Si dora robotike po e imiton dorën njerëzore në mënyrë perfekte
Dora e parë robotike e kontrolluar magnetikisht po funksionon përtej pritshmërive. Sistemi inovativ, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për të ardhmen e protetikës, u zhvillua nga një grup kërkimor nga Instituti BioRobotikë i Scuola Superiore Sant'Anna në Piza, i cili publikoi rezultatet në revistën Science Robotics.
Ideja pas protezës është përdorimi i magneteve të vegjël, me madhësi disa milimetra, për t'u implantuar në muskujt e mbetur të krahut të amputuar. Studiuesit e koordinuar nga profesori Christian Cipriani më pas përkthyen lëvizjet e muskujve të mbetur, në sinjale për të kontrolluar gishtat e dorës robotike. Sistemi inovativ u testua për gjashtë javë nga Daniel, një djalë 34-vjeçar italian, i cili humbi dorën e majtë në vitin 2022. Vitin e kaluar Daniel iu nënshtrua një operacioni në Spitalin Universitar të Pizës për të implantuar gjashtë magnete: çdo magnet ishte i nevojshëm për të lokalizuar dhe izoluar muskulin, për të pozicionuar pajisjen e vogël dhe për të kontrolluar funksionimin e tij. Për më tepër, për ta bërë më të lehtë lidhjen midis krahut dhe protezës, studiuesit krijuan një strukturë me fibër karboni që përmban sistemin elektronik të aftë për të lokalizuar lëvizjen e magneteve.
Danieli ishte në gjendje të kontrollonte gishtat dhe të kryente veprime bazike, të përditshme si hapja e një kavanozi, përdorimi i një kaçavide, prerja me thikë, mbyllja e një zinxhiri, madje edhe kontrollimi i forcës kur i duhej të kapte objekte të brishta.