Stil jete

Pse disa njerëz nuk kanë fare “vesh muzike”?

Pse disa njerëz nuk kanë fare “vesh muzike”?

Sigurisht, jo të gjithë kanë zërin dhe intonacionin e një këngëtareje të njohur si Adele. Por ne të gjithë njohim njerëz që gjatë një karaoke në një pub apo në një gëzim familjar në shtëpi, dinë të këndojnë mirë një këngë të preferuar, duke kuptuar ritmin dhe lartësinë e notave muzikore.

Dhe sigurisht njohim edhe ata që zakonisht etiketohen si njerëz që nuk kanë fare “vesh muzike”. Në terma teknikë ky quhet “shurdhim intonativ”. Por a është reale kjo dukuri, dhe nëse po pse disa njerëz vuajnë prej saj? Ekspertët thonë se “shurdhimi intonativ” është një çrregullim i vërtetë neurologjik.

Ajo quhet amuzi. Megjithatë, jo të gjithë ata që nuk kanë “vesh muzike” vuajnë nga kjo gjendje, e cila prek rreth 4 për qind të popullsisë. Amuzia mund të variojë në ashpërsinë e simptomave tësaj, nga një vështirësi e lehtë në njohjen e melodive, deri tek një paaftësi të plotë për të dalluar notat e ndryshme muzikore.

Por çfarë e shkakton këtë gjendje? Për shumicën e të sëmurëve, kjo gjendje është e trashëgueshme, thotë Isabel Peretz, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Montrealit, Kanada, e specializuar në neurokonjicionin e muzikës.

“Shumica e rasteve janë të lindura. Gjysma e vëllezërve dhe motrave të tyre lindin në këtë mënyrë, sepse amuzia është e trashëguar. Problemi nuk duhet të jetë një mjedis muzikor i varfër.Është parë që fëmijët deri në 8 vjeç vuajnë nga amuzia. Ata kanë të njëjtin profil jonormal si të rriturit që kanë të njëjtin problem “- tha Peretz për Live Science.

Disa njerëz mund të zhvillojnë amuzi më vonë gjatë jetë, zakonisht si pasojë e një goditjeje në tru apo traumave serioze të tij. Kjo njihet si amuzi e fituar, dhe është një formë shumë më pak e zakonshme e gjendjes. “Një nga pasojat kryesore të të pasurit amuzi kongjenitale, është se ka të ngjarë që ta keni të vështirë të njihni muzikën që keni dëgjuar më parë, pa ndihmën e tekstit të këngës”- thotë Karen Uais, studiuese në Shkollën Guildhall të Muzikës dhe Dramës në Londër.

Por sipas saj amuzia ndryshon nga personi në person. Forma më e zakonshme e amuzias është e bazuar tek zëri. Një studim i vogël i vitit 2002, mbi 11 të rritur me dëmtime të perceptimit tëmuzikës zbuloi të njëjtën gjë, duke sugjeruar se amuzia kongjenitale, lidhet me “mangësi të rënda në përpunimin e variacioneve të lartësisë së notave.

Pavarësisht kësaj sfide, njerëzit me dëmtime muzikore në studimin e vitit të kaluar, ishin në gjendje të përpunonin dhe të njihnin tingujt e zakonshëm ambientalë. Për shembull, ishin në gjendje të dallonin kur dikush po bënte një pyetje kundrejt bërjes së një deklarate, ndoshta sepse ndryshimet në intonacionin e të folurit “përdorin variacione në lartësinë e tonit, që janë më të mëdha se gjysmë oktave, për të përcjellë informacionin përkatës.

Ndërsa disa individë me amuzi janë plotësisht të vetëdijshëm se e kanë atë, të tjerët mund të jetojnë me vite potencialisht gjatë gjithë jetën e tyre – pa pasur dijeni për gjendjen e tyre. Kjo për shkak se “shurdhimi intonativ”, mund të shfaqet në mënyra të ndryshme dhe ashpërsia e saj ndryshon nga personi në person.

Për shembull, disa njerëz mund të kenë vështirësi të këndojnë në kor apo të perceptojnë melodinë, ndërsa të tjerë mund të kenë vështirësi për të dalluar instrumentet ose notat. Po ashtu, disa njerëz mund të kenë gjetur padashur mënyra për të kompensuar gjendjen e tyre, duke u mbështetur në shenja të tjera, si tekstet ose ritmi, të cilat mund të maskojnë paaftësinë e tyre për të perceptuar saktë zërin.

“Ashtu si ata që vuajnë nga disleksia, paaftësia për të lexuar rrjedhshëm, që mund të mësojnë se si të lexojnë, edhe ata që vuajnë nga amuzia mund të jenë në gjendje të përmirësojnë aftësinë e tyre për të njohur intonacionin muzikor, por kjo nëse e fillojnë herët trajnimin”- tho Peretz.

Ky artikull u publikua nga Bota.al dhe u ripostua nga Tiranapost.al