VIDEO

Greta Thunberg e Shqipërisë quhet Anabel

Greta Thunberg e Shqipërisë quhet Anabel

Nga Mira Kazhani/ Ndërsa shoqërinë po e mpimë duke e kyçyr në të gjitha format tek “jeta e tjetrit” të cilat për hir të së vërtetës si interesante apo banale kanë forcë të madhe tërheqëse për arsye që i rreshtojnë më mire sociologët -një brez i ri po rritet veçmas dhe që janë thellësisht ndryshe, adoleshentët! Ata që po rriten ndërsa shoqëria s’e ka mendjen.

Shpresoj të takoj sa më shumë karaktere dhe të gjejnë hapësirën e tyre në Tiranapost.

E para ishte Anabel. Ka një ngjashmëri me Greta Thunberg, veç pak më e ëmbël. Është me vetëbesim, me opinione dhe bindje. Intervista me të është një parathënie dhe shpresë që pavarësisht krizës së Shembullit apo Modelit, në këtë kënd të vogël të botës po rritet një brez që mendon në të ardhmen.

Intervista e transkriptuar me Anabel

Mira Kazhani: Anabel isha e bindur që do më thoshe ‘Jo’ për këtë intervistë me idenë që ky brezi juaj i thotë gjërat, po i thotë me njëri-tjetrin, i thoni ndonjëherë në shtëpi, edhe sikur nuk e keni shumë qejf këtë shfaqjen publike. Ose të paktën në këto mediat tradicionale. Më shumë shpreheni në TikTok.

Anabel Dervishi: Unë në fakt u kënaqa shumë kur më pyete dhe m`u duk sikur do ishte diçka shumë interesante dhe e re për mua, kështu që direkt thashë po, patjetër.

Mira Kazhani: E ke idenë se çfarë mund të të thonë në klasë kur ta shohin këtë intervistë?

Anabel Dervishi: Nuk jam e sigurt, por besoj se do t`u pëlqejë të gjithëve.

Mira Kazhani: Po nëse dikujt nuk i pëlqen për shembull, edhe mund të të vërë pak në lojë, si reagon ti?

Anabel Dervishi: Unë do të thosha se opinionet më negative nuk kanë një ndikim aq të fortë tek unë. Do të isha ok me këtë, nuk do të më prishte punë.

Mira Kazhani: Në fakt si jeni ju, si komunikoni me njëri-tjetrin? Për shembull, kështu janë të gjithë, edhe shoqet dhe shokët e tu, janë indiferentë ndaj komenteve dhe ndaj qëndrimeve negative, apo është çështje karakteri?

Anabel Dervishi: Do të thosha se varet nga personi. Disa njerëz ndoshta ndikohen shumë nga komentet e të tjerëve, por unë besoj se nuk do të kisha këtë efekt.

Mira Kazhani: Kjo është gjë shumë e mirë!
Cili është kodi i veshjes për një adoleshent?

Anabel Dervishi: Moda ndryshon çdo vit, dekada ndryshon ca edhe më shumë, por tani unë mendoj se po hyjnë në modë vitet e mëparshme, vitet ‘90, ‘80 edhe më parë, këto janë ato që adoleshentët i kanë më shumë qejf.

Mira Kazhani: Ti si je më rehat?

Anabel Dervishi: Më pëlqen të vishem pak nga të gjitha modat. Çdo gjë që më bën mua të ndihem sa më rehat.

Mira Kazhani: Të pëlqejnë të gjitha trendet dhe në përgjithësi moda. Modat në shumës nuk e di nëse është në shqip. Si i ke marrëdhëniet me gjuhën shqipe? Më të mira me shqipen apo me anglishten? Drejt

Anabel Dervishi: Do të thosha që e kam pak më të lehtë për t`u shprehur në anglisht. Kjo ndoshta vjen edhe sepse çdo gjë që sheh në internet, në rrjetet sociale, çdo gjë është në anglisht.

Mira Kazhani: Edhe shkollën e ke në anglisht.

Anabel Dervishi: Po, edhe shkolla është në anglisht. Unë e bëj shkollën gjysmë në anglisht edhe tani të kthehesh prapë të flasësh plotësisht në shqip, është e vështirë.

Mira Kazhani: Anglishtja është gjuhë e bukur Anabel?

Anabel Dervishi: Unë do të thosha se për mua, nuk do ta quaja gjuhë të bukur, por është një gjuhë e lehtë për të mësuar. Nëqoftëse do të zgjidhja se kush është e bukur, nuk do të thosha që është anglishtja, do të thosha një gjuhë nga këto që romantizohen më shumë, si frëngjishtja.

Mira Kazhani: Frëngjisht di?

Anabel Dervishi: Jam duke mësuar frëngjisht në shkollë.

Mira Kazhani: Po gjuhë tjetër çfarë po mëson? Ke në plan?

Anabel Dervishi: Në plan kam për të mësuar. Më pëlqen shumë gjuha italiane, por për momentin vetëm frëngjisht.

Mira Kazhani: Je ti fanse e këtyre grupeve koreane siç janë rëndom adoleshentët e sotëm?

Anabel Dervishi: Unë për vete nuk para i dëgjoj këto grupet koreane, por njoh shumë që i adhurojnë, i pëlqejnë shumë, por unë për vete nuk jam.

Mira Kazhani: Çfarë pëlqen ti për vete, Harry Styles?

Anabel Dervishi: Mua më pëlqen shumë Harry Styles, ose grupi nga i cili ka ardhur Harry Styles, One Direction, ose dhe Taylor Swift. Këta janë këngëtarë që më pëlqejnë shumë.

Mira Kazhani: Harry Styles mos është ai çuni që mban çanta grash dhe i pëlqen të veshë funde, bën disa provokime. Apo jo, ashtu i pëlqen? Se unë nuk i njoh këta, mbase po bëj ndonjë pyetje fyese, edhe nuk e di. Thashë diçka që s`shkon Anabel?

Anabel Dervishi: Jo, Harry Styles njihet për veshjen e fustaneve, gjëra që do të quheshin më shumë gjëra për femrat, por unë mendoj se nuk ka lidhje. Veshjet nuk kanë nevojë të kenë një etiketë. Nuk ka nevojë të jenë ose për meshkuj ose për femra. Unë mendoj se është thjesht një copë, është një veshje, nuk ka nevojë t`i vëmë këto etiketa të panevojshme.

Mira Kazhani: Po për shembull unë shkoj në dyqan edhe blej në sektorin e femrave.

Anabel Dervishi: Mendoj se nuk ka rëndësi mund të shkoje të blije dhe nga sektori i meshkujve nuk ka rëndësi.

Mira Kazhani: Prindërit e tu kur e thua këtë si reagojnë? Drejt tani, ma thuaj.

Anabel Dervishi: Prindërit e mi ndoshta janë pak në anglisht do e thosha ‘old school’ dhe nuk janë aq liberalë sa do doja unë dhe kjo pjesë nuk i pëlqen aq shumë.

Mira Kazhani: Çfarë do të doje për shembull që ata të mirëkuptonin? Jo vetëm për këtë çështjen e etiketës dhe gjinive, po diçka tjetër, për shembull që nuk e kuptojnë?

Anabel Dervishi: Ndoshta të kishin një frymë pak më të re. Të ishin më liberalë. Unë mendoj të jem sa më liberale të mundem. Pjesa e racizmit, e lëvizjeve...

Mira Kazhani: Kemi shumë paragjykime ne të rriturit?

Anabel Dervishi: Është e vërtetë, keni shumë.

Mira Kazhani: Jemi dhe pak racistë dhe nuk e kuptojmë që jemi?

Anabel Dervishi: Kjo nuk më pëlqen shumë se e kam parë edhe tek prindërit e mi. Nuk po mundohem të gjykoj kaq shumë po te të gjithë të rriturit ndodh.

Mira Kazhani: Ne na duken norma ato. Na duken gjëra normale ato që ju i mendoni si sjellje tmerrësisht të prapambetura.

Anabel Dervishi: Më duket sikur është diçka e mësuar që në vogëli, por mendoj se ka ardhur koha që të ndryshojnë këto. Nuk duhet të vazhdojnë.

Mira Kazhani: Cilat janë temat që bëni ju në shkollë me njëri-tjetrin? Çfarë temash ju shqetësojnë dhe të gjithë kështu mendojnë në klasën tënde? Kaq pa paragjykime jeni? Kaq pa etiketa?

Anabel Dervishi: Ndoshta këtu në Shqipëri adoleshentët nuk janë aq liberalë, apo nuk di si ta them në shqip, kaq ‘open minded’ sa do doja unë. Ndoshta këtu në Shqipëri ka akoma adoleshentë që edhe ata kanë këtë pjesën e paragjykimit, por shpresoj që të ndryshojë.

Mira Kazhani: Do studiosh në Shqipëri apo ke plane që të shkosh jashtë Shqipërisë?

Anabel Dervishi: Dëshira ime është që të shkoj jashtë Shqipërisë për studime, ndoshta një nga vendet si Amerika, ose edhe pjesa e Europës më pëlqen shumë, por në Amerikë.

Mira Kazhani: Po do të studiosh dhe do pushosh atje? Do ta zhvillosh jetën tënde jashtë Shqipërisë apo ti bën pjesë tek njerëzit që do të studiosh edhe të kthehesh në Shqipëri? Si do të pëlqente ty?

Anabel Dervishi: Unë kam dëshirë që të studioj dhe të vazhdoj jetesën time në një vend tjetër, jo këtu në Shqipëri.

Mira Kazhani: Jo në Shqipëri? Po përse jo në Shqipëri?

Anabel Dervishi: Gjithë jetën time jam rritur me këtë mendimin që të largohem nga Shqipëria, ndoshta më është fiksuar tani dhe nuk e ndryshoj dot.

Mira Kazhani: Ndoshta është një paragjykim edhe ky, në njëfarë mënyre?

Anabel Dervishi: Ndoshta edhe ky është paragjykim, po.

Mira Kazhani: Ti beson tek globalizmi?

Anabel Dervishi: Po.

Mira Kazhani: Si do t`ia shpjegoje dikujt fjalën globalizëm?

Anabel Dervishi: Ta them si përkufizim tamam?
Globalizmi është dukuria e lidhjeve mes disa shteteve. Kjo mund të jetë përmes sporteve, nga moda, industritë e të tjera.

Mira Kazhani: Po bullizmin si do ta shpjegoje ti?

Anabel Dervishi: Bullizmi? Të gjithë ndoshta nuk e shohim, nuk e vëmë re aq shumë sa duhet, por ndodh kudo. Është një dukuri që ndodh kudo, ndoshta nëpër shkolla, nëpër lagje. Nuk është në dorën tonë për ta stopuar, por ndoshta është në dorën tonë t`i mbrojmë njerëzit që janë duke u bullizuar, ose diçka e tillë.

Mira Kazhani: Ke pasur ndonjë rast ndonjëherë që i ke dalë dikujt në mbrojtje?

Anabel Dervishi: Po, shumë raste. Mundohem t`u dal sa më shumë në mbrojtje njerëzve që bullizohen, sepse e di (ndoshta nuk po them që jam bullizuar vetë), por e di sesi ndihen ata. Mundohem të ndjej empati ndaj tyre.

Mira Kazhani: Çfarë do të thotë empati?

Anabel Dervishi: Empati është, nuk e di si ta shpjegoj kështu me fjalë, po është ta vësh veten në këpucët e dikujt tjetër?

Mira Kazhani: Fiks kjo është. Janë empatikë miqtë e tu?

Anabel Dervishi: Miqtë unë i kam përzgjedhur, Mundohem të zgjedh miq sa më të mirë që të bëhem dhe më shumë si ta. Kështu që do të thosha që ata janë empatikë, por ka dhe shumë adoleshentë që nuk janë.

Mira Kazhani: Çfarë janë disa vese, më vjen keq që e them këtë fjalë, ‘flaw’ thuhet, disa të meta që do të doje t`i korrigjoje Anabel për brezin e adoleshentëve?

Anabel Dervishi: Siç e thamë dhe më parë, pjesën e paragjykimit, bullizmin normal, do doja që adoleshentët ndoshta të aktivizoheshin pak më shumë, po flas për adoleshentët në Shqipëri, të aktivizoheshin më shumë në këto lëvizjet. Siç ndodh edhe jashtë shtetit.

Mira Kazhani: E ke fjalën të përfshihen në kauza?

Anabel Dervishi: Po, në kauza. Për shembull kauzat për mjedisin këtu në Shqipëri nuk u interesojnë aq shumë sa duhet.

Mira Kazhani: Ty të intereson shumë çështja e mjedisit?

Anabel Dervishi: Po unë mundohem të ricikloj sa më shumë që mundem. Me mundësitë që jepen në Shqipëri, kuptohet. Mundohen për shembull pjesën e plastikës të mos e përdor fare, ose sa më pak të mundem, kuptohet nuk mund ta evitosh komplet.

Mira Kazhani: Po veshjet për shembull i blen që të jenë cotton i pastër?

Anabel Dervishi: Tek pjesa e veshjeve mundohem t`i shmang tek këto kompanitë që janë nën etiketën ‘fast fashion’ që i prodhojnë në numër shumë të madh dhe nuk janë shumë të mira.

Mira Kazhani: M`i thuaj emrat nuk ka problem.

Anabel Dervishi: Janë këto ‘shein’. Mundohem që mos të blej ashtu. Janë këto kompanitë që adoleshentët i kanë shumë qejf, por nuk janë shumë të mira. Edhe cilësia e tyre nuk është aq e mirë, por edhe nuk janë të mira për pjesën e mjedisit.

Mira Kazhani: Çfarë do jesh ti në të ardhmen? E di ti, e ke të qartë që tani?

Anabel Dervishi: Nuk e kam vendosur fiks, por do të thosha që ndoshta dua të bëhem doktoreshë. E di që dua të merrem me shkenca, se ndoshta mund të bëhem edhe fizikante. Nuk e di, më pëlqen shumë shkenca.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për vaksinën?

Anabel Dervishi: Unë jam shumë pro vaksinës. Në Shqipëri nuk ka filluar akoma vaksinimi për fëmijët, s`jam e sigurt, por sa të fillojë unë jam gati për t`u vaksinuar.

Mira Kazhani: Ke ndonjë përzgjedhje, apo mjafton të vaksinohesh?

Anabel Dervishi: Nuk kam kam ndonjë përzgjedhje, por do të më pëlqente vaksina… Jo, nuk kam përzgjedhje.

Mira Kazhani: Nuk do ta thuash përzgjedhjen?

Anabel Dervishi: Jo.

Mira Kazhani: Doktoreshë edhe do të punosh jashtë, por çfarë doktoreshe?

Anabel Dervishi: Mua më pëlqen shumë neurokirurgjia. E di që është e vështirë, por ndoshta prandaj më pëlqen. Sa më e vështirë, aq më e bukur më duket.

Mira Kazhani: Shiko, është prirje edhe e gocave njëçik Anabel. Më fal për këto etiketat, po sa më të vështira ca gjëra, aq më shumë i duam. Sidomos me burrat kështu janë gratë, po kjo është një temë pak më vonë për ty. Apo mund ta bëjmë edhe këtë?

Anabel Dervishi: Mundemi. Ndoshta prandaj më pëlqen edhe neurokirurgjia apo mjekësia në përgjithësi. është fusha e dominuar nga burrat, nga meshkujt dhe është kjo lëvizja që quhet “Women in STEM’, që janë shkencat: science, technology, engineering dhe mathematic, kjo më pëlqen shumë. Të jem një ‘Women in STEM’. Më duket shumë interesante, meqënëse janë fusha të dominuara nga burrat, qëndroj dhe shumë për feminizmin, më pëlqen shumë dhe për shembull, nuk e di sa të saktë, ndoshta ka ndryshuar kohët e fundit, por jam në dijeni që për çdo 1 dollar që bën një burrë, (po flas për Amerikën), një grua bën 0.82 dollar. Ky fakt nuk më pëlqen fare. Mendoj se duhet të jenë të barabartë. Këto fusha që janë të dominuara kryesisht nga burrat dhe mund të gjesh shumë pak gra, këto më pëlqejnë shumë. Dua ta sfidoj veten në këto fusha.

Mira Kazhani: Shumë mirë! Duhet ta sfidosh veten edhe duke u kthyer në Shqipëri. Imagjino sikur njerëz si puna jote, me këtë lloj mendësie, sa mirë do t`i bënin Shqipërisë. Po gjithsesi ti do ta zgjedhësh vetë gjatë rrugës edhe do bësh atë që do.

Të pëlqen TikTok-u?

Anabel Dervishi: Po. E di që ndoshta të rriturit kanë edhe paragjykime për TikTok-un, i duket si ai aplikacioni kinez. E kam dëgjuar këtë.

Mira Kazhani: Po edhe unë kam kështu paragjykime për TikTok-un, se nuk e kuptoj fare, s`di edhe ta përdor ndoshta.

Anabel Dervishi: Ndoshta keni ndoshta një ide tjetër të TikTok-ut, po mua më pëlqen shumë. Më duket nga më të bukurit e mediave sociale. Me të vërtetë më ka hapur sytë.

Mira Kazhani: Po çfarë ka për shembull që të ka hapur sytë?

Anabel Dervishi: Në TikTok ke video nga më të ndryshmet. Mund të mësosh kaq shumë. Është pjesa e këtyre lëvizjeve, e këtyre kauzave. Pjesën më të madhe të informacionit e merr nga TikTok. Pastaj kuptohet, lexon edhe më shumë në vende të tjera, por fillimet e informacioneve i marr nga TikTok.

Mira Kazhani: Cili sistem politik mendon ti Anabel është më i mirë për shoqëritë sot?

Anabel Dervishi: Për politikën ndoshta nuk do e kem shumë të drejpërdrejt përgjigjen se mendimet e mia për politikën fillojnë bëhen kontradiktore me njëra-tjetrën.

Mira Kazhani: TikTok-u kam dëgjuar që është pak promovuesi i politikave të së majtës? Është e vërtetë kjo? Po i bën pak të rinjtë ‘Leftistë’?

Anabel Dervishi: Ndoshta ka pak ndikim kjo pjesë e TikTok-ut që po i bën adoleshentët çik më të majtë, por mendoj se nëqoftëse ti ke zgjedhur besimet e tua politike, nuk besoj që TikTok-u do të t`i ndryshojë aq shumë.

Mira Kazhani: Babi yt për shembull është me bindje të djathta dhe ti prandaj nuk e thua tani këtë se ke frikë që mërzitet ai?

Anabel Dervishi: Edhe unë me bindje të djathta jam, por mendoj ndoshta e djathtë pak më qëndrore, që mos të anojë nga e majta.

Mira Kazhani: Kanë filluar të bien në dashuri brezi yt, klasa jote?

Anabel Dervishi: Mendoj se brezi im, ose mosha ime ndoshta është pak më e vogël, por adoleshentët pak më të mëdhenj se unë, edhe po.

Mira Kazhani: Çfarë mendon ti për dashurinë?

Anabel Dervishi: Lexoj shumë për dashurinë nëpër libra. Më duket si e romantizuar shumë. Nuk kam një opinion për dashurinë.

Mira Kazhani: Po, ka kohë për atë. Cila është gjëja që të jep kënaqësi shumë gjatë kësaj kohe, në këtë moment të jetës dhe të moshës tënde? Të pëlqen të mësosh, të udhëtosh, të rrish në TikTok, të shohësh filma?

Anabel Dervishi: Më pëlqej të mësoj, kam qejf shumë artin, më pëlqen të pikturoj, më pëlqen shumë. Nuk është se kam ndonjë hobi.

Mira Kazhani: Po flokët e gjata janë hobi?

Anabel Dervishi: Mendoj t`i dhuroj për këto organizatat për fëmijët apo personat me kancer, por jam akoma duke e menduar këtë pjesë.

Mira Kazhani: Të falenderoj shumë për bisedën tënde të sinqertë. Se të sinqertë në përgjithësi janë adoleshentët apo jo?

Anabel Dervishi: Është e vërtetë.

Mira Kazhani: Të gjithë janë të vërtetë. Kur rritesh fillon dhe komplikohesh. Po ti nuk do komplikohesh. Apo e do komplikacionin, por jo të komplikohesh ti.
Pra ne kemi folur sot me një doktoreshë të ardhshme. Do ta rimendosh edhe Shqipërinë?

Anabel Dervishi: Po.