Aktualitet

Zjarri në Kurbin/ 2-vjeçari humbi jetën në kasollen ku mbanin kanaçet, fëmijët e tjerë dolën me shpejtësi

Zjarri në Kurbin/ 2-vjeçari humbi jetën në kasollen ku

Detaje të reja raportohen për ngjarjen e rëndë në fshatin Sanxhak të Kurbinit, ku humbi jetën nga flakët e zjarrit një fëmijë 2 vjeç. Vogëlushi ishte një nga 5 fëmijët e familjes, e cila jetonte në kushte të vështira.

Zjarri nisi te kasollja që përdorej si magazinë, ku mbanin kanaçet që më pas i shisnin, e cila është djegur e gjitha, dhe më pas flakët kanë përfshirë edhe shtëpinë si dhe sobën e druve. Në momentin e rënies së flakëve fëmijët kanë qenë duke luajtur brenda saj dhe katër prej tyre arritën të dilnin me shpejtësi, ndërkohë që fëmija 2-vjeçar nuk ka mundur të shpëtojë si pasojë e djegies dhe asfiksisë.

Dyshohet që fëmijët të kenë qenë duke luajtur me një shkrepëse, gjë që ka shkaktuar edhe zjarrin. Kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara, e cila ndodhet në vendin e ngjarjes, tha për “News 24”:

“Familjen e kemi pasur në fokusin e ndihmës së Bashkisë. Kjo ngjarje e bën më të vështirë jetën për ta. Gjithë pjesa e shërbimeve, funerali, e çka i takon traditës, do ta mbulojë bashkia. Familja, për shkak të traumës, do të akomodohet në një shtëpi me qira në Laç, në ditët në vijim. Banesa e tyre nuk ka fare dëmtime, por do t’i çojmë në shtëpi me qira, për shkak të traumës, që kanë pësuar. Siç thonë familjarët, soba e druve, që ka qenë ndezur brenda, ndoshta një shkëndijë nga tubat e druve, ka rënë pas shtëpisë, ku ndodhet magazina me dërrasa dhe mund të ketë marrë flakë. Fëmija ka qenë duke lozur pas shtëpisë”./ Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/asfiksia-nga-zjarri-ne-shtepi-i-merr-jeten-dy-vjecarit-ne-sanxhak/