Çohu shpejt, se ta bëra gjilpërën!

Po ecja rrugës pranë shtëpisë me vajzën time të vogël përdore. Ajo, si çdo fëmijë në atë moshë mendoj, ka itinerarin e vet, në çdo lule e milingonë që i del përpara në rrugë.
Unë prirem ta lë të lirë..përveçse kur e kam me të shpejtë…
E pikërisht në një rast të tillë, vajza ime nuk ngurroi të ulej në tokë, ta shihte nga afër atë që po i bënte përshtypje…e unë po përpiqesha ta bindja që të ngrihej se duhet të ecnim.
Nga muri ndarës i oborrit të një shtëpie me rrugicën ku po kalonim, shfaqet një zonjë që po varte rrobat dhe thërret:-Çohu shpejt, se ta bëra gjilpërën!
Nuk dua të ndalem sot në nevojën e pashpjegueshme të njerëzve që nisen për të mirë, por ndërhyjnë pa ia kërkuar njeri…
Dua të flas për të rënit shkurt në mënyrën sesi komunikojmë me fëmijët.
Çfarë do të thotë “Çohu shpejt se ta bëra gjilpërën”?
Që gjilpëra është dënim, që nuk duhet të ulesh në rrugë për të parë një milingonë në trotuar, që gabimet e mundshme dënohen me ndëshkim fizik?
Po kur të vijë vërtet dita që të na duhet ta bëjmë atë gjilpërë, qoftë edhe si vaksinë, çfarë do t’i themi fëmijës, që po e dënojmë se është i sëmurë, se po e lëndojmë që të mos sëmuret më vonë?
A nuk do të ishte më mirë t’iu themi të vërtetën? Të thjeshtë, sipas moshës që ata kanë, por të besueshme e pozitive.
Gjilpërat nuk janë dënim, as mjet për të edukuar.
Gjilpërat na ndihmojnë të shkojë më shpejt ilaçi në trupin tonë, ndaj ne do e bëjmë një të tillë që të mundemi sa më parë t’i kthehemi lojrave tona në kërkim të milingonës…
Vaksina do të na ndihmojë që të mos sëmuremi…ose nëse sëmuremi ushtria brenda trupit tonë do të jetë më e fortë, vaksina është një furnizim shumë i mirë për të, e ne do t’i mposhtim të gjithë viruset që na kanë ardhur në trup e që na pengojnë të luajmë.
E kur të jemi shëruar plotësisht, do të dalim sërish të luajmë poshtë e të vrapojmë, apo edhe të ulemi në mes të sheshit për të parë si bëhet vrima në tokë kur milingona hap një tunel të vockël…
Nuk do të dëgjojmë çfarë thotë komshija matanë oborrit, ndjesë zonjë.
Ne kemi mënyrën tonë të tregimit të gjërave.