Tech

Google po punon për zbulimin e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit nëpërmjet mikrofonit dhe fotove në telefon

Google po punon për zbulimin e sëmundjeve të zemrës dhe
Telefonat celularë janë bërë kamera, ekran televiziv, ditarë. Po sikur të bëhen edhe stetoskopë dhe mjete për kontrollin e sëmundjeve që na ndihmojnë të identifikojmë problemet shëndetësore direkt nga shtëpia?

Google po punon edhe në këtë aspekt.

Kompania në pronësi të Alphabet planifikon të testojë nëse tingujt e zemrës dhe fotot e syve të kapur nga telefonat inteligjentë mund t'i ndihmojnë përdoruesit të dallojnë shenjat e sëmundjeve para se të shkojnë te mjeku. Google po heton në mënyrë specifike nëse mikrofoni i integruar i një telefoni inteligjent mund të zbulojë rrahjet e zemrës kur vendoset mbi gjoks, tha Greg Corrado, kreu i inteligjencës artificiale shëndetësore të kompanisë.

Kështu mund të zbulohen herët çrregullimet e valvulave të zemrës, tha ai.

"Nuk është në nivelin e diagnozës, por është në nivelin e të diturit nëse ka një rrezik të lartë," u tha ai gazetarëve, duke shtuar se ka ende pyetje në lidhje me saktësinë.

Ekzaminimi i syve për diabetin
Hulumtimi i syve është fokusuar në përdorimin e fotografive për të zbuluar sëmundje të tilla si ato që lidhen me diabetin, të cilat mund të dëmtojnë enët e gjakut në retinë dhe janë shkaku kryesor i verbërisë tek të rriturit.

Njësia shëndetësore e Google tashmë po përdor AI për të ndihmuar punonjësit e kujdesit shëndetësor të zbulojnë retinopatinë diabetike në Indi dhe Tajlandë, me afro 100,000 pacientë të kontrolluar deri më tani.

Gjigandi i teknologjisë tha se kishte raportuar "rezultate të hershme premtuese" duke përdorur kamerat e tavolinës në klinika dhe se tani do të shqyrtojë nëse edhe fotografitë e smartfonëve mund të funksionojnë.

"Inxhinierët dhe shkencëtarët tanë parashikojnë një të ardhme ku njerëzit, me ndihmën e mjekëve të tyre, mund të kuptojnë më mirë dhe të marrin vendime për kushtet shëndetësore nga shtëpitë e tyre," shkroi Corrado në një postim.

Projektet pasojnë njoftimet e bëra vitin e kaluar në lidhje me matjen e ritmit të zemrës dhe frymëmarrjes duke përdorur kamerat e telefonave inteligjentë - veçoritë tashmë janë të disponueshme në shumë pajisje përmes aplikacionit Google Fit.

Google ka prezantuar edhe Derm Assist, një aplikacion celular që përdor AI për të analizuar fotot e përdoruesve ne lidhje me shqetësimet e lëkurës, flokëve ose thonjve dhe me përgjigjet e përdoruesve për disa pyetje atyre u ofrohet një listë e gjendjes së mundshme.