25 Rreshtat e Mirës

Ta bëjmë vetë Shqipërinë Paris të vogël

Ta bëjmë vetë Shqipërinë Paris të vogël

Shqiptarët janë popull emigrues për shkaqe që dihen e kuptohen. Disa nga varfëria, disa se duan të ndjekin shkollën, ëndrrën, dashurinë apo edhe mundësinë për një jetë në një botë më të civilizuar.

Franca është një vend i bukur, ku mezi të flasin anglisht, se kanë këtë inatin e garën me Britaninë ose më saktë kompleksin historik me të dhe s'kanë faj, nuk e arrijnë dot mbretërinë.

Franca nuk ka qenë kurrë në listën e shumëkërkuar të emigracionit shqiptar. Italia, Greqia, Gjermania (ku po shkojnë dendur këto tre vite) Anglia, Amerika dhe Kanadaja janë vendet 'on the top'.

Pse Macron e ka gabim ose po manipulon kur thotë se ka hallin e francezëve se nuk e kuptojnë këtë, pra medemek ka frikë prej tyre.

⁃ Me siguri Macron nuk gënjen që janë përballur me kërkesa për azil, por a janë shqiptarët halli i Francës, qofshin këta edhe azilantët që flet presidenti francez? Franca i ka problemet me ata që ka rritur vetë në gjirin e prehrin e saj. Franca problemet i ka me terrorizmin dhe fiks me terroristët që i ka rritur vetë në getot e saj, në kopshtet e saj, shkollat e saj. Nuk e kanë përgjakur as nuk kanë bezdisur qytetarët francezë shqiptarët.

E para, se shumica jonë shkojnë për turizëm dhe më shumë sesa kaq, të pasur apo të mesëm, shkojmë sepse Parisi është një simbol lirie, një destinacion dinjiteti, aty ku njeriu ndihet i respektuar për zgjedhjet e tij. Shkojmë se e duam Francën, që s'flet shumë anglisht nga komplekset, por që kryeministrat tanë i kanë folur gjithmonë frëngjisht.

Në Francë ka shume studentë, ka pa dyshim edhe plot emigrantë, të cilët punojnë dhe i bëjnë nder Francës, siç po i bëjnë nder Gjermanisë e gjithë vendeve të zhvilluara, që kanë mbetur pa krah pune, pa zanatçinj.

Gjermania, në krizën e infermierëve, elektriçistëve, mjekëve, marangozëve, hidraulikëve, ka vite që po i merr Shqipërisë njerëz, të cilët them se nuk bëjnë mirë që ikin edhe pse kanë të drejtë të mërziten nga atdheu i tyre, që ka fytyrën e politikës së ditës.

Një mjek kurrë nuk do bëjë atje karrierën që do bënte në Shqipëri, por është diskutim i një kohe tjetër. Vendet si Franca e të tjerë kanë kohë që jetojnë falë emigrantëve si shqiptarët, që nëse shkojnë atje nuk marrin me vete ëndrra kamikaze, por punojnë e integrohen dhe i bëjnë nder fshatit, qytetit apo kryeqytetit të vendit ku shkojnë. Ata janë nevojë e tregut të punës së tyre jo imponim i yni.

Franca nuk është vendi që ka pasur ndonjëherë valë masive emigrantësh si Italia, Greqia, Gjermania dhe Anglia e prapë shfaqet kaq tekanjoze sa të bën të besosh se më shumë sesa “dashakeqe” është e dobët!

Sa për Shqipërinë, se Maqedonia e Veriut i di vetë punët e veta, ka ardhur çasti të ndalë ëndrrën europiane, jo atë në kuptimin e anëtarësimit, por që shqiptarët të mos ëndërrojnë të ikin një orë e më parë nga vendi i tyre. Është dhimbshëm e vërtetë që nga Shqipëria dhe Ballkani në tërësi ka një valë për t'u larguar. Mungesa e shpresës dhe e mundësive reale, korrupsioni, politika e pazareve, mungesa e një strategjie të qartë për të ardhmen që nga kopshtet e deri tek arsimimi, janë sfidat që ka përpara lidershipi politik, elitat. Të gjithë duhet të përpiqemi ta bëjmë këtë vend të jetueshëm, e jo barrë që s'e mbajmë dot dhe ikim si zogjtë e Korbit.

Humbja e krahut të punës apo edhe profesionistëve është një plagë që do na kushtojë një ditë. Duhet ndaluar tani sa nuk është tepër vonë!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]