Tech

Si më ndihmoi inteligjenca artificiale të ecja përsëri

Si më ndihmoi inteligjenca artificiale të ecja përsëri

Dymbëdhjetë vjet më parë, Gert-Jan Oskam u aksidentua me një biçikletë ndërsa punonte në Pekin. As sot e kësaj dite 40-vjeçari nuk e mban mend aksidentin që pësoi.

Dy javë më vonë ai u kthye në Holandë, vendin e tij të lindjes dhe i thanë se palca e tij kurrizore ishte dëmtuar rëndë dhe se ai duhej të jetonte në një karrige me rrota për pjesën tjetër të jetës së tij.

“Doja të ecja, por mjekët më thanë se nuk kisha asnjë një shans”, tha ai për The Times.

Por sot ai jo vetëm është ngritur në këmbë, por mund të ecë edhe në terrene të vështira dhe madje të ngjisë edhe shkallët falë vendosjes së dy implanteve elektronike që lidhin trurin me palcën kurrizore.

Gert-Jan i vendosi ato në një operacion të kryer nga profesoresha Jocelyne Bloch e Universitetit të Lozanës në korrik 2021.

Dy implantet ndërtojnë atë që studiuesit e quajnë “urë dixhitale”, duke rivendosur lidhjen e humbur gjatë aksidentit të tij.

Sensorët në kokën e tij transmetojnë me valë sinjalet e trurit dhe synimet për të lëvizur nga implanti në një kompjuter portativ që mund të mbahet në një çantë shpine të vogël.

Ajo përdor algoritme të bazuara në metodat e inteligjencës artificiale për të deshifruar ato sinjale të trurit në kohë reale.

Të dhënat më pas transmetohen në implantin e palcës kurrizore në formën e sinjaleve elektrike që nga ana e tyre udhëzojnë muskujt e këmbës të lëvizin sipas dëshirës.