Nuk është sekret që struktura familjare shqiptare i përket modelit tradicional patriarkal – udhëheq kryefamiliari i cili, edhe pse jo gjithmonë thënë në mënyrë direkte, pritet të mbajë familjen me të ardhura, të trashëgojë mbiemrin dhe asetet familjare.
Natyrisht, edhe pse jo pozitivisht, kjo ndër shekuj ka sjellë që preferenca për djalë të ishte dukshëm më e lartë. Familjet rrisnin numrin e fëmijëve pa marrë parasysh asnjë planifikim familjar, në mënyrë që të rritej numri i djemve.
Ky model nuk u krijua nga shqiptarët e as paraardhësit tanë, madje as nga popujt përreth. Ky model ka mbizotëruar të gjitha kulturat në glob për shekuj me radhë deri në shekullin XX, kur vendet e zhvilluara pësuan një “zhvendosje tektonike”. Gratë po punonin gjithnjë e më shumë, fituan të drejta ekonomike dhe ligjore dhe filluan të shpërbëhen shumë nga rolet gjinore për të dyja palët.
Në mes të shekullit XX, edhe Shqipëria duket se mori pjesë në këtë ndryshim dhe pjesëmarrja nuk erdhi nga zhvillimi, por nga nevoja. Siç dhe rikujtojmë tek filmi “Kapedani” prodhuar nga Kinostudio e Re më 1972, për shkak të komunizmit ekstrem me një ekonomi tejet të izoluar, gratë shqiptare dolën nga shtëpitë, morën kazmat, morën dhe role drejtuese.
Edhe pse rolet gjinore në shtëpi ishin ende të tyret. Jeta e tyre tani ishte me punë të dyfishtë dhe kjo prurje e re në strukturën familjare nuk e uli aspak preferencën për djalë.
Me rrëzimin e regjimit komunist dhe hyrjen e kapitalizmit, në Shqipëri pati prurje të gjithçkaje nga të gjitha anët.
Teknologji të reja, ide të reja, industri të reja.
Popullsia nga rurale filloi të bëhej më urbane. Në gjithë vendin u përmirësua mjekësia dhe, ndër përmirësimet, ishin edhe mjete dhe infrastruktura spitalore që sigurojnë aborte të sigurta, që ulnin dukshëm rrezikun e jetës së gruas shtatzënë.
Dhe kështu shoqëria jonë fillojë të përkthente në veprim preferencën tradicionale për djalë, duke praktikuar në të gjithë vendin abortin selektiv me bazë gjinore.
Ndërkohë, vitet kalonin dhe zhvillimi nuk ka pasur të ndalur. Përsa i përket arsimimit, gratë në Shqipëri kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Në 13 vitet e fundit, përafërsisht 64% e të diplomuarve nga universiteti janë vajza dhe 36% janë djem.
Kjo u përkthye në përmirësimin e mundësive të punësimit për gratë, në mënyrë progresive. Vlen të theksohet se ligji i trashëgimisë në Shqipëri parashikon të drejta të barabarta trashëgimore për burrat dhe gratë. Kjo do të thotë se si burrat, ashtu edhe gratë kanë të drejtë të trashëgojnë prona dhe asete nga të afërmit e tyre dhe mund të bëjnë testament për t'ia lënë trashëgim pasuritë e tyre kujtdo që ato zgjedhin.
Ndërkohë edhe pjesëmarrja e grave në qeverisje është përmirësuar.
Shkalla e pjesëmarrjes së grave në parlament është afro 35% dhe numri i bizneseve me administratore gra varion nga 34% deri në 40% sipas sektorit.
Aspekti politik dhe ligjor mbase është rregulluar nëpërmjet qeverisjes dhe kuotave gjinore, por regjistrimi i lartë i grave në universitete, rritja e grave në role drejtuese dhe në hapjen e bizneseve, është një gjë që ka ardhur organikisht nga shoqëria jonë.
Përveç traditave mbajtur gjallë nga presioni familjar që nuk po gjejnë vend në shekullin e XXI, nuk ka më asnjë arsye racionale, ligjore apo ekonomike të vazhdojë të praktikohet aborti selektiv me bazë gjinore, duke preferuar dukshëm djemtë.
Kjo është një praktikë e dëmshme e dhunës me bazë gjinore që duhet ta lëmë pas njëherë e përgjithmonë si një pjesë e historisë së një vendi në zhvillim dhe për të mirën e individit, familjes dhe shoqërisë.
#TjetërHerëmeVajzë! #unfpa