Vodafone kryeson në Kongresin Botëror të Telefonisë së Lëvizshme në Barcelonë
Është organizuar në Barcelonë “Mobile World Congress”, i cili ka mbledhur bashkë operatorët lider në botë në rrjetin e lëvizsshëm, prodhuesit dhe furnizuesit e internetit, për të ndarë arritjet e tyre më të fundit e nxitur frymën e bashkëpunimit me partnerët e sektorit. Vodafone ka një vend të rëndësishëm në këtë kongres, ku është i pranishëm me katër stenda dhe po ekspozon inovacionet e tij në përputhje me temën “Progres Përmes Teknologjisë”. Përpos kësaj, CEO e Vodafone, Margherita Della Valle, ishte njëra nga tre folëset kryesore në çelje të eventit.
Në njërën nga katër stendat në kongresin që po vizitohet nga qindra mijëra vizitorë, Vodafone me krenari po prezanton konceptin e “rrjeteve më smart”, duke treguar se si po tejkalon çdo kufi performance e po siguron lidhje të pandërprera për bizneset dhe individët.
Në një stendë tjetër promovohet “Fuqizimi i bizneseve”, ku kompania lider e teknologjisë dhe komunikimit në Shqipëri zbulon zgjidhje inovatore të dizajnuara për t’i shtyrë drejt suksesit të gjitha llojet e bizneseve, qofshin të vogla, të mesme apo të mëdha.
Tematika e stendës së tretë është “Kapërcimi i Hendekut Digjital”, ku flitet rreth dëshmisë dhe përjetimit në vetë të parë të asaj se si teknologjia mund të shërbejë si një urë lidhëse për komunitetet në gjithë globin, duke ngushtuar hendekun digjital.
Ndërkohë, në stendën “Zbulimi i së Ardhmes”, po në kuadër të tematikës së Vodafone në kongresin “Progres Përmes Teknologjisë”, vizitorët po njihen me teknologjitë të cilat po revolucionarizojnë jetën tonë.
CEO e Vodafone, Margherita Della Valle, u bashkua me kolegët e kompanive të tjera lider në teknologjinë e komunikimit, për të theksuar sërish sfidat në sektor, si korniza komplekse rregullatore në Evropë, që ata besojnë se po bëhet pengesë për inovacionin dhe po dëmton konkurrencën me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.
Della Valle e vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit global dhe “qeverisja e drejtë” për maksimalizimin e potencialit të 5G-së nëpërmjet nismave si “Porta e Hapur” (Open Gateaway). Kjo, beson Della Valle, do t’i fuqizojë zhvilluesit t’i japin formë një të ardhmeje më të ndritur.
Me hyrjen e 5G-së në “epokën industriale të internetit” makinat, softuerët dhe sensorët e ndërlidhur do të përshpejtojnë rritjen ekonomike. Inteligjenca Artificiale, me potencialin e saj të pakufizuar, janë fokusi kryesor në kongresin e këtij viti në Barcelonë, ku sigurisht Vodafone, si një operator lider në teknologjinë e komunikacionit, nuk mund të mungonte kurrsesi.