Stil jete

Sa herë kemi qarë, pa e ditur se jeta po na bënte një nder

Sa herë kemi qarë, pa e ditur se jeta po na bënte një nder

Sa herë kemi qarë në fshehtësi pa e ditur se jeta po na bënte një nder, pa kuptuar se ajo që na ndodhi nuk ishte fundi i botës, por fillimi i diçkaje më të mirë. Të ekzistosh do të thotë të fillosh disa herë, të mbyllësh një dritare për të hapur një derë ndërsa ne thajmë lotët për ata që nuk i kanë merituar kurrë.

Albert Einstein thoshte se nëse kishte një gjë për të cilën ai ishte mirënjohës, ishin të gjithë ata njerëz që i kishin thënë “jo” gjatë jetës së tij. Çdo zhgënjim që mori nga ata që kishin refuzuar ta ndihmonin kur kishte nevojë, më vonë e lejoi të gjente motivimin me të cilin të mësonte t’i bënte gjërat vetë; të bëhej më i fortë.

Ka raste kur, në heshtje, nuk durojmë dot më. Stresi emocional i shkaktuar nga kaq shumë zhgënjime, dështime dhe çdo “jo” e gjetur gjatë rrugës na detyron të frenohemi. Pikërisht atëherë shfaqet pamundësia për të mbrojtur veten dhe ndjesia e qartë e humbjes së kontrollit mbi jetën tonë.

Judith Orloff, psikiatre dhe autore e librit “Liria Emocionale. Largohuni nga emocionet negative dhe transformoni jetën tuaj”, thotë se hapi i parë për të arritur ekuilibrin e brendshëm është të qarit. Pas lotëve vjen qetësia dhe më vonë qartësia.

E qara mbi përvojat e mësuara: vuajtje e dobishme

Ka të ngjarë që nëse mund të ktheheni në të kaluarën pikërisht në këtë moment, do të ndjeni dhembshuri për personin tuaj kur e shihni veten duke qarë për arsye të parëndësishme. Të gjithë ata lot të derdhur për ata që nuk e merituan kurrë dashurinë tonë ose për çdo moment ankthi për një projekt apo një ëndërr që nuk ishte kurrë vërtet e rëndësishme, tani janë kujtime. Ëndrra të thyera, por të dobishme në të njëjtën kohë, të gdhendura në ato retë kalimtare të cikleve tona të jetës.

Duhet theksuar se askush nuk vjen në këtë botë si ekspert. Lotët janë si rite kalimi që duhet t’i përjetojmë për të vazhduar rritjen, për të ditur se kush meriton të jetë pjesë e jetës sonë dhe kush jo, për të testuar veten dhe për të matur forcën tonë.

Në psikologji shpesh flitet për të ashtuquajturat “vuajtje të dobishme”. Është një term që tërheq vëmendjen në një mënyrë të veçantë dhe, besoni apo jo, shfaqet më shumë nga sa mendojmë. I referohet atyre momenteve kur sa më shumë jemi të vetëdijshëm për dhimbjen tonë, aq më shumë e përjetësojmë atë.

Shembuj të kësaj janë marrëdhëniet torturuese në çift, në të cilat, ne jemi gjithnjë e më shumë të bllokuar. Ndërsa vuajtja e dobishme përfundon dhe na lejon të çlirohemi nga barra për t’u pastruar nga brenda dhe për të mësuar, vuajtja e kotë nuk do t’i hapë kurrë rrugën ndryshimit, rritjes së brendshme.

Pas dhimbjes, vjen mundësia
Thotë një shprehje: “Vetëm ata që kanë vuajtur janë në gjendje të kuptojnë se çfarë do të thotë në të vërtetë të jetosh”. Duhet të kujtojmë se kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Lumturia gjithashtu na mëson, ajo na ofron burimet e nevojshme. Vështirësia është, nga ana tjetër, udhëkryqi në rrugën nëpër të cilën shumica prej nesh do të duhet të kalojnë.

Kur shkojmë përtej saj, kur përjetojmë dhimbje në një nga format e saj, nuk jemi më të njëjtët. Për këtë arsye, është e nevojshme të inkurajojmë “vuajtjen e dobishme”, për të cilat folëm më parë, e cila na lejon të mësojmë të jemi më të aftë, të adoptojmë strategji më të mira me mendje elastike dhe të jemi njerëz të aftë për të parë mundësi të reja. Edhe nëse mendojmë se jeta na ka dhënë një “jo”, ndonjëherë nuk është gjë tjetër veçse një pritje pak më e gjatë.

Judith Orloff, në librin “Liria Emocionale. Largohuni nga emocionet negative dhe transformoni jetën tuaj”, na mëson se, për të parë mundësitë në kohë të errëta, është e nevojshme të krijoni një qetësi të brendshme.

Shfryrja emocionale është një mekanizëm i përshtatshëm dhe katartik për të qetësuar mendjen dhe për t’i parë gjërat ndryshe.
Pasi të keni qarë për një zhgënjim, një ndarje apo një dështim, është e nevojshme të krijoni ndryshim. Shumë shpesh ne biem në gabim duke pritur që diçka të ndodhë rreth nesh dhe më pas të gjejmë një motivim, një qëllim që na lejon të vazhdojmë dhe të lëmë pas, atë që ka ndodhur.

Nuk është mënyra e duhur për t’iu qasur jetës. Gjëja e duhur për të bërë është të “jemi ndryshimi ynë”. Nuk duhet ta presim nga jashtë, por ta nxisim nga brenda, sepse pikërisht atëherë kur nuk rrimë duarkryq por reagojmë, jeta ndryshon.

Në fund të fundit, është në këto momente vështirësish personale që ne zbulojmë se sa forca qëndron brenda nesh dhe gjithçka që ne jemi të aftë. Jemi si lisi: sa më shumë të na godet era, aq më shumë forcohemi.

publikuar fillimisht te bota.al