ilustrime që tregojnë se si mund të duket ëndrra për një person të verbër ose me shikim të dëmtuar.

Ata intervistuan disa njerëz që nuk shikonin ose që kishin dëmtim të rëndë të shikimit. Nga përshkrimet e tyre, krijuan disa ilustrime.

Ekipi që qëndron pas projektit shpreson se do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit se si është të jetosh në verbëri ose me dëmtim të rëndë të shikimit.

Përshkrimet i gjeni më poshtë:

Claire

Njerëzit e verbër tregojnë si i shikojnë ëndrrat

Claire, e cila jeton në Mbretërinë e Bashkuar me familjen e saj, u diagnostikua si e verbër në vitin 2017, pasi pësoi një sërë goditjesh në tru që i shkaktuan gradualisht humbjen e shikimit. Edhe pse Claire shikonte për pjesën më të madhe të jetës, ajo thotë se ka filluar të harrojë se si duken gjërat.

“Njerëzit që verbërohen zakonisht e humbasin kujtesën e tyre vizuale pas shtatë vjetësh dhe ka shumë gjëra nga të cilat unë tashmë kam filluar të harroj se si duken”, thotë ajo.

Claire thotë se përjeton ëndrra shumë të qarta dhe se ajo i kujton gjithmonë kur zgjohet: “Ëndrrat e mia janë plot me ngjyra ylberi, të ndritshme dhe shumëngjyrëshe”, thotë ajo. “Unë shpesh ëndërroj të shkoj me pushime, të jem në vende të lumtura”.

Në ëndrrat e Klerit, dëmtimi i saj i shikimit zhduket: “Në ëndrrat e mia, unë mund të shoh gjithmonë, nuk duhet të përdor kurrë bastunin tim të bardhë. Unë shpesh bëj aktivitete që nuk mund t'i bëj në jetën reale, të tilla si drejtimi i një makine ose fluturimi me aeroplan”.

“Ëndrrat e mia zakonisht më bëjnë të ndihem e lumtur dhe më pëlqen të ëndërroj”.

Anthony

Njerëzit e verbër tregojnë si i shikojnë ëndrrat

Anthony nuk ka lindur i verbër, kështu që ai ka kujtime që kur ishte i vogël dhe thotë se ka një ide se si duket bota. Ëndrrat e tij priren të jenë 'ashtu si jeta reale, por më intensive'.

“Unë mund të shoh në ëndrrat e mia. Më duket sikur shoh në mënyrë perfekte ndonjëherë”, thotë ai. “Gjërat janë kaq të ndritshme dhe të gjalla.”

Anthony lindi me Leber Amaurosis Congenital (LCA), një gjendje e rrallë që mund të shkaktojë verbëri që në moshë shumë të re.

Ëndrrat e tij shpesh janë plot emocione dhe ai thotë se ndonjëherë mund të 'ndihet si një vorbull emocionesh, ku unë notoj në ndjenja dhe ngjyra të ndryshme'.

Herë pas here, Antoni ëndërron për vëllain e tij që ndërroi jetë: “Ato janë ëndrrat e mia të preferuara. Ai mban gjithmonë syze dielli dhe ne udhëtojmë në vende ku nuk kemi qenë kurrë më parë. Ndonjëherë ëndrrat e mia janë aq të bukura, sa nuk dua të zgjohem.”

Mary Kathlyn

Njerëzit e verbër tregojnë si i shikojnë ëndrrat

Mary Kathryn bën një dallim midis vizionit të saj fizik dhe vizionit të saj të brendshëm, dhe e përshkruan vizionin e saj të brendshëm si shqisa e gjashtë.

Rreth 33 vjet më parë, kur Mary Kathryn ishte 13 vjeç, ajo u diagnostikua me sëmundjen trashëgimore Retinitis Pigmentosa (RP). Gjendja prek retinën dhe shkaktohet nga humbja e oksigjenit pas syrit. Gjendja e Mary Kathryn vazhdoi të përkeqësohej me kalimin e kohës, dhe sot, ajo është ligjërisht e verbër me 11% shikim periferik të mbetur në syrin e saj të majtë dhe 13% shikim periferik në syrin e saj të djathtë.

Mary Kathryn praktikon meditimin dhe krijon një lidhje midis meditimit dhe ëndrrave të saj: “Meditoj rregullisht dhe me sytë mbyllur, shikimi im bëhet më i qartë. Ngjyrat janë më të gjalla dhe gjithçka është më e detajuar. Unë ‘shoh’ më shumë me sy mbyllur dhe e njëjta gjë është kur edhe ëndërroj.”

Ashton

Njerëzit e verbër tregojnë si i shikojnë ëndrrat

Ashton ka qenë i verbër që kur lindi. Ai është diagnostikuar me një gjendje të rrallë të quajtur displazi septo-optike, e cila shkakton nerva optike të pazhvilluara. Ai është intervistuar përkrah nënës së tij, Hildës.

Kur Ashton ëndërron ai përdor të gjitha shqisat e tij dhe përmend se kur ëndërron për ujë të ngrohtë, ai ndjen shumë nxehtësi.

Kur ëndërron sheh gjithmonë kujtimet e tij: “Duket sikur jam në një rreth kujtimesh. Mund të shoh gjëra dhe vende të ndryshme ku dua të jem. Më pëlqen të ëndërroj për vende të shkuara. Më pëlqen të shkoj në oqean, në parqe patinazhi. Më pëlqen të bëj video të bukura dhe shpesh ëndërroj të jem shkrimtar.”

Ashton mendon se verbëria e tij i jep atij një përvojë të ndryshme ëndrrash: “Mendoj se të ëndërrosh për mua është ndryshe nga sa është për njerëzit e tjerë, sepse unë mund të shoh shumë gjëra që fëmijët e tjerë nuk mund t'i shohin. Unë vërej gjëra në ëndrrat e mia që njerëzit që nuk kanë probleme të tilla mund të mos i vërejnë.”

Stephanae

Njerëzit e verbër tregojnë si i shikojnë ëndrrat

“Nuk do ta harroj kurrë atë moment. Bota ime ndryshoi në një çast. Ishte sikur bota ndryshoi papritmas”, thotë Stephanae. “Gjithçka ishte më e ndritshme dhe të gjitha shqisat e mia u forcuan.”

Stephanae kishte miopi të lartë (një lloj i rrallë i miopisë ekstreme), por ajo nuk e kuptoi se nuk mund të shihte siç duhet derisa provoi syzet për herë të parë.

Stephanae mendoi se kaq ishte, se do jetonte me syze për pjesën tjetër të jetës së saj, por kur arriti të 40-at, papritur humbi shikimin në njërin sy dhe disa kohë më pas iu prek edhe syri tjetër. Pas operacioneve të shumta dhe përpjekjeve për të shpëtuar shikimin e saj, Stephanae u shpall ligjërisht e verbër.

Stephanae-s iu desh pak kohë për të pranuar diagnozën e saj dhe fillimisht ajo nuk donte të përdorte bastunin e bardhë pasi nuk donte të shihej si viktimë.

Kur bëhet fjalë për ëndrrat e saj, ajo thotë se një fjalë i vjen në mendje: 'e gjallë'.

“Në ëndrrat e mia mund të shoh në mënyrë perfekte dhe mund të bëj shumë gjëra”, thotë ajo. “Unë kurrë nuk duhet të përdor bastunin tim. Unë mund të ngas edhe makinën. Në fillim, kur u diagnostikova për herë të parë si e verbër ligjërisht, zgjohesha e zhgënjyer pasi në ëndrrat e mia mund të shihja aq mirë.”