Në episodin e parë të podcast-it është Valon Asani, 34-vjeçari që ka lindur me talentin për të shitur, po sidomos me një mendje që thotë se i ka dhënë atij vizatimin për jetën e vet. I lindur dhe rritur në Zyrih, atje ku prindërit shkuan si emigrantë politik nga Prishtina e vitit 1988.
Valoni 13 vjeçar në Zyrih, shiste çokollata, aty ku thotë se mësoi formulën e jetës. Më pas si inxhinier IT mësoi formulat matematikore. Për të matematika dhe energjia ecin bashkë. Është një podcast deri diku me një fill mistik. Një njeri që ka arritur në jetë atë që manifeston. “Nuk i kam lënë asgjë rastësisë”, më tha Valoni, por ju dëgjojeni vetë.
Nuk mban smartphone, e ka hedhur në pishinë iPhone-in. Ka vetëm një mac, një Tesla dhe talentin për ta bërë jetën siç do. Ka opinionin e vet për çdo gjë dhe e thotë pa kompleks. Mua më pëlqejnë gjithnjë e më shumë njerëzit që marrin një anë, që kanë bindje dhe nuk shkojnë nga fryn era, por bëjnë erën e tyre në rrugëtimin e jetës. Nuk ka rëndësi nëse mund të mos jemi dakord. Ka rëndësi të mos jetojmë jetën e dikujt tjetër, por tonën.
Le të jetë ky episod i parë një parathënie për të tjerët⭐️
Intervista e transkriptuar:
Mira Kazhani: Ishte një nga ditët e gushtit në plazh kur mësova për Valon Asanin. Veçse ai ishte në Zyrih, ndërsa unë në Dhërmi. Nuk i kisha asnjë kontakt. Po ku ka ndonjë gjë sot që nuk gjendet me teknologjinë? Valoni thotë, edhe dashuria. Gjenden të gjitha.
Valon Asani: Të gjitha. Po sidomos dashuria. Po edhe të gjitha kontaktet, të gjithë njerëzit. Gjithçka nis në ditët e sotme online. Edhe statistikat e tregojnë që në ditët e sotme, sidomos në Evropë, në Amerikë, në vendet më të zhvilluara shumica e lidhjeve nisin online. I ka tejkaluar të gjitha format ndryshe, si ka nisur një lidhje, për shembull lajmësitë që i kanë njohur njëri-tjetrin, ose që i kanë gjetur dikë në shkollë, në punë, me rekomandime të ndryshme. Tani është mënyra numër një në botë si njihet një çift, si bëhet bashkë, është online.
Mira Kazhani: Ka të mirat e veta, po ka edhe të metat e veta. Se mund të flasësh me një njeri që s`ka vënë foton e vet për shembull. Është e mundur kjo tek Dua?
Valon Asani: Jo, nuk është e mundur. Një përdorues që regjistrohet në Dua.com nuk mundet të regjistrohet pa foto. Është e pamundur. Automatikisht detektohet, bllokohet dhe ai përdorues nuk hyn në platformën tonë. Gjithashtu nëse sistemi ynë vëren që ai përdorues është i dyshimtë në ndonjë mënyrë, ose e ka raportuar dikush tjetër, thotë që është një fake profil, atëherë bllokohet profili i tij dhe ai person duhet të upload një selfie foto që krahasohet dhe pastaj verifikohet si një përdorues real, i vërtetë.
Mira Kazhani: E thashë edhe më parë, isha me pushime kur e mësova historinë tënde dhe më pëlqeu. M`u duk narrativa e duhur për të nisur sezonin e tretë të ZëMeMirënPodcast. Thashë sa mirë, një shqiptar ka bërë një dating App. Se dating në shqip është të njohësh dikë, të kesh një dashuri, një lidhje intime, por më pëlqeu që ky ishte një hap për t`u njohur shqiptarët edhe për gjëra të tjera, edhe për të punuar bashkë, për të gjetur një punë, një partner për biznesin. I kishtë të gjitha. Për çfarë e përdorin më shumë Dua.com? Për t`u njohur? Për lidhje intime?
Valon Asani: Ideja kur ka nisur Dua.com ka qenë të krijohej një platformë në të cilën mund të regjistroheshin shqiptarët për të gjetur dashurinë, shokë, shoqe, po të gjenin edhe lidhje në botën e biznesit. Kjo ka qenë. Po pas katër viteve që kemi punuar e kemi parë që nuk ka interesim përveçse te dashuria. Nuk ka interesim. Për këtë arsye edhe kemi vendosur ta ndalim pjesën tjetër. Se vetëm në dashuri kemi parë që shqiptarët - po jo vetëm shqiptarët - të gjitha nacionalitetet janë të interesuar. Nuk ka interesim dhe ka logjikë pse nuk ka interesim. Se përderisa në dashuri njeriu ka vlerat që i merr nga prindërit dhe do t`i gjejë tek dikush tjetër. Se do krijosh familjen, do bësh fëmijë. Aty është shumë e rëndësishme t`i kesh vlerat të ngjashme. Një shqiptar me një shqiptar tjetër i ka vlerat të ngjashme. Kurse në biznes nuk janë aq të rëndësishme vlerat, sa është interesi. Mua kur më vjen dikush që i ka pajisjet për podcast nuk më intereson a është shqiptar a jo. Kur më vjen dikush që është më i miri për social media marketing, a është shqiptar a s`është, mua nuk më intereson. Kur më vjen dikush që ka produktin më të mirë, telefonin më të mirë, Apple, iPhone çfarëdo qoftë… në atë aspekt po më intereson ai që ka produktin më të mirë, hotelin më të mirë. A e ka bërë një shqiptar apo jo, është sekondare. Është mirë nëse është. Për atë arsye ne me shumë hulumtim e kemi parë që interesi numër një… dhe për atë arsye e kemi çuar gjithë energjinë dhe fokusin gjithçka vetëm në dating.
Mira Kazhani: Pse bëre një dating app vetëm për shqiptarët? Për shembull mund të biesh në dashuri edhe me një zviceran, me një amerikan. Pse të erdhi ideja për ta ndarë vetëm për shqiptarët? Ok, kishte App të tjerë për kombësi të ndryshme. Ndoshta kjo ka qenë dhe e veçanta. Si të lindi ty ideja?
Valon Asani: Së pari idenë e kam pasur në vitin 2011, para 12 vitesh.
Mira Kazhani: Sa vjeç ishe atëherë?
Valon Asani: 22.
Mira Kazhani: Fiks koha e dashurisë. Apo është gjithmonë koha e dashurisë? Ç`e kemi këtë që vetëm në rini?
Valon Asani: Gjithmonë është, por njerëzit dikur dorëzohen. Dashuria kurrë nuk vdes. Vetëm njerëzit vdesin. Për t`u kthyer tek pyetja, pse një dating app për shqiptarët? Së pari ka qenë nevoja personale. Pse të mos kemi ne shqiptarët një platformë, një aplikacion apo website ku mundemi të gjejmë njëri-tjetrin kudo në botë. Nuk ekzistonte në vitin 2011. Pastaj e kam vërejtur që ka interes të madh për të ekzistuar. Ka pasur platforma të ndryshme që kanë nisur diçka të ngjashme. Ka pasur grupe në Facebook ku kanë nisur të njihen me njëri-tjetrin. Në Instagram, forma të ndryshme, chat aty e këtu, po askush nuk e ka bërë një aplikacion në mënyrë profesionale si Tinder, Bamboo, Badoo etj. Kurse nëse e krahasojmë me platforma të tjera si Jewish Date është për komunitetin e Jahudive u themelua në viitn 1997. Domethënë kur ishim ne në Kosovë në luftë, ata e kanë pasur platformën ku Jahuditë e krejt botës mund të njiheshin me njëri-tjetrin. Ata e kanë mbrojtur identitetin, kulturën, vlera e tyre përmes J Date.com. Përmes shumë platformave të tilla të ngjashme që janë për një grup të caktuar. Ose lidhen me besimin, ose me nacionalitet, ose me etnicitet, ose për veganët që nuk hanë mish, ose, ose, ose… E pse jo ne shqiptarët? Janë 8 mijë aplikacione dating, faqe, forma të ndryshme. E pse mos të kishim edhe ne shqiptarët një platformë?
Mira Kazhani: Më shumë vajza apo më shumë djem ka?
Valon Asani: Më shumë djem.
Mira Kazhani: Më shumë djem!
Valon Asani: Po. Është diku një me katër. 20-25% janë vajza, të tjerët janë djem.
Mira Kazhani: Si e shpjegon ti Valon këtë? Janë djemtë si gjithmonë, siç është dhe në realitet ata që bëjnë hapin e parë apo si?
Valon Asani: Është gjykimi në shoqërinë tonë. Nëse ti je vajzë dhe je në një dating app stepen nga paragjykimi, nga gjykime të ndryshme. Në shoqërinë tonë, sidomos tek shqiptarët po edhe në Ballkan, gjithsesi më shumë tek shqiptarët, që kanë mendimin “vetëm qysh them unë”. Domethënë “Ja kështu. Se ashtu s`bën”. Sidomos femrat e kanë atë frikën se e sheh dikush dhe e gjykon.
Mira Kazhani: Paskan mundësi zgjedhje tek Dua.com… (qesh)
Valon Asani: 100%, Për këtë arsye kemi krijuar në aplikacionin tonë opsione të ndryshme. Një “ghost mode”. Për shembull një femër mundet të regjistrohet, të bllokojë kontaktet që ajo nuk do që t`i dalin në aplikacion, ndonjë djalë i xhaxhait, ose ndonjë shok, dikush që je e sigurt që do të të gjykojë ty. Mund t`i përzgjedhësh në bazë të email-it ose numrit të telefonit. Mund t`i bllokosh që ata kurrë mos të të shohin ty.
Mira Kazhani: Ka edhe filtra për privatësinë me sa kuptoj.
Valon Asani: Ka shumë. Gjëja tjetër është që mund të hysh në këtë “Ghost mode” që do të thotë se vetëm personat që ti ia jep një like munden të të shikojnë ty. Vetëm atij që i jep like mund të të shikojë ty. Praktikisht ti je fantazmë, nuk shihesh, nuk ekziston në platformën tonë. Kjo vetëm për femrat për t`i mbrojtur nga gjykimet, nga shoqëria jonë që i ka gjykimet ndaj femrave.
Mira Kazhani: Keni shumë histori me martesa të lumtura?
Valon Asani: Kemi. Jo shumë, por kemi me miliona përputhje.
Mira Kazhani: Këtë doja në fakt.
Valon Asani: Me miliona përputhje. Mbi qindra, mijëra numra që kanë ndërruar me njëri-tjetrin, që i dimë nga database. Kemi përputhje që kanë dalë në takime, në lidhje serioze, fejesa, martesa dhe në krijimin e familjeve me fëmijë, prej Dua.com. I kemi të dokumentuara, i kemi vizituar. Kemi bërë video tek ata. Kemi bërë foto. Kemi bërë histori suksesi. Po është prapë ky gjykimi. Numri është 100 fish më i madh se sa ata që na lajmërojnë, sepse nuk duan që ta dinë të tjerët që janë takuar në një dating app.
Mira Kazhani: Shanset për manipulim dhe për të rënë pre e ndonjë mashtrimi janë zero tek Dua.com? Është tjetër gjë çfarë ndodh në jetë pasi takohesh. Po për shembull është ai rasti në Netflix i Tinder. Ai djali i Tinder që mashtronte vajzat. Bënte atë jetën luksoze. Vazhdon të jetë i lirë.
Valon Asani: Në cilëndo platformë ka njerëz me qëllime të këqija. Cilido mund ta keqpërdor një platformë. Ne kemi bërë maksimumin tonë. Kemi suport, ekip prej pesë vetash që nga e hëna në të diel në çdo orë të ditës i bllokojmë profilet ku kemi dyshimet, ose nëse ndonjë vajzë thotë ky person ka sjellje pa lidhje. E bllokojmë atë person. Po gjithçka mundet të ndodhë. Nëse dikush takohet me dikë në jetën reale pasi janë njohur në Dua.com, çfarë mund të bëjmë ne? Asgjë. Ato janë gjëra që janë jashtë kontrollit tonë.
Mira Kazhani: Sa kushton? Është me para ta shkarkosh app-in Dua.com?
Valon Asani: Po. është versioni falas dhe versioni premium. Versioni premium ka çmime të ndryshme për shtete të ndryshme. Për shembull në Shqipëri dhe Kosovë është shumë më lirë sesa në Zvicër. Arsyeja janë rrogat, kushtet e njerëzve. Në Kosovë dhe në Shqipëri janë shumë të limituar për shkak të të ardhurave që kanë. Po çmimet janë shumë, shumë të lira. Flasim për 7-8 euro në muaj që nis këtu çmimi deri në 20-25 euro në vendet më të shtrenjta, si për shembull në Zvicër, për të gjetur dashurinë e jetës.
Mira Kazhani: Ku është download-uar më shumë App-i?
Valon Asani: Në Shqipëri dhe Kosovë kemi më së shumti përdorues.
Mira Kazhani: Valon, a keni pasur përputhje të së njëjtës gjini dy vajza ose dy djem?
Valon Asani: Jo, sepse vlerat tona në Dua.com janë që prej përputhjeve të krijohen lidhje serioze që të krijojnë familje, fëmijë. Ka platforma të tjera si Grindr, Tinder si shumë të tjera që i japin mundësi atyre njerëzve që duan të gjejnë njerëz të gjinisë së njëjtë. Dua.com nuk është një platformë e tillë.
Mira Kazhani: Kur lexova në blogun tuaj prezantimin tuaj, Valon Asani, deviza, fjalia kryesore ishte: “All my world is about relationship”. E gjithë bota ime është rreth raporteve, rreth marrëdhënieve. Çfarë quan marrëdhënie një inxhinier si ti i Inteligjencës Artificiale?
Valon Asani: Pikë së pari dua të them që nuk e quaj veten si inxhinier të Inteligjencës Artificiale. Unë jam së pari një ndërmarrës. Jam edhe inxhinier me shkollë të inxhinierisë. Po kam inxhiniera që e dinë Inteligjencën Artificiale. Unë jam më shumë truri mbrapa, vizionari mbrapa, por jo vetë ai inxhinieri që e ka programuar këtë. Ajo që unë quaj relationship, ose lidhje, marrëdhënie çdo gjë. Duke u nisur nga vetja çdo njeri e ka atë marrëdhënie me vetveten. Njeriu është në këtë botë për të kuptuar më së pari raportin me vetveten. Të punojë shumë me vetveten. Të dojë vetveten. Të merret shumë me vetveten. Të qëndrojë me vetveten. Të meditojë me vetveten. Të krijojë një raport të bukur, të mirëfilltë me vetveten. Pastaj të nisë të krijojë raporte me të tjerët.
Mira Kazhani: Një marrëdhënie e suksesshme me dikë tjetër, ose me të tjerët…
Valon Asani: Në momentin që një njeri e kupton që raporti me vetveten është raporti më i rëndësishëm, atëherë mundet të ketë një raport, një lidhje, një martesë, me këdo tjetër person të suksesshëm.
Mira Kazhani: Kemi rënë dakord që nuk do bëjmë pyetje për jetën tënde private. Po thjesht në përgjithësi. Ke njohur njerëz në app? Ke njohur gjatë rinisë tënde dikë online dhe ke chat-uar e ke rënë në dashuri?
Valon Asani: Po. Jo në Dua.com. (qesh) Në Dua.com kurrë. Po normal. Në ditët e sotme shumë aplikacione përdoren për dating. Si Instagrami, si forume, si Facebook, si chat-e të ndryshme, aplikacione dating të ndryshme. Është shumë normale të takohesh, të njihesh, të hysh në chat me dikë ose veç t`i shohësh fotot njëri-tjetrit. Kjo është bërë në shoqërinë tonë gjëja më normale që ekziston.
Mira Kazhani: Të rinjtë po e keqkuptojnë disi çështjen e marrëdhënieve me njëri-tjetrin, edhe për shkak të teknologjisë, të app-eve të shumta. Ata mund të jenë të gjithë në një kafe, por janë në TikTok, janë scrolling gjatë gjithë kohës. Ndërsa një njeri që prodhon app-e si puna jote nuk ka telefon. Ne kemi folur bashkë vetëm në email. Je vetëm në LinkedIn dhe email. Nuk e ke telefonin për vete.
Valon Asani: Korrekt! Telefoni ka shumë të mira po në mendimin tim ka më shumë të këqija. Duhet të jesh shumë, shumë i disiplinuar në vetvete për të mundur të përdorësh një smartphone pa u bërë i varur.
Mira Kazhani: S`mund të jenë aq të disiplinuar adoleshentët. S`jemi as ne të rriturit, të pjekurit.
Valon Asani: Pikërisht. Është humbje e kohës, energjisë. E kisha një fazë kur s` kam pasur smartphone prej vitit 2017 deri në 2019-ën. Dy vite. Pastaj kur kam nisur Dua.com thashë s`ka logjikë të mos kem një smartphone për të përdorur aplikacionin tim, për ta testuar. Kështu që e kam marrë prapë një iPhone. Pashë që fillova ta përdorja më shumë e më shumë. Një aplikacion, shto dhe një aplikacion dhe prapë fillova ta eliminoja derisa nuk kisha më shumë si një orë screen time. Limitova kohë, veten.
Mira Kazhani: Këtë javë unë e kisha katër orë në ditë screen time.
Valon Asani: Shumë janë katër orë.
Mira Kazhani: Jam për terapi më duket.
Valon Asani: Për atë arsye vendosa ta limitoja dhe tani nuk kam as smartphone hiç, prej një muaj e gjysmë. Ndodhi rastësisht, po unë nuk besoj as në rastësi, kemi këtu një swimmingpool dhe patëm një team party. U hodha kështu siç jam me rroba dhe kisha pasur iPhone-in në xhep. U prish. Nuk funksiononte më. Njëherë thashë ta kthej, të merrja një tjetër telefon. Pastaj thashë është një shenjë që s`më duhet. E pashë që s`kam nevojë për atë telefon edhe për shkakun që ka qenë një fazë, dy vjet që s`kam pasur smartphone, vendosa prapë mos ta përdorja. Ndihem shumë rehat, perfekt.
Mira Kazhani: Kështu më ndodhi mua në 2014-ën, a ndoshta në 2015-ën me Facebook-un. Ma vodhën tre herë, e ktheva katër herë. E vodhën të pestën dhe thashë kjo është shenjë. Nuk e përdora kurrë më Facebook-un. Mendoj që nuk kam humbur asgjë dhe jam njeri më i qetë, por kam këto telashet e tjera.
Jeta pa telefon është e mundur për ty, por për mua si gazetare është e pamundur. Çfarë të mirash ka jeta pa telefon?
Valon Asani: Pikë së pari, nuk pajtohem. Mendoj që edhe për ty është e mundur. Nëse mundem unë që kam tre biznese, mbi 60 punëtorë dhe kam një biznes që është një online dating app për smartphone… domethënë krejt biznesi im varet tek smartphone dhe gjeta mënyrën të të takoj ty e të menaxhoj komplet biznesin tim, jetën time… Të shkoj nga Prishtina në Zvicër pa smartphone. Të bëj gjithçka të mundur pa smartphone, atëherë pse ti s`mundesh?
Mira Kazhani: Si e ke bërë? Sekretin.
Valon Asani: Së pari ne mendojmë që kemi nevojë. Para 20 viteve s`ka pasur smartphone. Si kemi jetuar? E mashtron veten. Mendon që po bën mirë… E kam bërë dhe unë të njëjtën gjë…E kemi bërë të gjithë njësoj, është krejt normale. Jo, se unë e përdor për email-e, jo, se unë e përdor se lexoj, jo se unë e përdor për atë arsye… ato janë mashtrim i trurit për t`i thënë vetes unë jam mirë, jam në rregull, s`kam probleme. E vërteta është largoje, provoje 30 ditë dhe ke për ta parë që do gjesh mënyra. Nuk do vdesësh. Do gjesh mënyra për të jetuar edhe pa smartphone. Ose e limiton. I largon të gjitha aplikacionet. Në momentin që kam larguar browser-in, që s`mund të hyja në Safari, s`mund të hyja në Google Chrome, në atë moment m`u reduktua screen time 80%. Shumicën e kohës aty rrinë. Hyn në diçka tjetër, në diçka tjetër. YouTube e këto domethënë… Edhe e përdor vetëm për arsye elementare, për mesazhe, Google Maps, që në këtë aspekt është shumë i mirë smartphone, sepse ta lehtëson jetën. Aty e ndjej mungesën. Nëse kam për të telefonuar dikë, ose të takoj dikë. Prapë e gjen zgjidhjen, siç e gjetëm ne. Po aty është shumë i mirë.
Mira Kazhani: Shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Nuk të gënjej dot të të premtoj të të them do ta heq telefonin. Nuk jam gati. Nuk e bëj dot, por do doja. Si është e ardhmja e telefonit sipas teje? Për shembull, nëse do bëje një parashikim me mua sot, pas 20 vitesh do kenë njerëzit smartphone?
Valon Asani: Tani kemi smartwatches, kemi smart syze që e kanë të integruar, ka njerëz që kanë nisur ta integrojnë në lëkurë brenda forma të ndryshme ku e kanë edhe portofolin, vende të ndryshme, kode të ndryshme, e-banking. Ama mua s`më pëlqen.
Mira Kazhani: As mua fare. Kur s`të pëlqen ty…!
Valon Asani: Është një disconnection. Jemi duke u larguar nga natyra jonë nga marrëdhënia me vetveten, me natyrën.
Mira Kazhani: Me të tjerët…
Valon Asani: Edhe me veten, edhe me të tjerët.
Mira Kazhani: Ne kemi nevojë të kemi marrëdhënie me njëri-tjetrin.
Valon Asani: Absolutisht po. Kështu që nëse unë dal me shokë, me shoqe, me familjen dhe rri në telefon, nuk rri me ta. Për shembull nëse dal në restorant, në ndonjë vend së bashku personat që rrinë me mua e kanë shumë të qartë që nuk është e tolerueshme dhe nuk e respetojmë njëri-tjetrin nëse ke dalë me mua edhe je: Hë, qysh, po, çka… (interpreton). Ose je me mua, ose s`je. Shkrirja e teknologjisë në gjithçka ku jemi në çdo moment ku jemi, gjëja e parë “mëngjes”, gjëja e fundit “natën” për shumicën e njerëzve është smartphone dhe i çrregullon gjumin, shëndetin, ia shkatërron mendjen. Aq shumë aspekte negative ka, sa që aspektet pozitive nuk ia vlejnë për shumicën e njerëzve, se nuk e përdorin për atë.
Mira Kazhani: Edhe të dashuruarit fillojnë dhe zihen kur rrinë shumë në telefon pastaj.
Valon Asani: 100%.
Mira Kazhani: Edhe dashuria dëmtohet. Se humb edhe ai kurioziteti. Njeriu është i dënuar të jetojë në kontekstin e kohës së vet. Ne nuk mund të rikthejmë as principatat, as mbretëritë, as vitet `90, megjithë dashurinë dhe nostalgjinë për kë ka jetuar epokën e vetë. Çështja është që ky lloj komunikimi, ky mbikomunikim, më shumë sesa duhet i shteron njerëzit. I shteron edhe ndjenjat. Nuk ka më atë magjinë një takim me dikë. Gjithçka thuhet edhe stërthuhet. Ti mund të jesh duke shijuar një darkë dhe të vjen një mesazh që nuk është shumë i këndshëm dhe të vjen nga një njeri i dashur. Tani vetë e shpikët. Njerëzit si puna jote e shpikën.
Valon Asani: Në fund të fundit çdo person duhet të marrë përgjegjësi për vetveten. Çdo person duhet të marrë përgjegjësi për aplikacionet që përdor. Duhet të marrë përgjegjësi për përdorimin e smartphone, për jetën, për çfarë ha, çfarë pi, çfarë mendon, çfarë lexon, çfarë konsumon. Është shumë e lehtë të viktimizohesh e të thuash: Ti e ke zbuluar iPhone-in dhe unë tani s`kam çfarë të bëj duhet ta përdor. Ti e ke zbuluar, e ke krijuar dhe unë jam tani viktimë. Ti e ke zbuluar hamburgerin dhe Coca Cola-n dhe unë duhet ta konsumoj. Ti e ke zbuluar cigaren dhe unë duhet ta konsumoj. Jo. Ti e ke lirinë të konsumosh çfarë do. Ti e ke lirinë të përdorësh Dua.com. Të gjesh dashurinë e jetës dhe ta fshish account-in. Të vazhdosh jetën. Të shëtisësh botën. Unë po të jap një mundësi. Janë edhe 8 mijë të tjera aplikacione që të japin atë mundësi. Kjo është e bukura. Që ti i ke të gjitha mundësitë. I ke të gjitha liritë. I ke të gjitha opsionet.
Mira Kazhani: Që ti të jesh kapiten i anijes tënde. E the shumë bukur dhe shpresoj ta dëgjojnë sa më shumë njerëzit. Masa, sensi i masës kudo ka rëndësi. Apo jo?
Valon Asani: Absolutisht po.
Mira Kazhani: Flasim pak për fëmijërinë tënde. E para njëherë komplimente për shqipen, sepse ke lindur dhe je rritur në Zvicër, në Zyrih. Prindërit e tu kanë ikur në `88-ën. Kanë qenë emigrantë politikë. Ti ke lindur atje bashkë me vëllain dhe motrën tënde. Shqipen e keni mësuar shumë mirë që në fëmijëri në shtëpi apo duke ardhur vitet e fundit?
Valon Asani: Në shtëpi njëherë gjithmonë ka qenë gjuha shqipe ajo që kemi folur si familje. Këtu në Prishtinë kam nisur ta përmirësoj. Kam parë që shumë fjalë nuk i kuptoj. Pastaj edhe në Tiranë e në Shqipëri. Ende kam aty këtu ndonjë problem që ndonjë fjalë nuk e kuptoj, por shumicën… Kam gati 10 vite që po jetoj në Prishtinë dhe normal që më është përmirësuar gjuha edhe këtu.
Mira Kazhani: Ke punuar që 13 vjeç. Shisje çokollata me një organizatë ndërkombëtare, nuk ia kujtoj emrin mirë, por diku e lexova.
Valon Asani: Ajo më ka mësuar mua të jesh me këmbë në tokë. Më ka mësuar çfarë do të thotë shitja. Shitja është gjithçka në jetë. Ti mua ma ke shitur këtë podcast që unë të merrja pjesë këtu. Këtyre ia ke shitur vizionin tënd të podcast-it. Shitja është në gjithçka. Të shkosh derë më derë (troket) çokollataaa, 5 franga një çokollatë… Më kanë mësuar shumë njerëz që të refuzojnë, jam mësuar me njerëz që të thonë Jo. Jam mësuar me njerëz që të thonë Po. Ka njerëz shumë të mirë që të blejnë shumë çokollata, veç sepse ti je simpatik ndoshta. Ka njerëz që as nuk ta hapin derën, ose të thonë: Largohu! Ishte një fazë ku fitoja paratë e para të miat, 13 vjeç, në një shtet, në Zvicër dhe ka ndodhur që prej atëherë, tashmë jam 34 vjeç, prej 21 vitesh unë gjithmonë kam pasur paratë e mia. Prej asaj moshe unë gjithmonë kam punuar. Kam gjetur punëra të ndryshme. Çfarëdolloj pune dhe kam mundur të bëj paratë e mia.
Mira Kazhani: Cila është pika jote e fortë për të shitur një produkt që nga çokollatat e deri tani me app-et e tua? Ku mendon se e ke atë yllin tënd në personalitet e kam fjalën?
Valon Asani: Vizioni. Unë mendoj që shitja më e mirë është nëse unë e gjej njeriun e duhur, për produktin e duhur dhe di t`ia tregoj atij njeriu vizionin se kush është ai me këtë produkt. Nëse unë mundem ty për shembull me podcast-in tënd të të bëj një shitje. Të them: Mira, imagjino të gjithë shqiptarët në tërë botën do ta shikojnë këtë podcast. Do të jetë një studio super e madhe, super profesionale. Do të jetë një ekip prej 30 vetësh. Do të shkruash një libër për këtë podcast. Unë të jap një vizion të podcast-it tënd. Unë ta shes ty dhe ti nis të imagjinosh: Uau, kush jam unë me çokollatë! Ose, kush jam unë me këtë podcast? Ose kush jam unë me një Tesla? Pse duan të gjithë të kenë iPhone-in më të ri? Sepse ata kanë arritur ta sheshin vizionin se kush është ai person me këtë produkt. Domethënë shitja ndodh me vizion.
Mira Kazhani: Si e shita unë podcast-in tim tek ty? (qesh)
Valon Asani: (qesh)
Mira Kazhani: S`ka gjë, thuaje.
Valon Asani: Ishe këmbëngulëse. Më pëlqen. Njerëz që dinë se çfarë duan. Tek unë ka krijuar kuriozitet. Pse? Pse është ky njeri kaq i interesuar të bëjë këtë podcast me mua? Domethënë ke insistuar disa herë. Për çdo njeri që ti i shkruan dy, tre, katër herë thotë: Diçka ka aty. Kjo qenka shumë entuziaste. Paska shumë energji. Do të krijojë këtë. Po manifeston atë. Kështu bëhet shitja. Se ti e ke treguar natyrën tënde autentike. Je ashtu siç je. Atë autenticitetin unë e kam ndjerë. Domethënë ti je ashtu. Nuk je munduar të krijosh një fasadë përreth. Ke thënë: Dua ta bëj. Ti je i pari. Do jesh ti i pari. Ty të kam parë. (imiton) Ke pasur një vizion që ky podcast duhet të jetë podcast-i i parë që duhet bërë. Dhe unë e kam blerë vizionin tënd.
Mira Kazhani: Si të thoja? (qesh) Ti je i pari. Ti do jesh i pari.
Valon Asani: Dhe unë thashë, ok ashtu. Të suportoj. Se ti e di se çfarë do.
Mira Kazhani: Sa e bukur. Më ka shijuar kjo pafund. Mendo të të kisha çuar vetëm një email dhe ta kisha mbyllur me aq.
Valon Asani: 100%.
Mira Kazhani: Vërtet?
Valon Asani: Absolutisht po. Sepse kam shumë kërkesa për podcast. Po zakonisht është e vështirë të gjej kohën. Se ne jemi në rritje gjatë gjithë kohës në Dua.com. Kemi angazhime të ndryshme. Është një fazë shumë e rëndësishme. Kemi hyrë në Turqi. Kemi hyrë në Marok. Jemi duke u zgjeruar. Dua.com nuk është tani vetëm për shqiptarët. I kemi më shumë se 220 mijë marokenë. Kemi më shumë se 130 mijë turq. Kemi bërë ekip në Stamboll. Kemi bërë ekip edhe në Marok. Jemi në rritje shumë të madhe. Kemi qëllime shumë të mëdha të bëhemi Unicon i parë shqiptar. Dua.com ka vizion shumë të madh. Kështu që nëse do kishe dërguar vetëm një email, s`do ishim sot këtu. (qesh)
Mira Kazhani: Çfarë të bën ty të lumtur?
Valon Asani: Mua më bën të lumtur nëse e nis së pari mëngjesin mirë, me një rutinë të mirë. Ku i kam të paktën dy orë për veten, për askënd tjetër. Ku meditoj, lexoj, bëj ushtrime të mëngjesit. Ia jap vetes një start të mirëfilltë, të bukur, në ditë. Mund të jetë ora 7-8 e mëngjesit unë ndjej që e kam fituar ditën. Është ende mëngjes. Shumica e njerëzve janë në gjumë. Po ajo më jep atë bazën, themelin të fortë për të nisur të gjitha sfidat. Të shkoj në podcast apo të kem takime me stafet, punëtorë, investitorë, etj për të krijuar këtë rritje. Kjo është baza. Jam mirë me vetveten siç e ceka më herët. Tani të nis raportin me të tjerët, me shokë, me shoqe, me familje. Për shembull sot në darkë kam për të takuar babin tim, pa telefon. Kam lënë një orë, një darkë, për të kaluar një kohë me cilësi të lartë. Për dikë është shumë e rëndësishme të udhëtojë. Për dikë është shumë e rëndësishme të bëjë sport. Për dikë është shumë e rëndësishme të mbajë trupin, mendjen, meditimin. Nëse bëhemi ekstrem në cilëndo prej tyre bëhemi të varur. Nëse për dikë është gjithçka vetëm gruaja, ose vetëm femra e tij atëherë ai krijon një varësi shumë të madhe dhe në momentin që ai person nuk është më, për atë person shkatërrohet krejt bota. Për të qenë në ekuilibër, në balancë, i lumtur, nuk duhet të jesh ekstrem në asnjë gjë. S`duhet të lidhesh në mënyrë ekstreme me asgjë. S`duhet të bëhesh i varur me asgjë, por duhet të kryesh atë balancën në çdo sferë të jetës, tek shëndeti, tek trupi, tek mendja, në raportet me njerëz të tjerë, në familje, në shoqëri, në ndonjë aktivitet. T`i balancosh të gjitha që edhe nëse largohet një puzzle, një pjesë prapëseprapë nuk ndihesh që u shkatërrove. Se vetëm ajo pjesë ekziston. Nëse për mua krejt jeta ime ishte vetëm Dua.com dhe Dua.com dështon njerëzit bëjnë vetëvrasje, mbyten. Ka njerëz që për shkak se klubi i futbollit ka humbur e shtyp dikë me makinë. Se për ata është identiteti që lidhet kaq shumë me këtë gjë. Për dikë është feja. Ka ekstremistë të fesë që janë në gjendje të mbysin dikë se nuk beson atë që besoj unë. Ka njerëz janë në gjendje të mbysin veten, sepse kanë humbur para në bursë, sepse identiteti i tyre është që unë jam një njeri shumë i pasur. Ky është rreziku që një njeri kur bëhet i varur për çfarëdo, s`ka lidhje çfarë ideologji, mendim, komunizmi, gjithçka që mund të jetë, që mund të shkatërrojë veten, lumturia vjen prej të kundërtës së asaj. Mos të jesh i varur. As prej telefonit, as prej ndonjë substance.
Mira Kazhani: As prej ndonjë njeriu të caktuar.
Valon Asani: Pikërisht. Atëherë jam i lumtur kur e krijoj atë ekuilibrin, kur e krijoj një jetë me një qëllim. Kur unë e vizualizoj. Nuk është rastësisht që unë jam këtu ku jam tani. Unë e kam shkruar, e kam vizualizuar, e kam vizatuar se kush dua të jem. E di saktësisht pse jam këtu. Nuk ia kam lënë rastësisë që të më sjellë në këtë rrugë. Unë e kam shkruar edhe non stop e përshtas. Them ok, këtu duhet të mbërrij. Ne jemi në këtë botë, në këtë jetë që është një lojë. Është si një lojë online ku e ke një karakter. E bukura është që ti mund ta krijosh. Ti mund të jesh kush të duash ti. Limitimet janë vetëm këtu (bën me shenjë në tru). Në realitet ti mund të jesh në jetë çfarëdo.
Mira Kazhani: Të lumtë goja! E ke thënë shumë bukur, por njerëzit edhe ngatërrohen. Mendojnë që mund të jenë një Beyonce, ose një Steve Jobs kur në fakt ndoshta janë thjesht arkitektë të mirë. Varet se cila është pika jote më e fortë, por duhet të dëgjosh veten. Çfarë shenje je në horoskop?
Valon Asani: Akrep.
Mira Kazhani: Akrep. Beson tek horoskopi?
Valon Asani: Po.
Mira Kazhani: Vërtet?
Valon Asani: Po. Besoj tek horoskopi në aspektin që… Dua të shpjegoj së pari çfarë domethënë horoskop. Horoskop është momenti kur një person lind, vjen në këtë botë dhe do të imagjinojë sikur ke desktopin dhe do të bësh një screenshot. Është momenti sa është ora, çfarë elementësh ke në desktopin tënd. Universi në momentin që ti lind e bën një screenshot. Është energjia në atë moment që ti ke lindur që integrohet tek ti, manifestohet tek ti dhe ti je një person që ke lindur me screenshot-in e universit, në atë moment, në atë vend. Ajo të jep disa karakteristika dhe gjëra që thjesht je ashtu. Për shembull shenjat e ujit, si Akrepi, janë më emocionale. Të gjithë janë. Ajo shihet. Rreziku nis kur njerëzit nisen të identifikohen me… Unë jam Akrep. Unë i bëj kështu gjërat se jam Akrep. Ajo është e njëjta arsye siç e ceka me çdo ideologji. Me fe, me komunizëm, me çfarëdo. Një njeri kur niset të identifikohet, e sheh çdo gjë përmes atij filteri, çdo element. Aty duhet të distancohesh. Të thuash ngadalë, ngadalë. Se edhe pse kam lindur Akrep dhe i kam disa veti të Akrepit prapëseprapë unë jam zot i vetvetes. Krijoj realitetin tim. Prapëseprapë unë mund të jetoj si dua. Mund të distancohem dhe të krijoj një identitet tjetër. Këto janë vetitë që munden të më ndihmojnë në jetë. Unë nuk kam nevojë të limitoj veten me atë bazë.
Mira Kazhani: Valon, tek ky screenshot nga universi i momentit kur lindim ka një destin të shkruar për njeriun apo fatin e bëjmë vetë?
Valon Asani: Të dyja. Unë mendoj që ne lindëm me një qëllim, por në të njëjtën kohë edhe e krijojmë atë vetë. Se ne mund të krijojmë çfarëdo që duam. Për shembull në birth chart, në screenshot-in tim, ishte e shkruar, e kam vërtetuar edhe nga njerëzit që e kanë studiuar, se nuk jam ekspert i astrologjisë, absolutisht.
Mira Kazhani: Në rastin tuaj çfarë keni vërtetuar?
Valon Asani: Universi thotë që jeta juaj është gjithçka për relationships, për marrëdhëniet.
Mira Kazhani: Prandaj e ke shkruar. Mua ajo më ngeli në mendje kur e lexova blogun.
Valon Asani: E shoh që ajo ju ka ngelur në mendje, për këtë arsye edhe jemi këtu. Nuk është rastësore që më rri gjithçka që lidhet me njerëzit, me dashurinë. Ishte e shkruar tek yjet nga momenti që kam lindur. Pse mua më ka ardhur ajo ide? Nga më ka ardhur? Nga universi. Universi komunikon me ne non stop. I sheh shenjat. Diku sheh një numër. Diku sheh diçka. Diku vjen një njeri të tregon diçka. Tani edhe ti nga ky takim diçka do ta marrësh me vete, deshe s`deshe.
Mira Kazhani: Patjetër!
Valon Asani: Edhe unë prej teje kam marrë diçka.
Mira Kazhani: Jam e lumtur që edhe ndjekësit e këtij podcast-i do marrin më shumë.
Valon Asani: 100%. Se ata vijnë, dëgjojnë. Dikush dëgjon diçka tjetër. Ne nuk i shohim njerëzit vetëm si njerëz. Unë i shoh njerëzit si pjesë të universit. Nëse ti flet me mua, unë shoh një pjesë të universit që flet me mua. Them çfarë ka kjo për të më dhënë, çfarë mesazhi? Çfarë është interesante? Pse? Për shembull çfarë kam marrë unë prej teje është të jesh këmbëngulës.
Mira Kazhani: Faleminderit!
Valon Asani: Do e marr.
Mira Kazhani: Faleminderit dhe tani merre dhe ti podcastin dhe bëje më të famshmin në botë mes shqiptarëve, gjithmonë.
Valon Asani: Mes shqiptarëve.
Mira Kazhani: Gati jam! (qesh)
Valon Asani: A je gati? (qesh)
Mira Kazhani: Po, po.
Valon Asani: Të uroj suksese!
Podcasti "Zë me Mirën" u mbështet nga Credins Bank dhe Lajthiza
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore