VIDEO

Intervista e javës/ Mustafa Nano: Për mua jeta ka një qëllim

Intervista e javës/ Mustafa Nano: Për mua jeta ka një qëllim

Është rikthyer me një tjetër ‘One Man Show’, “Dielli lind andej nga perëndon”. Kështu gazetari Mustafa Nano ka vendosur që të flasë për Perëndimin dhe Europën ato dy kontinente të lirisë që shqiptarët i duan por që s`po i jetojnë dot.

Në një intervistë me Mira Kazhanin për Tiranapost vjen një rrëfim origjinal i cili ka brenda disa pyetje dhe përgjigje aktuale.

Intervista me Mustafa Nanon e transkriptuar:

Mira Kazhani: “One Man Show” është një togfjalësh që vjen nga anglishtja. Nëse futesh për të parë përkthimin në shqip, por edhe sqarimin në anglisht për kuptimin e këtij togfjalëshi kupton se ka të bëjë me dikë që i administron vetë të gjitha, që i menaxhon vetë të gjitha. E tillë është “stand up” që bën Mustafa Nano, prej 3 herësh tashmë. Do të jetë këtë fundjavë në kryeqytet. Gjithmonë me tema provokuese, po ajo çka unë dua të kuptoj nga Mustafa Nano, nga Muçi, është se çfarë ndjesie është kur i kontrollon të gjitha vetë? Kur je solo? Na pëlqen solo si shoqëri, në përgjithësi.

Mustafa Nano: Si shoqëri po, solo. Shqiptarët janë individualistë. Është një karakteristikë e jona që e kanë vënë re të gjithë. Ndërsa lidhur me ‘stand up’-in i bën të gjitha. Nuk e di, unë kam qenë qysh në fillim, kur fillova të merresha me veprimtari publike (po e quajmë gazetarinë veprimtari publike) kam bërë një gjë individuale, siç e bëjmë ne gazetarët. Bëjmë punë individuale përgjithësisht.

Mira Kazhani: Kemi qenë më shumë skuadër dikur, por tashmë jemi bërë të gjithë “One Man Show”.

Mustafa Nano: Unë nuk e kam provuar që të jem ndonjëherë pjesë e skuadrës. Atëherë kur ishim bashkë tek Shekulli, edhe aty bëja thjesht atë shkrimin tim edhe ikja. Nuk është se isha pjesë e skuadrës. Ndërsa po, është e vërtetë. Ti e ke provuar të jesh edhe pjesë e skuadrës. Pastaj me kalimin e kohës edhe gjithmonë e më shumë kam bërë një punë individuale. Kam punuar kryesisht në shtëpi edhe ky ka qenë stili i jetës time. Kështu që unë nuk kam bërë ndonjë kapërcim të fortë, cilësor apo dramatik në jetën time, duke bërë një ‘stand up’ që i bëj vetë të gjitha. Unë jam mësuar gjithë kohën t`i bëj vetë të gjitha. Pastaj kjo edhe më shijon. ‘Stand up’-i ka tekstin dhe tekstin kam qejf ta bëj unë, domethënë nuk mund t`ia lë dikujt tjetër. Unë jam njeri i tekstit. Kjo ka pastaj interpretimin në skenë. Tek interpretimi në skenë unë përpiqem të jem vetvetja, sepse njerëzit vijnë në sallë jo për të parë Muç Nanon se si do aktrojë, por për të parë Muç Nanon çfarë thotë. Në këtë kuptim nuk kam vuajtje që mund të vijë prej sforcimit të madh për të interpretuar diçka. Përpiqem të jem vetvetja.

Mira Kazhani: Çfarë ndjesie është të jesh i vetmi në shfaqje? Për shembull, e di pse dua ta kuptoj, se dhe në politikë po ta vësh re po shkojmë tek “One Man Show”. Edhe ekonomikisht po të vësh re kemi një “One Man Show”. Edhe kulturalisht, edhe në kulturë, edhe në jetën sociale, po të vësh re mediat sociale i kanë shndërruar të gjithë në një “One Man Show” edhe shumë pak ka spektatorë, por kemi nevojë për spektatorët. Megjithatë si e shpjegon në një analizë të shkurtër, këtë tundimin, këtë forcën tërheqëse të “One Man Show”, të personazhit që i bën të gjitha vetë?

Mustafa Nano: Veç kësaj unë dua të ndalem pak tek marrëdhënia me spektatorin, është një marrëdhënie që unë nuk e kisha njohur përpara se të bëja një “stand up”. Është një marrëdhënie e magjishme. Mua më kishin thënë aktorët, por unë kujtoja se ata e ekzagjeronin e tepronin për ta bërë pak magjike punën e tyre. Herën e parë kur kam bërë shfaqjen (ti ke qenë tek teatri i Akademisë së Arteve), unë njëzet minuta përpara se të fillonte shfaqja isha në prapaskenë. Isha vetëm tek pullë njerëzit po hynin dhe mua më kapi një emocion. Kisha frikë se mos ai emocion shndërrohej në një emocion bllokues. Dhe thashë: Boo bo u fëlliqa. Mirëpo sa u hap perdja dhe unë dola në skenë, më ndezi ai spektator. Ishte salla pothuajse plot. Që ajo sallë ka mbi 600 vende. Kishte njerëz edhe sipër në galeri. Edhe ajo me ndezi. Më rrëmbeu ajo shfaqje dhe nuk pata asnjë lloj problemi. Përfytyro të jesh vetëm dhe të komunikosh me një publik, por jo një publik që ti e gjen në rrugë, i natyrës randomike, jo. Është një publik që ka ardhur kastile për të dëgjuar ty. Se e bëjnë dhe politikanët në një tubim politik.

Mira Kazhani: E dua një shpjegim për atë “One Man Show”-n e politikës. Është e rëndësishme, sepse nuk është shumë perëndimore. Është ajo që të shqetëson ty.

Mustafa Nano: Edhe në perëndim është bërë “One Man Show”. Është bërë, Trump është një show man.

Mira Kazhani: Më shumë se 8 vjet nuk rrinë dot.

Mustafa Nano: Për këtë po. Por gjatë kohës që janë në pushtet e gjithë sjellja e tyre e tyre publike është sjellja e një “One Man Show”. Ata janë 8 vjet, unë jam një orë e një çerek sot, jam në show-n tim, edhe iki në shtëpi. Ata janë gjithë kohën. Presidenti amerikan në përgjithësi. Tani po vjen edhe këtej, edhe në Europë po vjen. Italianët e morën me Berlusconi-n si model. Për gjermanët ishte Merkel. Edhe Merkel ishte pak robi që theu edhe traditën. Ishte “One Man Show”, sepse u vu në fokus të të gjithëve, u quajt gruaja më e rëndësishme e botës, se në Gjermani po e po. Mirëpo ishte një “One Man Show” që e dominonte publikun me një sjellje tjetër. Jo me ekzagjerime. Nuk ishte “flamboyant” siç thonë amerikanët. Ajo ishte e qetë. Është një personazh i çuditshëm. Mua më ka intriguar gjithmonë Merkel.

Mira Kazhani: I krijon vetja apo shoqëria lider të tillë, të qetë?

Mustafa Nano: Shoqëria. Liderët jane ashtu siç do shoqëria. Fjala vjen udhëheqësit tanë politikë, nëse do të ishin kështu si në Gjermani do ishin udhëheqës politikë me një elektorat shumë të vogël, ose do duhet të përshtateshin, do duhej të ishin ndryshe. Berisha, Rama të gjithë këta. Është shoqëria. Edhe veset e liga që këta i marrin edhe i manifestojnë bën vaki që ndonjë ves nuk e kanë të vetin, por e marrin thjesht sepse u funksionon me shoqërinë shqiptare. Fjala vjen përdorimi i gjuhës së dhunshme. Një politikan mund të mos e ketë të formimit të vetë, por ai e përdor sepse shqiptarët kanë respekt kur ti manifeston një sjellje të dhunshme, arrogante.

Mira Kazhani: Ju mendoni që kjo është diçka që iu del në sondazhe? Për shembull që shqiptarëve iu pëlqen të dëgjojnë këtë lloj formati komunikimi? Ok, e pranoj që mund të jetë edhe kjo. Po e kujt është përgjegjësia për ta zhvilluar shoqërinë? Sepse shoqëria e ka një bari. Një “One Man Show” në kuptimin e disa personazheve apo të shoqërisë civile apo të mësuesve në shkolla, të edukatorëve në kopshte. Ka një gjë që nuk mund t`ia lëmë fajin shoqërisë që determinon fatin e liderëve dhe të politikës.

Mustafa Nano: Nuk është e drejtë që të fokusohemi shumë tek faji i shoqërisë, por është e vërtetë ta thuash. Shoqëria ka përgjegjësi kudo, jo vetëm tek ne. Kudo. Është ajo që sapo thashë unë. Udhëheqësit politikë janë ashtu siç shoqëria i do. Politikanët tanë nuk është se bëjnë sondazhe për të marrë vesh se çfarë vesesh shoqëria shqiptare pranon më shumë.

Mira Kazhani: Jo, jo, bëjnë sondazhe, mendoj që bëjnë.

Mustafa Nano: Kam përshtypjen që instinkti u thotë që gjuhën e dhunshme për shembull e pranojnë, ose gjuhën tallëse. Gjuhën e dhunshme që përdor Berisha një pjesë e publikut e ka qejf. Gjuhën tallëse dhe përqeshëse që përdor Rama, një pjesë e publikut e ka qejf. Me ta dëgjuar Ramën, njerëzit thonë: Hëë ça shkërdhate, sa i zoti. Ose me të dëgjuar Berishën që thotë: S`do gjesh vend ku të futesh. Ajo pjesë e publikut kënaqet, ndizet nga kjo lloj gjuhe.

Mira Kazhani: Si e shpjegon që në sondazhe shqiptarët kur pyeten janë 90% europianë, 100% po deshe amerikanë. E duan shumë, flasim vetëm për ta. Themi që ata duam, por në realitet nuk sillemi si europiani apo amerikani. Ky është një paradoks.

Mustafa Nano: I gjithë show im që do jap të premten, të shtunën, të dielën fokusohet vetëm tek kjo pyetje që bëtë ju. Konflikti midis pretendimit të shqiptarëve që janë europianë dhe realitetit, dhe faktit që në fakt shqiptarët nuk janë europianë, ne nuk jemi europianë.

Mira Kazhani: Jo ne jemi europianë. Ne që nga koha e Skënderbeut jemi europianë. Gjeografikisht. Po jemi edhe si njerëz kur na shikon. Kemi pamje europiane.

Mustafa Nano: Unë them në mendësi, bota mendore, bota shpirtërore, sjellja. Marrim gjërat e rëndësishme. Marrëdhënia me gruan. Ne nuk jemi perëndimor. Edhe ata që ne mendojmë se janë perëndimor, se sillen si perëndimor, nuk janë perëndimorë deri në fund. Ne nuk e ndjejmë atë përmasën joperëndimore që kemi, sepse në krahasim me të tjerët si të thuash jemi më perëndimor, por edhe ne kemi…

Mira Kazhani: Perëndimi nuk duket as tek pushteti, as tek njerëzit e letrave totalisht. Për shembull, për rastësi sot hyra në një dyqan, e zonja e dyqanit përgatit lëngje frutash të freskët. E pashë që ishte vetëm edhe më tha: Më iku punëtorja dje krejt papritur. Nuk e di e sata punëtore ishte që ikte. E pyeta edhe për rrogën dhe nuk ishte një pagesë e keqe, përkundrazi. Po mendoja, sa keq më erdhi për emigrantët shqiptarë për shembull. Kanë ikur jashtë, nuk e kanë pasur mundësinë ta lënë punën dhe mendoj që në perëndim nuk e lë dot kollaj punën se të duhet të paguash taksa, nuk ke ku mbështetesh. Përse e kemi këtë raport? Nuk dua të them mendjelehtësi, por këtë thjeshtësi për t`i lënë gjërat dhe për të ikur, për të qëndruar dhe pa punë?

Mustafa Nano: Këtu është një kontekst i tërë që ty të formon në njëfarë mënyrë. Këtu fjala vjen djemtë e rinj e kanë për turp të marrin një biçikletë e të bëjnë punët e tyre me biçikletë, që biçikleta është mjeti më i bukur që mund të përfytyrohet. Në perëndim nuk e ka problem. Ai mund ta ketë mundësinë të ketë edhe katër, pesë makina, se e ka babain dhe nënën me para, por ai shkon në universitet me biçikletë dhe nuk shkon me makinë. Këtu megjithëse prindërit i kanë pa para, këtu duan të shkojnë në universitet me makinë. Do të përmend një shembull, madje e përmenda dje në emisionin tim. Përpara nja dhjetë vjetësh isha në Kopenhagen dhe unë e mbaj veten për perëndimor. Madje show-n tim unë me këtë e nis: Unë e dua Europën, unë e dua Perëndimin. Këto janë dy frazat e para që unë them në show. Dhe aty në Kopenhagen, në orën 11 paradite isha me dikë dhe më thotë: E shikon atë robin që është aty tek kryqëzimi përpara semaforit? Kishte ndaluar ai, ma përshkroi atë dhe e shquajta. Ishte në mes të një turme me biçikleta. Ai është kryeministri Rasmussen. Po shkonte në punë. Dhe unë nuk pashë “bodyguard”. Me siguri kishte. Se aty ishin 20, 30 vetë dhe ai ishte si gjithë të tjerët. Edhe unë u magjepsa Mira Kazhani. Ishte gjëja më fantastike të shikoje njeriun më të pushtetshëm të Danimarkës.

Mira Kazhani: Jo më kot u zgjodh edhe Sekretar i Përgjishëm i NATO-s. Është një shoqëri që e kanë zhvilluar disa burra dhe gra. Nuk ka diskutim.

Mustafa Nano: Unë vetë u magjepsa nga ajo gjë. Ndërsa danezët nuk u magjepsën. Për ata ishte një gjë e zakonshme. Për të treguar diferencën.

Mira Kazhani: Përveç njerëzve, si të duket vetja krahasuar me gazetarët e huaj? Jo vetëm vetja, por e gjithë media. Ku bëhet dallimi mes gazetarëve në Shqipëri dhe gazetarëve perëndimorë? Ku dallojmë me ata?

Mustafa Nano: Dallimi kryesor është që gazetarët perëndimorë perpiqen ta nxisin debatin mbi bazën e ideve dhe marrin pjesë në debat vetëm mbi bazën e ideve. Dhe kur mbështesin një lider, e mbështesin mbi bazën e ideve që ai lideri ka përqafuar. Nuk e mbështesin për sytë e bukur. Ose nuk e mbështesin për inat të atij tjetrit. Atje opozita nuk është e rrezikshme. Maxhoranca nuk është e rrezikshme, nuk është djalli. Këtu e demonizojnë kundërshtarin dhe ne marrim pjesë në lojën e politikanëve. Këtu ka 30 vjet që vetëm demonizohet kundërshtari, konsiderohet monstër, konsiderohet përbindësh. Dhe ne gazetarët bëjmë këtë lojën e vogël, edhe në programet televizive, në studiot ku bëhen debate, vetëm kjo trajtohet, Meta, Rama, Basha, Nano i gjithë debati është rreth këtyre figurave që në përgjithësi, kur vjen puna tek identiteti politik janë enë të zbrazëta, nuk përfaqësojnë ndonjë gjë dhe ne, ne nuk kemi bërë asgjë. Dhe me njëri-tjetrin gricemi, zihemi, grindemi, përse, për Bashën për Ramën. Është gjëja më absurde.

Mira Kazhani: Disa mendojnë se zihen për para Muç jo për Bashën dhe Ramën

Mustafa Nano: Kjo është më e rëndë akoma. Ja ky është ndryshimi. Është e kot të flitet për ndryshim. Ka ndryshim abisal mes sjelljes së gazetarëve në perëndim. Por edhe këtu ka përpjekje. Janë të natyrës embrionale, por ka përpjekje për të bërë edhe polemika që kanë të bëjmë me idetë.

Sot që ne po flasim në perëndim bëhen debate për “Black Lives Matter” “Cancel Culture” që është një kulturë censurimi, është një “wokeism” emërtimi që i jepet një lëvizje të majtë; për transgender; për orientime seksuale...

Mira Kazhani: Mjedisi, klima.. janë shumë faktorë. Jemi edhe pak treg i vogël? Për shembull po dëgjoja Roberto Savianon kishte bërë një letër, kishte shpërthyer disi në fakt me shoqërinë italiane qe nuk e besojnë për disa nga elementet e historisë së tij me mafian dhe faktin që është i kërcënuar, dhe thoshte që unë kam bërë shumë gabim dhe ajo që dua të sjell tani është fakti se ai thoshte që shumë mirë do ishte të kisha jetuar me libra. Për shembull përveç Ismail Kadaresë mund të jetoje dikush në Shqipëri duke botuar libra?

Mustafa Nano: Po, këtu ka njerëz që shiten më shumë se Kadareja. Fevziu kur bën ndonjë libër shet më shumë. Blushi ka shitur libra. Shitja është produkt edhe i PR edhe unë kam shitur libra. Nuk e di për të jetuar është e vështirë. Po kush ka më shumë mundësi për të bërë PR...

Mira Kazhani: Kush është “One Man Show” shet më shumë libra

Mustafa Nano: Autorët e mirë nuk shiten shumë në këtë botë.

Mira Kazhani: Po, por ama jetojnë falë faktit që janë autorë të mirë sepse marrin çmime, janë njerëz që kanë një vend në shoqëri.

Ju Muç njiheni si një personazh që ju pëlqen provokimi. Provokon për të marrë vëmendje apo provokon se merr kënaqësi nga hapja e një debati dhe do të kuptosh çfarë ndodh me njerëzit, me spektatorët, me lexuesit? Apo të dyja bashkë?

Mustafa Nano: Atëherë unë po e saktësoj njëherë e mirë. Provokimi nuk është qëllimi im, është pasoja e asaj që bëj. Unë thjesht them gjërat që dua të them, por nuk kam qëllim të provokoj. Qëllimi im është vetëm ky: të them gjërat që them. Në këtë kuptim provokimi është pasojë e asaj që bëj unë. Unë nuk është se motivohem nga ky qëllim, të provokoj njërëzit dhe kënaqem. Madje unë nuk kënaqem, unë bezdisem kur njerëzit ndihen të provokuar, të lënduar, të fyer. Lidhur me fetë: unë nuk është se them gjëra për të provokuar njerezit, unë them gjëra që unë i besoj. Lidhur me seksin, nuk e di, me të gjitha temat, ose dhe tema që kanë qenë delikate, lidhur me historinë, me figura të shquara të historisë së Shqipërisë, me Skënderbeun, janë gjëra që unë i besoj. Nuk është se ngrihem një mëngjes dhe them sot do provokoj publikun me një gjë.

Mira Kazhani: Kur futesh në Google dhe lexon tituj apo dhe njerëz që të shajnë si ndihesh? Je indiferent apo të dhemb?

Mustafa Nano: Në fillim më ka dhembur po tani u regjëm. Më vjen inat në fakt që jam mësuar me këtë gjë, sepse është e shpifur, por nuk më impakton më, nuk më ngacmon më, nuk ma prish ditën. Fillimisht ma prishte ditën. I lexoj edhe më pak, sigurisht. Vetëm kur me fanepsen para syve, por nuk i kërkoj ca kanë thënë për mua.

Mira Kazhani: Ke hequr dorë nga pantallonat portokalli, jeshile?

Mustafa Nano: Të gjitha ngjyrat i kam përdorur. Madje në skenë do dal i zi këtë herë, me ngjyra të errëta. I kam përdorur, por ngjyrat portokalli, të kuqe bien pak më shumë në sy sesa ngjyrat e tjera. Unë mund të vishem gjithë muajin me ngjyra të zeza, njëherë të vishem me pantallona të kuqe (do thonë): "Ja ai, pantallona-kuqi". Është ngjyrë që të tërheq vëmendjen.

Mira Kazhani: Të pëlqen vëmendja?

Mustafa Nano: Mua më pëlqen të bëj gjëra, Mira Kazhani. Edhe nëse do kisha mundësi të komunikoja me një audiencë masive, të rinjsh, studentë do t`u thoja që, pyetja që ju lind në kokë "Cili është kuptimi i jetës?", është një pyetje e rëndësishme. Edhe dikush thotë që kuptimi i jetës është të besosh në Zot, në një qenie imagjinare. Dikush tjetër nuk e di çfarë qëllimi mund të kenë. Për mua një qëllim ka jeta, që duhet të shfrytëzosh gjithë potencialet që ty të kanë qëlluar, potenciale të tuat, t'i zbulosh ato potenciale cilat janë, t'i zhvillosh e t`u japësh mundësinë t'i shpalosësh ato potenciale, të bësh gjëra në këtë botë, edhe të mos ikësh pa lënë një gjurmë, sepse çdo njeri ka potencialin e vet. Njeri e ka për të bërë “One Man Show”, njeri e ka për të berë shkrime, tjetri e ka për të bërë një biznes për të hapur një furrë buke, potencial është ai. Duhet ta zbulosh atë potencial dhe t'i hapësh rrugën. Ky është qëllimi i jetës. Këtë do u thoja gjithë të rinjve. Zbulojeni potencialin tuaj dhe jepini rrugë atij potenciali.

Mira Kazhani: E ke gjetur temën për “stand up”-in e radhës? Atë të vitit tjetër? Mesa duket do të jenë të rinjtë.

Mustafa Nano: Jo. Njëherë në tre vjet e bëj unë.

Mira Kazhani: Të uroj shumë suksese në “One Man Show”-n e radhës Mustafa Nano! Do të jem spektatore. Personalisht besoj se të jesh spektatore sot është shumë e rëndesishmë se kupton çfarë ndodh rreth teje; kështu që nuk i fiton të gjitha nga “One Man Show”, disa duhet të jenë spektatorë.

Mustafa Nano: Unë e shijoj të jem spektator. Në shumë rrethana të tjera dhe unë jam spektator. Të jesh spektator është bukur.

Mira Kazhani: Shumë suksese!

*Intervista nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Çdo riprodhim dhe keqinterpretim i artikullit do të ndiqet penalisht.

Na kontaktoni në email: [email protected].