Videopodcast

Po u këndojmë vetëm të rinjve, të tjerët i kemi lënë pa muzikë

Po u këndojmë vetëm të rinjve, të tjerët i kemi

Mira Kazhani: Në këtë video podcast kam një të ftuar që ka edhe audion e mirë, edhe videon. Është një artist i talentuar. Shumë i dashur. Ai erdhi si emigrant dhe u zgjua njeriu më i admiruar në Shqipëri brenda ditës. Tani dalin shumë më shpesh yje, por ai është një yll që e ruan identitetin e tij dhe unë për këtë e kam ftuar më së shumti.


Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Faleminderit Alban Skënderaj!

Alban Skënderaj: Faleminderit ty për ftesën!

Mira Kazhani: Rrofsh që i the Po!

Alban Skënderaj: Është kënaqësi!

Mira Kazhani: Nuk isha shumë e sigurt se e shikoj që je tërë kohës në udhëtime duke kënduar.

Alban Skënderaj: E vërtetë! Tani sidomos kjo periudhë është pak e ngarkuar, por ka gjithmonë kohë për të ndarë ca mendime të mira edhe për të folur me miq si ti.

Mira Kazhani: Në fakt ideja ime ka qenë gjatë gjithë këtij viti që të gjej artistë të kalibrit tënd, me këtë sukses, me atë lloj adhurimi tek të rinjtë, edhe tek ata që ndoshta s`janë shumë të rinj - se po rritemi… u bëre edhe ti ca vite në skenë – që të flasim jo për showbiz. Jo për tekstet e këngëve dhe jo për skandalet, por të flasim pak për Shqipërinë sot, për filozofinë e jetës, të rinjtë, fëmijët, familja. Ti je dhe një babi tani i një goce dhe një djali, kështu që unë them që kemi shumë gjëra për të ndarë sot.

Alban Skënderaj: Unë prandaj erdha, se për showbiz, ti e di, unë në përgjithësi nuk jam shumë i interesuar. Të paktën tek pjesa e asaj sipërfaqes, fasadës. Gjithmonë jam marrë pak më shumë me thelbin. Kur ke mundësi që të elaborosh një mendim dhe të flasësh për tema që ndoshta të rrisin ty si njeri, por ndikojnë deri diku edhe tek shoqëria, atëherë është diçka që gjithmonë ia vlen, patjetër.

Mira Kazhani: Unë e them me humor ndonjëherë që këngëtarët janë mësuesit dhe edukatorët e jetës së natës. Mesazhet që ata çojnë tek të rinjtë që i ndjekin, i duartrokasin, pijnë një birrë a një koktej duke kënduar këngët e tyre, duke dëgjuar tekstet e tyre, i edukojnë ata.

Alban Skënderaj: Ashtu është. Mbas natës vjen dita. Kështu që është shumë e rëndësishme se çfarë akumulon gjatë natës për ta shpalosur pastaj gjatë ditës. Unë mundohem të jem një “mësues” i rinisë, edhe i ditës. Madje do thoja më shumë i ditës sesa i natës. Po kjo është një zgjedhje e imja si artist, e cila më shoqëron prej kohësh. Pra nuk e kam parë muzikën si një mjet thjesht për t`u dëfryer, që nuk ka asgjë të keqe. Se muzika është dëfryese, është zbavitëse, por unë jam munduar të shikoj pak përtej. Siç the dhe ti, mendoj që muzika është një mjet i fortë mesazhi. Një mjet i fortë ndikues tek jeta e njerëzve. Mendoj që muzika në atë subkoshiencën, në atë sublimen e saj ka një ndikim të jashtëzakonshëm tek njerëzit, një ndikim joracional, diçka instinktive që muzika e bën me shekuj. E shoqëron njerëzimin me shekuj. Të arrish midis këtij instinkti të fortë që njeriu ka, të përcjellësh dhe diçka, të fusësh doza të vogla mesazhesh, ndërgjegjësimi, kurajoje apo thyerje akulli të një historie të caktuar, mendoj që është një mjet shumë i fortë për të ndikuar drejt tek jeta apo qoftë edhe tek shpirti, zemra e një individi. Nuk kam dashur kurrë ta shoh muzikën si një gjë kaq të lehtë, kaq sipërfaqësore. Unë mendohem t`i kombinoj të dyja gjërat. Patjetër muzika është edhe adrenalinë. Unë e shijoj atë pjesë shumë, por muzika ka shumë ngjyra dhe mirë është që ne t`i ndezim të gjitha ato ngjyra.

Mira Kazhani: Kur erdhe ti nga Italia, ne ishim ende romantikë. Bota ishte ende romantike. Nuk kishte Facebook. Nisën pak më vonë të gjitha këto teknologjitë, shumë selfish që njerëzit rrotullohen si ciklon rreth vetes… Tani tekstet po ndryshojnë. E thashë dhe në fillim, ti po përpiqesh, po lufton t`i qëndrosh identitetit tënd të teksteve me mesazh, me përmbajtje për dashurinë, por edhe për shoqërinë, si po ia del në një treg ku tekstet e dhunshme, tekstet “Çoma fustanin…” (qesh) – se unë nuk i di mirë këto – janë shumë të preferuara. Dhe do ma shpjegosh pse janë të preferuara.

Alban Skënderaj: Them që është çështje filozofie. Pastaj çështja e preferencave është pak relative. Në kuptimin që nuk janë të preferuara domosdoshmërisht tekstet. Është energjia që ato krijojnë. Është rrumbullakësia që ato krijojnë. Është memorizimi i tyre i lehtë, por jemi gjithmonë në botën e zbavitjes. Pra në botën e zbavitjes teksti nuk është më një element për t`u veçuar. Nëse thua “Ti, ti, ti…”, gjatë gjithë kohës, është një gjë që të mbetet. Nëse do t`i hyj pak më thellë muzikalisht, besoj që ty mund të të interesojë dhe të të pëlqejë. Muzikalisht ka ndodhur një fenomen interesant. Duke qenë se muzika është shtrënguar në esencën e vet, dikur u bë tre minuta edit radiot, Eurovizioni nuk duhet të kalojë 3-minutëshin, tani është bërë gati 1 e gjysmë. Domethënë ti në një minutë e gjysmë jep maksimumin tënd, sepse është stretch-uar aq shumë sa nuk ke më çfarë jep. Prandaj bëjnë dhe bashkëpunime shumë, se mbas një minutë e gjysmë hyn një tjetër, që të ketë një vibe të ri, sepse ti u konsumove tashmë.

Mira Kazhani: Pse ndodh kjo? Mërzitemi kaq shumë ne njerëzit tani?

Alban Skënderaj: Mërzitemi më shpejt, sepse kemi më shumë ofertë. Dikur muzika ka qenë buka, uji, mishi, peshku, gjithë tavolina. Tani ka shumë në tryezë edhe ofron shumë kjo botë. Ke Instagramin, ke rrjetet sociale, ke zbavitje të tjera, lojëra pafund, lojëra online, lojëra në shtëpi, aktivitete pafund, si të vegjlit, si të mëdhenjtë. Dhe muzika kërkon të mbijetojë. Flas në pavetëdije. Se kështu ecin gjërat. Kur e shikon në kuadrin e madh, ndodh diçka që as e kupton, por është një gjithësi gjërash që e çon muzikën të mbijetojë në atë lloj forme. Dikur, ty të kujtohet, kishte gjithmonë një instrument që luante, një solo kitarë, një saksofon dhe ai ishte momenti ndoshta më kulmor që zbaviste publikun. Tani ka ikur ajo…

Mira Kazhani: Ka ikur Lambada tani…

Alban Skënderaj: Po ka ikur Lambada dhe mundohen t`i bëjnë me gojë. Artisti ngaqë nuk ka kohë, do të marri më të mirën e një strukture të këngës e bën me gojë. Dhe automatikisht po t`i dëgjosh janë gati si instrumentale. Është si një instrument që thotë “Ti, ti”, “Ne, ne, ne” apo “Eja, eja, eja” bëjnë atë gjënë e cila është një instrument që ty të zbavit, por realisht nuk po të flet, nuk po të thërret, nuk po të jep ndonjë mesazh. Gjë që unë e kam pranuar përsa i përket pjesës tjetër, vetë pastaj vazhdoj luftoj. Kuptohet që është e vështirë. Nuk është e lehtë. Po unë jam shumë fanatik i tekstit i cili flet. Kështu që unë edhe në atë komercialen time, edhe në atë përshtatjen time në shumë materiale, mundohem që të jap një grimcë, qoftë poezi apo qoftë një frazë apo temë interesante. Ajo që unë vë re është që nuk trajtohen temat. Ky është problemi më i madh, sepse duke arritur në pikën që tekstet janë 10 apo 20 fjalë që po përdoren gjatë gjithë kohës, ti nuk ke më hapësirë të trajtosh tema. Pra të flasësh për një njeri, për një histori. Të flasësh për një gjendje, të flasësh për një situatë sociale, ose të flasësh për një histori të shkuar ndoshta të një faze të jetës.

Mira Kazhani: Pink ka bërë gjithmonë këtë dhe ka qenë shumë e suksesshme.

Alban Skënderaj: Ekzakt. Të flasësh për familjen… Janë gjëra që po t`i prekësh, njerëzit e gjejnë veten.

Mira Kazhani: Po ndoshta Maluma nuk bën tekste me mesazhe, kështu që varet.

Alban Skënderaj: Jetojmë në kohë të tilla.

Mira Kazhani: Alban, ty të mban në treg ende brezi im e ca më pak apo janë edhe të rinjtë që e pëlqejnë muzikën tënde? Ku mendon ti se e ke pikën tënde më të fortë? Me cilën moshë?

Alban Skënderaj: Unë mendoj që, madje është një nga gjërat që krenohem, mendoj që publiku im është shumë i larmishëm. Është i brezave të ndryshëm. E shoh në koncertet e mia, sidomos në recitale. Vijnë nga adoleshentë, ose fëmijë, deri tek gjyshërit. Shpeshherë vijnë edhe bashkë. Vijnë 3 brezat bashkë, pra nipi, djali ose çifti me prindërit.

Mira Kazhani: Nuk është se turpërohesh po të dëgjosh këngët e tua me mamin dhe me babin (qesh)

Alban Skënderaj: Ndihen komodë në këtë aspekt, patjetër. Po nuk është që mjafton vetëm ky. Nuk besoj që është vetëm kjo. Secili nga ata ka një qasje. Ka një lidhje. Ka një simpati ndaj këngëve të mia dhe ndaj meje ndoshta dhe si personazh. E shoh që është në miks shumë i këndshëm që mua më nderon dhe më jep krenari, sepse të arrish të bësh një gjë të tillë është vërtet sukses, edhe vërtet e vështirë. Kuptohet që ndoshta nuk jam në majë, tek të gjithë këta breza, po jam aty në mes dhe secili nga këta breza mua më jep diçka. E përjetoj shumë mirë. Më pëlqen shumë. Besoj që ia kam arritur qëllimit në këtë aspekt.

Mira Kazhani: Alban, si është publiku i sotëm? Vajzat dhe djemtë e rinj që ju ndjekin në Club-e, në disko, kudo që këndoni ju? Do më pëlqente një përshkrim i yti dhe kam bindjen që i ke parë edhe me këtë sy. Se nuk është se vetëm këndon. Një këngëtar i zgjuar, inteligjent, shikon edhe çfarë ka përreth.

Alban Skënderaj: Patjetër.

Mira Kazhani: Arketipin e vajzës dhe të djalit. Si janë vajzat? Si të duken ty për nga mënyra si bëjnë tualet, si vishen, si kërcejnë, si të shohin?

Alban Skënderaj: Ka disa aspekte. Vajzat e reja sot nga ana shpirtërore, muzikore, artistike janë shumë më të lirshme dhe më të sinqerta, ndoshta edhe pak më të lira emocionalisht. Për shembull ndaj këngëve që janë shpirtërore kanë një qasje me më pak komplekse. Djemtë… është një gjë e trashëguar. Shqiptarët e kanë që duhet të mos tregojnë dobësi. Të jenë pak më të fortë. Të jenë të rëndë ose stoikë.

Mira Kazhani: Vazhdojnë të rrinë me njëri-tjetrin grupe çunash dhe grupe vajzash bashkë? Po ndërthurremi? Po përzihen pak?

Alban Skënderaj: Po përzihen. Në këtë aspekt jeta e natës është emancipuar. Ka një lloj lirie tjetër. E shoh që ka një lloj qasje tjetër. E vërteta është që të paktën në këtë jetën e natës, të club-eve, mbizotëron ende dukja, veshja, qëndrimi, shishja, prenotimi, prive-ja. Ndoshta kështu do të jetë gjithmonë. Po unë mundohem të shoh pak përtej kësaj. Shoh qasjen artistike. Shoh qasjen njerëzore. Realisht vajzat krijojnë shumë atmosferë nëpër ambiente. Ndoshta më shumë sesa djemtë. Djemtë janë më shumë tek këto këngët që po thonim pak më parë, tek Hip Hop-i, tek gjërat pak më maço. Pak më të fortë. Po ky është club-i. Problemi që unë kam me club-in është që club-i nuk është i vetmi mjet matës i dëfrimit, i qasjes ndaj muzikës. E kemi bërë ne. 90% e artistëve shqiptarë kanë si fokus dhe orientim club-in, sepse aty ka para, ka pagesa, ka jetë, ka qarkullim, është një biznes. Dhe të gjithë fokusohen aty.

Mira Kazhani: Qarkullim parash dhe audience, vëmendje, bashkë të dyja.

Alban Skënderaj: Dhe pakuptuar, nuk e vërejnë të gjithë, qoftë edhe unë bashkë, që ndikohemi muzikalisht nga ajo atmosferë. Se aty kërkohet gjatë gjithë kohës adrenalinë. Dhe ne ndikohemi dhe bëjmë muzikë vetëm për club-e. Ndërkohë që unë nuk mendoj që ekziston vetëm club-i në një shoqëri, si formë dëfrimi. Unë mendoj që është një brez tjetër, që kërkon gjëra të tjera, por nuk i ofrohen.

Ndoshta ata mund të shpenzojnë edhe më shumë, se janë më të konsoliduar në jetë, janë më të rritur në moshë, kanë një punë të mirë, kanë një rrogë të mirë dhe nuk e kanë problem të paguajnë një biletë të mirë, ose të investojnë në një argëtim. Por kërkojnë diçka tjetër, më të sofistikuar. Është një fetë shumë e madhe e shoqërisë që nuk merret fare në konsideratë. Nuk mund të mbahet muzika vetëm me 20-vjeçarë. E imagjinon ti? Shoqëria nuk është vetëm 20-vjeçare. Për shembull, në club nuk ke përmbi 30. Nuk ke. Ke 25, 20, 27, 19. Aty i ke. Të tjerët çfarë bëjnë? Ku shkojnë? Presin t`u ofrohet diçka. Kur unë bëra koncertin në Pallatin e Kongreseve, nuk e prisja kurrë që do kishte interes. Nuk e prisja kurrë që do ishin 3 netë, diku tek 6500 bileta të shitura. Pse? Se kishte uri për diçka ndryshe, për diçka që përfaqëson ndoshta një brez tjetër, një nivel tjetër. Ç`rëndësi ka. Nuk po e marr vetëm në nivelin intelektual. Po thjesht mosha. Duhet pak guxim kam përshtypjen. Unë jam një nga ata që kam provuar ta bëj. Dua të provoj dhe patjetër do ta bëj dhe më shumë, që të orientohem në disa breza, zona dhe grupe të shoqërisë.

Mira Kazhani: Çfarë u thua këtyre të rinjve ti që sheh? Më pëlqeu ajo që the, vajzat më të hapura, më të lira. Djemtë ndoshta tentojnë, por prapë mbeten tek tekstet më macho. Kur i sheh që rrinë shumë në celular, kur i sheh që nuk po e shijojnë shumë veten e tyre dhe mbrëmjen. A përpiqesh t`u çosh mesazhe? Nëse të ka ndodhur ndonjëherë…

Alban Skënderaj: Unë jam natyrë që jap gjithmonë mesazhe. E kam si ves. Nëse do ta marrim si diçka negative. Unë edhe club qoftë, edhe duke pirë shampanjë nëse janë, unë gjithmonë jap mesazhe. Kuptohet që jam më sportiv aty. Ok, se jeta… jemi sot këtu… sot është e shtunë… zbavituni. Lëri telefonat, lëri komplekset, merre si terapi. Madje kam 2-3 këngë në fund i bëj gjithmonë si terapi. Për mua ato janë terapi dhe ua them. Me të qeshur u them: Do ta bëjmë si terapi. Është pak gallatë u them, është pak ndryshe, e di që jeni në club, po fundja club-i çfarë është? A është terapi?

Mira Kazhani: Terapi është. Terapi grupi madje.

Alban Skënderaj: Ua kam thënë dhe ua them shpesh. A shkohet në club për të nxjerrë gjithë streset e ditës apo të javës? A shkohet në club për të harruar?

Mira Kazhani: Po mua më duken pak të stresuar Alban. Se shumë të preokupuar sesi po duken, sesi po performojnë. S`më duken shumë natyralë. Ne nuk kemi pse të kthejmë patjetër vitet `90. Flas për të rinjtë, për publikun e sotëm që është shtrënguar disi. Mbase thjesht nuk e dinë. Se po t`u jepet mundësia… Ok, mbase ka ikur ajo kohë. Ka një lloj robotizimi. Nuk di ç`të them, por shpresa vdes e fundit.

Alban Skënderaj: Ajo që thua ti është një temë tjetër që unë e kam trajtuar në mënyrë historike. I kam hyrë pak më thellë. Ka një problem tjetër aty. Kam përshtypjen pse ka ndryshuar. Unë nuk mendoj që realisht ka ndryshuar diçka. Mendoj që janë përfshirë më shumë njerëz në lojë. Nëse dikur kur ne dilmin ishte një rreth më i ngushtë, ne na krijonte përshtypjen që ajo ishte Shqipëria. Në zonat rurale, në provinca, në periferi, në qyteza nuk dilnin, tani përshihen të gjithë.

Mira Kazhani: Kjo është gjë e mirë. Kjo duhet ta ndihmonte më shumë, jo ta shtrëngonte.

Alban Skënderaj: Është gjë e mirë, po edhe niveli ka nevojë ende të emancipohet.

Mira Kazhani: Teknologjinë nuk e fajëson pak? Sa ç`është e mirë, aq edhe ka krijuar këtë raportin egoist pak me veten, jo shumë social?

Alban Skënderaj: Po ka ndikuar jo për mirë teknologjia përsa i përket lakmisë. Njerëzit jetojnë gjatë gjithë kohës të karikuar nga të tjerët.

Mira Kazhani: Nga jeta e tjetrit.

Alban Skënderaj: Po janë të karikuar. Karikojnë njëri-tjetrin dhe është kthyer në modë. Ti duke u “karikuar” nga dikush fryhesh dhe do dhe ti të karikosh të tjerët. Është një botë shumë false, e cila po ndikon për keq. Po kur interneti erdhi, erdhi me të mirat dhe të këqija e saj.

Mira Kazhani: Si të gjitha.

Alban Skënderaj: Si të gjitha gjërat. Dhe na takon neve si njerëz, njerëzimit në përgjithësi të dimë të bëjmë diferencën.

Mira Kazhani: Edhe një gjë që më bën përshtypje dhe dua ta elaborojmë ndoshta shkurt bashkë. Mua djemtë e rinj më duket që ngjajnë të gjithë me njëri-tjetrin. Vishen shumë njësoj. I njëjti stil bluzesh. Markat që i tërheqin. Po edhe vajzat një lloj makeup-i, po edhe pak ato ndërhyrjet e vogla të plastikës që i kanë bërë të ngjashme me njëra tjetrën, ka një lloj mungese unikaliteti, ose asaj gjësë që qoftë edhe një defekt, dikë e bën më të bukur. A ke dhënë mesazhe të kësaj natyre? A të bën përshtypje si artist kjo mungesa e freskisë dhe natyralitetit?

Alban Skënderaj: Më bën përshtypje.

Mira Kazhani: Thuaju vajzave sot: Rrini siç jeni, se jeni të bukura!

Alban Skënderaj: Ashtu është. Ideja është që kjo është një nga gjërat që e kanë bërë rrjetet sociale.

Mira Kazhani: Filtrat e Instagramit… Duan të bëhen si filtri.

Alban Skënderaj: Ky ndikim i jashtëzakonshëm është i trishtueshëm, që të jesh aq naiv sa të gënjesh jo vetëm të tjerët, po të gënjesh edhe veten. Pra të pranosh atë filtrin… Nuk po flas për filtrat që janë light pak lëkurën. Dakord. Po janë ca filtra që shpërfytyrojnë. I bëjnë të gjithë njësoj. Duhet të jesh me të vërtetë shumë i dëshpëruar që ta pranosh dhe vetë gënjeshtrën. Nuk ka asgjë të keqe që të pranohesh ashtu siç je. Nëse ti arrin të bësh këtë, ke bërë gjysmën e punës në jetën tënde. Nëse ti arrin të pranosh veten, gjysmën e suksesit e ke arritur vetëm me një gjest. Për të ardhur keq është. Është një ndikim që njerëzit e kanë krijuar vetë midis njëri-tjetrit. E shoh edhe unë. Problemi i ndërhyrjeve pastaj është që një model, një model ka. Një model hunde, një model buze. Dhe në momentin që ti ke atë natyralitetin tënd, ato detajet e tua ti shkon dhe hyn në një seri look-u i cili është standard. Unë jam i bindur që edhe djem apo vajza që kalojnë midis kësaj faze, në një moment do ndërgjegjësohen. Madje unë shpresoj që ky brez i cili është më i involvuar në këtë lloj gjendje, do jetë ai brez… ne nuk na dëgjojnë shumë. Po jam i bindur që do dëgjojnë këtë brez, kur të vijë brezi tjetër, dhe do jenë pikërisht këta që do t`u thonë: Be youself! Mundohu të jesh vetvetja! Jam i bindur që do vijë një moment, nuk ka gjë më të bukur në jetë, nuk ka të vërtetë më të madhe në jetë, sesa të pranohesh.

Mira Kazhani: Sot në mëngjes se ku e lexova: Është arritja më e madhe në jetë të duash veten. Do kurajë të duash veten apo jo?

Alban Skënderaj: Do kurajë të duash veten, të pranohesh dhe të shkosh përtej look-ut.

Mira Kazhani: Flasim pak për familjen tënde. Ju ishit dy gjela. Dy të talentuar. Miriami këngëtare e talentuar në Gjermani. Me grupin e saj bëri rrugëtimin e vet prej ylli. Më pas të gjeti ty. Dhe lidhja me Miriamin të ka mbajtur larg showbizit, ty edhe Miriamin në njëfarë forme. Ose unë nuk kam lexuar asgjë rreth teje, përveç kënga e re dhe kur je bërë baba apo diçka të kësaj natyre.

Kam vënë re që Miriami është tërhequr. Ajo po merret me biznesin dhe po merret shumë me edukimin e dy fëmijëve, ndërsa ti ruajte raportin me skenën, me muzikën. Po e ndihmon Miriamin me djalin dhe me vajzën?

Alban Skënderaj: E ndihmoj patjetër.

Mira Kazhani: Kur e ndihmon? Në çfarë ore shkon në shtëpi? (qesh)

Alban Skënderaj: Unë mundohem të jem prezent në shtëpi sidomos nga ana edukative dhe shpirtërore. Të paktën tek pjesa cilësore. Kuptohet që nuk jam shumë prezent në organizimin e detajeve të përditshmërisë. Ka pafund detaje, edhe të nevojave të përditshme, duke qenë se kam pak ritme jashtë standardeve.

Mira Kazhani: Po, po. Jeta e natës, muzika. E marr me mend!

Alban Skënderaj: Po përsa i përket edukimit, përsa u përket problemeve emocionale, rritjes, anës shpirtërore, vendimeve të rëndësishme që duhen marrë, trajtimit të situatave, unë jam prezent aty. Mundohem të flas. Flas me fëmijët. Mundohem t`i edukoj. Mundohem t`u them Jo, atje ku është për t`u thënë Jo. Mundohem t`u shpjegoj pse ndodhin fenomene të caktuara. Mundohem t`u them pse është gabim diçka. Në këtë aspekt unë jam i pranishëm dhe harxhoj kohë.

Mira Kazhani: Me leje të Miriamit, nëse ajo do më thotë ta heqim, do ta heqim, por më pëlqeu shumë një rrëfim i vogël i saj, që më la të kuptoj për dashurinë dhe romanticizmin tuaj. Po edhe për prakticitetin dhe humorin e Miriamit. Takohemi shpesh në një vend ku bëjmë flokët, edhe e pyes për ty, I them: Si është Albani? “Po mirë”, -tha – “Albani e ka në terezi. Më thotë, më prit të pijmë një gotë verë të dy në shtëpi. Po unë lodhem se duhet të çohem herët me fëmijët. Duhet të çohem në 6 të mëngjesit, se vjen e nesërmja. Ja e pimë dhe gotën e verës. Po ai çohet në 12 të drekës. Unë jam çuar në 6 të mëngjesit dhe kalon në kuzhinë dhe thotë: Paskam një dhimbje koke sot.” (qesh). Po na tha Miriami, e heqim.

Alban Skënderaj: Është e vërtetë që unë për shkaqe pune dhe ritmi fle më vonë dhe në momentin që flenë fëmijët më duket sikur është i vetmi moment kur unë…

Mira Kazhani: Ku ke pak kohë me Miriamin. Mua kjo më pëlqeu më shumë.

Alban Skënderaj: Kohë me Miriamin edhe me veten time. Herë pas here e kemi këtë problem, sepse kemi problem oraresh. Ajo normalisht duhet të çohet herët edhe i është kthyer në rutinë. Po unë e kam pak si të shenjtë një 2-3 orësh kur fëmijët flenë, më duket sikur mund t`ia dedikoj vetes. Se gjatë ditës nuk ke kohë t`i dedikosh kohë vetes, po edhe nëse je në shtëpi, është një zhurmë e madhe. Dhe në momentin që të gjithë flenë, madje madje unë edhe punoj shumë natën, gjithë jetën time kam punuar shumë natën, se më duket sikur ka një paqe nata. Ka një magji nata, edhe pse nuk është e shëndetshme. Po nga ana shpirtërore ka një paqe dhe magji. Se në vetëdijen tënde ti je i ndërgjegjshëm që të gjithë po flenë. As në mënyrë indirekte nuk ke presion nga asnjë njeri. E di që s`do të bjerë telefoni. E di që asgjë s`po ndodh. Dhe në momentin që fiken të gjitha mendimet e tjera, ndizet frymëzimi. Fillon udhëton nëpër imagjinatë. Unë e përdor shumë këtë për të punuar. Po e shoh që fizikisht, por edhe nga ana sociale, familjare ka filluar të më krijojë pak probleme. Se humbas pastaj paraditen që ka bukurinë e vet. Mëngjesi ka bukurinë e vet.

Mira Kazhani: Të dhemb dhe koka pastaj në 12 të drekës. (qesh)

Alban Skënderaj: Normalisht. Edhe ajo është.

Mira Kazhani: E ke nervin e Vlorës ti?

Alban Skënderaj: Nuk do thoja. Kam unë ato të miat. Nuk është se jam pa gjë.

Mira Kazhani: Për shembull. Ma thuaj që e di që e ke një gjë dhe do doje ta korrigjoje.

Alban Skënderaj: Po ndonjëherë jam, vetëm në familje, pak i nxituar, dhe emotiv.

Mira Kazhani: Zevzek?

Alban Skënderaj: Po, mund të jem pak zevzek. Po e kam sidomos kur jam duke krijuar. Aty më shkatërrohet komplet ritmi, sepse nga një motiv që vjen, tek një bërtitje, tek pampersi, tek dera, tek përplasjet, tek qarja, unë jam kështu… Kohët e fundit kam reflektuar shumë. Se deri sa ishim vetëm me vajzën, mennaxhohej disi. Se unë kam punuar gjithmonë në shtëpi. Tani që ka ardh edhe djali, duhet të dal, duhet të gjej studio, duhet të gjej një ambient tjetër sepse është e pamundur.

Mira Kazhani: Ai është furtunë?

Alban Skënderaj: Ai është furtunë. Ndryshe nga vajza, ajo ka qenë e qetë. E lije në një vend dhe kur ktheheshe, mbas 10 minutash mund ta gjeje aty, mbas gjysmë ore, mbas një ore. Kurse ai do të prekë gjithçka. Do të përplasë gjithçka.

Mira Kazhani: Po kujt i ngjan?

Alban Skënderaj: S`e di. Të dy ne kemi qenë të shkathët, të vegjël. Kemi qenë pak të lëvizshëm. Kështu si tip pastaj më duket se ka më shumë nga Miriami. Vajza ka më shumë nga unë.

Mira Kazhani: Ke ti ëndrra që tani për fëmijët e tu?

Alban Skënderaj: Jo. Nuk kam ndonjë ëndërr që…

Mira Kazhani: T`i rritësh në Shqipëri. Mos t`i rritësh në Shqipëri. Të edukohen jashtë. Të shkojnë në Amerikë. Të shkojnë në Gjermani.

Alban Skënderaj: Nuk e di. Unë shpresoj që ata të kenë mundësinë të rriten në vendin e tyre, por me shpresat që këtu gjërat do vijnë duke u kthjelluar pak. Ndoshta duke u përmirësuar, sidomos nga ana shoqërore. Nga ana mendore. Nuk po flas vetëm nga ana ekonomike. Se mund të jenë ndoshta dy gjërat të lidhura. Po nga ana shoqërore, duhet të ketë më pak tension. Ka tension shumë shoqëria dhe kjo është një gjë që kur je prind e kupton dhe të mundon pak kur mendon për fëmijët e tu. Megjithatë neve jemi pozitivë. Kurse përsa i përket se çfarë duhet të bëhen ata, nuk e kam si synim këtë gjë. Unë e kam gjetur vetë këtë gjënë, besoj që edhe ata do të gjejnë vetë rrugën e tyre. A, nëse do kenë nevojë për mbështetje, patjetër që do jem aty 100%. Do jem aty t`i mbështes, por ata duhet ta gjejnë vetë rrugën e tyre. Unë për momentin jam duke i lënë të lirë. Të lirë të bëjnë çfarë të duan. Vajza po shkon 7 vjeçe. Filloi pak muzikën. Këndoi ca kohë. Tani s`po këndon. Nuk i themi asnjëherë asnjë gjë. Të bëjë çfarë të dojë. Edhe këto kurset e pianos që 6 vjeçe, që 5 vjeçe… Ka kohë. 6 vjeç të luajë piano. Më duket pas si ushtarake si gjë.

Mira Kazhani: Jemi bërë të gjithë pak vienezë në fakt.

Alban Skënderaj: Shumë aristokrate. Le të jenë të lirë. Nëse do të luajë piano do ta thotë në një moment.

Mira Kazhani: Po me sporte merren?

Alban Skënderaj: Eh, aty pastaj… unë nga kam me tepricë botë shpirtërore, artistike kam shumë mungesë tek sporti. Edhe vetë si Alban por edhe tek fëmijët, dua ta kenë pas më shumë. Se kam vënë re që në këtë botë pak të egër, ti duhet të jesh i fortë fizikisht.

Mira Kazhani: Të duhet pak karate (qesh)

Alban Skënderaj: Të duhet pak edhe strukturë të rezistosh. Se ditët janë të gjata. Netët janë të gjata. Udhëtime pafund. Me vajzën pak… ajo është e dobët, është e hollë si balerinë. Kam dëshirë që të jetë pak më aktive, por po punojmë. Edhe ajo duke qenë se është pak artiste si natyrë, e sheh sportin si diçka kështu…

Mira Kazhani: Ajo është vajza e babit? Është kjo çuni mamit, vajza e babit? Ndjehet?

Alban Skënderaj: Është pak, është.

Mira Kazhani: Interesante!

Alban Skënderaj: Për t`u habitur, por është pak. E shoh që është pak. Ndoshta ai seksi i kundërt dhe ajo ndjesia.

Mira Kazhani: I shpjegon psikologjia disa gjëra. Është e kot t`i refuzojmë.

Çfarë raporti ke me paranë Alban?

Alban Skënderaj: Nuk jam tip që nuk i jap rëndësi. Patjetër që i jap rëndësi. E shoh si një mjet shumë të rëndësishëm për të gjetur një lloj ekuilibri në jetë. Unë do thoja paqe në jetë, jo lumturi. Është thënë tashmë dhe stërthënë që ajo nuk sjell lumturi. Në përgjithësi asgjë nuk e sjell lumturinë në mënyrë universale.

Mira Kazhani: As paraja nuk ta sjell lumturinë. Kështu që mes asaj që mos ta kesh fare dhe të kesh, është më mirë që të kesh.

Alban Skënderaj: Absolutisht. Por paraja mund të sjelli qetësi. Mund të të japë pak më shumë frymëmarrje dhe kohë.

Mira Kazhani: Edhe lirinë për të marrë vendimet që do.

Alban Skënderaj: Kështu që nuk është se nuk i jap rëndësi. I jap rëndësinë e duhur për të arritur këto synime. Por nuk jam i sëmurë. Se njoh plot njerëz që e kanë si – nuk do thoja sëmundje – por e kanë si pasion, e kanë si synim në vetvete paranë. E kanë tejkaluar edhe sensin e nevojës ë.

Mira Kazhani: Është e lodhshme të jesh i sukseshëm dhe i dashur nga të gjithë. Ke ndonjë moment kur vërtet nuk ke nerva të argëtosh dhe të argëtosh pafund. Kur pashë dokumentarin e Michael Jordan, në atë kohë e ndalonin të gjithë për autografe. Ndalonte ishte shumë i sjellshëm, por një moment nëse ai nuk kthente përgjigje, mediat e përshkruanin si arrogant. Në fakt ai nuk ishte. Është pak problem kjo, si e gjen atë ekuilibrin tek vetja. Se nuk është e thjeshtë të të duan të gjithë. Është përgjegjësi e madhe. Të kthehet në punë, në barrë në momente të caktuara.

Alban Skënderaj: Unë besoj që jam lodhur në mënyrë të barabartë në karrierën time me krijimin dhe me gjetjen e balancës në kontakt me publikun. Jam lodhur shumë. Jam investuar shumë që të jem ok me njerëzit. Mos t`u jap ndjesi të keqe. Se unë jam çdo ditë diku. Jam në aeroport. Jam në restorant. Jam aty. Jam këtu. Jam nëpër koncerte dhe kam kontakt të vazhdueshëm me njerëzit. Jam munduar pafund, por deri në sfilitje do thoja,deri në lodhje. Erdhi një moment që i thashë vetes, ul ritmin, edhe ti ke një jetë. Dhe nëse dikush nuk të kupton, duhet të mos jetë problem i yti. Por e vërteta është që ti ke limite si njeri. Nuk ia del dot. Është e pamundur. Megjithatë unë prapë vazhdoj e mbaj me shumë pasion dhe insistim këtë gjë, që dua të jem sa më i sjellshëm. T`u jap ndjesi sa më të mirë njerëzve. Të shkojnë në shtëpi. Të kem përshtypjet sa më të mira. Sepse e di që zhgënjimi mund të jetë i madh. Shpeshherë kemi debate me miqtë se jemi duke drekuar diku, vjen dikush, ti mund të jesh edhe duke futur pirunin në gojë, edhe një mik i imi që nuk e njeh si profesion, edhe revoltohet. Si ka mundësi që vijnë, kur ti po ha. Pse nuk presin? Ose pse nuk u thua, që shikom të mbaroj së ngrëni dhe pastaj do vij tek juve.

Mira Kazhani: Po në fakt mirë është të presin.

Alban Skënderaj: Po mirë është, por nga ana tjetër unë për shembull e kam shumë më kollaj, nuk më kushton asnjë gjë. Ta lë pirunin aty, të çohem, ta përshëndes, sepse i jap ndjesinë e mirë atij dhe ai shkon i lumtur. Sa t`i shpjegosh një personi, i cili në atë moment është edhe emotiv, sepse ka marrë një kurajë, ka marrë një hap, ka ardhur drejt teje. Aq më tepër ne shqiptarët që jemi njëçik krenarë. Kështu që më mirë u them këtyre miqve të mi që 30 sekonda punë është.

Mira Kazhani: Ata sikur po e bëjnë vetë. Po prandaj nuk janë të suksesshëm.

Alban Skënderaj: Nuk e di, ndoshta dhe kjo.

Mira Kazhani: Se e gjitha e bën, edhe të talentuarin, edhe artistin. Faleminderit Alban Skënderaj! Të uroj një verë të bukur! E di që ke shumë aktivitete. Para kësaj interviste më the qe e ke pothuajse shumë të zënë. Do bëni pak pushime me familjen? Dhe ku preferon t`i bësh pushimet?

Alban Skënderaj: Unë mendoj që patjetër jashtë Shqipërisë, sepse merr aq shumë nga Shqipëria me verën, sa që për pushime do që të shkëputesh komplet e të dalësh jashtë. Besoj nga fundi i gushtit ose shtatori si zakonisht. Korrik, gusht ritmet janë ato që janë edhe nëse ke ato 4-5 ditë midis, je aq i lodhur sa që i bie të shkosh të lodhesh me pushime. E di ti atë variantin që vjen i lodhur nga pushimet?

Mira Kazhani: Ke ndonjë vend të preferuar?

Alban Skënderaj: Vende kam, por s`e di a do mundemi të ikim.

Mira Kazhani: Greqia, Italia, Turqia, Spanja…

Alban Skënderaj: Këto janë ok, të zakonshme, por janë këto vendet tropikale. Janë të bukura shumë, por atje duhet parë njëçik se duhen bërë llogaritë.

Mira Kazhani: Ah, llogaritë.

Alban Skënderaj: Patjetër. Patjetër. Janë vende që duhet të ikësh njëherë në kaq kohë. Ne flas që jemi me këmbë në tokë se pastaj nuk e di. Po janë vende shumë të bukura, ku unë e ndjej relaksin. Ne kemi qenë disa herë në Maldive, ku bëmë edhe atë klipin dhe xhiruam, aty për shembull unë e ndjej që çlodhem se nuk ka asgjë.

Mira Kazhani: E kuptova dhe raportin tënd me paranë. Je shumë I kujdesshëm. Edhe njëherë që shkove në Maldive, bëre një rrugë e dy punë. (qesh)

Alban Skënderaj: E vërtetë është!

Mira Kazhani: Bravo Alban! Duhet respekt për gjërat që fitohen me djersë. E ke më duket edhe në një tekst kënge. Me Noizy-n është ai bashkëpunimi.

Alban Skënderaj: Po, asgjë s`të jepet falas. Dhe gjithçka e ka një çmim. (pjesë nga teksti i këngës)

Mira Kazhani: Faleminderit Alban Skënderaj! E vlerësoj shumë!

Alban Skënderaj: Faleminderit ty!

Mira Kazhani: Edhe verë të mbarë!

Alban Skënderaj: Faleminderit shumë!

Ky podcast u mbështet nga Credins Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore