Histori Personale

Urban, Shën Valentini pajton Metën me Donald Lu

Urban, Shën Valentini pajton Metën me Donald Lu

Nga “Fatorinoja”/

Nji ditë ke me i thane t'du përgjithmonë

atij që dashuron at' ditë.

E rrugës tone ka me dale bar e hitha,

flutura e insekte, e paketa cigaresh boshe kanë me hedhë,

e ditëve n'verë ka me shndrite nji luge drite

si pellg emocionesh që për oqean e patëm ditë.

Nji dite micat kane me u lpi,

mbi dheun që mblon kohën tonë,

e n'lule t'çilun kane me u pa, e pluhun

e letra karamelesh, e tapa shishesh fmija kane me gjete.

Veç ka me mbet, te ti nji kujtese e fikun,

e pak nostalgji, se nji herë Boten e patëm pa,

me sy njerëzish plot dashni.

Mu kujtua ajo shushka që e kisha dashur aq fortë tek po mundohesha t'i vija sipas radhës këto vargjet. Lidha këpucët. Hodha e nga shishja e vjetër e parfumit sot. Parfumin që për inat të saj nuk e përdorja më por më pëlqente shumë për dreq. U krekosa, si rrallëherë mëngjeseve. Nuk kisha arsye për tu krekosur, por duhet një farë vetëbesimi në mëngjes për t’ia dalë me gjithë atë ditë të pafundme.

E gjeta veten në stacion. Ditë dashurie. Por mëngjesi nuk linte ndonjë shenjë dashurie. Të gjithë veshur për në punë e kokulur. Beftë , më lind një mendim i trishtë: A dashurojnë hallexhinjtë?

-O ti çuni , shtyhu andej boll me ndenje si statuje ke dera

Vazhdoja ëndërroja...

-Ju ka budallepsur dashuria e Facebook juve të sotit , rrini si hunj tek dera! Se nga duhet të futen njerëzit...

Po përtoja t’i përgjigjesha, isha i drobitur mendërisht. Vendosa kufjet, rruga mu duke e gjatë, por rezistova.

***

Buqeta me lule, djem që turpërisht mbanin në duar lule. Vajzat që krenoheshin që kishin marrë një dhuratë. Eh dashuri për një ditë. Milet i madh në stacion. Mes njerëzve ngjeshem diku.

-Për këta të rinjtë është Shën Valentini, se në kohën tonë s’kish kështu gjëra.

I buzëqesha një të moshuare.

-U pajtuan o Besim, u pajtuan. I vajti sot Lu-ja në zyrë. Pastaj i tha që është burrë i mirë.

-Ore, nuk është kot ajo shprehja “Ilir Meta, e vërteta”. Me thënë të drejtën unë kisha dëgjuar Skëndero se atë do e arrestonin.

-Po kush e arreston atë more, i ka futur gjithë njerëzit në punë.

Dikush tjetër që kishte një muhabet ndryshe nga Shën Valentini.

-Po Ilir Meta tani kërkon të bëhet kryeministër, Skëndero

-Jo mo jo, nuk e lë njeri

-Djali ti, abone apo biletë?

-Abone, zotëri...

-Shiko, Xhesi... Shiko sa të bukur ma ka bërë

-Po në darkë, ku do shkoni mi? Apo...

-S’më ka thënë gjë, do ma bëjë surprizë më duket.

Trafiku sa vinte dhe rëndohej. Po ashtu dhe era e parfumit të njerëzve. Lloj- lloj. Më duhej të rezistoja. Dhe ashtu bëra, deri në fund.

-Ika, Skëndero... Duam apo nuk duam ne, Likja do hajë. Na ka ngrënë, e do hajë. S'ke ça i bën.

-Dihet ajo dihet, po mendoja se këta amerikanët...

-Rruga e Elbasanit, hajde zbrisni!

(E martë, 14 Shkurt 2017)