Me patate dhe kripë, ja si mendohet të jenë shtëpitë e ardhshme në Mars
Fillimisht, ishin kërpudha. Tani patatet janë ushqimi më i fundit që hap rrugën për shtëpitë e së ardhmes.
Shkencëtarët nga Universiteti i Mançesterit kanë krijuar një material të ri ndërtimi të quajtur 'StarCrete' që me ndihmën e niseshtës së patates – dhe kripës- mund të ndihmojë në ndërtimin e shtëpive jashtëtokësore.
Lajmi vjen pasi firma amerikane e arkitekturës Red House njoftoi në shkurt se po punonte me NASA-n dhe Institutin e Teknologjisë të Massachusetts (MIT) për të ndërtuar shtëpi të bëra nga kërpudhat dhe algat e dehidratuara në hapësirë.
Në mënyrë ideale, prodhimi i materialeve të tilla do të arrihej gjithashtu nëpërmjet proceseve relativisht të thjeshta, me energji të ulët, që mbështesin gjithashtu sisteme të tjera kritike, si ngrënia ose frymëmarrja.
Ekipi i Universitetit të Mançesterit beson se një zgjidhje e mundshme për problemin mund të jetë niseshteja e patates, e cila do të lidhet së bashku me tokën hënore.
Në eksperimentet e tyre, shkencëtarët përdorën niseshte të zakonshme dhe kripë - klorur magnezi, që mund të merret nga sipërfaqja e Marsit ose në mënyrë të çuditshme, nga lotët e astronautëve - për të ngjitur dhe strukturuar tokën marsiane.
Në një artikull të botuar në revistën shkencore Open Engineering, shkencëtarët thanë se rezultatet siguruan një material që është dy herë më i fortë se betoni i zakonshëm.