Tech

2.7 milionë qytetarë dhe biznese morën shërbimet në e-Albania nga heqja e sporteleve në maj

2.7 milionë qytetarë dhe biznese morën shërbimet në

Që nga 1 maji i vitit 2022, kur qeveria njoftoi se sportelet fizike do të mbyllen dhe shërbimet shtetërore do të kalonin online, shqetësimi ka qenë i madh se si qytetarët dhe bizneset do ua merrnin dorën “sporteleve” virtuale.

Sot, pas më pak se një viti, në portalin e-Albania ofrohen 1,227 shërbime elektronike. Shifrat tregojnë se 2.7 milionë qytetarë dhe biznese morën shërbime në e-Albania. Brenda një viti u gjeneruan 6.5 milionë dokumente me vulë elektronike (prova se digjitalizimi u shfrytëzua në maksimum). U regjistruan 8.5 milionë aplikime për shërbime. 195,545 aplikime për licensa, leje dhe autorizime doganore për qytetarët dhe bizneset. U gjeneruan 4,027,626 certifikata të Gjendjes Civile me vulë elektronike, në shqip dhe në gjashtë gjuhë të huaja. Nga ana tjetër, sistemi nuk ka menduar vetëm për të huajt në vendin tonë, por edhe për bashkëatdhetarët jashtë vendit, të cilët përftuan një sërë shërbimesh online (që më përpara duhet të vinin në Shqipëri që t’i aksesonin, çka ka pasur kosto kohe dhe parash për ta).

Po ashtu, edhe pensionistët morën shërbim online. U eleminuan raportet mjekësore në letër, falë automatizimit të raportit mjek-pacient-punëdhënës. Të njëjtin fat pati edhe raporti mësues-nxënës-prindër, falë digjitalizimit të shërbimeve arsimore. Edhe fermerët përftuan online nga Skema Kombëtare Mbështetëse. Procedurat për bizneset u lehtësuan, si për shembull, ato mund të pajisen me certifikatën e fiskalizimit brenda 60 minutave nga aplikimi.

Nuk është çudi që, ndryshe nga shërbimet e kryera fizikisht, shërbimet online ecin më shpejt, pasi këto shërbime janë të aksesueshme jo më në 8-orarëshe gjatë 5 ditëve të punës, siç ndodhte me sportelet fizike, por 24 orë në 24, 7 ditës të javës. 58 sisteme digjitale ndërveprojnë në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit që gjithë ky fluks kërkesash të adresohet në kohën e duhur.

Pak ditë më parë Shqipëria u rendit ndër më të avancuarit në shërbimet digjitale nga Brukseli, në një raport të Komisionit Evropian. Edhe OKB-ja e renditi Shqipërinë të 8-ën në Europë për zhvillimin e shërbimeve publike elektronike, kurse një institucion prestigjioz financiar si BERZH-i u shpreh vitin që lamë pas, se vendi ynë është i pari në Ballkanin Perëndimor për transformimin digjital.

Duke pasur parasysh që programe të ndryshme janë zhvilluar e po zhvillohen për të rritur një brez digjital, në disa shkolla ka nisur kodimi që në klasë të parë, laboratorë TIK janë hapur në të gjithë vendin dhe një sërë projektesh synojnë edukimin digjital të të rinjve.