Të gjithë e dinë që kafeja e gjallëron shpirtin. Sapo kalon në buzët tona, truri ynë e rrit përqendrimin, shikimi ynë bëhet më i mprehtë dhe lodhja largohet. Siç shprehej dikur romancieri francez Honor dë Balzak: “Sapo kafeja bie në stomak ka menjëherë një zhurmë të përgjithshme. Idetë nisin të lëvizin si batalionet e Ushtrisë së Madhe në fushën e betejës”.
Kafeina është kimikati kryesor në pijen e kafesë, një ilaç psikoaktiv që e ndryshon mënyrën se si ndihemi dhe sillemi. Molekulat e kafeinës ngjajnë me molekulat e adenozinës në trupin tonë, të cilat grumbullohen në tru sa më gjatë që të qëndrojmë zgjuar. Dhe meqenëse kafeina duket si adenozina, ajo mund të bllokojë sensorët dhe të manipulojë trurin për të qëndruar zgjuar.
Duke pasur parasysh popullaritetin e saj, shkencëtarët kanë kryer shumë studime mbi kafenë dhe kafeinën, për të dalluar efektin e saj në shëndet dhe sjellje. Ja cilat janë 5 faktet më pak të njohura dhe njëherazi më të papritura që kanë zbuluar.
Ju nxit të shpenzoni më shumë
Nëse jeni shumë të dhënë çdo ditë pas kafesë, do të shpenzoni më shumë para gjatë javës. Studiuesit kanë zbuluar se kafeina mund të ndikojë në atë që blini dhe sa shpenzoni. Studiuesit në Universitetin e Floridës Jugore u dhanë të pinin blerësve kafe normale, kafe pa kafeinë ose ujë teksa hynin në një dyqan.
Ata që pinin kafe shpenzuan rreth 50 për qind më shumë para dhe blenë gati 30 për qind më shumë artikuj sesa blerësit që konsumuan një pije pa kafeinë. Për më tepër, konsumatorët e kafesë u shpenzuan më shumë në blerjet impulsive. Edhe studime të tjera konfirmojnë se kafeina mund të ndikojë në vendimmarrjen në lidhje me paratë. Në një studim mbi lojtarët e lojërave të fatit, studiuesit e lidhën konsumimin e kafesë me bastet më të rrezikshme. Këto gjetje tregojnë se kafeina e rrit impulsivitetin.
Ju ndihmon të bashkëpunoni
Dihet tashmë se kafeja përmirëson humorin tek njerëzit, dhe studiuesit kanë zbuluar se ekipet që janë konsumatorë të rregullt të kafesë punojnë së bashku më mirë. Një studim i kryer në Universitetin Shtetëror të Ohajos, SHBA, zbuloi se grupet që pinin kafe përpara se të diskutonin një temë të diskutueshme kishin një performancë ekipore më më mirë se ata që pinin kafe pa kafeinë.
Po ashtu, pjesëmarrësit që konsumonin kafeinë, folën më shumë gjatë diskutimit, e kishin më të lehtë të qëndronin brenda temës, dhe deklaruan se do të ishin të gatshëm të punonin sërish me grupin e tyre, në krahasim me ata që nuk konsumuan kafeinë. Studiuesit ia atribuojnë këtë atmosferë të bashkëpunimit rritjes së vigjilencës nga kafeja.
Ju bën fizikisht më të fortë
Përveç mprehtësisë mendore, kafeja duket se rrit tolerancën ndaj dhimbjes. Psikologu Burel Gudin nga Universiteti i Alabamës, SHBA, zbuloi se njerëzit që konsumojnë zakonisht produkte me kafeinë mund të përballojnë më mirë streset e pakëndshme fizike.
Kështu, ai vuri re se njerëzit që konsumonin kafeinë, ishin më pak të ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe presionit mekanik. Kjo mund të shpjegojë arsyen pse njerëzit që konsumojnë kafeinë para stërvitjes kanë tendencën të performojnë më mirë. Kafeina është një nga suplementet më të përdorura për të rritur aftësitë atletike në një gamë të gjerë sportesh dhe aktivitetesh.
Hulumtimet e kryera në Universitetin e Granadës në Spanjë, kanë treguar se pirja e një kafeje të fortë gjysmë ore para stërvitjes mund të rrisë shkallën e djegies së yndyrave. Ndërkohë shumë studime sugjerojnë se ata që pinë rregullisht kafe priren të jetojnë më gjatë, duke shfaqur rreziqe më të ulëta për sëmundje të shumta, përfshirë ato kardiovaskulare, diabetin dhe disa lloje kanceri.
Kohët e fundit shkencëtarët zbuluan një veçori mbrojtëse të kafeinës, që vepron brenda qelizave të trupit tonë: rrit funksionin e mitokondrive. Mitokondritë janë të ashtuquajturat “centralet energjike” të qelizës që gjenerojnë energji. Studiuesit zbuluan se kafeina i mbron qelizat kardiovaskulare nga dëmtimi. Studime të tjera pretendojnë se kafeina kundërshton efektet e molekulave pro-inflamatore që grumbullohen në trup me kalimin e moshës.
Ka një ndikim të pavetëdijshëm tek ne
Efektet gjallëruese të kafesë mund të ndikojnë mbi mendjen dhe sjelljen tonë, edhe pa pirë as një gllënjkë. Një studim i kryer në Universitetin e Torontos, zbuloi se subjektet që ishin të ekspozuar thjesht ndaj sinjaleve të kafesë, pra qoftë edhe para një filxhani kafeje, bëheshin më të vëmendshëm.
Sugjestioni ndaj kafesë prekte më shumë pjesëmarrësit nga kulturat perëndimore, sesa ato ku kafeja është më pak dominuese në shoqëri. Shkencëtarja e sjelljes Adriana Madzharov nga Institutin Stivens për Teknologjinë, drejtoi një studim të ngjashëm. Ajo u kërkoi pjesëmarrësve të zgjidhnin problemet e algjebrës në një dhomë pa aromë ose në një dhomë që mbante erë kafeje.
Ata që punonin me aromën e këndshme të kafesë dolën më mirë. Bazuar në këto gjetje, Madzharov sugjeron që punëdhënësit dhe shitësit “mund të përdorin aroma delikate për të ndihmuar në formimin e përvojës së punonjësve apo banorëve me mjedisin e tyre”.
Një ndikim tjetër i pavetëdijshëm, është mënyra se si njerëzit e preferojnë kafenë e tyre. Një studim i Universitetit të Pensilvanisë, SHBA, zbuloi se liberalët amerikanë kishin pothuajse dy herë më shumë gjasa sesa konservatorët për të pirë kafe. Sondazhet sugjeruan se liberalët mund të jenë më të hapur ndaj globalizimit, ndërsa konservatorët priren të jenë më refuzues ndaj produkteve që i perceptojnë si “të huaja”.
Dashuria juaj e madhe për kafenë, mund të jetë e përcaktuara nga gjenet
Ka dy arsye kryesore pse disa njerëz nuk e adhurojnë kafenë: Njëra ka të bëjë me gjuhën dhe tjetra me mëlçinë. Gati 25 për qind e njerëzve janë “super shijues”, pra vuajnë nga gjendja e ndjeshmërisë së shtuar ndaj kimikateve, të cilat i japin shije ushqimit dhe pijeve.
Ndryshimet gjenetike në të ashtuquajturat gjene TAS2R, ndikojnë në konfigurimin e sythave të shijes dhe në mënyrën se si njerëzit i perceptojnë shijet e ndryshme. Ndaj super shijuesve mund t’iu duken të hidhura kimikatet e kafes, siç janë kafeina dhe kinina.
Llojet e tjera të variacioneve gjenetike, nuk mund të kompensojnë hidhësinë e kafesë me sheqer ose krem. Për shembull, CYP1A2 është një gjen që prodhon një enzimë të mëlçisë që zbërthen kafeinën. Njerëzit që kanë një version të këtij gjeni, të caktuar CYP1A2*1F, nuk e përpunojnë aq shpejt kafeinën.
Në praktikë, kjo do të thotë që ilaçi qëndron aktiv në trup për një periudhë më të gjatë kohore, gjë që mund të prodhojë dridhje dhe të përziera. Njerëzit që kanë një metabolizëm të ngadaltë në përpunimin e kafeinës, mund të jenë gjithashtu në rrezik të shtuar për një atak në zemër dhe hipertension kur konsumojnë kafeinë me tepri. Ashtu si me çdo ilaç, trupi përshtatet dhe krijon një tolerancë, që do të thotë se nevojitet më shumë sasi për të ndjerë efektin.