Stil jete

“Smart Heritage”, rruga dixhitale e promovimit të turizmit

“Smart Heritage”, rruga dixhitale e promovimit të turizmit

Një rrugë e re, tërësisht dixhitale pritet të lidhë shumë shpejt disa nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën Adriatik-Jon. “Smart Heritage” quhet projekti i financuar nga programi i bashkëpunimit ndërrajonal “ADRION” i cili synon promovimin, vlerësimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me qëllim tërheqjen e turistëve dhe zvogëlimin e sezonalitetin të turizmit në  Shqipëri dhe në vendet e tjera ku zbatohet projekti si Greqi, Itali dhe Bosnje-Hercegovinë nëpërmjet përdorimit të teknologjisë. Në Shqipëri projekti po zbatohet pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, nga “Fondi Shqiptar i Zhvillimit”.

“Smart Heritage”, rruga dixhitale e promovimit të turizmit

Një produkt i rëndësishëm i projektit “Smart Heritage” është krijimi i një itinerari të ri të turizmit kulturor i cili do të shërbejë si një atraksion i ri dhe do të lançohet në tregjet ndërkombëtare të turizmit për ta pozicionuar rajonin e Adriatiko-Jonianit në një destinacion unik të turizmit kulturor. Ky itinerar do të ngarkohet më pas në platformën web dhe do të lidhë asetet e trashëgimisë së përbashkët kulturore të vendeve të rajonit.

Nëpërmjet projekteve pilot, trashëgimia kulturore do të prezantohet në një mënyrë inovative, dixhitale dhe multimediale tek turistët dhe banorët lokal nëpërmjet hologrameve, imazheve 3D dhe filmit të shkurtër “Smart Heritage”, duke çuar drejt përmirësimit të ofertës turistike, rritjen e atraksioneve të rajonit dhe si rrjedhim zgjatjen e sezonalitetit të turizmit.

Kjo qasje e re e përdorimit të teknologjive në prezantimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore do të jetë një vlerë e shtuar për ofertën turistike aktuale dhe do të shërbejë si një “best practice” për t’u përshtatur më pas edhe nga institicionet e tjera të trashëgimisë kulturore.