Videopodcast

Episodi i ZëmeMirënPodcast me Eliza Hoxhën

Episodi i ZëmeMirënPodcast me Eliza Hoxhën

Në shtëpinë tonë në vitet 2000, CD e parë që kemi pasur në një magnetofon të madh ka qenë e Eliza Hoxhës. Motra e solli dhe aty vendosëm që ajo ishte këngëtarja jonë.

Kur e klikova në fund të episodit me të një nga këngët e saj, pa plan, më besoni, fjalët më vinin të gjitha. I kemi kënduar këngët e saj dhe imituar veshjet e videoklipeve të Elizës bashkë me motrën aq intensivisht mesa duket, sa truri s'i fshin më kurrë.

Më vonë ajo u zhduk disa kohë. U kthye sërish në "Këngën Magjike", ku rrëmbeu dhe çmimin, por pastaj iku sërish nga skena.

Pa e njohur nga afër më qe dukur një artiste me kokën plot.

Para një viti i shkrova se doja ta ftoja në podcast për të folur rreth jetës së saj. U takuam në Prishtinë dhe Eliza u shfaq me flokët e kuqe dhe me aurën e një gruaje tashmë. Më foli shumë për politikën dhe unë gati po pikëllohesha, sepse kërkoja Elizën e CD-së në dhomën time me motrën. Të paktën të jepte ndonjë shenjë që e merrte malli.

A e kishte kuptuar ajo sa ndikim e çfarë stili modern kishte pasur në ato vite? Çfarë kishte ndodhur gjatë këtyre 25 viteve me të? I kishte sjellë jeta fat? Po dashuri? Po zhgënjime?

Eliza erdhi si muzika e Beethoven nga Sonata e të cilit ka edhe emrin e saj, e fortë, e vërtetë dhe ndoshta si asnjëherë në një rrëfim për jetën dhe zgjedhjet e saj.


*Ky podcast i "Zë me Mirën" u mbështet nga Vodafone, Metropolitan, Credins, UBA, Eurosig

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore