VIDEO

Peshku i freskët që udhëton nga Durrësi në Prishtinë si metaforë për bashkimin tonë!

Peshku i freskët që udhëton nga Durrësi në

Enver Robelli, gazetari kosovar që jeton dhe punon në Zyrih- ku është rritur nga mosha 12 vjeç- në intervistën e javës për Mira Kazhanin, sjell disa rrëfime që vlejnë për këdo që ka nevojë të kuptojë më shumë për Kosovën, Shqipërinë. Kur avionët serbë u ngritën në qiell dhe trupat e policisë kosovare mbërritën në kufi për temën e nxehtë të radhës "Targat", shumëkush u mpak e mendoi: "Mos është kjo një shkëndijë lufte"? Sigurisht që edhe një i çmendur mund të çojë në eskalime të situatave, thotë Robelli, por jo ky rast.
Ishte show politik i radhës, tipik për politikanët anormalë, rasti shëmbëlltyrë për të është Vuçiç, ndërsa ka një këshillë edhe për Albin Kurtin: “Qeveria e Kosovës duhet të koordinojë çdo iniciativë me bashkësinë ndërkombëtare”.
Në bisedën video, ka pak histori, autoironi, humor, fakte rreth serbëve. Enver Robelli është si një libër me zë e fytyrë.
Përshkrimet për Edi Ramën, Albin Kurtin apo Aleksandër Vuçiç i ndan një cipë e hollë ironie, por në asnjë rast nuk është fyes, por thjesht një gazetar me opinion që i mbështet ato në fakte. Për Vuçiç-in thotë specifikisht se nuk është një politikan normal! “Serbia do të jetë në rrugën e duhur kur atë ta drejtojë një politikan normal”.
Një nga pjesët më interesante është raporti mes kosovarëve dhe shqiptarëve të Shqipërisë. A njihemi pak e frekuentohemi shumë? A duam të bashkohemi dhe si mund të ishte bashkimi më i mirë? Enver Robelli kujton vizitorin “jashtëtokësor”, një mik i familjes nga Kavaja që udhëtonte në fëmijërinë e tij në Kosovë në vitet '70, duke bërë krahasimin me të tashmen, ku çdo gjë është bërë kaq e lehtë dhe tokësore. Ne udhëtojmë e bëjmë pushime. Takohemi dhe kuptohemi. Jo si dikur, kur kosovarët kishin adhurim- për shkak të një idealizmi naiv- edhe për të këqijat e Shqipërisë, siç rezultoi një gabim historik emri Enver, edhe pse nuk është ky rasti i emrit të tij (e gjeni përgjigjen në intervistë).
"Tirana është kryeqyteti që çdo shqiptar, nëse do pyetej, do donte të jetonte", -thotë ai.
Ai nuk është simpatizant i bashkimit me vula, me sforco e me dëshira politikanësh, por i shqiptarëve që me shembullin e peshkut të freskët që udhëton çdo ditë nga Durrësi në Prishtinë, është ndoshta metafora më e mirë për bashkimin.

Intervista e plotë me Enver Robellin, e transkriptuar:

Mira Kazhani: Enver, përshëndetje nga Tirana! Si është dita sot në Zyrih?

Enver Robelli: Të them të drejtën nuk kam parë shumë në horizont, sepse po punoj, por besoj që është mirë, sidomos kur shikon nga liqeni.

Mira Kazhani: Të shoh në Instagram që udhëton shumë, Zvicra ka një promovues të jashtëzakonshëm, gazetarin Enver Robelli. Kështu bëjnë të gjithë atje? Kaq shumë është kultura e udhëtimit?

Enver Robelli: Kultura e ecjes nëpër bjeshkë, nëpër alpe është jashtëzakonisht e përhapur. Zvicra ka me mijëra e mijëra kilometra shtigje të shënuara dhe mund të them që është një sport nacional këtu. Dalin jashtëzakonisht shumë njerëzit për të ecur, ka një infrastrukturë të jashtëzakonshme të turizmit, kështu që po, ky është një sport nacional i zviceranëve.

Mira Kazhani: Në një nga shkrimet e tua të kësaj vere, the që shumë mirë qeveria shqiptare mund të bashkëpunojë me atë zvicerane, qoftë edhe përmes agjencive dhe të marrë disa kode le të themi, disa sekrete të vogla dhe formula sesi mund të bëhet një turizëm i mirë në Shqipëri. Kryesorja për shembull, çfarë do ishte që të kopjonim nga Zvicra, se të vështirë shumë e kemi ta kopjojmë Zvicrën.

Enver Robelli: Si idealist që jam, kur dal nëpër kodrat e Zvicrës dhe kur shoh gjëra të bukura, atëherë natyrisht që më shkon mendja tek Shqipëria, tek Kosova, si do të mund të kopjohej diçka nga këtu. Më pëlqen sidomos ky sistemi zviceran i shenjëzimit të rrugëve. Unë mendoj që Shqipëria është për nga natyra ashtu siç e ka falur Zoti, ose siç ia ka dhuruar gjithë këto të mira natyrore, mendoj që Shqipëria është një farë Zvicre plus me det, me dy dete, por duhet shumë angazhim dhe mendoj që një bashkëpunim i ngushtë me Agjencinë e Turizmit të Zvicrës do ta ndihmonte Shqipërinë shumë për të kopjuar, për të importuar një model të turizmit i cili mund t`i sjellë Shqipërisë shumë më tepër seç i sjell deri tani. Shqipëria ka një sezon turistik shumë të ngushtë 2 muaj, 2 muaj e gjysmë, jo më shumë dhe ideja është që fusha e turizmit të diversifikohet që të ketë turizëm edhe gjatë pranverës, edhe gjatë vjeshtës, që njerëzit jo vetëm të kalojnë dy javë apo 10 ditë në plazh, por të ecin shumë më tepër, të eksplorojnë, të zbulojnë Shqipërinë dhe kështu edhe përfitimi të jetë më i madh, i dyanshëm.

Mira Kazhani: Kryeministri shqiptar thotë që Zvicra është e mërzitshme, është ‘boring’, me humor e ka thënë, për batutë.

Enver Robelli: E ka thënë me humor, sepse nëse një gjë nuk i mungon atij, nuk i mungon humori. Natyrisht që nuk besoj që ai do të ishte kundër, nëqoftëse Shqipëria do të ishte po aq monotone sa është Zvicra.

Mira Kazhani: Nuk e dimë jo, nuk jemi të sigurt për këtë.

Enver, iu bën përshtypje njerëzve emri yt? E ke sqaruar ndonjëherë përse e ke Enver, se është pak e çuditshme. Ka shumë Enver në Kosovë?

Enver Robelli: Po, po ka, natyrisht ka qenë një akt rezistence ndaj Jugosllavisë dhe regjimit jugosllav që në vitet ’60, ’70 që njerëzit të kenë emrin Enver edhe pse babai im e thotë me humor, s`ta kam vënë këtë emër për shkak të Enver Hoxhës, por për shkak të presidentit të Egjiptit Enver es-Sadat-it, i cili ka qenë një prej liderëve të lëvizjes së painkuadruar, dmth ky blloku i tretë i shteteve që kanë kundërshtuar këto dy blloqet e mëdha, perëndimin dhe lindjen. Po natyrisht që është me humor edhe kjo sepse në radhë të parë ka të bëjë me atë ëndrrën naive, idealiste të shumë shqiptarëve të Kosovës që gjithçka çka vjen nga Shqipëria, duhet të jetë e mirë, mes tyre edhe emri Enver që ka rezultuar si një gabim historik, por unë s`kam problem me emrin, me thënë të drejtën. Nuk kam asnjë kompleks për këtë punë. Madje, njoh mjaft zviceranë, njerëz të mirë, ose një ministër jashtëzakonisht të mirë që e ka emrin Adolf, kështu që nuk shoh ndonjë problem tek puna e emrit.

Mira Kazhani: Kjo ka qenë një javë që në Shqipëri ka pasur një vëmendje për Kosovën. Herë pas here Kosova vjen në vëmendje, por kësaj here erdhi me pak shqetësim, me ata avionët në qiell e me trupat e dislokuar në kufijtë në tokë që të kujtonin pak vitet ’90, të risillnin kujtimet e luftës, dikush ndoshta edhe u tremb me idenë se mund të plasë në çdo moment, është bërë pak klishe, por siç thonë për Ballkanin “fuçi baruti”. Shumë mendje të kthjellëta nuk e besojnë këtë, edhe madje edhe vetë kryeministrat dhe presidentët e vendeve e dinë shumë mirë që lufta nuk është e lehtë të ndodhë, apo ndodh edhe nuk është çudi?

Enver Robelli: Gjithmonë duhet llogaritur e paparashikueshmja, që një polic, një protestues, një i çmendur mund të humbë kontrollin dhe gjendja të eskalojë, por kësaj here mendoj që ishte një nga Show-t e shumtë të politikanëve të Ballkanit. Se jemi mësuar të shohim edhe në vitet e kaluara kur ka pasur aksione të ndryshme, qoftë në veri të Kosovës, qoftë në pjesë të tjera të Ballkanit, ku politikanët për të nxitur, për të mobilizuar klientelën e tyre nacionaliste, populiste, militantët, provojnë të bien në sy përmes aksioneve të tilla, në rastin konkret kemi të bëjmë me palën serbe. Pala kosovare duket se ka ndërmarrë një hap që është dashur ta marrë që në qeveritë e mëhershme besoj, por edhe këtu çështja është sa ka pasur një koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, sepse përkundër dëshirës së ndonjë politikani shqiptar që Kosova, Shqipëria të luajnë me muskujt, të tregojnë muskujt, është fakt që kapitullimin Serbia nuk e ka nënshkruar përballë një delegacioni të shqiptarëve të Kosovës, as përballë komandantëve të UÇK-së, por e ka nënshkruar në një tendë në Kumanovë, në Maqedoni, përballë gjeneralëve të NATO-s, oficerëve të lartë të NATOS-s. Në këtë bursën e Pavarësisë së Kosovës, Perëndimi ka mjaft aksione, kështu që derisa siguria e Kosovës varet në pjesën më të madhe nga perëndimi, besoj që duhet të ketë shpesh kujdes në veprime të ndryshme, sidomos në veprime që mund të çojnë në eskalim të situatës.

Mira Kazhani: Do të doja të bënim bashkë një shpjegim të thjeshtë. Si do t`ia tregoje një fëmije historinë e targave dhe këtë që ndodh mes Serbisë dhe Kosovës?

Enver Robelli: Një fëmije ndoshta kështu: Një popull që ka tentuar ta sundojë një popull tjetër. Ky popull ka rezistuar me armë dhe ka fituar lirinë me përkrahjen e perëndimit, por tani në shenjë hakmarrje, pala që ka humbur luftën nuk pranon që ne të shkojmë me targat e Kosovës në shtetin e tyre dhe na thotë “Hiqini këto targa në kufi. Mos guxoni të tregoni pasaportën e Kosovës, duhet të zhvisheni nga çdolloj simboli shtetëror i Republikës së Kosovës për të kaluar në Republikën e Serbisë dhe për të lëvizur në Republikën e Serbisë”. Ka edhe diçka tjetër që vlen për shqiptarët e Shqipërisë. Nëse një shqiptar i Shqipërisë futet në Kosovë dhe në kufi tregon pasaportën dhe nëse doganieri, polici kufitar i Kosovës i vendos një vulë në pasaportën e Shqipërisë dhe nëse shqiptari i Shqipërisë vazhdon rrugën për Serbi atëherë polici serb do e kthejë atë në kufi sepse do t`i thotë: Je futur në Republikën e Serbisë, (sepse ata e konsiderojnë Kosovën ende pjesë e Serbisë), je futur në Republikën e Serbisë përmes një pike kufitare të cilën nuk e kontrollojmë ne. Çfarë ndodh? Shqiptari i Shqipërisë apo i një shteti të tretë duhet të kalojë në Maqedoni apo në Malin e Zi, për t`u futur legalisht në Serbi. Janë lojëra burokratike të cilat i terrorizojnë njerëzit dhe për këtë unë mendoj që nuk është shumë i vetëdijshëm opinioni shqiptar dhe ky reagim i qeverisë së Kosovës, ka qenë një lloj revolte për të alarmuar edhe bashkësinë ndërkombëtare se shumë gjëra nuk po ecin sa i përket raporteve mes Serbisë dhe Kosovës.

Mira Kazhani: Pse nuk dorëzohet Serbia? E ka humbur luftën me Kosovën.

Enver Robelli: Nuk është në natyrën dhe në historinë e Serbisë që të dorëzohen edhe kur të gjitha faktet tregojnë se jo të dorëzohen në fakt, se nuk është qëllimi të poshtërohen, por është qëllimi të pajtohen me realitetin. Realiteti është ky që është. E dimë historinë. I dimë ngjarjet që kanë ndodhur dhe do të ishte në radhë të parë edhe në të mirën e popullit serb që të ketë një udhëheqje politike e cila është racionale. Për fat të keq ka një ambicie shekullore serbe, që nga fillimi i shekullit 19 kur kanë filluar të pavarësohen nga Perandoria Osmane. Kjo është ëndrra e madhe serbe për t`u zgjeruar, për të pasur Serbia dalje në det. Kjo ëndërr ka dështuar. Ka dështuar edhe së fundmi me Pavarësinë e Malit të Zi. Të gjitha shtetet që kanë qasje në Adriatik, dalje në Mesdhe, janë shtete anëtare të NATO-S, kështu është mbyllur ky krahu ku Serbia mund të funksionojë si ‘Kalë Troje’ i Rusisë për të shkaktuar turbullira në Mesdhe.

Natyrisht në historinë serbe miti i Kosovës e të gjitha këto luajnë një rol. Nuk duhet mohuar se një pjesë jo e parëndësishme e historisë serbe natyrisht që është luajtur edhe në Kosovë, por në një periudhë shumë të shkurtër. Nëse serbët e kanë sunduar para Turqve 200, 300 vjet Kosovën, Turqit do të kishin (të themi kështu në thonjëza) shumë më tepër të drejtë historike për të pretenduar Kosovën, sepse e kanë sunduar mbi 500 vjet. Por si çdo mit, edhe miti serb është prodhim i rizgjimit kombëtar të shekullit 19, ku shumëçka bazohet në fabula e pakçka bazohet në fakte. Ka historianë seriozë serb të cilët thonë se nuk është edhe aq e sigurt nëse vërtet beteja e Kosovës ka ndodhur, por kjo është parëndësishme kur ju në kokën tuaj e krijoni një mit. Çfarë mund të shkaktojë miti? Mund të përkujtoj për shembull se në vitin 1898, kur ishte 600 vjetori i betejës së Kosovës dhe Millosheviç mbajti fjalimin e tij të famshëm në Fushë Kosovë, para atij tubimi, serbët i patën nxjerrë nga varri eshtrat e Carit të tyre të mesjetës, Car Llazarit dhe i bartnin si trofe nëpër Jugosllavi për të ndezur ndjenjat nacionaliste. Këtu kemi një kombinim mes mitit, fabulës dhe nekrofilisë dhe kjo është jashtëzakonisht problematike. Unë personalisht kur i shoh këto, më kujtohet një shkrimtar dhe një piktor i njohur serb Dura Jaksiç, i cili kur ishte kthyer nga Viena në Beograd dhe shëtiste në Beograd vetëm me pajton, por ulej së prapthi, ia kthente shpinën pajtonxhiut dhe kur e pyetën një ditë përse ia kthen shpinën vazhdimisht pajtonxhiut, thotë: Ku ke parë serb që shikon përpara, që shikon në ardhmëri? Natyrisht që kjo është pak e tepruar se nuk mund të përgjithësohen gjërat, por ka një strukturë, një shtresë të caktuar të serbëve të cilët vërtet janë të fiksuar në histori.

Mira Kazhani: Mund të kemi pas 10 vitesh raporte normale? Mund të kemi pas një viti raport normal dhe çfarë do ta bënte Serbinë që të pajtohet me idenë e Kosovës shtet i pavarur?

Enver Robelli: Parakusht për normalizim është që të ketë politikanë normalë. Momentalisht Serbia nuk ka një udhëheqje politike që e sheh si virtyt normalitetin dhe logjikën, kështu që në këtë kuptim varet sa do të ketë Serbia politikanë normalë të cilët pajtohen që nuk ka ndryshim të kufijve. Nuk ka dominim hegjemonist të Serbisë në rajon. Nuk mund të ketë përsëritje të viteve ’90. Nuk mund të ketë përsëritje të gjenocidit në Bosnje. Nuk mund të ketë përsëritje të dëbimit të 1 milionë shqiptarëve nga Kosova, sepse kjo thjesht ka ndryshuar rrethanat gjeopolitike dhe nuk besoj që mund të përsëritet siç në vitet ’90. Më përjashtim të vitit ’99, Serbia i ka ndezur katër luftëra pa ndonjë pasojë të ndjeshme.

Mira Kazhani: Në çfarë pozitash ekonomike është sot Serbia? A është ajo një ekonomi e mirë, e fortë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, me Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën, Shqipërinë, Bosnjen?

Enver Robelli: Ata janë një treg pak më i madh, e para. E dyta, diçka nga industria e së kaluarës u ka mbetur. Janë kujdesur, sidomos me presidentin Vuçiç, ka pasur mjaft investime nga Gjermania, Kina, Rusia është më shumë investitorë në turbullira politike në Ballkan, sesa ka investuar në ekonomi. Për shembull, vetëm firmat gjermane në Serbi punësojnë mbi 70 mijë njerëz. Kjo është një arritje. Në anën tjetër, si në të gjitha vendet e Ballkanit, edhe në Serbi ka një emigrim masiv të njerëzve.

Mira Kazhani: Pse ikin nga Serbia?

Enver Robelli: Për shkak se edhe njerëzit që i kanë punët mirë, që i takojnë shtresës së mesme gjithmonë shtrojnë pyetjen, sidomos familjarët, ‘A do bëhet mirë këtu për fëmijët e mi’? Dhe shumica e njerëzve e kanë përgjigjen negative, prandaj duan të jetojnë në një shtet funksional, të organizuar dhe ai shtet kryesisht është Gjermania, një lokomotivë e madhe ekonomike, e cila e ka hapur tregun e punës për shumë shtetas të vendeve të Ballkanit, sidomos për mjekët, inxhinierët, pastaj infermierët që janë shumë të kërkuar në Gjermani. Njerëzit mendojnë se nuk ka ndonjë perspektivë të mirë në Serbi, sidomos për familjet e tyre, prandaj preferojnë të emigrojnë. Ka të bëjë kryesisht me humbjen e besimit se Serbia mund të jetë shtet funksional dhe pak a shumë mund të krahasohet edhe me vendet e tjera. Në dimrin e 2014-2015-ës nga Kosova janë larguar gati 100 mijë njerëz, nga Shqipëria po ashtu. Është një rrjedhë e pandalshme e njerëzve që largohen.

Mira Kazhani: M`u kujtua “Open Balkan” dhe nuk e di cili është opinioni juaj për “Open Balkan”. Sa gjasa ka që një shqiptar të mos shkojë të punojë në Gjermani, por të shkojë në Serbi, kur nga Serbia ikin gjithashtu. Apo e kundërta që dikush nga Serbia të vijë të punojë në Tiranë. Kur mendoj detin, ndoshta mund të vijnë të punojnë në bregdet. Mund të kenë interes. “Open Balkan” kujt i shërben?

Enver Robelli: Në radhë të parë i shërben Serbisë për të konsoliduar dominimin në rajon. Kryeministri i Maqedonisë dhe Shqipërisë i janë bashkuar këtij treni me ambicien që t`i tregojnë Bashkimit Europian që meqë ju nuk po na i hapni portat, ja ne po krijojmë këtu paraprakisht një lloj unioni europian brenda Ballkanit, me shpresën se një ditë BE do t`i hapë portat. Unë mendoj që parimisht çështja e hapjes ekonomike, lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave, kapitalit, hapja e tregut të punës, nuk është diçka e keqe, problemi që ekziston në këtë mes është sabotimi që Serbia i bën Kosovës në çdo fushë. Refuzimi për ta pranuar Kosovën si shtet. Refuzimi për të pranuar ekzistencën e Kosovës dhe ambicia e Beogradit që duke anashkaluar Kosovën të bisedojë vetëm me Tiranën, dhe Kosova të jetë si të thuash, ajo rrota e pestë e veturës, që rri atje në pjesën ku i lëmë valixhet, dhe këta po deshën të na bashkohen neve, po nuk deshën ne e çojmë përpara këtë idenë e Ballkanit të Hapur. Parimisht kjo ide nuk është e keqe. Çështja është që Serbia nuk dëshiron ta pranojë Republikën e Kosovës dhe përpiqet që përmes projekteve të tilla të izolojë Kosovën.

Mira Kazhani: Si e izolon Kosovën përmes këtij projekti?

Enver Robelli: E izolon me vetë faktin që bën politikë aktive në bashkësinë ndërkombëtare për të mos e pranuar Kosovën. Diplomacia serbe është jashtëzakonisht aktive, momentalisht po punojnë jashtëzakonisht shumë për ta bindur presidentin e Egjiptit, për të tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Nga njëra anë Beogradi trumbeton, thotë që ne jemi për Bashkëpunim Rajonal, për Ballkanin e Hapur. Nga ana tjetër në arenën ndërkombëtare bën çmos për të penguar njohjen e Kosovës. Bën çmos që Kosova të mos pranohet në organizata ndërkombëtare. Për shembull në Interpol, në Organizatën Botërore të Policisë, të Hetuesve ku kjo do t`i sillte jashtëzakonisht mundësi të mira Kosovës për të luftuar krimin e organizuar, për të ndjekur edhe krimet e luftës të cilat janë jashtë domain-it të ndjekjes së Policisë së Kosovës. Pastaj me çdo kusht Serbia pengon afrimin, hyrjen e Kosovës në organizata të OKB-së. Kështu që ka një hendek shumë të madh mes asaj se çfarë thotë dhe çfarë shet Serbia si ide të Ballkanit të Hapur dhe çfarë vepron në prapavijë, kundër Republikës së Kosovës. Ose manipulimi që ua bëjnë vazhdimisht serbët Kosovës, duke i trajtuar si mish për top. I trajton si instrumente për të ngacmuar dhe për të destabilizuar shtetin e Kosovës. Për shembull ju i shihni të gjitha ato barrikada të veri të Kosovës, në mënyrë të organizuar që dalin bllokojnë rrugën, sepse nuk duan t`i pranojnë targat e Republikës së Kosovës. Ndërkaq Kosova ka 20 vite që i ka pranuar targat e Republikës së Serbisë. Serbët mund të vinin deri tani pa kurrfarë problemi me targat e tyre. Domethënë është një situatë paksa e ndërlikuar kjo puna me Ballkanin e Hapur. Po të lëvizte Serbia në drejtim të njohjes së Kosovës, në drejtim të pranimit të realitetit, atëherë ndoshta nuk do të ishte problem që edhe çështja e kufijve, të hapeshin, ose të ketë më pak kontrolle në kufi, ose të hiqeshin fare. Të krijohet një lloj Shengeni Ballkanik, nuk është ndonjë problem i madh.

Mira Kazhani: Po rolin e Shqipërisë dhe të kryeministrit Rama si e gjykon?

Enver Robelli: Sa i përket Ballkanit të Hapur mua më duket se e ka edhe si fiksim, edhe është tipar i njerëzve që me çdo kusht duan të kenë të drejtë, edhe kur 10 njerëz rreth tij i thonë ‘Jo nuk ke të drejtë në të gjitha pikat që po i propagandon’. Por kam përshtypjen sikur dëshiron të hyjë në histori si njeriu që del atje majë bregut dhe u flet shqiptarëve dhe u thotë: A ju kam thënë që unë kisha të drejtë?

Nuk e dimë a ka të drejtë tani për tani. I shpjegova dhe më herët arsyet. Problemi është tek Serbia dhe tek refuzimi i Serbisë për ta pranuar Republikën e Kosovës.

Mira Kazhani: Duhet të jetë një kusht për shembull? I takon Edi Ramës që t`i vendosë këtë kusht Aleksandër Vuçiç-it që “Open Balkan” bëhet vetëm pas këtij momenti?

Enver Robelli: E kishte Edi Rama këtë kusht në vitin 2014 kur ishte për vizitë, në atë vizitën e famshme në Beograd. Ku i tha hapur në konferencën për shtyp presidentit Vuçiç që Serbia duhet të lëvizë drejt njohjes së Kosovës dhe Vuçiç u bë sikur ishte i mllefosur.

Mira Kazhani: Po nga e dimë ne që ai nuk e thotë sërish këtë gjë?

Enver Robelli: Kryeministri i Shqipërisë, që nga viti 2015, nuk e ka përmendur në takime publike me presidentin serb njohjen e Kosovës nga Serbia.

Mira Kazhani: Ju mendoni që ka një miqësi të ngushtë vërtet mes Ramës dhe Vuçiç?

Enver Robelli: Nuk besoj miqësi të ngushtë, por luajnë rol interesat e ndryshme që kanë të dy, për të luajtur rolin e bosëve të Ballkanit, si dy politikanët më të rëndësishëm, por edhe për të dërguar sinjale drejt Perëndimit që ne jemi ata që garantojmë sigurinë, stabilitetin në Ballkan dhe ne jemi adresa ku ju duket të trokisni, ku ju duhet të diskutoni. Këta të tjerët janë mirë që janë këndej. Në rregull nuk duam të kemi probleme me ta, por ne jemi politikanët më të rëndësishëm të rajonit dhe unë mendoj që Edi Rama këtu ka rënë në një kurth të Presidentit Vuçiç. Presidenti Vuçiç vërtet ka ambicie të flasë në emër të të gjithë serbëve të rajonit dhe si të them ia ka krijuar përshtypjen zotit Rama që edhe ky mund të flasë në emër të të gjithë shqiptarëve në rajon. Por këtu kemi një keqkuptim, sepse në fund të fundit Kosova është shtet më vete dhe do të duhej të kishte një koordinim mes Tiranës dhe Prishtinës para se të krijoheshin kontakte dhe lidhje që supozohen të jenë mjaft të ngushta mes kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë.

Mira Kazhani: Nuk e di a vlen të merret si shembull edhe fakti që ka pasur disa cicmice jo fort të këndshme për publikun shqiptar, si në Kosovë edhe në Shqipëri. Kryeministri Rama në mandatin e dytë mori disa ministra prej Kosove, si të ishin lojtarë ekipi futbolli. Nga ana tjetër e paprecedentë ishte ndërhyrja në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit e Albin Kurtit. Erdhi kryeministri i Kosovës dhe bëri thirrje për ndryshim. Votoi kundër kryeministrit aktual, kush peshon më për keq në këtë histori?

Enver Robelli: Po t`i hedhim në peshore, nuk di cila anë do t`ia merrte kështu nga këto budallallëqet e përditshme që bëjnë. Natyrisht që edhe nga pala kosovare ka pasur mjaft gjëra. Mund të përkujtoj që ishte një kohë kur Edi Rama thoshte Vetëvendosja është pasuri kombëtare. Ia rrihnin krahët njëri-tjetrit, me Albin Kurtin. Është mjaft indikative që kryeministri Rama ka pasur raporte të mira vetëm me një politikan nga Kosova, ai është Hashim Thaçi. Me këta të tjerët ka pasur vazhdimisht fërkime. Me Ramush Haradinaj, natyrisht edhe pa e arsyetuar fare, me Albin Kurtin, me Isa Mustafën nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Vazhdimisht ka pasur këto polemika publike të cilat personalisht i kam konsideruar shumë të dëmshme për klimën politike mes shqiptarëve në Ballkan, por edhe kryeministri i Shqipërisë, edhe politikanët e Kosovës, e kanë ndoshta si shumë shqiptarë një problem të madh, ajo është gjaknxehtësia tipike shqiptare që na karakterizon dhe dëshirën ndoshta për të thënë fjalën e fundit, të parën. Për t`u larguar nga Edi Rama, ne dimë edhe sharjet vulgare që ndodhën mes Hashim Thaçit dhe Sali Berishës, janë të tmerrshme. Kështu që ky është një problem jo për t`u injoruar, mes politikanëve shqiptarë. Për shembull shikoni tek pala serbe, politikani udhëheqës i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, kërcënon çdo ditë me shkatërrim të Bosnjes, me shpallje të pavarësisë të pjesës serbe të Bosnjes, të Republikës Serbe dhe kjo nganjëherë i shkakton kokëdhembje presidentit Vuçiç, sepse e kritikojnë ndërkombëtarët për rolin e liderit të serbëve në Bosnje. Por Vuçiç kurrë, asnjëherë publikisht nuk del ta atakojë si të themi kështu, si vëllanë e tij në Bosnje. Absolutisht jo. Madje-madje, para syve të ndërkombëtarëve dhe për show e dekoron me dekoratat më të larta të Serbisë.

Mira Kazhani: Atë bëri edhe Edi Rama. Ishte në Prishtinë. Mori gjithë qeverinë me vete, pak para zgjedhjeve atje, foli publikisht me përzemërsi për Albin Kurtin. Kështu që po ta shikosh në këtë moment publikisht Edi Rama ka një zbutje me Albin Kurtin? Po kërkon të ridimensionojë marrëdhënien me të apo nuk i beson kësaj?

Enver Robelli: Kjo është pamja e jashtme. Nuk e di. Mbetet për t`u provuar. Ne do të shohim në ditët, në javët dhe në muajt e ardhshëm se si do të zhvillohet. Koha do ta tregojë vërtet se a mund të kthehet dashuria e vjetër mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit.

Mira Kazhani: Varet kjo nga Edi Rama apo varet po aq shumë edhe nga Albin Kurti? Albin Kurti ka diçka për të bërë për të reflektuar dhe për të korrigjuar veten për disa veprime?

Enver Robelli: Absolutisht, për disa unë mendoj dhe e kam shkruar që ka qenë jashtëzakonisht gabim pjesëmarrja e Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri. Ka qenë gabim kur Albin Kurti vinte me politikanë nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia dhe bënin xhiro nëpër Lezhë. U mungonte vetëm një shpatë dhe një përkrenare e Skënderbeut për të treguar se tani po vijnë patriotët nga Kosova dhe nga viset e tjera. Këto janë parada të panevojshme. Mendoj që nuk ka ndonjë arsye të madhe për të ndërhyrë aktivisht në politikat e brendshme të dy shteteve. Mund të ketë dhe askush nuk është kundër që të ketë sugjerime të ndryshme, dashamirëse, që të ketë një sugjerim edhe Edi Rama për politikanët e Kosovës, por të ketë një sugjerim edhe ndonjë politikan i Kosovës për zhvillimet në Shqipëri. Ne kemi shumë nevojë për komunikim të mirë me njëri-tjetrin, kemi nevojë shumë edhe për kritika të ashpra ndaj njëri-tjetrit, sepse shumë defekte i marrim nga njëri-tjetri. Ne më shumë kopjojmë defekte nga njëri-tjetri seç kopjojmë ide të mira.

Mira Kazhani: Shqiptarët thonë që kemi partner strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anasjelltas, kemi partner shqiptarët. Si ka mundësi që nga Tribunali i Hagës, me mbështetjen e SHBA-ve, u fshi një klasë politike. Ndërkohë ish-presidenti dhe kryeministri shqiptar u shpall “Non Grata?

Enver Robelli: Për imazhin e një shteti natyrisht që nuk është mirë që një superfuqi botërore të akuzojë një politikan hapur, publikisht për korrupsion, ta trajtojë atë si një diktator afrikan që ia ka pirë gjakun popullit të vet, sidoqoftë zoti Berisha ka qenë kryeministër i Shqipërisë, ka qenë president i Shqipërisë. Po pse ka ndodhur kjo? Ka ndodhur se faktikisht klasa politike shqiptare nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë sistem juridik, efektiv, i cili ia pamundëson politikanëve si zoti Berisha, ose si politikanët e tjerë, që të shkaktojnë dëme në jetën politike, ekonomike të vendit. Kjo me aktakuzat që janë ngritur ndaj ish-liderëve të UÇK-së, nuk është një shi që ka rënë nga qielli i kaltër. Kush i ka lexuar gjithë ato dokumente, raporte që janë publikuar, ka qenë e ditur që herët apo vonë do të ketë një veprim të caktuar të drejtësisë. Ndoshta jo në këtë masë që ka ndodhur, por kjo ka qenë absolutisht e pritshme. Nuk është ndonjë befasi e madhe.

Mira Kazhani: Mendon që mund të jetë e mundur ndonjë ditë Shqipëria e Madhe?

Enver Robelli: Unë mendoj që mbetet një ëndërr që mund të bëhet realitet pa e prekur konstelacionin e tanishëm shtetëror të Kosovës dhe të Shqipërisë. Shqipëria për shqiptarët e Kosovës nuk është vetëm nocion gjeografik, është edhe ndjenjë.

Mira Kazhani: Në një anketë që kam lexuar jam befasuar, ne shqiptarët e Shqipërisë dhe kosovarët e njohim shumë pak njëri-tjetrin. Ka një njohje të historisë më të mirë nga ana e kosovarëve për figurat politike, për datat, për shembull Pavarësinë e Shqipërisë e dinë një pjesë e mirë e tyre, kurse nga Shqipëria shumë pak e dinë Pavarësinë e Kosovës edhe pse është më e afërt dhe më e freskët. Udhëtojmë shumë më pak ne shqiptarët drejt Kosovës, ndërsa ata vijnë më shumë. Arsyeja është gjithmonë deti. Ta pranojmë që turizmi dhe deti është një motiv më shumë apo jo?

Enver Robelli: Jo vetëm deti, por nëse i thoni një shqiptari të Kosovës në cilin qytet të madh do të dëshirojë që të shkoje, natyrisht që do të thonë në Tiranë, sepse është e pakrahasueshme me Prishtinën. Prishtina mbetet një qytet i bukur për shkak të dinamikës së njerëzve dhe për shkak të njerëzve kreativë, por përndryshe është një grumbull betoni. Për sa u përket shkëmbimeve me njëri-tjetrin, në histori ne nuk kemi pasur më pak pengesa për komunikim me njëri-tjetrin apo për të vizituar njëri-tjetrin. Mua më kujtohet që ne kemi pasur dikë nga familja e gjerë, nëse nuk gaboj, në Kavajë, dhe njëri nga ata njerëz, nuk më kujtohet kush ka qenë, ka pas ardhur në vitet ’80 për vizitë tek ne në Kosovë. Për neve ishte sikur ka pikë (ka rënë) nga qielli një jashtëtokësor, ky ka ardhur nga Shqipëria. Ajo kohë ka mbaruar. Tani është jashtëzakonisht e lehtë për të vizituar njëri-tjetrin, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin, por duhet bërë pa sforcim. Unë nuk jam adhurues i bashkimit me vula, adhurues i bashkimit me urdhra të politikanëve, sepse thjesht janë gjëra të panatyrshme. Po nëse vjen në mënyrë të natyrshme që shqiptarët e Kosovës, vijnë në Shqipëri, blejnë prona siç po ndodh, por edhe mund të investojnë diçka, të zhvillojnë këtë sensin e ndërmarrësisë e në anën tjetër siç edhe po ndodh, që vijnë lokale nga Prishtina dhe e marrin peshkun e freskët në mëngjes në Durrës dhe e sjellin në Prishtinë. Kosovarët duhet t`i jenë mirënjohës hapjes së Shqipërisë, sepse faktikisht duke ardhur peshku në Prishtinë, Prishtina ka marrë edhe një frymë paksa mediterrane. Përndryshe nuk ka qenë kjo praktikë që të hash peshk të freskët. Kështu që udhëtimi i peshqve nga Durrësi në Prishtinë është edhe një metaforë për bashkimin e shqiptarëve.

Enver Robelli: Tani në fund dua të pyes edhe unë ty diçka se ti më pyete gjatë gjithë kohës, m`i shpjego pak, atë luanin atje, a është fotografi apo pikturë?

Mira Kazhani: Janë të gjitha fotografi të një fotografi profesionist, shumë i mirë, Gent Shkullaku, i kam marrë me lejen e tij dhe i kam larë edhe vendosur në kornizë. Janë artistike, por nuk janë fotografi të zgjedhura nga bukuria, por nga ngjarja. Këtu është një nga ato grafitet në Tiranë dhe është një Luan që ka hapur gojën dhe këtu po kalon një grua me maskë. Shpjegon më së miri pandeminë. Kjo tjetra këtu është një protestë tek Parlamenti. Është një nga protestat. Të gjitha përfundojnë politike. Më lart janë radhët në Kakavijë, sepse 1 milionë kemi emigrantë që tashmë kanë biznese në Greqi dhe janë integruar atje. Ka që janë futur edhe në politikë, por prapë ajo dogana greke, nga tre sportele, fiks në ditët e pushimeve e bënë me një sportel se i prishen kompjuterat. E bëjnë shumë keq këtë, gjithmonë, dhe unë mërzitem dhe e kam vendosur atje. Se ka qenë shumë e dhimbshme, qëndruan me ditë. Aty është një besimtar mysliman që po falet. Në anën tjetër, (nuk duket), kam kryqin. Kam edhe libra aty. Njërin prej tyre të Angela Merkel ma ke dhuruar dhe e kam lexuar.

Enver Robelli: Faleminderit shumë!

Mira Kazhani: Unë doja që të flisja për Kosovën me një kosovar mendjendritur dhe pa emocione, që nuk ka shpërthime emocionale dhe nuk ka asnjë konflikt personal apo interesi. Që të ishte një bisedë e sinqertë për njerëzit, meqë edhe Kosova ishte rikthyer në vëmendje gjatë ditëve të fundit dhe e pashë të arsyeshme që intervista juaj meritonte që të ishte intervista e javës në Tiranapost.

*Enver Robelli është redakor i politikës së jashtme në gazetën e madhe zviceriane “Tages Anzeiger”.

Intervista nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Çdo riprodhim dhe keqinterpretim i artikullit do të ndiqet penalisht.

Na kontaktoni në email: [email protected].