VIDEO

Ylli Rakipi: "Kjo është një shoqëri komplet dele, Rama është kryeministri më i zotë që unë kam njohur"

Nga Mira Kazhani/ Ylli Rakipi është një gazetar i vjetër dhe me përvojë. Por edhe pse i tillë, duket se është një prej atyre që e kanë humbur besimin te Shqipëria. "Këtu njerëzit janë dele, kjo është një shoqëri shumë e prapambetur", thotë ai teksa i dallohet lehtë pezmi me "këta që kanë marrë paratë e vendit". Raportin që ka ndërtuar kjo shoqëri me pushtetin, me politikën, Ylli, i cili siç thotë "jeton për vete", e kritikon fort, madje sjell në krahasim anglezët të cilët, po të kishin politikanë si këta tanët "për 24 orë i marrin dhe i mbytin në lumin Tamis". Por megjithëse thotë këtë, ai nuk i kursen lëvdatat për Edi Ramën, që është "shumë i zoti". Paradoks? Ndoshta, por siç thotë dhe vetë Ylli, gazetari që denoncoi i pari skandalin e Unazës, njeriu kështu qenka "një konfuzion gjërash, një përplasje".

Ylli Rakipi: "Kjo është një shoqëri komplet dele, Rama

(Mira Kazhani e prezanton kështu intervistën e radhës)

Personazhi që do të intervistoj sot, është një nga ata që po e more seriozisht, mund të mërzitesh me të. Por po e more me humor, mund të qeshësh pa fund me të. Është një njeri me kontribut në jetën publike. Ka qenë njeri i afërt i të gjithë kryeministrave, madje në kohën kur kanë qenë kryeministra. Ka bërë gabime si gjithë njerëzit, por edhe ka falur. Ka bërë beteja si një i ri idealist dhe me vitet është shfaqur edhe pragmatist. Ka luftuar me politikën, me kohën, edhe me shëndetin. Si t`jua them? Ai është një personazh jo aq lehtë i prezantueshëm, është deri diku për mua, i paekspozueshëm. Ylli Rakipi.

Intervista e transkriptuar

Mira Kazhani: Nuk e di, si t`u duk prezantimi?

Ylli Rakipi: E bukur është, po me thyerje.

Mira Kazhani: Kisha ndonjë fjali…?

Ylli Rakipi: Jo. Njeriu është një kompleksitet, një konfuzion gjërash, një përplasje, një jetë.

Mira Kazhani: Ndihesh ashtu?

Ylli Rakipi: Si?

Mira Kazhani: Si ai prezantim. Me thyerje? Me kurbën që lëviz?

Ylli Rakipi: Jo. Një pjesë e gjërave ishin të miat siç ndodh në të gjitha jetët.

Mira Kazhani: Si do t`ia prezantoje në fakt veten tënde, një të riu që nuk të njeh? Që nuk të ka lexuar; Që nuk të ka ndjekur; Që nuk sheh televizion; Që nuk e di që ti je Ylli Rakipi.

Ylli Rakipi: Me këtë kategori njerëzish, njeriu nuk prezantohet, sepse ata nuk ekzistojnë. Ose ekzistojnë vetëm biologjikisht.

Mira Kazhani: Jo s`është e thënë. Mund të jetë një 20-vjeçar që mund të jetë inteligjent, mund të jetë gjeni dhe thjesht nuk të njeh.

Ylli Rakipi: Absolutisht. Po në Shqipëri ka shumë kështu. Mua më vjen mirë kur ka të rinj që ndalojnë dhe thonë që e ndjekin programin. Këta janë edhe 18-vjeçar. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë për mua. Po asnjëherë nuk shqetësohem si ta paraqes veten tek dikush. Në fakt unë kam një rregull timin. Tani jam mbi 60 vjeç dhe kam një rregull të rëndësishëm. Unë jetoj për vete.

Mira Kazhani: Kur e ke kuptuar këtë?

Ylli Rakipi: Gjithmonë!

Mira Kazhani: Gjithmonë ke jetuar për vete?

Ylli Rakipi: Gjithmonë kam jetuar për vete dhe nuk jetoj asnjëherë për të tjerët. Besoj që kjo është një gjë shumë e rëndësishme për njeriun, por është edhe një gjë shumë e vështirë. Sa kam mundur ta realizoj këtë gjë, unë nuk e di.

Për ta zhvilluar më tej pyetjen që bëni ju për të rinjtë, Shqipëria është një amalgamë. Ne kemi të rinj shumë të mirë, që ikin, largohen, shkollohen, përpiqen shumë. Punojnë edhe kamerierë në këtë moshë, dhe kamerierë dhe në shkollë. Bëjnë një jetë shumë të vështirë dhe shkollohen në fund. Pastaj ka njerëz të tjerë që shkojnë gjoja shkollohen, ose edhe këtu. Në këto 30 vjet janë ngritur dhjetëra shkolla, dhjetëra e dhjetëra shkolla që nuk u shërbejnë atyre, por marrin diplomat dhe i futin nëpër xhepa. Prindërit e tyre kënaqen me këtë gjë, që kanë dy-tre diploma dhe nuk dinë të futin fjalën e tretë në fjali. Dhe Shqipëria është e mbushur me këtë kategori më shumë. Po ndoshta ky është tranzicioni që po vazhdon gjatë. Ndoshta kjo shoqëri jemi, kaq e dobët, kaq e varfër dhe kaq primitive. Ne të gjithë jemi nga pak primitivë. Kjo është një shoqëri shumë e prapambetur. Mua më vjen keq për këtë gjë. Jemi realisht një shoqëri e tillë dhe të rinjtë bëjnë fare pak. Ju e keni parë për shembull nëpër Facebook e nëpër Instagram mbizotërojnë makinat e njerëzve bosh, e njerëzve të kamur.

Mira Kazhani: Nuk janë të rinjtë, janë prindërit, janë kolegët tanë, jo në gazetari, por moshatarë të tutë dhe ndoshta edhe të mitë.

Ylli Rakipi: Jo janë në përgjithësi këta që kanë marrë paratë e vendit i administrojnë më shumë ata dhe i përdorin si duan ata. I përdorin shumë keq edhe për fëmijët e tyre. Nejse kjo është një çështje tjetër e madhe, por si do t`i prezantohesha? Unë përgjithësisht nuk kam fuqi të prezantohem vetë. Ndoshta prezantohem me ndonjë gjë nga ato që bëj.

Mira Kazhani: Si i ke shpëtuar vetë si prind këtij rrengu? Që të mos biesh në grackën e atyre fëmijëve të përkëdhelur me diploma, me makina. Si ia ke dalë? Ka shumë prindër që ankohen se thjesht kanë dështuar, jo se kanë dashur.

Ylli Rakipi: Unë s`kam dashur asnjëherë t`u them fëmijëve që duhet të bëjnë atë që dua unë. Ata vetë kanë zgjedhur. Kanë jetuar në një familje me mua. Edhe vetë kanë zgjedhur. Unë i kam lënë që ata të zgjedhin. Dhe ndoshta janë të gëzuar për këtë. Kaq.

Mira Kazhani: Jetojnë në Shqipëri apo jashtë? Vajza është mes Tiranës dhe Londrës. E këshillon të rrijë atje apo të kthehet?

Ylli Rakipi: Jo, nuk i them asnjë gjë.

Mira Kazhani: Ajo si ka dëshirë?

Ylli Rakipi: Nuk e di se nuk e pyes. Zakonisht nuk hyj në këtë histori. Përgjithësisht nuk më pëlqen edhe të flas për këtë.

Mira Kazhani: Ok, nuk do shkojmë tek familja. E kuptoj që ke dëshirë ta mbash dhe shumë mirë bën.

Ylli Rakipi: Ata kanë jetën e tyre private dhe unë e respektoj atë. E respektoj shumë.

Mira Kazhani: Si gazetar dhe si njeri i jetës publike, çfarë do t`i thoje ti të rinjve, të rrinë në Shqipëri apo të ikin? Çfarë i duhet Shqipërisë më shumë tani?

Ylli Rakipi: Jo nuk i duhet. Me këtë politikë që kemi ne, nuk iu duhet, nuk kam çfarë t`iu them. Nuk u them dot rrini këtu. Po dhe goja nuk më thotë, t`u them ikni. Ndodh ndonjëherë që bërtas edhe në emisionin tim që këtu ikën, këtu s`mbeti njeri, por s`e di. Nuk është se kujdeset njeri për vlerat, për të rinjtë që duhet të vijnë. Ju i shikoni luftërat politike që bëhen tani. A do të rikthehet Sali Berisha? A do të bëhet ky, a do të rrijë ky? 5, 6 veta që kanë bërë politikën shqiptare në 30 vjet, domethënë është shumë e çuditshme dhe nuk ndodh as në vendet më të pazhvilluara.

Mira Kazhani: Ju i njihni mirë këta personazhet dhe protagonistët e politikës. I njeh që në vitet ‘90, që me gazetën “Albania”. Unë e thashë pak edhe në prezantim, ke qenë afër tyre, mik pak a shumë me të gjithë nga një herë, për kë je penduar më shumë?

Ylli Rakipi: Jo s`kam asnjë pendesë. Hera herës ata kanë qenë miqtë e mi, hera herës, gjithmonë ta them në mënyrë metaforike, armiqtë e mi. Ndodh që kam pasur edhe përplasje shumë të rëndësishme me ata. Ju nënvizuat, ndoshta ju duhej për intervistën, pjesën e miqësisë, por nuk është e madhe ajo. Pas publikimit të aferave apo përplasjeve thjesht për idetë me të tjerët, jam ndarë në një mënyrë që nuk jam bashkuar më kurrë.

Mira Kazhani: Si është të kesh shok një kryeministër? Çfarë bisedash bëhen me një kryeministër? Për shembull, si ishte miqësia me Sali Berishën? Si është me Edi Ramën?

Ylli Rakipi: Asnjë kryeministër nuk është mik me gazetarët.

Mira Kazhani: Po gazetarët janë me ta? Duan të jenë?

Ylli Rakipi: Tani ti po bën një pyetje që do shumë fjalë për t`u përgjigjur. Po bën pyetje për median në përgjithësi? Ç`ndodh me median?

Mira Kazhani: Jo, për gazetarët e nivelit tënd.

Ylli Rakipi: Epo ata bëjnë sot median. Unë bëj thjesht një program. Kolegët e mi të televizionit të parë janë pronarë të rëndësishëm sot, edhe ca të tjerë, që s`po ua them emrat. Ata janë miq të qeverisë. Janë me Edi Ramën 95% sot, nesër po të mos jetë Edi Rama, por duhet ta rrëzojnë disa të tjerë Edi Ramën, ata presin tek korridori dhe kalojnë me qeverinë tjetër që vjen. Presin radhën aty dhe kalojnë përsëri. Kjo është media shqiptare. Pronarët që diktojnë gjithçka në këtë media. Dhe raportet mes gazetarëve dhe jopronarëve, (gazetarëve), në pjesën më të madhe kanë qenë konfliktuale. Po të duash unë të përmend raste të panumërta nga kolegët e mi, gjithë kolegët. Afria është një dukuri, si të thuash, si përpara luftës. Përplasja ka qenë se të gjithë mbrojnë istikamin e vet.

Mira Kazhani: Ishim tek kryeministrat të cilët në fakt në njëfarë forme i akuzove si njerëz që e kanë mbajtur peng këtë vend. Cili prej tyre i ka bërë më shumë mirë dhe kush i ka bërë më shumë dëm Shqipërisë?

Ylli Rakipi: Tani unë nuk lëshoj receta për këtë punë, por përgjithësisht nuk i kanë bërë mirë. Më shumë kanë parë për veten. Nuk janë vetëm shqiptarët. Ky është një sistem që nuk funksionon. Sistemi demokratik, sistemi i garës, në Shqipëri është jofunksional. Dhe në këtë pikëpamje ata kanë punuar për vete. Është shumë e vështirë të gjesh në perëndim, atje ku duam të shkojmë ne, një vend, ku njerëzit më të pasur janë politikanët dhe biznesmenët janë kredimenë. Domethënë, janë më të varfër biznesmenët se politikanët shqiptarë. Ti e di këtë, apo jo?

Mira Kazhani: Po Donald Trump nuk ishte i varfër.

Ylli Rakipi: Jo, nuk po flas për Donald Trump. Po flas për Donald Trump-ët në Shqipëri. Po fole për Donald Trump është tjetër punë.

Mira Kazhani: S`është e thënë, mund të ketë dhe të pasur. Po në Shqipëri u bënë të pasur si politikanë, ky është problemi.

Ylli Rakipi: Nëse ti vjen si i pasur në politikë kjo s`ka asgjë të keqe. Po nëse ti vjen dhe pasurohesh si politikan, ky është problemi.

Kështu që unë nuk kam receta sot.

Mira Kazhani: A ka një përgjegjësi media?

Ylli Rakipi: Më pak nga të gjitha. Më pak se të gjithë, përgjegjësi ka media.

Mira Kazhani: Po kush e ka? Se i bie ta kenë njerëzit dhe shoqëria, po shoqëria s`ka faj se shoqëria dëgjon parlamentin dhe lexon titujt tanë.

Ylli Rakipi: Shoqëria ka shumë faj, se kjo është shoqëri komplet dele. Kjo është një shoqëri që del edhe thotë ‘Azem, ti je gjallë’. E ke parë ti që doli ai miku im, do dal dhe vetëm tha, në pazar. Doli për të demonstruar për problemet që ka vendi dhe shoqëria, për problemet që ka njeriu, për hallet e përditshme, pak njerëz e ndoqën mbrapa. Po të dalësh për partitë dalin të gjithë. Ky është një defekt i njerëzve. Është defekt i gjithë shoqërisë. Institucionet që krijohen kthehen shumë shpesh në diktatoriale, autoritare dhe Evropa Lindore është më së shumti autoritare, Ballkani është më së shumti autoritar. Po shoqëritë i kanë fajet. Për shembull, në Britani është shumë e vështirë. E di si e marrin këta që udhëheqin këtu? I ke në Tamis, të mbytur. Për 24 orë i marrin dhe i mbytin aty, në qoftë se u shfaqet ky lloj lidershipi që ka drejtuar Shqipërinë në këto 30 vjet. Të keqen e pjell vetë shoqëria. Dhe nëse kemi media të keqe, nëse kemi politikë të keqe kjo është pasqyra. Këtë e ka krijuar shoqëria jonë. I kemi prodhuar ne të gjithë, unë, ti, dhe ne që dalim këtu dhe bëjmë gjithë këto deklarata, mbajmë fjalime edhe ne i kemi prodhuar. Ne i kemi ndihmuar, të gjithë bashkë dhe kjo është një shoqëri primitive, më së shumti. Ne jemi një shoqëri primitive. Faik Bej Konica thoshte dikur shqiptari nuk vritet për një ideal. A i ke dëgjuar kronikat ti? Në kohën e Faik Konicës nuk kishte makina, vriteshin për një vijë uji, thotë Faik Konica, për një gardh. Tani e shtyp makina, bëjnë aksident, vriten, plagosen. Pra vetëm vrasja ta themi në mënyrë figurative është moderuar. Nuk është më për gardhin, por është prapë për këto elemente ordinere, gjithçka është ordinere a kupton?

Mira Kazhani: Cilët janë miqtë e tu të afërt në media?

Ylli Rakipi: Gazetarët e brezit tim, diçka më të vegjël se unë, 10 vjet më pas edhe një brez më prapa, janë miqtë e afërt.

Mira Kazhani: Mund të bëj një listë të tyre dhe të marr disa përkufizime të tuat? Për shembull, kam perzgjedhur disa prej tyre që janë le të themi të kohës tënde, me ndryshime të vogla. është Mero Baze, Blendi Fevziu, Andi Bushati, Baton Haxhiu, Armand Shkullaku, Mustafa Nano dhe Fatos Lubonja.

Ylli Rakipi: Po Fevziu është një mik shumë i mirë. Ndryshe nga ne të gjithë Fevziu nuk përgojon njerëz dhe kur ulemi me shaka, edhe kur ulemi për të qeshur, për të kaluar kohën, Fevziu kurrë nuk thotë një gjë për tjetrin, edhe kur është me shaka, është njeri i kujdesshëm. Por ka problemet e veta dhe Fevziu siç i kemi të gjithë, por ne i pranojmë njerëzit ashtu siç janë. Për shembull, kemi caktuar që Fevziun do ta pranojmë kështu siç është. Ata mua ndoshta më pranojnë kështu siç jam.

Mira Kazhani: Mos i mbetet qejfi që thua kështu siç është? Se duket sikur...

Ylli Rakipi: Jo, është njeri shumë i mirë, por ka gjërat e veta, që ndoshta s`na pëlqen një pjesë ne, por kjo s`ka lidhje.

Mira Kazhani: Andi Bushati?

Ylli Rakipi: Bushati është një ekzemplar, është shumë interesant, një çun shumë origjinal, gazetar shumë i mirë. Bushati është një djalë pa kompromis në media. Është një gazetar shumë i zoti, se zotësia nuk është tek profesioni, se gazetaria nuk është një profesion Mira. Për shembull këtu ka që kanë mbaruar gjeologji-miniera dhe janë më gazetarë se gazetarët.

Mira Kazhani: Si Mero Baze e kishe fjalën? Ashtu ka mbaruar?

Ylli Rakipi: Po edhe të tjerë, edhe shumë të tjerë. Mero është një gazetar shumë i zoti, përplaset shpesh. Me Meron mund të jesh i konfliktuar për një kohë shumë të gjatë, pastaj befas nuk je, mbaron afati. Merua e ka kështu për shembull, ka disa vjet afatin që konfliktohesh me të, mbaron këtu; e kyç ai atë dhe merr një tjetër e vazhdon me atë. Kjo ndoshta duhet rikuperuar me kalimin e kohës, por Merua është një gazetar shumë i zoti.

Mira Kazhani: Baton Haxhiu?

Ylli Rakipi: Të them të drejtën e njoh shumë pak dhe nuk është se kam ndonjë konsideratë, ose jokonsideratë. Ose si ta them, nuk di të flas për këtë. E kam njohur shumë vite më parë kur u hap fjala në kohën e Luftës në Kosovë që u vra Veton Surroi dhe shqiptarëve u erdhi shumë keq, por pastaj siç ndodh gjithmonë në luftë, u përgënjeshtrua kjo, që u vra Vetoni dhe thanë, u vra Batoni.

Në fakt nuk kishte ndodhur me asnjërin për fat të Zotit lart. Batoni doli nga ishte futur, sa mbaroi lufta dhe pastaj unë e kam takuar për herë të parë me Fevziun tek Rogneri, me pantallona të shkurtra, në pranverë të ftohtë, shumë të ftohtë. Por thashë meqë liria kishte ardhur tani me dimensione të mëdha, shumë të mëdha në Prishtinë nuk pyeste as për të ftohtin. Dhe pastaj kështu e kam njohur. Herë me pantallona të shkurtra, herë me të gjata, në verë.

Mira Kazhani: Armand Shkullaku?

Ylli Rakipi: Për Shkullakun unë do të jem subjektiv në gjykimin tim, sepse e kam shumë mik. Është një nga miqtë e mi më të mirë dhe më të afërt.

Mira Kazhani: Fatos Lubonja?

Ylli Rakipi: E kemi konsideruar njëri-tjetrin. Kemi pasur vite më parë edhe ndonjë përplasje nga mënyra si vështrojmë. Njeriu është në lëvizje gjithmonë dhe ndodh që për gjëra të ndryshme, të ketë mendime të ndryshme në kohë të ndryshme.

Mira Kazhani: Mustafa Nano?

Ylli Rakipi: Nano është një mik i mirë i imi.

Mira Kazhani: Kujt do t`ia lije çelësin e shtëpisë nga këta personazhe?

Ylli Rakipi: Zakonisht unë kam njerëz në shtëpi.

Mira Kazhani: Hipotetikisht është si pyetje.

Ylli Rakipi: S`e di këtë. Po zakonisht dera mbyllet. Në çdo rast, çdo njeri e mbyll derën. Për shembull ti ia lë njeriu çelësin e shtëpisë? Shoqeje?

Mira Kazhani: Një njeriu që i besoj do t`ia lija patjetër. Një shoqeje të vërtetë do t`ia lija.

Ylli Rakipi: S`e kisha menduar këtë gjë.

Mira Kazhani: Tani atë humorin e ke të qëllimtë në emision apo e bën seriozisht?

Ylli Rakipi: Unë do ta them realisht, meqë është një pyetje shumë e mirë për mua. Ai nuk është një humor. Ai është një humor i zi, sepse ne jemi një shoqëri shumë e mbaruar. I gjithë ky grotesk Mira, nuk është i lidhur me humorin. Ky është një humor i zi që luhet mbi këtë vend. Unë kam edhe një rubrikë.

Mira Kazhani: E ke pasur që tek "Albania"?

Ylli Rakipi: Rubrika e Faik Konicës. Tani unë nuk e bëj dot si Faik Konica, por përpiqem ta bëj diçka. Këtu mund të shikosh gjëra që nuk i shikon në asnjë vend tjetër të botës. Nuk i shikon në Afrikë. Një pjesë e rilindasve tanë kanë një problem shumë të madh se ata e kanë himnizuar shqiptarin. Konica ka bërë të kundërtën. Nuk e donin se ky ka thënë të gjithë të vërtetat. Ç`jemi ne dhe ç`bëjmë. Ndërsa të tjerët e kanë himnizuar shqiptarin. Një figurë e madhe.

Mira Kazhani: Na pëlqen pak tallja. Edhe ti e ke kapur këtë tek emisioni, që njerëzit sa më shumë t`i tallësh, aq më shumë e pëlqejnë.

Ylli Rakipi: Jo, jo, në pjesën dërrmuese. Nga intervistat më të mira që kam unë janë me Edi Ramën. Është ndoshta kryeministri më i zotë që unë kam njohur këtu. Shumë i vështirë. Duhet të përgatitesh shumë. Unë përgatitem, ia thashë njëherë kur dolëm nga intervista e fundit, përgatitem për problemet ekonomike (ku nuk jam ekspert), me ekspertë shumë të mirë, deri në 10 ditë. Që duke ditur dhe çfarë do më thotë dhe çfarë do t`i them unë, që të mos dalë bosh. Dhe është njeri shumë i zoti e unë realizoj intervista shumë të mira. Por edhe me të tjerë. Ndërsa dukuritë e tjera, kur kjo shoqëri tregon sa e kalbur dhe e dekompozuar është, ne si gazetarë kemi për detyrë Mira, edhe ti e ke, edhe ti je pak cinike, se nuk e shikon ti, vetë nuk duket, edhe ti je pak cinike je.

Mira Kazhani: Nuk e mohoj.

Ylli Rakipi: Je, je. Je tani se unë e shoh. Edhe e drejtë ajo që shkruan, e shkruan mirë shumë, por duket ajo pjesa brenda cinizmi e të gjitha këto, po mirë bën. Ashtu e ke. Se është tharmi që ti ke, pjesa që ke. Dhe në këtë plan, emisioni im nuk ka kufij të tillë, a do ta kemi sot me humor?

Mira Kazhani: Të them të drejtën politika në Shqipëri meriton edhe del siç është, me fytyrën e saj të vërtetë, në emisionin tënd. Unë jam ndjekëse e emisionit tënd.

Ylli Rakipi: Mua më bëhet qejfi që ma thotë një gazetare e zonja.

Mira Kazhani: Në fillim e thashë diçka, por guxova, sepse është disi shumë personale pate një moment të jetës para disa vitesh kur luftove me shëndetin. Ylli, kur njerëzit kanë një problem shëndetësor dhe iu duhet të luftojnë, ndoshta edhe për jetën e tyre, çfarë reflektimi pate në këtë periudhë të jetës?

Ylli Rakipi: Është pyetje interesante për mua, meqë kam pasur diçka 5 vjet më parë. Vjen një moment kur vjen kjo gjëja, mos i ndodhtë asnjë njeriu, kur mendon që kaq ishte dhe njeriu duhet të pajtohet edhe me realitetin, me gjërat. Është e pabesueshme. Mendon se nuk ndodh. Është një luftë psikologjike e niveleve të jashtëzakonshme. Pastaj befas fillon të luftosh. Dhe këto janë nga luftërat më të vërteta që mund të bëjë njeriu në jetën e vet. Dhe ndodh që fiton.

Mira Kazhani: Cila është e bukura e Shqipërisë? Ajo gjëja më e mirë që ka Shqipëria, që s`e gjen në asnjë vend të botës? Në kontekstin social, mos u merr me natyrën.

Ylli Rakipi: Unë kur ikja disa kohë në Londër, një muaj, dy muaj, disa muaj dhe nuk kthehesha këtu, më hipte një shqetësim i madh që duhej të isha këtu. Pra, kjo që keni ndërtuar ne, sado ta shajmë, është e jona dhe të gjitha të këqijat që përmendëm dhe nuk i përmendëm, edhe të mirat që nuk i përmendëm, janë krijimi ynë.

Mira Kazhani: Në këtë intervistë, le ndonjë gjë pa thënë? Të mbeti mendja diku? Mos bëre ndonjë gjë gabim? Mos the ndonjë gjë që s`duhej?

Ylli Rakipi: Jo, jo absolutisht. Zakonisht unë them gabime. Nëse kjo gjë nuk është bërë, pas disa kohësh bëjmë prapë.

Mira Kazhani: Faleminderit Ylli Rakipi!

Ylli Rakipi: Unë të uroj gjithë të mirat! Të uroj për site-in, që është një site i ndërtuar shumë mirë Tiranapost, por edhe për iniciativën që ke për këto intervista që bën me njerëz të ndryshëm për të sjellë sa më shumë karaktere, të cilat e ndihmojnë ndonjëherë më shumë seç ndihmon kjo zbraztia e tryezave të panumërta që ne kemi në media!

*Ndalohet ribotimi i kësaj interviste pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email [email protected]