Nën lupën e Stela Sallakut

Vajza me rreth që më bëri të kthej kokën

Vajza me rreth që më bëri të kthej kokën

Më ka ngelur në mend ai rrethi jeshil smerald me gurë i asaj vajzës që ishte ulur dje përballë meje. I vetmi grim që kishte ishte buzëkuqi koral, thuajse në të kuqe dhe pak rouge në faqe. Nuk e di pse mē ngeli në mend. Ndoshta se sëfundmi kam parë vetëm njerëz të trembur me pizhama, me flokët lidhur çrregullt dhe çorape me arushë. Të gjithë të trembur nga tërmeti, e të strukur tek kafenetë e lagjeve, me shpresën se aty nuk do t’i gjejë asgjë e keqe.

Më kishte marrë malli të shihja një vajzë të kuruar, simpatike dhe me detaje në veshjen e saj. Më frymëzoi dhe mua të vendos rreth sot. Se kam disa që ende si kam vënë, të zinj, floriri apo rozë. Madje, më solli dhe Katerina Zoto, një mikeshë e imja, dy rrathë të personalizuar. Përveç trendit, aksesorët e flokëve janë kaq të bukur e dominantë, sa mund të zbukurojnë edhe veshjen më minimaliste.

Moda ka treguar se përsërit veten pas një farë kohe. Ashtu si dhe rrathët që ishin dikur must, rreth viteve ‘90, tani i shohim të stiluara pak më ndryshe. Kombinohen me triko të leshta, me kostume, ne pantallona dhe jelekë.

Por dhe nëpër zyra mund t’i mbajmë. Me ato këmishat e qëndisura, apo me jaka gjysmë golf.

Krijimi më i bukur mendoj se janë rrathët me perla. Kombinojini me kostume të zinj ose bezhë.

Meqë i jemi rikthyer dhe kostumeve lëkurë, mbani një rreth të trashë për të plotësuar look-un. Krijoni kombinime të veçanta, me stil që do t’i bëjnë njerëzit të kthejnë kokat, si unë dje./Tiranapost.al