Stil jete

Punët më të rëndësishme i bëjmë në gjumë!

Punët më të rëndësishme i bëjmë në

Është e çuditshme kur e mendon që kalojmë gati një të tretën e jetës sonë në gjumë. Për disa madje mund të duket një kohë e humbur kot. Se ato orë gjumë, mund të jetonim dhe të shijonim jetën.

Ndërkohë që flemë dukemi jashtëzakonisht joproduktivë, fare të pambrojtur, të dorëzuar.

Në një predikim të vitit 1719, Cotton Mather e quajti gjumin e tepërt 'mëkatar' dhe u ankua që ne shpesh flemë kur në fakt duhet të punojmë. Benjamin Franklin i bëri jehonë shprehjes se do të flemë gjumë mjaftueshëm në varr.

Për një kohë të gjatë, padobia e dukshme e gjumit argëtoi dhe mbajti të zënë me punë edhe shkencëtarët që e studiuan atë. Madje studiuesi i gjumit në Harvard, Robert Stickgold, kujton ish-bashkëpunëtorin e tij J. Allan Hobson që bënte shaka duke thënë se i vetmi funksion i njohur i gjumit është të kurojë përgjumjen. Marcos Frank, një neuroshkencëtar përmblodhi dhe analizoi gjetjet e studiuesve ndër vite. Ai arriti në përfundimin se shkenca dinte pak për gjumin dhe një pjesë të atyre që dinte, ishin të paqarta.

Por me vitet, misteri duket se po zbehet.

Duke parë qartë se çfarë mund të shkojë keq ndërkohë që jemi në gjumë, ne mund të kuptojmë se për çfarë shërben gjumi. Paralizat ndodhin edhe në gjumë. Apnea (ndalimi i frymëarrjes për 10 sekonda deri në disa minuta) ndodh gjatë gjumit. Rreth dhjetë për qind e popullsisë përjetojnë dëmtime gjatë orëve të zgjimit si rezultat i pagjumësisë kronike, një gjendje që është lidhur me cilësinë e ulët të jetës, depresionin, rritjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe hipertensionit, dëmtimet njohëse dhe motorike, dhe një sërë gjendjesh të tjera shëndetësore.

Për shkencëtarët e gjumit, të gjitha këto çrregullime të pakëndshme ofrojnë linja kërkimore tërheqëse. Lidhja midis shumë prej tyre dhe sëmundjeve neurodegjenerative, ose formave të tjera të dëmtimit njohës, të bëjnë të kuptosh që gjumi është i nevojshëm për mirëmbajtjen dhe funksionimin kognitiv. Gjumi mund të shërbejë për të lehtësuar stresin vaskular. Fakti që pagjumësia është e lidhur me depresionin, tregon se gjumi mund të na ndihmojë të përballemi me ngjarje stresuese emocionale, madje edhe me tronditje.

Gjithnjë e më shumë, studiuesit kanë gjetur mënyra për t'i testuar këto teori më drejtpërdrejt. Në vitin 2000, Stickgold publikoi një studim në Science që u bë një nga vërtetimet më bindëse të rolit që luajnë gjumi dhe ëndrrat në konsolidimin e kujtesës. Për shtatë orë, gjatë tre ditëve, një grup njerëzish luajtën lojën kompjuterike Tetris. Disa nuk e kishin luajtur kurrë më parë lojën; të tjerët e njihnin atë; dhe një grup i tretë ishin amneziak me dëmtime të mëdha në lobet e tyre të përkohshme mediale dhe hipokampi. Forma e tyre e veçantë e amnezisë nënkuptonte se ata nuk ishin në gjendje të krijonin kujtime të reja episodike.

Çdo natë, teksa flinin, subjektet e Stickgold zgjoheshin vazhdimisht dhe u kërkuan të kujtonin, me aq sa dinin, atë që po ëndërronin. Doli se ata ëndërronin për Tetris. Ajo që ishte befasuese ishte se edhe ata me amnezi kishin të njëjtat ëndrra. Ata nuk e kishin idenë se çfarë po shihnin dhe të nesërmen në mëngjes nuk e mbanin mend as lojën dhe asgjë. Të vetmet që kujtonin të nesërmen, kur përballeshin me lojën, ishin ëndrrat me Tetris.

Megjithatë gjumi nuk është vendimtar vetëm për konsolidimin e kujtesës; është gjithashtu një mekanizëm jashtëzakonisht selektiv. Ne nuk mbajmë mend gjithçka që na ndodh në një ditë të caktuar. Duke fjetur dhe duke ëndërruar ne analizojmë materialin për të izoluar dhe ruajtur gjërat e rëndësishme.

Në një eksperiment tjetër, një grupi njerëzish iu dha një detyrë matematikore relativisht komplekse. Megjithëse subjektet nuk e dinin ta zgjidhnin, ekzistonte një mënyrë më e thjeshtë për të zgjidhur problemin - një rregull abstrakt që do të mundësonte një zgjidhje të shpejtë. Pak nga subjektet e kuptuan spontanisht zgjidhjen herën e parë. Secili pjesëmarrës u ritestua në detyrë tetë orë më vonë; disa u lejuan të flinin dhe të tjerëve iu desh të qëndronin zgjuar. Ata që fjetën, ia dolën më mirë për ta zgjidhur problemin. Kjo tregon se ndërkohë që flemë, truri ynë riprodhon, përpunon, mëson dhe nxjerr kuptimin. Pra truri punon dhe ne po ashtu, edhe në gjumë.

Shëndeti ynë fizik, gjithashtu, duket se është i lidhur ngushtë me gjumin. Studimet kanë treguar se problemet kardiake shtohen në pagjumësi.

Por rëndësia e gjumit për funksionin e trurit tonë mund të jetë edhe më thelbësore. Përveç kujtesës dhe funksioneve të zgjidhjes së problemeve, gjumi mund të ndihmojë trurin tonë të qëndrojë i mprehtë, i ri dhe i shëndetshëm. Studiuesja Maiken Nedergaard publikoi rezultatet e shumë viteve të kërkimit mbi funksionin e gjumit. Pasi përdori teknika të reja për të parë trurin e minjve zgjuar dhe në gjumë, ajo zbuloi se gjumi ishte në fakt sistemi i mirëmbajtjes së trurit. Kur jemi zgjuar, aktivitetet tona çojnë në një grumbullim të mbeturinave në tru: ne formojmë toksina, të tilla si beta-amiloide, një proteinë e lidhur me Alzheimer, dhe proteina të tjera që zakonisht janë të padëmshme, por duhen larguar nga truri. Kur biem në gjumë, kanale specifike në trurin tonë zgjerohen për të lejuar që lëngu cerebrospinal të rrjedhë dhe të pastrojë ato mbeturina. Këta mekanizma janë quajtur 'sistemi glimfatik’. Anasjelltas, kur truri ynë nuk ka kohë të mjaftueshme për të pushuar, toksinat grumbullohen dhe shfaqet sëmundja neurodegjenerative. Në të vërtetë, një nga shenjat më të hershme të demencës së afërt janë shqetësimet në gjumë.

Të gjitha këto hulumtime tregojnë se punët më të rëndësishme ndodhin teksa flemë. E megjithatë ne e dimë se pak prej nesh flenë mjaftueshëm.