Stil jete

Video që po bën xhiron e rrjetit/ Po, jam nënë e keqe se lodhja dhe mërzia ime nuk zhduken kur shikoj fëmijët

Video që po bën xhiron e rrjetit/ Po, jam nënë e keqe se

Jo të gjitha gratë e përjetojnë njësoj amësinë dhe kjo është më se normale. Megjithatë, për fat të keq, shoqëria ofron, dhe shpesh kërkon, vetëm një mënyrë për të qenë nënë.

Ky model i ëmbëlsuar i mëmësisë, pa lodhje, depresion, ndjenja negative, lodhje kronike, ku gjithçka është e lyer me rozë, si gjëja më e lehtë dhe e natyrshme në botë, mund të prodhojë te nënat ndjenja të përziera që në shumicën e rasteve i bëjnë të ndihen sikur gabimi është vetëm tek ato.

Ky është pikërisht mesazhi i fuqishëm që Elena Patrocchi donte të jepte në TikTok. Në një video kjo nënë italiane, e cila emigroi në Australi nga Firence, donte të tregonte për mëmësinë e saj pa filtra, me një sinqeritet çarmatosës dhe të admirueshëm:

“Unë jam nënë fajtore (e keqe) se mendoj që mëmësia është në të njëjtën kohë një përvojë sa e bukur aq edhe e lodhshme. Unë jam një nënë fajtore, sepse dhimbja dhe trishtimi im nuk më largohen kur shikoj fëmijët e mi. Unë jam një fajtore, sepse dashuria për fëmijët e mi nuk më jep forcë për të kapërcyer të gjitha vështirësitë e mia”, thotë ndër të tjera Elena.

Lista është e gjatë dhe përfshin të gjitha ato ndjenja që përjetojnë shumë nëna, por nuk kanë guximin t'i thonë me zë të lartë, nën dënimin e gjykimit të shoqërisë. Elena hedh poshtë mitet e famshme se të gjitha lodhjet harrohen kur shikon fëmijën apo të tjera klishe të këtij lloji.

Në video edhe Elena Patrocchi tregon se ka gjetur forcën për të marrë ndihmën e profesionistëve dhe i është futur psikoterapisë.


Videon e mbyll si më poshtë:

“Jam krenare që jam një nënë fajtore, sepse më në fund ndihem e lirë nga imponimet e kësaj shoqërie maskiliste, shoviniste, seksiste, fanatike, patriarkale, katolike që më thotë se çfarë duhet të jem për të qenë një nënë e mirë, një grua me vlerë”.