Oh sa e kam shijuar këtë episod. Ishte një nga bisedat e rralla që uroj dhe ju si unë ta mbani në zarfin e gjërave të bukura që keni parë e dëgjuar.
Kresha më bëri përshtypje që në komunikimin e parë me të në WhatsApp. Unë prisja një po, ose jo. Në botën e reperave apo të Hip Hop, ka njëfarë snobizmi, paranoje ndaj rrëfimit, duke i bërë pak të vështirë edhe në komunikimin e thjeshtë.
Edhe pse unë do të jem gjithnjë një partizane e bindjes që njerëzit publik, e kanë detyrim të ndajnë rrëfime. Nuk mund të fshihesh përjetë pas këngëve dhe videoklipeve.
Një ditë fansat e tu, ata që të kthejnë shpërblimin e talentit, duan të dëgjojnë të flasësh për gjyshin, jetën, Trumpin po deshe ti. Kanë të drejtën për të parë nga afër njeriun tek artisti i preferuar.
Kresha më kujtoi se çdokush mban kokën e vet mbi shpatulla, se nuk është mjedisi që i përket ai që të vijëzon ty karakterin, botën, frikën dhe dashurinë, besimin, respektin.
Në rastin e MC Kreshës do shihni se familja nga vjen, - më quani demode - ka të bëjë shumë. Fëmijëria, një Po e madhe!
Leximet gjatë jetës, modelet që ke parë dhe sidomos njeriun që ke me vete... Njeriun Kresha, të cilin do ta gjeni në këtë episod në një rrotullim të plotë, 360 gradë.
*Ky podcast i "Zë me Mirën" u mbështet nga Vodafone, Metropolitan, Credins, UBA, Eurosig
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore