Stil jete

Videoja me ariun që prej 7 vjetësh rrotullohet në një kafaz imagjinar si një provë që disa trauma nuk shërohen kollaj

Videoja me ariun që prej 7 vjetësh rrotullohet në një kafaz

Një video zbulon se një ari, pavarësisht se është liruar në natyrë, ka vazhduar të vijë vërdallë në një kafaz imagjinar për shtatë vitet e fundit. Ariu i quajtur "Ina" u mbajt në një kafaz të vogël në një kopsht zoologjik në qytetin rumun të Piatra Neamț për 20 vjet përpara se të zhvendosej në një rezervat në Zarnesti. Aksioni u krye nga një organizatë që mbron kafshët.

"Ajo është e lirë, por mendja e saj është e robëruar edhe tani, dhe ka ditë kur ajo vjen vërdallë në një rreth të vizatuar nga një kafaz imagjinar i krijuar nga jeta e saj traumatike," tha një zëdhënës i organizatës.

Edhe pse tani ajo ka pemët e saj, pishinën dhe një fole, hijet e së shkuarës vazhdojnë të ndjekin atë.

Ajo ende nuk mund ta kuptojë siç duhet një jetë pa hekura dhe vazhdon të ecë në kafazin imagjinar sikur të ishte ende rreth saj, theksojnë kujdestarët e saj. Ajo është traumatizuar në një nivel ekstrem ku kafazi është bërë pjesë e pandashme e jetës së saj edhe pas lirimit.

Ata thanë se shpërndanë videon për të treguar se një traumë e tillë e shkaktuar nga 20 vjet në një kafaz të vogël nuk mund të harrohet kurrë dhe kafsha mban ende plagët mendore.

Ashtu si njerëzit, edhe kafshët vuajnë nga Çrregullimi i Stresit Posttraumatik, veçanërisht kafshët dhe zogjtë e mbyllur në kafaz.

Sipas psikologëve, kafshët e robëruara përjetojnë Çrregullim Kompleks të Stresit Post-Traumatik nga vuajtjet e zgjatura dhe të përsëritura.