Videopodcast

Adoleshenca (s` ) është mosha më e bukur

Adoleshenca (s` ) është mosha më e bukur

Në episodin e kësaj jave do të flas për adoleshentët. Me kë do të thoni ju? Me kë tjetër veçse me një psikologe. Ajo është një psikologe të cilën unë e vlerësoj shumë dhe më vjen mirë që e pranoi këtë ftesë, pasi nuk i ka shumë qejf këto daljet.



Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Është e vërtetë Enila?

Enila Cenko: E vërtetë, e vërtetë.

Mira Kazhani: Si ndihet një psikologe përpara një interviste, para kamerës, dritave?

Enila Cenko: Mira, unë jam mësuar që në rolin tim të punës të kem protagonist personin përballë dhe kur jam vetë protagoniste dhe spotlight-i është mbi mua, me thënë të vërtetën është stres. Por është një eksperiencë që më bën të mirëkuptoj klientin ose personin me të cilin unë punoj, kështu që e vlerësoj.

Mira Kazhani: Si e zgjodhe veshjen sot për shembull? Pate stres?

Enila Cenko: Jo , sepse mendova që do vesh atë që vesh në të përditshmen time, për t`u shfaqur ashtu siç jam.

Mira Kazhani: Spotlight-i më shumë se kurrë është interesant për njerëzit. Të gjithë duan të jenë në spotlight. Çfarë është kjo nevoja e njeriut për të qenë në vëmendje?

Enila Cenko: Është nevoja për t`u parë, nevoja për të ekzistuar, nevoja për t`u vlerësuar dhe për t`u pranuar. Janë të gjitha nevoja bazike që vijnë menjëherë mbasi plotësohen nevojat fizike, nevojat e mëtejshme psikologjike dhe emocionale që janë po aq të rëndësishme, janë këto: Unë ekzistoj, më shikoni, ja ku jam!

Mira Kazhani: Ka qenë gjithmonë kështu për njeriun, por sot mjetet që të jenë në vëmendje janë të shumta. Teknologjia, interneti e ka përshpejtuar, e ka plotësuar këtë oreks njerëzor, këtë oreks të egos njerëzore. A sheh ti rrezik?

Enila Cenko: Jo, të jem e sinqertë.

Mira Kazhani: O sa mirë!

Enila Cenko: Ka shumë argumente që thonë bota po rrezikohet nga fenomeni i mediave sociale, teknologjia, “OpenAI” por unë në fakt jam e kuriozuar dhe me një ndjesi pozitive. Mendoj që janë zhvillime të cilat do na çojnë përpara si shoqëri. Në fakt aksesi në një botë sociale që ndërmjetësohet nëpërmjet internetit apo mediave sociale na ka zhvilluar mendoj. Na bën më të hapur ndaj informacionit që na vjen në mënyrë shumë të shpejtë, ngjarje që ndodhin në botë, fenomene, trende, njohuri. Na ndihmon që ne ta kuptojmë botën më shpejt dhe më mirë.

Mira Kazhani: Jemi në një kohë për shembull ku adoleshentët, ata janë kryesorët, nuk janë më si dikur. Nuk është më adoleshenti i dikurshëm që i paskemi thënë kot adoleshent (qesh), ku faktor ishte shoqëria, familja, shkolla. Tani është TikTok-u, është Instagram-i, është Snapchat-i, është interneti. Ka shumë faktorë në jetën e tyre dhe bëhen vazhdimisht studime, po bëhen dokumentarë për ato filtrat, për atë nevojën për t`u dukur si të gjithë, për t`u dukur bukur, për kohën e kaluar shumë aty ka shumë shqetësim në fakt .

Enila Cenko: Nevoja e adoleshentëve për t`u konformuar, e cila shfaqet tani në rrjetet sociale është një nevojë e cila ka ekzistuar gjithmonë, por në kontekste më lokale, më të vogla. Tani që ne jemi një shoqëri globale sigurisht kjo përhapet në masë më të gjerë, por jo detyrimisht është e gabuar. Fakti që një adoleshent në Tiranë do të konformohet apo të jetë si një adoleshent në Suedi apo në SHBA mund të konceptohet si zhvillim dhe jo pengesë, pasi i jep mundësi që ta imagjinojë veten si një qytetar i të ardhmes në një botë globale, jo më në një kontekst lokal, të kufizuar.

Mira Kazhani: Ama adoleshentët janë edhe të rrezikuar. Për shembull e gjejnë veten të bullizuar, të shantazhuar, të linçuar.

Enila Cenko: Këtu është e rëndësishme të kuptojmë rolin e prindit, të shoqërisë, të komunitetit, të modeleve pozitive të cilat duhet të ekzistojnë po ashtu siç ekzistojnë modelet negative. Është një moment për të reflektuar kur jemi në rolin e kujdestarëve, të autoriteteve apo të figurave “role model”, të modeleve për adoleshentët që të jemi më të ndërgjegjësuar për efektet pozitive që duhet të japim.

Mira Kazhani: Enila, nëse dikur një vajze i ndodhte një ngjarje e vështirë, e rëndë, çfarëdo, nuk ka rëndësi të marr një shembull konkret. Mund ta mësonin këtë klasa e saj, ndoshta dhe qyteti po kishte një mundësi për rilançim, për ta “delete”, për ta fshirë atë. Sot rreziku që ta dinë të gjithë ngjarjen tënde, ta dinë të gjithë një fatkeqësi apo një incident, një aksident është më e madhe dhe kjo ka shumë presion me gjithë modelet pozitive, me gjithë prindin e duhur tek shtëpia apo dhe me psikologun.

Enila Cenko: E drejtë! Është një moment për të reflektuar dhe një moment për të folur me adoleshentët për rreziqet apo kujdesin që duhet të kenë në prezantimin e vetes të tyre në botën virtuale. Nuk është rrezik për t`u neglizhuar, por nuk mendoj se ky rrezik është definues i botës virtuale. Patjetër ekziston, por bota virtuale në mendimin tim dhe në punën që unë bëj me adoleshentët është një dritare për botën për ta. Është një burim i informacionit të cilin nuk do ta merrnin dot ndryshe, ose do t`ju vonohej shumë derisa t`ju vinte në shtëpitë e tyre. Nuk po i anashkaloj apo mohoj rreziqet që sjell interneti, media sociale, por nuk dua të fokusohemi vetëm tek ato, sepse mendoj që duke u fokusuar vetëm tek anët negative e para, largohemi nga bota e adoleshentëve dhe nuk i kuptojmë, kemi përqasjen e një brezi të vjetër dhe ‘outdated’, të cilin ata nuk e pëlqejnë dhe e dyta nuk vlerësojmë siç thashë gjithë aspektet pozitive të cilat mund të jenë të rëndësishme.

Mira Kazhani: Janë shumë të rëndësishme dhe më vjen shumë mirë që ka një zë, ka shumë zëra, por zëri yt është ai që e mbështet, nuk e shikon me frikë. Se ka një lloj frike, një lloj paniku po ajo është e pashmangshme, është aty dhe ne duhet të ambientohemi. Me siguri adoleshentët e kanë shumë organike këtë gjë, edhe telefonin. Ti takon shumë adoleshentë. Shumë prej tyre vijnë në terapi tek ty. Çfarë fjalësh përdorin më shumë? Çfarë të thonë ata kryesisht? Për çfarë flasin ata zakonisht? Për çfarë vuajnë?

Enila Cenko: Do ta filloj me ata që shprehin nevojat e tyre: dashuri, kuptim, pranim, vlerësim, identitet, por sigurisht edhe stres, ankth, depresion, mosvlerësim, mospranim...

Mira Kazhani: Nga kush?

Enila Cenko: Nga bashkëmoshatarët, prindërit, bota dhe vetja.

Mira Kazhani: Kanë problem për ta kuptuar veten? E kërkojnë kuptimin tek vetja?

Enila Cenko: Adoleshenca është një periudhë e jetës e bukur, por dhe e vështirë.

Mira Kazhani: E gjithë jeta është e vështirë, Enila.

Enila Cenko: Por veçanërisht adoleshenca, mendoj. Për arsyen sepse është momenti i parë ku shikon atë që je dhe gjithë mundësitë e asaj që mund të bëhesh. Është e bukur për këtë fakt, por është jashtëzakonisht e vështirë.

Mira Kazhani: I përjetojnë pak... vajzat janë “drama queen”, djemtë rriten pak më vonë dhe ata janë të predispozuar ndaj aventurave. Po në përgjithësi gjithçka hiperbolizohet në adoleshencë.

Enila Cenko: E drejtë!

Mira Kazhani: Çfarë i tremb adoleshentët e sotëm më shumë? Nëse do zgjidhje një faktor.

Enila Cenko: Gjetja e identitetit të tyre. Ajo ç`ka janë në thelbin dhe në të vërtetën e tyre. Kanë shumë mesazhe konfuzuese apo dhe presion për të qenë diçka që nuk e ndjejnë që janë dhe shpeshherë duhet të bëjnë kompromise apo të bëjnë nje proces eksplorimi për të gjetur këto aspekte të vetes dhe kjo mendoj është në bazën e vështirësive që ata kanë.

Mira Kazhani: Kur thua për identitetin, e ke fjalën edhe për identitetin seksual? Ka një shqetësim? Çfarë ndodh me këtë brez?

Enila Cenko: Identiteti është shumë i gjerë. Pra janë aspektet e vetvetes, çfarë më pëlqen, çfarë lloj njeriu jam, çfarë dua të bëhem, pse jam ndryshe nga ajo ç`ka presin prindërit që unë të jem dhe sigurisht edhe identiteti seksual është pjesë thelbësore e këtij procesi metamorfoze që kanë adoleshentët. Me pubertetin është momenti kulminant. Nuk është i pari, ndodh më herët sesa në pubertet, por është përballja me pyetjen: “Kush jam unë edhe në identitetin seksual apo dhe gjinor, jo vetëm seksual”.

Mira Kazhani: A flasin me prindërit në shumicën e rasteve, ndjen që ka një komunikim? Si ndikon shtresëzimi i shoqërisë? Për shembull, çfarë problemesh kanë fëmijët e të pasurve? Po fëmijët e mësuesve apo e shtresës së mesme?

Enila Cenko: Statusi social apo ekonomik, jo detyrimisht dikton modelet e prindërimit. Mund të jesh nga një shtresë sociale ekonomike e lartë dhe modelet e prindërimit nuk janë të shëndetshme. Ndërkohë mund të jesh nga një shtresë e ulët socio-ekonomike dhe të kesh përqasjen e duhur ndaj fëmijëve .

Mira Kazhani: Të jesh një superbabi dhe supermami! Ka një përshtypje që fëmijët e të pasurve, ose ata që ju plotësohen tekat më shumë, vuajnë më shumë, kanë më shumë ankthe, kanë më shumë probleme se janë mësuar që t`i kenë gjërat. Është thënë edhe në podcaste të ndryshme këtu. Do doja një përgjigje nga ti.

Enila Cenko: Tek fëmijët që vijnë nga shtresa socio-ekonomike ku u plotësohen dëshirat materiale mendoj që shpeshherë mungon plotësimi i nevojave emocionale. Pra të mirat materiale zëvendësojnë emocionin, ngrohtësinë dhe afërsinë. Ky mund të jetë faktori që i bën ata të vuajnë në ndryshim nga shtresat në vështirësi financiare ku nevojat më bazike nuk janë të plotësuara.

Mira Kazhani: Çfarë ndodh me traumat edhe me ankthet e pazgjidhura të adoleshencës, në të ardhmen?

Enila Cenko: Duke filluar nga e tanishmja krijojnë probleme të theksuara. Probleme të imazhit të vetes, gjendje ankthi, gjendje depresioni, vetëvlerësim të ulët dhe sigurisht adoleshentët janë qytetarët e të ardhmes. Po të mendojmë që qytetarët e të ardhmes e nisin jetën me vështirësi atëherë mund ta shikojmë në perspektivë se cilat janë pasojat negative, jo vetëm për individin, por dhe për shoqërinë. Në këto momente që ne flasim një nga mesazhet e forta që po jepen nga psikologët në mbarë është efekti i pandemisë mbi adoleshentë. Adoleshentët dhe të rinjtë tek të 20-tat janë grupmosha që janë prekur më fort nga ana psikologjike dhe emocionale nga pasojat e pandemisë. Është një moment për të reflektuar për çfarë po ndodh me të ardhmen tonë si shoqëri?

Mira Kazhani: Adoleshentët në Tiranë si të duken ty? Janë në kërkim të aventurës, janë me kuriozitet? Të etur për jetën apo janë pak të dembelosur, pak indiferentë, pak ankthiozë? Ku peshon më shumë?

Enila Cenko: Të dyja! Në një individ të caktuar mund të jenë të dyja prezente.

Mira Kazhani: Është normale t`i kesh të dyja?

Enila Cenko: Po! Një dëshirë e madhe për të eksploruar veten, botën, të tjerët.

Mira Kazhani: Çfarë gjërash duan të provojnë ata?

Enila Cenko: Ata duan të provojnë të jenë vetvetja.

Mira Kazhani: Duan të jenë të pushtetshëm? Duan të jenë të pasur? Duan të bëhen të famshëm? Çfarë kërkojnë?

Enila Cenko: Sigurisht edhe këto janë...

Mira Kazhani: Cila është vetja më e mirë e tyre?

Enila Cenko: Këto dëshira janë edhe të influencuara nga ajo që po flisnim, nga bota virtuale, dëshira për të qenë bloger, influencer, fashion-ista dhe gjithë fama apo merita që vijnë, por në të përditshmen e tyre mendoj që jeta e tyre është e fokusuar në gjëra më të thjeshta, por më thelbësore: të më pranojnë, të më shikojnë për atë që jam, të më vlerësojnë dhe të më thonë ti je ok.

Mira Kazhani: Po nuk ua thonë!

Enila Cenko: Nuk ua thonë!

Mira Kazhani: As ne nuk na e kanë thënë!

Enila Cenko: Kjo s`do të thotë që ne jemi mirë!

Mira Kazhani: Po nuk jemi as keq! (qesh)

Enila Cenko: Jo, sigurisht! Po mund të ishim më mirë.

Mira Kazhani: Është e vërtetë! Po mua më duket sikur prindërit e sotëm janë në pozita shumë më të vështira se prindërit tanë dhe përpiqen ta bëjnë shumë më mirë prindërimin. Janë shumë më të dashur, janë shumë më përkëdhelës, janë shumë më motivues. S`e di tani. Unë nuk jam psikologe dhe nuk punoj me adoleshentët, po ata prindër që njoh ,i shoh që janë shumë të dedikuar, të përkushtuar, plotësojnë tekat, gjëra që nuk kanë ekzistuar për brezin tonë edhe të tjerë mbi ne.

Enila Cenko: Është e vërtetë dhe unë e ndjej këtë në punën që bëj. Prindërit e sotëm janë më të investuar në prindërim dhe përpiqen të jenë më afër fëmijëve të tyre në plotësimin e kushteve emocionale që duhen për të rritur një fëmijë shëndetshëm. Por, siç the, kjo vjen dhe me sfida. Mendoj që sfida më e madhe është të kuptosh si prind që fëmija yt është individ i veçantë nga ty dhe nuk është personi ku do plotësohen ëndërrat, dëshirat e munguara apo qëllimet e parealizuara të prindit. Shoh që herë pas here kontradita midis prindit dhe adoleshentit lind pikërisht prej kësaj: që fëmijët shikohen si një zgjatim i vetes ku duhet të ndodhi ajo që nuk ka ndodhur për mua si prind .

Mira Kazhani: Po është tipike kjo në fakt. Është për ne si shoqëri apo është në përgjithësi për prindërit helikopter?

Enila Cenko: Është në përgjithësi, është një fenomen global. Mendoj që në shoqërinë shqiptare ka dhe më shumë sens duke qenë se brezat që tani janë prindër të adoleshentëve për shkak të kushteve sociale, politike, histo-gjeografike nuk kanë pasur aq shumë mundësi të plotësonin dëshirat dhe qëllimet e tyre dhe tani kërkojnë që fëmijët ta bëjnë këtë gjë për ta, por nuk mendoj që kjo është ok. Sigurisht është mirë dhe është e domosdoshme që për fëmijën të presësh dhe të kërkosh më të mirën e asaj që mund të jenë, por thelbi është e asaj që mund të jenë ata, jo asaj që do donim ne të ishin.

Mira Kazhani: Mirë do ishte. Ndoshta dhe prindërit tanë kanë dashur të jemi një lloj zgjatimi i tyre, por gjithsesi në finale njeriu bëhet zgjatimi i vetes së vet. Në një lloj mënyre, pavarësisht shkon aty tek vetja. Ti je mami i një djali dhe një vajze. Fakti që je psikologe të jep një dorë në prindërim?

Enila Cenko: Prindërimi për mua është profesioni më i vështirë në botë. Të qënit psikologe patjetër më jep një këndvështrim që më ndihmon, por gjithsesi nuk do të thotë që e bën më të lehtë këtë punë, përkundrazi.

Mira Kazhani: Për shembull sa vjeç është vajza jote?

Enila Cenko: Vajza është 3 vjeç e gjysmë.

Mira Kazhani: Çfarë natyre është ajo?

Enila Cenko: Ajo është person i vetes vet.

Mira Kazhani: Tani quhet që është krijuar personaliteti.

Enila Cenko: Personaliteti është diçka më të cilën ti lind dhe sigurisht evoluon dhe zhvillon, por që në momentin që ne lindim ne jemi ata që jemi dhe ata që do bëhemi. Vajza ime është 3 vjeç e gjysmë dhe ajo e personifikon plotësisht këtë gjë, sepse është vetja e saj. Për shembull, është shumë e vendosur mos të veshë çorape dhe ka gjithë dimrin që nuk vesh çorape. Sigurisht në fillim dhe unë si çdo prind ngeca në këtë luftën e pushtetshme që unë jam prindi dhe ti duhet të veshësh çorapet...

Mira Kazhani: Unë e di çfarë është mirë për ty!

Enila Cenko: ...por ajo ishte shumë e vendosur që të më tregonte që ajo vendos dhe sigurisht unë i respektoj vendimet e saj. Ndonëse kur dal në rrugë shpeshherë kam komente nga zonja të një moshë më të madhe që më thonë si e lë vajzën pa çorape, do të ftohet.

Mira Kazhani: Në mes të dimrit! Ftohet?

Enila Cenko: Jo nuk është ftohur! Këtë dimër madje është sëmurur më pak çdo dimër tjetër.

Mira Kazhani: Enila si është t`i imponosh një fëmije diçka që nuk e do dhe nuk e ndjen? A e dëmton? Ndikon vërtet kaq shumë për keq?

Enila Cenko: Po!

Mira Kazhani: Deri në ç`masë për shembull mund ta dëmtojë?

Enila Cenko: Ka një ndryshim midis inkurajimit për të provuar eksperienca të reja, për të ndërrmarë sfida. Pra t`i lësh fëmijët mos të kenë kurajë, mos t`i japësh mbështetjen dhe inkurajimin për të pasur kurajën për të provuar gjëra të reja, nuk është e drejtë. Ndryshimi midis mbështetjes, kurajës dhe imponimit është që në imponim insiston edhe kur është e dukshme që fëmija nuk e dëshiron apo nuk e do dhe kjo mund të jetë dëmtuese patjetër.

Mira Kazhani: Si është dashuria e adoleshëntëve të sotëm? Ne kujtojmë dashurinë e kohës tonë, me ato këngët e preferuara, ende kishte djem që fishkëllenin. Kishte një muzikë të caktuar. Kishte letra, kishte ballkon, dritare, takime, jotakime ç`rëndësi ka. Po ndoshta nuk kishte mundësi ta konsumoje dhe të flisje aq shumë në chat tërë ditën edhe të shpenzoje aq shumë kohë. Çfarë raporti kanë me dashurinë adoleshëntët e sotëm?

Enila Cenko: E kërkojnë fort!

Mira Kazhani: Jam shumë e lumtur për këtë! (qesh)

Enila Cenko: Patjetër! Është nevojë njerëzore. E kërkojnë fort, por nuk është më me pusulla dhe me letra. Është me Instagram, me chat, me Whatsapp, me Tik-Tok.

Mira Kazhani: Shumë mirë, çdo kohë ka mjetet e veta. Dashuria mbetet thelbi, e qëndrueshme, e pandryshueshme.

Enila Cenko: Thelbi është i njëjtë. Forma ndryshon.

Mira Kazhani: Si i përjetojnë lidhjet e tyre?

Enila Cenko: Me intensitet! Adoleshenca quhet stuhi dhe stres “storm and stress”. Si stuhia dhe adoleshëntët janë të shpejtë, intens, bien shpejt, por dhe përjetojnë fort. Është e bukur, prandaj është e bukur adoleshenca, por dhe e vështirë.

Mira Kazhani: Cilët janë “red flag-s”, ato alarmet, ato shenjat e rrezikut që një lidhje të quhet toksike? Nga ta kuptojë një i ri?

Enila Cenko: Së pari janë shenjat më të dukshme të një marrëdhënie abuzive. Nëse kemi dhunë fizike, psikologjike, emocionale apo neglizhim të plotë të nevojave, këta janë indikatorët e parë të një marrëdhënie abuzive.

Mira Kazhani: Dhuna fizike kuptohet kollaj. Po dhuna psikologjike shpeshherë mund të përkthehet edhe si dashuri: “ai më thotë këtë se më do, ai po më kontrollon se më do, ai po më ndëshkon ngaqë është mërzitur me mua”. Pra cilat janë disa fjali që quhen të rrezikshme dhe nëse mund t`i themi?

Enila Cenko: Nëse adoleshenti ndihet që individualiteti i tij apo i saj po cënohet në formën e kontrollit edhe në emrin e dashurisë së rreme atëherë ky është një sinjal shumë i fortë i kuq, që pulson. Në momentin e parë, sado të vogël që përjetohet kjo ndjesi është një marrëdhënie toksike. Nëse unë nuk mund të jem vetvetja, të vesh veshjen që dua, të frekuentoj ambientin që dua, të kem dëshirat e mia, të flas apo të komunikoj nevojat....

Mira Kazhani: Të shkoj në kafen që dua unë. Të bëjmë gjërat që duam në mënyrë reciproke. Pra, në disa raporte duket se bëhet vetëm ajo gjëja që i pëlqen njërit dhe duhet të kënaqesh edhe ti meqë i pëlqen atij ose asaj. Se nuk ka rëndësi mund të jetë një ajo apo një ai.

Enila Cenko: Kur ka kontroll dhe mohim të asaj që unë jam, kjo është një marrëdhënie toksike.

Mira Kazhani: Përveç dashurisë, çfarë raporti kanë me shoqërinë, me shokët dhe me shoqet. Çfarë problemesh kanë nga njëri-tjetri ata? Për çfarë ankohen?

Enila Cenko: Në adoleshncë, bashkëmoshatarët dhe shoqëria e ngushtë janë personat më të rëndësishëm, të gjithë të tjerët eklipsohen. Ndonëse mund të jenë një burim kënaqësie shumë i madh për adoleshentët, gjithashtu janë edhe burim vështirësish. Bullizmi është një nga fenomenet më të përhapura që përjetohet fort dhe shpesh nga adoleshentët. Mund të marrë forma të ndryshme, jo vetëm fizik por mund të jetë dhe emocional, sidomos në rastin e vajzave të cilat përfshihen në dhunë fizike, por kryesisht në dhumë emocionale. Vështirësi të tjera janë mospranimi, mosvlerësimi, imazhe negative të trupit, të pamjes të cilat janë tipike në adoleshencë, por ndonjëherë të theksuara nga shoqëria mund të marrin përmasa shqetësuese. Të gjitha këto janë të lidhura më pas me vetëvlerësimin apo me ndjenjën e vetes e cila mund të dëmtohet dhe kjo patjetër që është shqetësuese.

Mira Kazhani: Sigurisht që përvoja ime nuk është aspak profesionale, është e gjitha amatore, por nga të gjitha këto moshat e reja nuk kam takuar një njeri që të jetë i kënaqur me pamjen fizike edhe pse kur i shikon janë si yje, janë si drita dhe papritur të ankohen për një cep të hundës, për flokun, për gjëra që as vetë nuk e di ku i shohin, po ndërkohë janë shumë të bukura. Dhe shqetësimi për pamjen është ndoshta shumë i madh. Si mund të zgjidhet kjo? Se kjo vetëm po përforcohet. Ata fillojnë dhe identifikohen me filtrin që përdorin. Marianna Hill-i, janë disa goca dhe gra që janë të suksesshme nëpër botë, po ato e kanë biznes.

Enila Cenko: Po dhe është shumë e drejtë fakti që thua se adoleshentët në përgjithësi nuk janë të kënaqur me pamjen e tyre fizike dhe ky fakt theksohet nga imazhet joreale që marrin në jetën e përditshme nga media apo bota virtuale, që ju jep një iluzion që të tjerët janë të bukur dhe jetojnë një jetë të lumtur dhe unë jam shumë larg kësaj. Është një moment reflektimi ku duhet theksuar për adoleshentin që pamja fizike nuk të definon ty si njeri dhe të qenurit perfekt në pamje nuk të bën më të lumtur. Dhe dikush që ka një hundë perfekte nuk është më i lumtur se dikush që nuk e ka. Për më tepër imazhet që ne shohim në media nuk janë genuine, nuk janë të vërteta dhe shfaqin vetëm një pjesëz të vogël të jetës reale të njerëzve, te cilat siç e the në një shoqëri materialiste-konsumeriste ka një funksion, vlen për pasurinë. Ky është një mesazh që u duhet thënë adoleshentëve në mënyrë të vazhdueshme, të përsëritur dhe ngulmuese.

Mira Kazhani: Kur mbaron adoleshenca? Për disa ndoshta asnjëherë... (qesh)

Enila Cenko: E drejtë (qesh) por dhe me definicion shkencor psikologët bien dakort që tashmë adoleshenca është shtyrë përtej 18 dhe mendoj që diku tek rreth 25.

Mira Kazhani: U sa mirë!

Enila Cenko: Po sigurisht edhe kjo është në varësi të individëve të ndryshëm.

Mira Kazhani: Po rinia deri 50 shkon?

Enila Cenko: Rinia është e përjetshme, nëse mbetet...

Mira Kazhani: Për cilët njerëz është e përjetshme?

Enila Cenko: Mendoj që rinia dhe mëyra se si ne jemi është e gjithë përqasja që ne kemi gjatë jetës.

Mira Kazhani: Nga kush varet? Çfarë është përqasja në vetvete? Çfarë mund të bësh për të mbetur një shpirt i ri?

Enila Cenko: Njeriu duhet të jetë gjithmonë në kërkim. Në kërkim të qëllimit dhe të kuptimit të jetës i cili mund të jetë i ndryshëm në faza të ndryshme të jetës. Nëse ne gjithmonë jemi në kërkim të plotësimit të këtij kuptimi, atëherë mbetemi gjithmonë të rinj.

Mira Kazhani: Enila të ta bëj një pyetje të fundit. Si ke qenë ti adoleshente bjonde apo ke qenë edhe ti “punk&pink” e kështu gjërash?

Enila Cenko: Në kohën që unë kam qenë adoleshente dëshiroja shumë të isha “punk&pink”, por nuk ishte e mundur. Kam qenë bjonde.

Mira Kazhani: Pse?

Enila Cenko: Kanë qenë vitet `90, vitet e tranzicionit...

Mira Kazhani: Nuk të linin prindërit apo nuk kishe mundësi ta bëje? Se perderisa e doje, diku e shikoje.

Enila Cenko: Ishte pak nga te dyja, por kryesisht ishte pamundësi. Në vitet `90 kishte sfida më të mëdha për t`u përballur. Siguria për të shkuar në shkollë, pamundësia për të zhvilluar mësim në klasa pa xhama dhe shpeshherë pa libra. Dëshirat ishn patjetër, i realizoja në mënyrën që mundesha, por po të isha dhe njëherë adoleshente në kohën e sotme ndoshta do t`i kisha pasur flokët.

Mira Kazhani: Përveç flokëve do të kishe bërë diçka tjetër ndryshe?

Enila Cenko: Mendoj që jo. Mendoj që jetoj ashtu siç dua dhe kam jetuar ashtu siç doja.

Mira Kazhani: Faleminderit shumë Enila dhe të uroj suksese me adoleshentët e tu të dashur!

Adoleshenca (s` ) është mosha më e bukur

Podcasti "Zë me Mirën" u mbështet nga Credins Bank dhe Vodafone Albania

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore