Tech

Pse u zhvillua ndryshe nga Toka? Dy misionet e reja të NASA-s në planetin Afërditë

Pse u zhvillua ndryshe nga Toka? Dy misionet e reja të NASA-s në

Agjencia hapësinore amerikane NASA ka njoftuar se do nisë dy misione të reja shkencore në planetin Afërditë, por jo tani. Misionet do të nisin gjatë viteve 2028 -2030. NASA ka treguar se do të studiohet atmosfera dhe historia gjeologjike e fqinjit më të afërt planetar të Tokës.

Agjencia hapësinore amerikane tha se do të jepte 500 milionë dollarë për zhvillimin e secilit prej dy misioneve. Misionit të parë në planetin Afërditë i është vendosur emri “Davinci +”, ndërsa misioni i dytë do të mbajë emrin “Veritas”.

Sipas NASA-s me misionin “Davinci +” synohet të studiohet përbërja e atmosferës së dendur në këtë planet për të kuptuar se si ka evoluar, ndërsa misioni “Veritas” do të studiojë sipërfaqen e planetit për të kuptuar historinë e tij gjeologjike dhe pse u zhvillua kaq ndryshe nga Toka.

Vizita e fundit e NASA-s në planetin Afërditë u bë 30 vite më parë me sondën “Magelani”.

Afërdita, me diametër prej rreth 12,000 km, është pak më e vogël se Toka. Ajo është planeti i dytë nga Dielli dhe fqinji më i afërt planetar i Tokës. Afërdita rrotullohet nga lindja në perëndim, ndryshe nga të gjithë planetët e tjerë në sistemin diellor përveç Uranit.

Afërdita ka ditën më të gjatë se çdo planet tjetër i sistemit diellor. Ajo e kryen një rrotullim në 243 ditë të Tokës. Përveç Diellit dhe Hënës, Afërdita është objekti më i ndritshëm në qiellin e natës. Ajo e merr emrin (Venus) nga perëndesha romake e dashurisë dhe bukurisë.

Atmosfera e saj e trashë bllokon nxehtësinë, si në efektin serrë dhe kjo e bën planetin më të nxehtë të sistemit diellor. Temperaturat e sipërfaqes arrijnë në 471 gradë Celsius, aq sa mund të shkrijnë edhe plumbin.

Por, në nivelin ku qëndrojnë retë e saj me përbërje të fordë acide, rreth 50 km mbi sipërfaqe, temperaturat janë shumë më të buta. Atmosfera e planetit përbëhet kryesisht nga dioksidi i karbonit, ndërsa retë nga acidi sulfurik.

Shkencëtarët besojnë se Afërdita shumë kohë më parë mund të ketë patur kushte të favorshme për të lejuar evolucionin e organizmave të gjalla, edhe pse sipërfaqja e saj tani shihet si tërësisht e pajetueshme.

*Referuar Zëri i Amerikës

*Tiranaposta.al