Në këtë episod do të dëgjoni historinë e një vajze shqiptare që falë mendjes së bukur, inxhinierike, jeton dhe punon në Mynih, në një zonë nga ato të mirat, sepse ia lejon puna e saj tek BMW!
Aledia Bilali është lindur dhe rritur në Shkodër. Që e vogël ajo ka pasur pasion ekuacionet dhe bota matematikore e ka tërhequr, por edhe edhe ylli i fatit e ka udhëhequr; drejt disa zgjedhjeve aspak të zakonshme.
Është 32 vjeç dhe ka mbaruar tashmë PhD, e sponsorizuar plotësisht nga BMW, sepse kompania e famshme gjermane sapo e ka pikasur është investuar tek kjo e re shqiptare.
Në këtë podcast ajo tregon për udhëtimin e saj, ëndrrat dhe se çfarë ndodh brenda kompanive gjigante, ku dita ditës njeriu merr përparësi, por gjithmonë kur e ke vënë sa duhet trurin në punë. Pa talent e vullnet nuk të qas askush sot, sado të jenë shtuar tonet për respektimin e të drejtave të njeriut.
Në këtë episod vetë u kujtova se sa bukur është të jesh sot i ri, në këtë botë plot shanse. Nuk jam dakord me kritikët se qenka më e vështirë jeta për brezin e ri…
Ja dëgjoni Aledian😉👍
Podcasti i transkriptuar
Mira Kazhani: Ja tek jemi në një tjetër episod në Zë me Mirën Podcast. E ftuara e këtij podcasti është një shqiptare që jeton në Mynih, është një vajzë e re, një inxhiniere, por nuk është një inxhiniere e zakonshme, ajo është aq e zonja sa ata të BMW së famshme në Mynih e rekrutuan dhe e mbajtën për vete, kaq mjafton për të nisur bisedën, apo jo Aledia.
Shkove ti te BMW apo erdhi BMW te ty?
Aledia Bilali: Në fakt ne u takuam në mes. Unë kam bërë master për inxhinieri të trafikut, nuk është inxhinieri e zakonshme…
Mira Kazhani: Do vdisja dhe s’do e merrja vesh që ka një master për trafik.
Aledia Bilali: Në fakt është një nga specializimet e inxhinierisë së ndërtimit dhe nuk është shumë e zakonshme, sepse në Shqipëri nuk ofrohet fare si degë.
Mira Kazhani: Ofrohet trafik.
Aledia Bilali: Ofrohet trafik nga një anë, por jo studim i trafikut, nga ky aspekt. Unë kam studiuar për master në Universitetin Teknik të Mynihut, që është universiteti më i mirë në Gjermani dhe e them pak me krenari këtë.
Mira Kazhani: Thuaje me shumë krenari!
Aledia Bilali: Dhe duke patur parasysh që BMW është kompani makinash dhe ajo është baza, por merret edhe me çështjen e trafikut sepse është shumë e rëndësishme që kompanitë private të bashkëpunojnë me universitetet, të dinë se çfarë impaktesh kanë ata, kur prodhon makina, prodhon edhe trafik.
Mira Kazhani: T’i marrim gjërat me radhë, fillimisht në Universitetin më të mirë në Gjermani, i Mynihut, të çuan 10-tat e shkollës në Shqipëri, apo 10-tat të çojnë deri diku pastaj është diçka tjetër në personalitet që dua të ma shpjegosh ti.
Aledia Bilali: 10-tat janë të rëndësishme deri në një farë pike, por nuk mendoj se 10-tat janë gjithçka. Për mua, 10-tat kanë qenë një trampoline. Unë kam pas një qëllim dhe që në fillimet e mia, si filllim në gjimnaz 10-tat më kanë ndihmuar të fitoj medaljen e artë. 10-tat më kanë ndihmuar që të fitoj bursë në universitet, më kanë ndihmuar që të pranohem në universitet në Gjermani, por normalisht ato nuk janë gjithçka. Duhet të kesh synime dhe 10-tat thjesht të ndihmojnë. Për mua ky ka qenë një rrugëtim, për dikë tjetër mund të ketë qenë diçka ndryshe, që ndoshta nuk i duhen 10-tat për të arritur aty ku do.
Mira Kazhani: Ke marrë ndonjëherë 9-të diku, 8-të?
Aledia Bilali: Patjetër, patjetër…
Mira Kazhani: Më qetësove tani. Je humane (qesh)
Aledia Bilali: Në gjimnaz jo, sepse në gjimnaz duhet që përfundimtarja të jetë 10 që të marrësh medaljen, po pjesa tjetër e universitetit…
Mira Kazhani: I kishe këto 10-ta nga studimi i gjatë apo në trurin tënd ka një factor X? Ti memorizon shpejt, ta pret truri themi ne?
Aledia Bilali: Unë mendoj se është një kombinim i të dyjave, nga njëra anë Zoti më ka dhënë aftësinë që që të jem e kapshme, sidomos në shkencat ekzakte, se normalisht kur studion për inxhinieri është e nevojshme kjo gjë, por nga ana tjetër edhe punoj shumë. Sepse njëra pa tjetrën…
Mira Kazhani: Ke qenë sistematike Aledia gjithmonë, punoje natën, punoje në mëngjes, pasdite, kishe një orar si ke funksionuar ti?
Aledia Bilali: Unë kam punuar shumë që në fillim. Në gjimnaz ka qenë periudha që kam punuar më tepër se kisha një qëllim që doja ta arrija, pastaj në vazhdimësi dhe në universitet ka qenë e njëjta gjë. Nuk është se kam mësuar vetëm kur kam pasur provime. Kam qenë rrjedhimisht sistematike dhe ajo besoj më ka ndihmuar që të arrij gjëra që i kam patur qejf t`i arrij, por edhe mos të lodhesha aq shumë sa të kaloja në stërmundim.
Mira Kazhani: Si e kupton një njeri që do të bëhet inxhinier, ka ndonjë lloj talenti? Përgjithësisht inxhinieria duket si një profesion për burrat. Ka qenë gjithmonë. Edhe në klasat në Tiranë është dëgjuar gjithmonë, shumë djem, ndonjë vajzë tek tuk. Edhe kur vajzat janë bërë inxhiniere duket sikur ato kanë një dhunti të rrallë që është përgjithësisht e burrave. A mendon ti vërtet Aledia se ka diçka në trurin e meshkujve që është një e dhënë më shumë për këto shkencat ekzakte për inxhinierinë dhe te femrat është diçka e rrallë, e lindur.
Aledia Bilali: Nuk mendoj se ka diçka që i bën meshkujt më të aftë, që të jenë të suksesshëm në universitetet nga ana e ADN-së apo nga ana e trurit. Besoj se si të dy si meshkujt si femrat kanë të njëjtin kapacitet që të jenë të suksesshëm në karrierën akademike. Kur flitet për inxhinierinë si profesion, çfarë pune bën kur del në jetë, sidomos inxhinieria e ndërtimit ka tendencën për të qenë më tepër profesion mashkullor, që besoj është më tepër e prirur nga ideja që ti do të punosh në terren dhe terreni është më tepër për meshkujt. Por inxhinieria nuk ka vetëm pjesën e terrenit, ka shumë dimensione…
Mira Kazhani: Inxhinieria ka pafundësi degëzimesh edhe me teknologjinë, ja rasti yt për shembull.
Aledia Bilali: Rasti konkret. Dhe besoj se kjo është më tepër një mit, që inxhinieria është më tepër për meshkuj.
Mira Kazhani: Ti që e vogël ke dashur të bëhesh inxhiniere, e ke ditur që do të bëshesh inxhiniere apo e ke kuptuar gjatë rrugës? Për shembull, kam një shoqe unë që në vend që të bëhej inxhiniere, u bë miss Tirana dhe mendoj se kjo gjëja e çoi në një rrugë tjetër të jetës, por i kemi parë aftësi shumë të mira në inxhinieri. Do ishte bërë një inxhiniere e mirë. Ti e ke patur këtë talent, e ke patur këtë prirje që e vogël apo…
Aledia Bilali: Unë kur kam qenë e vogël kam menduar të bëhem austronaute. Që kur kam qenë e vogël kam patur një dashuri të madhe për matematikën edhe fizikën. Edhe mezi prisja atë pushimin e verës që kishim ne edhe i thoja mamit që të më blinte libra, që të zgjidhja ushtrime matematikore. Brezi im, ne nuk kemi patur internet, edhe për mua atëherë internet ka qenë libri i dijes apo enciklopedia. Varet se si e sheh inxhinierinë, mund ta shohësh edhe nga aftësitë që duhen, shkencat ekzakte por edhe nga ana praktike, që është një temë tjetër. Për mua, unë kam patur gjithmonë pjesën e shkencave ekzakte. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore pse unë zgjodha që të vazhdoja inxhinierinë.
Mira Kazhani: Si do ta zgjidhje ti trafikun, në çdo qytet, por le të flasim për Tiranën? Po ta kishe sot në dorë çfarë do të bëje ti? Si do ta çliroje ti trafikun?
Aledia Bilali: Kjo është pyetje shumë interesante dhe e marr shpesh këtë pyetje. Unë do filloja duke dhënë një koncept pak a shumë të përgjithshëm. Nëqoftëse në Shqipëri kur flasim për trafik ne diskutojmë a të vendosim një semafor këtu, një semafor atje për të rregulluar trafikun…
Mira Kazhani: Po një polic aty.
Aledia Bilali: Po një polic këtu, një polic atje, çfarë diskutohet përgjithësisht në botë për zgjidhjen e trafikut, për shembull në departamentin ku unë kam bërë doktoraturën në Mynih kisha një kolege që studionte se çfarë impakti ka nëqoftëse do t’i heqim semaforët, se si ndikon kjo në rritjen e efiçensës të trafikut…
Mira Kazhani: Se di çfarë mund të ndodhë në Tiranë nëse i heqim semaforët
Aledia Bilali: Janë raste…
Mira Kazhani: Duhet parë...
Aledia Bilali: Po duhet parë.
Mira Kazhani: Se mbase është pak eksperiment për gjermanët, që presin gjithsesi.
Aledia Bilali: Vetëm për të parë se në çfarë nivelesh flitet në Shqipëri për trafikun dhe në çfarë nivelesh flitet në botë.
Mira Kazhani: E qartë, ja edhe unë sapo e bëra padashje shkova aty.
Aledia Bilali: Normalisht me zhvillimet e teknologjisë, flitet shumë për Inteligjencën Artificiale, për machine learning. Për mua nëse do të zgjidhet trafiku në Tiranë mund ta fillosh shumë thjesht, transporti publik, përmirësimi i transportit publik. Mos gaboj, kryebashkiaku i Bogotës ka thënë që nëqoftëse do të shikosh se sa i zhvilluar është një vend mos shihni të varfërit që përdorin makina private, por shih të pasurit që përdorin transportin publik. Dhe unë aty do e nisja. Te përmirësimi i transportit publik që njerëzit të kenë një mënyrë tjetër për të shkuar nga A te B. Nëse iu jep njerëzve një mundësi ndryshe, atëherë ti çliron shumë trafik. E dyta do e nisja çfarë bëhet në Gjermani, por edhe në vendet e tjera të botës, është prioritizimi i transportit publik. Marrim parasysh Tiranën shembull konkret. Ne shohim që semaforët kanë një numërim mbrapsht, që për sa sekonda del e kuqja, sa sekonda del jeshilja. Kjo tregon që semaforët janë fiks. Nuk i adapton sipas kushteve të trafikut, ose nga ardhja e një autobusi. Në momentin që ti adopton semaforët që po vjen një autobus, ti e zgjat fazën jeshile atëherë ti i jep frymë trafikut. Dhe duke e prioritizuar transportin publik, i bën njerëzit që të përdorin më tepër transportin publik. Se për njerëzit, si për ty edhe për mua është e rëndësishme se sa zgjat udhëtimi nga A te B.
Mira Kazhani: Të mbërrijmë sa më shpejt në destinacion, këtë duan të gjithë njerëzit në çdo cep të botës.
Aledia Bilali: Patjetër. Dhe unë këtu do e vendosja fokusin. Pika e tretë që besoj se është e rëndësishme, nëqoftëse duam ta studiojmë trafikun ashtu siç duhet është të marrim vendime të informuara. Do e studiosh bazuar në të dhënat konkrete dhe reale. Në momentin që i bën këto dhe i kombinon bashkë, besoj se do të ketë zgjidhje. Por besoj se normalisht kjo do edhe vullnet politik.
Mira Kazhani: Kjo e fundit. Profesionistë ka, por punë më duket nuk ka. Është ndryshuar. Është vice-versa kjo shprehja. Në Mynih ka trafik. Ma do mendja që duhet të ketë sepse është qytet shumë i madh.
Aledia Bilali: Po ka trafik, por trafiku në Mynih, si e shoh unë në ndryshim me trafikun në Shqipëri, atje është trafik i rregullt do thoja. Vjen si pasojë e… ka makina më tepër, me çfarë sheh në Shqipëri, trafiku përveç rritjes së numrit të madh të makinave, vjen pak edhe nga kaosi.
Mira Kazhani: Ti çfarë mendon kur je në trafik vetë?
Aledia Bilali: Përveç pjesës që e mendojnë të gjithë, që kur do arrij në destinacion, edhe stresit që të shkakton. Unë kur jam në trafik, mendoj se cili është shkaku i këtij trafiku nga ana teknike dhe si mund ta zgjidh.
Mira Kazhani: Aty e ke bërë doktoraturën, kur ishe në trafik, ke patur gjetje… (qesh)
Aledia Bilali: Në fakt tema ime e doktoraturës ka qenë shumë interesante ‘on demand right pulling’, që i takon nëse e ke parasysh uber service?
Mira Kazhani: Po, po, e kam platformën në celular.
Aledia Bilali: Uber ka edhe një opsion, Uber Pools. Që nëse ti do të shkosh në një destinacion nga A te B, ti mund ta ndash atë me dikë tjetër. Si inxhiniere e trafikut ti e sheh që kjo është një mundësi e mirë për të reduktuar trafikun. Se e para ti redukton kostot dhe nga ana tjetër ti ndikon jo vetëm për veten, por ke impakt edhe në shoqëri. Domethënë që i përmirëson trafikun të gjithëve. Dhe kjo ka qenë tema ime e PDH, për të analizuar çfarë impaktesh ka ky lloj shërbimi. Në qoftëse ne e ofrojmë si shërbim në një qytet të caktuar… Kur ata do të donin të përdornin një shërbim të tillë nga ana e klientave, nga ana e operatorëve. Se unë e kam bërë temën e PDH me BMW, që ata ma kanë sponsorizuar si kërkim shkencor, nga ana e BMW ishte një shërbim i tillë përfitues nga ana ekonomike, por edhe nga ana e qytetit. Se në fund të ditës qyteti është ai që jep atë Okay, nëse një shërbim i tillë përmirëson trafikun apo jo. Lejohet apo jo në një qytet të caktuar.
Mira Kazhani: Se ne shqiptarëve na rri mendja në disa gjëra… Që BMW e ka mbështetur financiarisht të gjithë doktoraturën e Aledias nga Shkodra, - sepse ti je nga Shkodra, nga Shqipëria - dhe më pëlqen shumë. Në fund të këtij studimi ata të rekrutuan, të kërkuan që të vazhdosh të punosh për ta?
Aledia Bilali: Po.
Mira Kazhani: Çfarë pune bën aty te BMW?
Aledia Bilali: Unë aty aktualisht punoj në një projekt IT, te BMW. Është një projekt i madh IT-je. Janë 150 veta të përfshirë vetëm te projekti ku punoj unë. Edhe ne ndërtojmë një platformë që është për kompani ‘dotter’, për nënkompani të BMW në të gjithë Europën që merren me Be to be car leasing, që është business to business. Qëllimi është që të standardizojmë këtë platform. Në shtete të ndryshme mos të përdorim platformën e vet specifike, por që të kemi diçka standarte.
Mira Kazhani: Je e rëndësishme në këtë ekip ti, ke një pozicion të rëndësishëm, je një zë i fortë aty?
Aledia Bilali: Nëse do të marrim, punën në Shqipëri dhe punën në Gjermani është pak kulturë pune ndryshe. Për kompaninë tonë çdo njeri është i rëndësishëm. Çdo njeri ka atë impaktin e vet. Puna ime është pak komplekse se unë bëj te BMW pak ‘Project Management’, ‘Bussinness Analist Role’, rolin e testuesit dhe është një kombimin i shumë gjërave bashkë. Po si e shoh domethënë, çdo njeri ka atë rolin e vet kyç në projekt. Kur punon për projekte të mëdha që kanë rëndësi për kompaninë, çdo individ është i rëndësishëm.
Mira Kazhani: Të gjithë e dinë tashmë disiplinën gjermane, përveç disiplinës çfarë sheh diçka të shtuar ose ndoshta edhe diçka të re që po jetojmë, më shumë të drejta për punonjësit, më shumë meritokraci duket në kompani, sidomos për kompanitë private që ju intereson vetëm rezultati. Po një gjë që e sheh atje dhe do të doje ta ndaje.
Aledia Bilali: Përveç pjesës së disiplinës së punës sigurisht, nga përvoja ime, ata nuk shohin se nga ti vjen edhe çfarë race ke, nga cili shtet vjen. Ata të vlerësojnë për atë që je…
Mira Kazhani: Edhe sa ke këtu (truri) edhe këtu (në zemër).
Aledia Bilali: Edhe sa i jep kompanisë. Edhe kjo është për mua ajo gjëja kryesore që në momentin që ti vlerësohesh për atë që je dhe ti vlerësohesh, ti e ndjen që njerëzit të motivojnë për të ecur përpara. Atëherë ti jep jo vetëm 100 % tënd, por jep edhe 120 % tënd.
Mira Kazhani: E vërtetë. Sa orë në ditë punon, apo nuk ka orar fiks?
Aledia Bilali: Kontratën që unë kam, e kam 35 orë në javë, që është 7 orë në ditë. Këtë vit do të kalon në 40 orë në javë, 8 orë në ditë, por që unë punoj shumë më tepër. Por në kompani si BMW është e rëndësishme që ta përmendësh që çdo minutë ty të vlerësohet.
Mira Kazhani: Ta dinë ata të BMW se sa shumë reklamë po ju bëj në podcast, do ta mbështesin podcastin, por nuk është reklamë, është një kuriozitet për Aledian dhe më vjen shumë mirë. Më the më herët që nuk e njeh makinën, por njerëzve mund t’ju tregosh për shërbimet e makinës. Për shembull ti e ke aq informacion sa të dish të këshillosh dikë se çfarë makine duhet të blejë apo çfarë duhet të ketë parasysh kur të blejë një makinë.
Aledia Bilali: Me thënë të drejtën kjo nuk është pjesë e imja.
Mira Kazhani: Nuk është pjesë e jotja. Ti ke një BMW vetë.
Aledia Bilali: Po.
Mira Kazhani: E nget mirë, je e shpejtë, je e ngadaltë?
Aledia Bilali: S`e kam shumë qejf shpejtësinë. Do thoja normale. Asnjëherë nuk e kam patur qejf shpejtësinë.
Mira Kazhani: Në Mynih përdor më shumë transportin publik? Ku jeton në Mynih?
Aledia Bilali: Varet. Unë jetoj në rrethin e dytë të Mynihut.
Mira Kazhani: I bie të jetë zonë e pasur për sa kohë thua është e dyta…
Aledia Bilali: Pak a shumë. Më pëlqen të jetoj në qendër. Kam patur gjithmonë qejf, sepse nuk kam qejf të jem e varur nga makina. Pavarësisht se punoj te BMW për mua është më e rëndësishme liria. Makinën e përdor vetëm atëherë kur kam nevojë. Në momentin që e llogaris kohën, kur e kam kohën më të shkurtër, zakonisht e kam më kollaj të shkoj në punë me makinë. Por nëse dal në qendër të qytetit përdor shumicën e kohës transportin publik ose biçikletën.
Mira Kazhani: Transport publik, metro, tramvaj, çfarë të pëlqen?
Aledia Bilali: Bashkim, domethënë autobus, tramvaj më pëlqen më tepër se e sheh sipër rrugën, duket më e këndshme rruga.
Mira Kazhani: Nëse dikush të pyet ty Aledia, çfarë është për ty një qytet?
Aledia Bilali: Një qytet për mua është një vend ku ti ndihesh si në shtëpi. Nëse do të mendoja një qytet që është familjar, përveç qytetit ku unë kam lind dhe jam rritur në Shkodër, si qytet perfekt ku unë do të doja të jetoja, padyshim është Mynihu, ku aktualisht jetoj. Si fillim për mua një qytet fillimisht duhet të ketë baziken, që është siguria për mua dhe pastërtia. E dyta duhet të ofrojë transportin publik që për mua është shumë i rëndësishëm të kesh lirshmëri, nëqoftëse të duhet për të kryer detyrat ose nevojat bazë, që Mynihu këtë e ka shumë të mirë, transportin publik. Edhe e treta pastaj është që të kesh hapësira publike, parqe që ti kohën e lirë të kesh mundësi ta kalosh diku në afërsi të shtëpisë.
Mira Kazhani: Do ktheheshe në Tiranë nëse do të propozonte dikush dhe të jepje kontributin tend? Në këto momente që flasim nëse do të vinte një ftesë, do ta peshoje?
Aledia Bilali: Pyetje shume e vështirë. Ndoshta momentalisht jo. Unë kam investuar shumë te vetja deri tani.
Mira Kazhani: Është shumë e kuptueshme. Është e logjikshme të bësh atë që po bën.
Aledia Bilali: Për momentin besoj se kam prapë për të përmirësuar të vetja ime dhe për të mësuar më tepër.
Mira Kazhani: Cila është ambicja jote? Ku e sheh ti majën tënde?
Aledia Bilali: Nuk e di. Kjo është pyetje shumë e vështirë po ta mendosh. Unë personalisht nuk kam patur asnjëherë qëllim që të jem e pasur. Qëllimi im i jetës nuk ka qenë ai. Për mua qëllimi i jetës është të bësh një jetë të lumtur, pa stres dhe të kesh një impakt pozitiv në shoqëri.
Mira Kazhani: Ti e ke provuar shpesh ndjesinë e të qenit e para. E para në shkollë, para në klasë. Cila është ajo ndjesia që ka një njeri që është i pari? Që është i shkëlqyer? Që i hapen dyert, se ka një aftësi të veçantë nga të tjerët? Që ulet dhe mëson ëë, me forcat e tua
Aledia Bilali: Të them të drejtën, nuk është se e kam menduar shumë.
Mira Kazhani: Ne të dytët që mendojmë se ju e mendoni këtë dhe e shijoni shumë. As ju nuk e shijoni.
Aledia Bilali: Jo. Jo
Mira Kazhani: Tani që e mendon? Se ti ke përgjigje për gjithçka. Ti je doktore inxhiniere
Aledia Bilali: Në momentin që kam qenë në shkollë, nuk e kam menduar se çfarë ndjesie të jep. Për mua e rëndësishme nuk ka qenë të jem e para. Për mua e rëndësishme ka qenë një version sa më i mirë i vetes time. Kur e mendoj tani mbrapa për atë idenë që je e para… Nuk e di. Ndoshta edhe sistemi në Shqipëri, ashtu siç e përmende edhe ti është: Shih këtë, se është i pari. Pse nuk je si ky?
Mira Kazhani: Neve jemi rritur pak me këtë edukatën e krahasimit që nuk është e mirë në fakt.
Aledia Bilali: Kjo nuk më pëlqen me thënë të drejtën. Çdo njeri ka aftësitë e veta. Dhe me këto aftësi, ka dëshirat e veta. Edhe sikur diçka që më pëlqen mua, nuk besoj që të pëlqen ty, ose dikujt tjetër.
Mira Kazhani: A të hyri në punë në Gjermani shkolla që bëre në Shqipëri? U ndjeve ti e barabartë mes të barabartëve atje? Përveç aftësive të tua që i ke pasur, por kur krahason shkollën, këtu dhe atje.
Aledia Bilali: Në fillim kur kam shkuar në Gjermani, kam parë që kemi diferenca në anën kulturore. Nganjëherë thosha si ka mundësi që gjërmanët e mendojnë këtë gjë dhe nuk e mendoj unë.
Mira Kazhani: Për shembull? Ma jep me shembull
Aledia Bilali: Për shembull, kisha një shok gjerman që erdhi të vizitonte Shqipërinë, edhe kur erdhën këtu, iu prishën këpucët dhe donte t`i dhuronte. I nxori këpucët poshtë pallatit ku ishte në AirBnb këtu në Tiranë. Kishte një letër dhe me Google e përktheu dhe kishte në shkruar: Marrë me vete, dhuratë! Unë qesha, se e para shqipja nuk ishte shumë korrekte, por ishte interesante. E pyeta, përse e vure këtë letër edhe ai tha që: nëqoftëse dikush do që t`i marrë këto këpucë, ai mos të ndjehet fajtor që i mori, ta dijë që është dhuratë. Jo se i vodhi. Unë isha uau, si e mendojnë këtë gjë. Unë nuk e kisha menduar. Ishte viti i parë që isha në Gjermani, edhe me kalimin e viteve, e shikon që kjo është diçka standarde në Gjermani. Nëqoftëse lë diçka në rrugë, njerëzit që e nxjerrin, shkruajnë dhuratë. Kjo vjen si pasojë e sistemit të tillë. Kultura e tyre i ka bërë ata që t`i shikojnë gjërat ndryshe. Ne shqiptarët mund të kemi cilësi të tjera, ata kanë cilësi të tjera. Kjo nuk domethënë që ne nuk jemi të barabartë. Ne thjesht jemi rritur në një mjedis ndryshe.
Mira Kazhani: Një inxhiniere si ti, me trurin tënd, me përgatitjen tënde a bëhet me nerva në punë? Je në gjendje t`i kontrollosh emocionet? Se kemi të gjithë në punë emocione negative, situata konflikti. Ti si e menaxhon?
Aledia Bilali: Unë nuk bëhem me nerva.
Mira Kazhani: Asnjëherë?
Aledia Bilali: Jo.
Mira Kazhani: As nga brenda? Nuk e mban?
Aledia Bilali: Ndoshta brenda ndonjëherë rrallë, por…
Mira Kazhani: Interesante shumë që ruan qetësinë.
Aledia Bilali: Nuk fiton asgjë nëqoftëse bëhesh me nerva.
Mira Kazhani: Dakord. Të gjithë e dimë. Po ke një moment që nuk e ruan qetësinë. E ke talent këtë? E ke dhunti tënden? Apo e ke farkëtuar me kohën?
Aledia Bilali: Besoj se me kohën. Po edhe ndikimi që ke nga kultura gjermane. Kur i sheh njerëzit që janë aq profesionalë, nëqoftëse do bëheshe me nerva, do të të shihnin çuditshëm.
Mira Kazhani: Ata nuk bëhen me nerva? Nuk ka debate? Nuk ngrihet zëri?
Aledia Bilali: Jo. Jo.
Mira Kazhani: Ashtu?
Aledia Bilali: Normalisht që debate ka gjithkund, por ruajmë profesionalizmin. Në fund të ditës është punë.
Mira Kazhani: Sa vite u bënë që jeton në Mynih?
Aledia Bilali: Këtë vit bëj 10 vite.
Mira Kazhani: Një dekadë. Epo nuk është pak.
Aledia Bilali: Nuk është pak.
Mira Kazhani: Sa vjeç je?
Aledia Bilali: Unë jam 32 vjeçe dhe kur e mendoj në Gjermani kam kaluar periudhën më të rëndësishme, ku formohesh si individ.
Mira Kazhani: Nëse pas 10 vitesh ti do të jesh bërë CEO e BMW-së, do flasim prapë bashkë?
Aledia Bilali: Patjetër, me shumë kënaqësi.
Mira Kazhani: E ke në plan ëë?
Aledia Bilali: Nuk besoj (qesh). Më duket shumë përgjegjësi e madhe.
Mira Kazhani: Po flitet shumë për makinat e së ardhmes. Po bëhen dhe eksperimentet për makinat që do të ecin vetë. Timoni do të drejtohet vetë, frenat do ndalojnë makinën përpara një situate të rrezikshme. Të pëlqen ty kjo ideja që makinat duhet të ecin vetë dhe ne të rrimë?
Aledia Bilali: Mua më duket shumë interesante. Në varësi sesi e shohin njerëzit makinën… Nëqoftëse ti e sheh makinën si mjet transporti dhe këtë detyrim ta kryen makina vetë është gjë e mirë. Se kohën që je në makinë mund ta përdorësh të bësh diçka tjetër.
Mira Kazhani: Në celular.
Aledia Bilali: Ose për të lexuar libra.
Mira Kazhani: Patjetër, sidomos.
Aledia Bilali: Kjo është gjë shumë e rëndësishme. Po unë si inxhiniere trafiku do të thosha kjo nuk e zgjidh çështjen e trafikut. Si njësoj si të kesh një makinë që punon me benzinë, një makinë elektrike, ose një makinë që punon në mënyrë autonome, prapë do kesh të njëjtin numër makinash në trafik. Mund të jetë makina e së ardhmes, por besoj që një kombinim i makinës së të ardhmes, së bashku me shërbimet e reja të mobilitetit, do të ndikonin që ne të kishim atë komunitetin dhe një jetë sa më të mirë nëpër qytete.
Mira Kazhani: Ne do të shkojmë drejt një bote pa makina nëpër qytete, ku do të ketë më shumë transport publik, apo kjo duket shumë ideale? Dikur idealja ishte të kishe makinën tënde, por e çuditshme sesi janë ciklet e jetës dhe të botës.
Aledia Bilali: Besoj që po. Nëqoftëse sheh qendrat e banuara, në qytetet europiane e sheh se çfarë ndryshimi kanë pasur. Siç e përmende edhe ti, që nga qytete të zbrazëta është krijuar rruga për makinat, tani po rimodelohen si qendra dhe po mbyllen rrugët e makinave. Po krijohen hapësira publike. Jo gjithkund. Se makinat janë të nevojshme shumë për ne, për të kryer nevojat tona.
Mira Kazhani: Po janë edhe të bukura. Për një udhëtim personal, që ti e ndan me njerëzit që do. Nuk e mohon dot.
Aledia Bilali: Për në qendrat e banuara do vijë koha…, por në përgjithësi mendoj që jo.
Mira Kazhani: Në Gjermani ngasin me qetësi të gjithë si puna jote?
Aledia Bilali: Është një shprehje, nuk e kam thënë unë, është shumë interesante. Duhet të puthësh si francez, të vishesh si italian, të festosh si spanjoll dhe të ngasësh makinën si gjerman.
Mira Kazhani: Shumë e bukur kjo!
Aledia Bilali: Gjermanët janë shoferë shumë të mirë. Nuk do thosha që ecin avash si unë, por Gjermania ka edhe këtë pjesën që është vendi i vetëm në botë që autostradat janë pa limit. Dhe në momentin që ke autostradat pa limit, për kënaqësinë e të ecurit shpejt, ato kanë vende të dedikuara ku munden të ecin shpejt. Besoj kjo i bën të jenë edhe shoferë më të mirë.
Mira Kazhani: Se e marrin edhe adrenalinën e të ecurit, edhe rregullin.
Aledia Bilali: Në momentin që kanë limitet e shpejtësisë, ata i respektojnë. Në momentin që ndjek rregullat ashtu si duhet, edhe gjermanët këtë e bëjnë shumë mirë, është shumë më e thjeshtë ta ngasësh makinën në Gjermani sesa në Shqipëri.
Mira Kazhani: Mendoj që njerëzit janë kudo njerëz. Nëse ti ia jep mundësinë, siç ia jep gjermanëve që diku në autostradë të jenë pa limit dhe në autostradë të kenë limite dhe rregulla, edhe njerëzit e kuptojnë. Njerëzit i përshtaten sistemit ku ata jetojnë.
Aledia Bilali: Patjetër.
Mira Kazhani: Pse mendon që e kanë këtë zell gjermanët?
Aledia Bilali: Zell, në çfarë kuptimi?
Mira Kazhani: Zell në kuptimin e mirë, për t`i bërë gjërat siç duhet.
Aledia Bilali: Do përmed këtu një shprehje tjetër. Nëqoftëse italianët punojnë për të jetuar, gjermanët jetojnë për të punuar. Besoj që puna është shumë e rëndësishme për gjermanët dhe ata duan që t`i bëjnë gjërat ashtu si duhet.
Mira Kazhani: E kanë në ADN? Apo e kanë thjesht të edukuar? Italianët kanë pasur kohën e bukur, detin, arkitekturën, historinë. Ndërsa atyre iu është dashur të punojnë me mjegullën, me shiun, me të ftohtin edhe aty në zyrë është më ngrohtë. Punohet më mirë. Po i justifikoj pak, ndoshta.
Aledia Bilali: Ndoshta i ka ndihmuar edhe koha. Ajo nuk diskutohet. Po edhe në vetvete, besoj që e kanë edhe në ADN atë kulturën e punës që e kanë trashëguar brez pas brezi.
Mira Kazhani: Aledia, unë të falenderoj! Të uroj shumë suksese! Besoj që do ta ndjekin historinë tënde dhe plot shqiptarë që më ndjekin në Gjermani. Kam shumë shqiptarë që më shkruajnë nga Gjermania. Është një infermiere që quhet Shpresa, shpresoj që atë ta takoj ndonjëherë kur të vijë në Tiranë. Gjermania na ka marrë shumë njerëz të mirë dhe unë që jetoj këtu nuk është se më vjen shumë mirë, por njerëzit duhet të zgjedhin më të mirën për veten e tyre, se jeta në fund fare është personale.
Aledia Bilali: Të falenderoj edhe unë ty Mira për ftesën edhe për këtë intervistë të këndshme. Do doja të falenderoja edhe për podcastin që ti po bën në Shqipëri. Për mua personalisht është një gjë shumë e mirë që ti po bën për Shqipërinë. Jemi mësuar në Facebook, në Instagram kemi vetëm një model njerëzish që duhet të ndjekim. Unë e shoh podcastin që ti po bën, që po u jep shqiptarëve edhe një model tjetër suksesi në jetë dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme sidomos për brezin e ri.
Mira Kazhani: Për këtë duhet të falenderoj ty, po pak më shumë pedagoge Miriamin që më mori në telefon dhe më sugjeroi që të takoj ty.
Aledia Bilali: Profesoreshë Miriami është një grua fantastike, si dhe një profesoreshë e mirë.
Mira Kazhani: Që nuk e ka as Gjermania.
Aledia Bilali: Nuk e ka.
Mira Kazhani: Faleminderit shumë Aledia edhe do të shihemi javës tjetër me episodin e radhës.
Bëjini subscribe, share dhe like kanalit tonë në YouTube.
Podcasti "Zë me Mirën" u mbështet nga Credins Bank dhe Melia Durrës
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore