Stil jete

Start Up City 3, festivali i ideve inovatore!

Start Up City 3, festivali i ideve inovatore!

Universiteti Metropolitan Tirana organizon edicionin e tretë të “Start Up City”, një iniciativë unike në vend për fuqizimin dhe aplikimin e ideve të biznesit Start Up në Shqipëri.

“Start Up City” është vendi ku studentët dhe të rinjtë mund t’i zhvillojnë idetë e tyre të biznesit, duke i prezantuar përballë një jurie prestigjioze. Ky kompeticion synon të ndihmojë të gjithë të rinjtë novator me shpirt sipërmarrës që të realizojnë dhe prezantojnë idetë e tyre të biznesit.

Në edicionin e tij të tretë, Start-Up City vjen si bashkëpunim mes Universitetit Metropolitan Tirana, Metropolitan Incubator dhe Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Sesioni i parë informues zhvillohet më 15 prill, ora 15:00. Drejtori i Metropolitan Incubator, Dr. Pleurat Rexhepi do t’ju përgjigjet të gjitha dilemave mbi aplikimin në Start-Up City 3. Ky seksion mund të ndiqet online përmes linkut: https://bit.ly/3tu6fyR

Duhet nënvizuar se Universiteti Metropolitan Tirana, së bashku me Metropolitan Incubator, i krijuar 5 viteve më parë si inkubatori i parë i biznesit brenda një Universiteti, janë mbështetës të ligjit të ri për Start Up-et, i cili sipas asaj që Ministri për Sipërmarrjen, z. Eduard Shalsi theksoi në takimin me drejtuesit UMT do të bëjë të mundur krijimin e një ekosistemi që do të çlirojë energji pozitive, kreative dhe inovative të të rinjve.

Aktiviteti i Start Up City 3 do të mentorohet nga pedagogë dhe profesionistë në fusha të ndryshme, duke përzgjedhur idetë më të mira dhe duke bërë të mundur zhvillimin e tyre të mëtejshëm në treg.

Mbështetja e ofruar nga platforma e Start Up City siguron përzgjedhjen e ideve më të mira, financimin dhe suportin e vazhdueshëm deri në operimin e suksesshëm në treg, nëpërmjet Metropolitan Incubator.

Kjo iniciativë ka provuar suksesin e saj për 2 vite rresht, gjë që ka sjellë edhe mbështetjen e shtuar të sponsorave. Kështu, sponsori i ri i këtij viti është OTP Bank Albania.

Aplikimet për Start-Up City 3 janë të hapura deri më 30 prill, ndërsa eventi do të kulmojë me prezantimin final dhe aktivitetin gala, në datat 13-14 Maj 2021.